E premte, 26.04.2024, 08:49 AM (GMT+1)

Shtesë » Historia

Dy dokumente të panjohura për Arvanitët dhe rolin e tyre në qendresën antiosmane

E shtune, 10.01.2009, 05:09 PM


ARVANITËT NË NDESHJET E PARA ME OSMANËT

Nga Dr. Irakli KOÇOLLARI

Historia e arvanitëve, kësaj pjese të popullsisë mesjetare shqiptare të shkulur nga trungu i atdheut amë dhe vendosur në territoret e Greqisë kontinentale e ishullore, është fare pak e kërkuar dhe trajtuar nga institucionet shkencore, apo studiues të fushave të historisë. Brenda këtij subjekti ka aq shumë vlera, sa mund të thuhet me një vëmendje të qartë shkencore se po të rrëmohet nëpër "këtë humus" mund të dalin në dritën e diellit shumë çështje të panjohura të së kaluarës, evenimente të mbetura në errësirat shekullore, personazhe të rëndësishme, të harruara në anonimitet, të rizbulohen dekada dhe shekuj të tërë të historisë së Shqipërisë pa informacion, apo çështje historike të dyshimta që duhen riformatuar.

KUR ZBRITËN DHE KU U VENDOSËN EMIGRANTËT SHQIPTARË?

Nuk mund të thuhet me ekzaktësi kush dhe kur ishte emigrimi i parë i shqiptarëve drejt territoreve të Greqisë, por ajo që mund të thuhet me siguri janë dokumentet që provojnë një nga zbritjet masive të tyre në fillim të shekullit të XIII. (2) (Longnon, Jean; "Chronique de More", ap. 6, 803). Flasim për emigrimet e kësaj kohe, pasi të paktën në këtë shekull gjenden evidencat dokumentare që pasqyrojnë qartas valët e mëdha emigratore, rrethanat e largimit të tyre, afërsisht numrin dhe masivitetin e zbritjeve, prijësit e fiseve shqiptare që udhëhiqnin këto emigrime, vendet prej nga ata largoheshin, territoret ku ata nguleshin, rregullimi ligjor - dekretet perandorake bizantine që lejonte dhe ofronte territoret e vendosjes së tyre. Pas valëve të para emigratore, në fillimin e shekullit XIV (1333), është historiani bizantin Kantakuzino që na bën të njohur se nën Perandorin Andronik III Paleologu, grupe të tjera masive shqiptarësh vazhduan të vijojnë paqësisht nëpër territoret e Greqisë. (3)(Cantacusino, Joan; Chronique, lib. III, f. 239). Ata u vendosën kryesisht në zona dhe terrene, që administrata bizantine i konsideronte me interes dhe rëndësi ushtarake; në afërsi apo përreth kështjellave, të cilat ruanin pika vitale të territoreve të Bizantit, në "dervenohoria" - vendkalime apo linja urbane me rëndësi strategjikoekonomike, në territore dhe terrene të braktisura dhe të mbetura djerrë, të shpopulluara masivisht për shkak të luftërave të njëpasnjëshme dhe epidemive të njohura të kohëve. Dokumentacioni bizantin i kohës na bën të njohur stacionimet e tyre të para, territoret e dhuruara me dekrete perandorake dhe vendbanimet e reja të krijuara prej tyre në krahinat e Thesalisë, Beotisë, Atikës, Peloponezit, Argolidhës, Korinthit, Manit, në ishujt e Egjeut, Poros, Specia, Eube e deri në Qiklade.

BANORËT E RINJ NGRENË VENDBANIMET E REJA

Këta emigrantë bëheshin kështu, në shekullin e 13 dhe të 14, banorët e rinj të territoreve të Greqisë mesjetare, duke krijuar vendbanimet e reja, fillimisht të varfra të thirrura "katun", të cilat i pagëzonin me: - të njëjtët emra si të vendbanimeve të tyre të lëna pas në atdheun amë, të tillë si Mallakasa (shih Mallakastra); Avlona (shih Vlora); Kuçi (shih Kuçi) etj. - me emrat e prijësve të tyre të njohur Bua, (Gjin Bua Shpata) Malakasi Gjon Mallkasi), Losha (Pjetër Liosha), Spata, Meksi, Barbati, Lopsi etj. - me emra shqip Pusi Thatë, Kroiza, Bardhuna, Mandra, Vatha, Kryekuqi, Kukleshi, Kuqi, Kapandriti etj. Kjo farë aktive populloi masivisht pjesën dërrmuese të territoreve të Greqisë, sa aty nga mesi i shekullit XIV vetëm në Peloponez ata përbënin një të tretën e popullsisë së këtij vendi. (4) Beldicenau; Recherches, 37, F II, 543. Ata iu përveshën menjëherë aktivisht punëve në bujqësi dhe blegtori, duke transformuar shumë shpejt tokat e lëna djerrë dhe terrenet shterpë. Është pikërisht për shkak të shqiptarëve që ekonomia e këtyre anëve shfaqi një rritje të ndjeshme të prodhimit dhe lulëzimit të vendit.(5) Right, Diana; "Bartolomeo Minio", 127.

NJË DOKUMENT I RRALLË NDËRSA MYNXYRA OSMANE KËRCËNON

 Aty nga fundi i shekullit XIV, fillim i shekullit XV, në territoret e Ballkanit jugor, pra edhe ato greke, përherë e më shumë filluan të shfaqen dhe të jenë të pranishme repartet osmane. Herë të thirrur për aleanca nga despotët vendas, që për vite me radhë ishin në konflikte me njëritjetrin dhe herë në inkursione të shkurtra kalimtare, ata duket se po bëheshin përherë e më kërcënues. Destabiliteti politik, i shkaktuar nga grindjet dhe luftërat e vazhdueshme të despotëve, i kishte rrënuar përherë e më shumë territoret greke. Veçanërisht situata ishte dëshpëruese në Peloponez. Por, edhe këtu, tanimë, elementi shqiptar ishte bërë një faktor i rëndësishëm dhe pse jo fatvendosës. Krahas aftësive të tyre në kultivimin dhe transformimin e territoreve, punëve në bujqësi e blegtori, shqiptarët ishin dalluar edhe për aftësitë e tyre të shquara luftarake në mjaft fronte betejash. Ishte ky shkaku që venecianët, të cilët zotëronin një numër kështjellash bregdetare në këto anë, i kishin mobilizuar ata si "stratiotë" (luftëtarë profesionistë) dhe ishin aktivizuar në mënyrë të suksesshme në disa fronte luftërash. Në këto kohë grindjesh dhe konfliktesh të rënda me pasoja për fatet e Greqisë, tanimë të kërcënuar edhe nga fuqia osmane, vetë Perandori i Bizantit, Manuel Paleologu, vjen më 30 maj të vitit 1415 në Peloponez. Duke njohur mirë rolin e rëndësishëm që mund të luanin shqiptarët, për fatet e atyre anëve dhe të vetë Perandorisë në tërësi, ai u është drejtuar pikërisht atyre me një thirrje tepër interesante, e cila synonte të ngacmonte dhe të nxiste sedrat e tyre. Ky dokument unik, i cili përmbledh ligjëratën e Paleologut drejtuar shqiptarëve, ruhet në arkivin historik të Uashingtonit dhe ndër të tjera nënvizon: "Para së gjithash, të gjithë ata burra, që kanë një karakter të lartë dhe karakterizohen nga mençuria… fuqimisht miratojnë idenë se nuk duhet lënë vetvetja preh e vazhdueshme në duart dhe dhëmbët e armiqve. Të gjithë shqiptarët kudo që janë, pa përjashtim mendojnë dhe thonë të njëjtën gjë!" (6) (CFHB - 8. George T. Denis, editor and translator, Washington DC) Duke parë kontributet e veçanta dhe rolin vendimtar të shqiptarëve në frontet e luftërave, kundër hordhive osmane, ky Perandor pak vite më vonë do të bënte edhe një gjest tjetër të çuditshëm publik, për të tërhequr pas vetes këtë farë vitale në frontet e përgjakshme të luftërave kundër invazionit të papërmbajtur osman. Për t‘i mikluar, për t‘i nxitur, por edhe për të nderuar kontributin e tyre të qëndresës, Paleologu ndërroi emrin nga Manuil në Gjin dhe e shoqja nga Maria në Kuca; dy emra arbërorë këta, që ato kohë ishin mjaft të përhapur në radhët e shqiptarëve.(7) Mpiris, Kosta: "Arvanites I dori tou neoteru elenismou", 186).

ARVANITËT DHE VENEDIKASIT

Vlerat dhe aftësitë e rralla për luftë të shqiptarëve nuk i pikasën vetëm hierarkët bizantinë. Edhe venecianët i dalluan shumë shpejt këto vlera të tyre. Në shekullin XIV, ata kishin arritur të shtinin në dorë dhe zotëronin disa qytete-kështjella, bashkë me feudet përreth tyre, në bregdetin e Greqisë, të tilla si Koronin, Argosin, Nafplion, Methonin etj. Por, invazioni osman i territoreve të Ballkanit jugor filloi t‘u avitej dhe të kërcënonte edhe këto zotërime. Aty nga mesi i shekullit XV, forcat dhe repartet e zgjedhura turke përfundimisht goditën këto kështjella, por venecianët pak më parë kishin thërritur në shërbim të tyre luftëtarë shqiptarë që banonin në këto anë. Betejat mes tyre vazhduan për disa vite me radhë, por turqit, ndërsa avanconin në pushtimet e tyre, nëpër dimensionet e tjera gjeografike, nuk arritën dot të thyejnë qëndresën e organizuar të venedikasve, të cilët kishin tërhequr në aleancën e tyre edhe shqiptarët, në mbrojtjen e këtyre fortesave. Ndërkohë, ekspansioni osman zgjerohej në drejtim të veriut, duke shtënë në dorë njërën pas tjetrës territoret dhe krahinat e Greqisë, Arbërisë, Bosnjës, Serbisë, bregdetin Dalmat, duke iu afruar kështu kufijve tokësorë të vetë Republikës së Venedikut. Duke ndjerë rrezikun fare pranë portave të Venecias, Senati venedikas, në mars të vitit 1478, i kërkoi Stambollit mundësinë e nënshkrimit të një Traktati Paqeje. (8) Dispattcio, Zuan Dario, 83,76. arch. Carer.Venecia. Kërkesa latine u pranua dhe të dyja palët dërguan përfaqësuesit e tyre për nënshkrimin e traktatit në fjalë. Padyshim që kjo marrëveshje plotësonte një numër kërkesash dhe orekset e pangopura osmane. Venecianët, përmes këtij traktati, pranonin t‘u lëshonin osmanëve disa nga zotërimet e tyre në Greqi dhe më gjerë, në Shqipëri e gjetkë. Duke siguruar përmes këtyre lëshimeve në kurriz të shqiptarëve, dalmatëve, grekëve etj., garancinë për Republikën e tyre.

NJË DOKUMENT INTERESANT VENECIAN QË ZBULON PAZARET NË KURRIZ TË SHQIPTARËVE

Për të zbatuar në terren vendimet e Traktatit të Paqes mes dy fu qive, përfaqësuesit turq u takuan me ata venecianë në terrenet në afërsi të Argosit, në More (Peloponez). Njërën palë e përfaqësonte Batolomeo Minio - proveditor i Nafplios dhe palën turke Sulejman Beu, komandant i trupave turke për Peloponezin. Mbasi palët biseduan nga afër problemet e ndarjes të kufijve dhe territoret që u kalonin nën zotërim pushtuesve osmanë, në përfundim, venedikasit kanë hartuar një relacion për gjithçka ishte biseduar dhe vendosur mes tyre. Ky dokument tepër interesant, që përshkruan ngjarjen e asaj kohe, hedh dritë edhe për një fakt të rëndësishëm e tepër domethënës. Është fjala për shqiptarët që aso kohe qenë kthyer në një faktor determinues për fatet e atyre anëve dhe në tërësi për zhvillimet politike dhe ushtarake në rajon dhe veçmas për vetë fatet e Greqisë. Në këtë "dispatcio" - relacion të përpiluar nga përfaqësuesi venecian, Batolomeo Minio, njoftohet Senati venedikas me hollësi rreth një bisede konfidencale të zhvilluar mes komandantit turk të trupave pushtuese të Peloponezit, Sulejman Beut dhe Bartolomeo Minios. Dialogun e zhvilluar mes tyre, ushtaraku venecian ia ka përcjellë Senatit me hollësi, për t‘u thënë atyre se shqetësimi i vërtetë i pushtuesve osmanë nuk qenë copat e territoreve që ata do të merrnin nga venecianët, por luftëtarët shqiptarë, të cilët prej vitesh qëndronin të panënshtruar dhe përbënin pengesën kryesore për ekspansionin e mëtejshëm osman mbi territoret greke. Këtë bisedë intime, përtej protokollit formal, Minio e ka përcjellë në formën e dialogut sikundër është zhvilluar. Në të thuhet: Sulejman Beu (Përf. Turk): - Stratiotët tuaj shqiptarë (Albanezi) janë njerëz të një brumi shumë të keq. Përse nuk i përzini nga zotërimet tuaja? Minio (Përf. Venedikas): - Është e vërtetë që ka mes shumë shqiptarëve edhe njers të këqinj, por të gjithë të tjerët që qëndrojnë pranë nesh këtu janë njerëz me vlera të vërteta. Sulejman Beu (Përfaq. Turk): - Nëse ju i zboni shqiptarët nga teritori juaj, ne paskëtaj nuk do të kemi asnjë mosmarrveshje (pakënaqësi) ndaj jush... (8) (Index 35; Dispacci; f. 8v dhe 128.3-7, F. 107, Doc. Vent...)

* * *

Sulejman Beu: - Questi vostri stratioti Albanesi sono zente de pessima conditione. Perchè non li cazate via?" Minio: - Esser vero che fra i Albanesi ut plurimum ne son anche dei cativi: ma tuti quelli che hera con nui hera homeni da bene et de bona conditione." Sulejman Beu: -Se vui cazerete i Albanesi de questa terran non haveremo mai differentia alcuna."

* * *

Nga tërësia e këtij dokumenti dhe nga të tjera si këto, duket qartë se qëndrimi i Bartolomeo Minio, përfaqësuesit venedikas, ka qenë realist. Ishte i tillë pasi ky komandant ushtarak i kish njohur nga afër shqiptarët dhe vlerat e tyre si njerëz dhe si luftëtarë, në fushëbeteja, për vite me radhë. Ai kishte qenë dëshmitar i shumë sakrificave dhe gjakut të derdhur për të mbrojtur lirinë e tyre, por edhe interesat e venecianëve. Por, për nevojat e tyre politike, venecianët, shumë shpejt do të ndryshonin qëndrimet dhe "do të pajtoheshin edhe me djallin", pavarësisht se kush do të qe fati dhe pasojat e tmerrshme për shqiptarët, që kishin sakrifikuar për ta!!!

BRAKTISJA E SHQIPTARËVE PREJ VENEDIKASVE

Dhe për të ruajtur raporte sa më të kujdesshme me fuqinë osmane, me qëllim që të shpëtonin gjithçka ishte e mundur për interesat e tyre politike nga batërdia turke, venecianët urdhëruan, ato kohë, repartet e tyre në territoret greke, që të ndërtonin raporte sa më të mira me turqit. (9) Nën këtë logjikë pragmatiste, të paprincip, venecianët pranonin të sakrifikonin edhe aleatët e tyre besnikë - shqiptarët, të cilët kishin kontribuar aq shumë për ta dhe qenë përgjakur për vite me radhë në shërbim të tyre. (10) Duke parë këtë qëndrim të pamoral të venecianëve dhe pajtimin e tyre me pushtuesit osmanë, luftëtarët shqiptarë, kishin parë tanimë qartë, në mes të ditës, braktisjen përçmuese si dhe fatin e tyre të rrezikuar dhe të përdhosur. Në këto rrethana, një përfaqësi e krerëve kryengritës shqiptarë i është drejtuar ato kohë komandantit të trupave veneciane në Peloponez dhe pasi janë pritur në audiencën prej tij, i kanë parashtruar të indinjuar revoltën e tyre për tradhtinë dhe braktisjen në mëshirën e fatin dhe më keq akoma në duart hakmarrëse të egërsisë osmane. Në informacionin që ka hartuar mbas këtij takimi plot emocion, përfaqësuesi venecian, ndër të tjera, i shkruan Senatit: "Erdhën komandantët e Stratiotëve shqiptarë dhe u paraqitën tek unë në emër të luftëtarëve të tyre. Ata më kujtuan dhe parashtruan se i kanë shërbyer Sinjorisë tonë për një kohë të gjatë në frontet e luftrave me besnikeri të rallë, në tokë dhe në det dhe se kanë derdhur gjakun e tyre në shërbimet dhe për interesat tona. Pikërisht, për shkak, të këtyre luftrave dhe qëndrese për interesat e Sinjorisë,(Venedikut) ata kanë marrë mbi vehte urrejtjen për vdekje nga ana e turqve.... Nësë ne nuk i marrim në mbrojtje, më thanë ata, - shton Minio, - atëhere stratiotët shqiptarë do të shkojnë kudo qoftë mjafton që ata të garantojnë jetën e tyre dhe të familjeve të tyre..." 12.(Arkivi Korrer- Venedik,Index 35, F. 107) Po cila ishte përgjigjja që Senati i ka kthyer "proveditorit" të saj, Bartolomeo Minio, për ankesën e bërë nga krerët shqiptarë?

VENECIANËT DHE TURQIT NËNSHKRUAJNË TRAKTATIN E MIQËSISË DHE PAQES MES TYRE

"Duhet bërë cdo kujdes i mundshëm që Paqja e jonë e arritur me Sulltanin të jetë e qëndrueshme, të mos thyhet apo cënohet nga lakmija pandershmëria e kujtdo qoftë… Prandaj të konsiderohet vendim dhe të njoftohen të gjithë "rettorët" tanë që ndodhen në kufij me teritoret e turqve, të ruajnë me cdo kusht mardhënie miqsore dhe të qëndrueshme me ta… Urdhërojmë të gjithë ju dhe shtetasit që ndodhen në teritoret tuaja (pra nënkupto shqiptarët) të jetojnë në fqinjësi të qetë, të butë dhe miqsore me turqit… Te mos lejohet që hapur apo fshehur, tu shkaktohet ndonjë fyerje, sharje apo dëm turqve, njerëzve të Sulltanit…ndryshe ju do të shkarkoheni dhe përjashtoheni nga funksionet qeverisëse duke shdëmtuar… "(13).ASV, Senato Mar, x 20; 20 Prill 1479, Vezia. Kjo është përgjigjja, qarkorja që u ka dërguar Senati venedikas ushtarakëve të saj nëpër territoret që ata zotëronin, në Greqi, Shqipëri e gjetkë. Pra, e thënë me fjalë të tjera, luftëtarët kryengritës shqiptarë që kishin sakrifikuar aq shumë për të mbrojtur lirinë e trojeve të tyre, por edhe qytetet dhe kështjellat veneciane në Peloponez, tani e tutje duhet të ulnin shpatat dhe të pajtoheshin me pushtuesit osmanë! Bile të ruanin marrëdhënie miqësore!, të qeta!, të buta!!!... Po a do të pajtoheshin arvanitët e Peloponezit me këtë urdhër dhe kërcënim të venecianëve?! - për t‘u nënshtruar, me pak fjalë për të pranuar robërimin!!??

FILLIMI I KRYENGRITJEVEARVANITE

Por, pa kaluar pak ditë, sinjalin e mospajtimit dhe mosnënshtrimit e dhanë arvanitët e Koronit. I pari, Krokodil Kladha, me 160 kalorës, të gjithë shqiptarë (tutti albanezi) dhe mandej Meksi Buziqi, Petro Bua, Bohalët, Spatajt, Malakasët, etj., u ngritës dhe filluan sulmet rrufe mbi garnizonet turke të Manit dhe Bardhunës dhe mandej në tërë territoret e pushtuara nga turqit në Greqinë kontinentale. Pra, përgjigjja ishte vazhdimi i luftës! Kjo luftë, kjo qëndresë e shqiptarëve të Greqisë mesjetare, prej asaj kohë vazhdoi pa ndërprerje, duke u bërë një nga faktorët dominues të rezistencës antiosmane. Historia ka rezervuar për ta - arvanitët - altarin e nderit në panteonin e lavdishëm të lirisë. Finalizimi i këtyre përpjekjeve, i këtij shpirti dhe këtij gjaku të derdhur për shekuj me radhë, është pavarësia e Greqisë. Prania e një numri të madh të heronjve, në rreshtat e të rënëve për pavarësinë e këtij vendi, të tillë si Laskarina Bubulina, Teodor Kolokotroni, Andruco, Farmaqi etj., janë treguesit më të dalluar të kontributit të madh që ata kanë dhënë për këtë mision të madh - lirinë. Prandaj, historia me të drejtë do të rezervonte faqet më të dhimbshme, por dhe më të lavdishmet njëkohësisht për këtë popullsi, e cila prej mesjetës gjer në ditët tona vazhdon të thirret me emrin e dalluar dhe krenar - Arvanitë.



(Vota: 0)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora