E hene, 17.06.2019, 03:55 PM (GMT+1)

Sporti » Legjenda

Franz Beckenbauer

E marte, 07.03.2006, 03:18 AM


"Perandori Franc", aristokrati i futbollit gjerman

Franc Bekenbaueri e pa dritën e diellit në qytetin e Mynihut në vitin 1945, në atë kohë kur bota ishte e traumatizuar ende nga plagët e Luftës së Dytë Botërore. Ishte pikërisht momenti kur bota ndiente nevojën e një buzëqeshjeje. Franci ishte i biri i një funksionari poste, i cili dëshironte të bëhej atlet, por pasioni për futbollin ishte akoma edhe më i madh. Në moshën 14-vjeçare u regjistrua në ekipin e të rinjve të Bajernit. Po me këtë ekip ai bëri debutimin e tij në "Regional liga Süd" (Ligën Jugore Rajonale) në qershor 1964, dhe më pas në Bundesligën më 1965. Në moshën 17-vjeçare ai kalon në ekipin e të rriturve të Bajernit të Mynihut. Trajneri i tij serb, Çaikovski, njëkohësisht një ish-futbollist i talentuar, krijoi tek i riu besimin, duke parë se prapa përgatitjes fizike fshihej inteligjenca e një lideri të lindur.
Këto cilësi e udhëhoqën drejt postit të mesfushorit, ku dhe u angazhua në pjesën e parë të karrierës së tij. Suksesi i bavarezëve në kampionat dhe fakti që ishte ekipi i parë gjerman që merrte një Kupë Europiane, i hapi atij rrugën drejt kombëtares në shtator 1965, pikërisht përpara Kupës së Botës të vitit 1966.Ishte e vështirë, pasi duhej të sakrifikohej Shimaniak, një mesfushor i respektueshëm dhe njëkohësisht i frikshëm për të gjithë për shkak të forcës së paparë fizike. Si mund ta zëvendësonte i riu Franc me pamjen e tij aristokratike të fuqishmin Shim? Përgjigjen e parakohshme e mori gjithë bota në finalet e botërorit të Anglisë. Gjermania paraqet një dyshe të shkëlqyer në mesfushë, Bekenbauer-Overat, duke formuar linjën më të mirë deri asaj kohe (renditje 1-4-2-4), e cila pasonte topat drejt Uve Zelerit, Halerit, Emerihut dhe Heldit. Finalja e Londrës u humb tragjikisht nga gjermanët, por për Francin ky ishte vetëm fillimi i një karriere të shkëlqyer.

Retrospektivë - Kupa e Botës, 1966

Përpara ndeshjes së madhe me Anglinë, Gjermania Perëndimore, pjesë e së cilës ishte edhe Bekenbaueri, shkatërroi Zvicrën me rezultatin 5?0, një barazim 0-0 me Argjentinën, ndërsa më pas mundi Spanjën 2-1, për të mbërritur në çerekfinale. Ndeshja kundër Uruguajit pati vështirësi pas përjashtimit të dy futbollistëve. Megjithatë, Bekenbaueri erdhi nga thellësia e mesfushës dhe vulosi rezultatin në fitore, 4-0. Bekenbaueri do të ishte golashënues edhe në gjysmëfinalen me Rusinë, ku sërish do të mbeteshin me nëntë futbollistë në fushë, një prej tyre i larguar nga fusha për shkak të një dëmtimi, ndërsa tjetri i nxjerrë jashtë loje. Goli i tij do të ishte një e majtë e fortë, e cila rrëzoi murin e krijuar nga legjendari Lev Jashin. Në finalen e madhe kundër Anglisë, Bekenbaueri do të ishte kokë më kokë kundëra të madhit Bobi Çarlton. Ishte një ndeshje midis të mëdhenjve. Disa vite më pas, Bekenbaueri do të kujtonte Çarltonin, duke thënë: "Anglia na mundi më 1966, pasi Bobi Çarlton ishte më pak i mirë se unë...". Anglia fitoi ndeshjen 4-2 në kohën shtesë, me tre gola të shënuar nga Geof Hërst. Bekenbaueri, i rikthyer tek Bajerni, do t'i shijonte shumë shpejt fitoret, duke marrë në 1966 dhe 1967 Kupën e Gjermanisë Perëndimore, dhe po atë vit fitojnë trofenë e parë europiane, Kupën e Kupave, duke mundur Gllasgou Rejnxhërsin me rezultatin 1-0.

Të rinjtë, nën udhëheqjen e Bekenbauerit

Bekenbaueri u aktivizua si kapiten në sezonin 1968?69 dhe njëkohësisht si udhëheqës i këtij klubi për titullin e parë të ligës. Bëhet kapiten i kombëtares gjermane në vitin 1971, megjithëse kishte pësuar një zhgënjim në gjysmëfinalen e Kupës së Botës më 1970. Botërori tjetër në Meksikë e gjen titullar të pakundërshtueshëm, ndërsa në ekip ishin përfshirë një sërë emrash të rinj, si pantera Sep Majer dhe Gerd Myler, nuhatësi më i mirë i golave, së bashku me Shnelingerin, Lohrin, Overatin, Halerin, Libudën, Vogtsin dhe të pazëvendësueshmin Uve Zeler. Këta të fundit krijuan një ekip perfekt, të cilin, megjithëse i skualifikoi Italia, pas ndeshjes këta të fundit thanë: "Finalen e luajtëm përpara finales së madhe". Por nuk kishte si të shkonte ndryshe një justifikim më i madh, përveç faktit që Franci u aktivizua në lojë 30 minuta me klavikulën e thyer dhe të lidhur me fasho? Ky ishte Franci, lideri i pakundërshtueshëm, i cili ishte gati të vdiste në terrenin e fushës për ekipin e tij. Në 1972, Gjermania Perëndimore fitoi Kampionatin Europian, duke shkatërruar Bashkimin Sovjetik me rezultatin 3?0 në finale, e cila vijoi me fitore të njëpasnjëshme pas titullit të argjendtë dhe të bronztë në botëror. Por me siguri, viti më i mirë për Bekenbauerin do të ishte 1974. Kombëtarja e bazuar në "bllokun e Bajernit të Mynihut" (të tre futbollistëve të mëparshëm do t'i bashkohej Braitneri, Uli Hënes dhe Shvarcenbek), do të fitonte botërorin, megjithëse në finale pësuan një gol "holandezët fluturues" që në minutën e parë. Franci, pas 90 minutash lojë, do të ngrinte kupën 20 vjet pasi Fric Valter kishte provuar të njëjtin emocion.
Në të njëjtin vit, Bajerni i Mynihut do të merrte edhe Kupën e Kampioneve, duke vënë bazat e supremacisë bavareze për 3 vjet radhazi. Të parët e kishin ndier këtë pozicion spanjollët e Atletikos së Madridit dhe më pas, me radhë Lidsi i Bremnerit dhe St. Etieni me Tresorin. Viti 1976 do t'u sillte bavarezëve për të tretën herë në Kupën e Kampioneve, por edhe një humbje të hidhur pas një dështimi me penallti në finalen e Kampionatit Europian.

"Braktisja" e futbollistëve

Ishte "kënga e mjelmës" e një gjenerate të shkëlqyer, ndoshta fenomeni më i madh sportiv që kishte përjetuar deri asaj kohe Gjermania. Në këtë kohë, për arsye nga më të ndryshmet, një pjesë e madhe e yjeve të futbollit do të jepnin dorëheqjen. Pas Gerd Mylerit, i kritikuar së tepërmi nga tifozët gjermanë, vijoi Netzeri ("i mërguar" në Spanjë), Braitneri refuzon pjesëmarrjen në ekip nën udhëheqjen e Shënit, Overati dhe Grabovski vendosin se tre botërorë i mjaftonin karrierës së tyre, ndërsa Hënesi nuk mundi të përjetonte dështimin me penallti përballë çekëve në Kampionatin Europian.
Franci vendosi të mos rrezikonte të bëhej "bashkëpunëtor" dhe e braktisi kombëtaren, por jo më parë se sa të arrinte çdo gjë që mund të dëshironte një futbollist profesionist. Në të vërtetë, "pancerët" u goditën keqazi në Argjentinë, ndërsa e gjithë bota do të mbante mend golin e vulosur nga Franc Bekenbaueri. Eshtë për t'u theksuar se në vitin 1974 ai u pozicionua si mbrojtës qendre dhe ishte po vetë ai vetë që vendosi të luante i lirë, me anën e elegancës dhe eficiencës së ndërhyrjes së tij, duke u bërë një "rrip transmisioni" midis sulmit dhe mbrojtjes. Më 1976, Gjermania Perëndimore humbet Kampionatin Europian në finale, ndërsa më 1977 Bekenbaueri pranon një kontratë të majme që të luante për Ligën Veriore të Futbollit Amerikan, me New York Cosmos. Ai angazhohet me këtë ekip deri në vitin 1981. Pas disa vitesh të kaluara në Cosmos New York, rivjen në Bundesligë dhe e mbyll karrierën e tij si lojtar me Hamburger SV, ndonëse duket paksa paradoksale, pasi në vitet '70, hamburgasit ishin rivalët e bavarezëve. Në 1984 Bekenbaueri tërhiqet nga roli i futbollistit. Ai luajti gjithsej 103 ndeshje dhe shënoi 14 gola në ndeshje ndërkombëtare, ndërsa në ligën e vendit të tij, Gjermani, ai ka regjistruar plot 424 dalje në fushë, ku ka shënuar 44 gola.

Nga menaxher i kombëtares, president i bavarezëve

Por ambicia e tij nuk e lë të qëndrojë për shumë kohë larg futbollit. Më 1984, kur kombëtarja gjermane ndodhej në një situatë krize, pas dështimit në europianin e Francës, ai i bashkohet ekipit të ri si menaxher i saj dhe, nga një "vjetërsirë", ndërton një ekip që çudit sërish Meksikën, duke humbur vetëm finalen e madhe përballë ekipit të gjenialit Maradona, një lojtar të cilin "Kaizeri" Franc do të donte ta kishte edhe ekipi i tij. Më 1990, ai menaxhon për herë të fundit Gjermaninë Perëndimore, duke fituar finalen me Argjentinën. Bekenbaueri ishte njeriu që nuk do të linte asnjë punë përgjysmë. Pas Euro '88, ku nuk mundën të kalonin në gjysmëfinale "portokallen mekanike", vijoi me botërorin Italia '90, ku Gjermania nuk mundi të ndalej nga asnjë skuadër. Duke vendosur në fushë Mateusin, Klinsmanin, Mylerin, Haslerin, Vëlerin dhe Brehmen, Gjermania merr një revansh të merituar sërish ndaj Argjentinës.
Bekenbaueri, pas kësaj, pranon një ofertë nga ekipi i Olimpikut të Marsejës më 1990, por vetëm një vit, më pas ai largohet. Rikthehet pranë Bajernit të Mynihut më 1992 dhe më 1994 bëhet president i këtij klubi. Më 1998 ai bëhet zëvendëspresident i Federatës Gjermane të Futbollit (DFB). Bekenbaueri është konsideruar një prej lojtarëve më të mirë të të gjitha kohëve. Më 2004 ai u votua në vendin e dytë si lojtari më i mirë europian në 50 vitet e fundit nga "UEFA Golden Jubilee Poll".
Pasi arriti çdo gjë si futbollist dhe trajner, Bekenbaueri, njeriu i cili kombinoi rigorozitetin gjerman me stilin latin, vërtetoi klasin e udhëheqësit të madh, duke e çuar kombëtaren e tij në "fushën pritëse" të Botërorit 2006. A mundet që dikush të dëshironte më shumë se kaq?

Viti 2005: 60-vjetori i "Perandorit"

Eleganca e tij natyrale, teknika perfekte e një loje moderne dhe personaliteti i fuqishëm, bënë që tifozët e vendlindjes ta thërrasin "Perandori Franc". I lindur në një lagje të Mynihut, Giesing, shumë afër stadiumit, takimin e parë me futbollin, ashtu si dhe shumë fëmijë të asaj periudhe të pasluftës, e filloi me një top prej lecke, të cilin "e ndërtoi" së bashku me të vëllanë e tij më të madh. Ndezja e pasionit për futbollin u bë akoma edhe më e madhe kur i ati i tij i vuri sholla të reja një palë atleteve të vjetra. Disa vjet më vonë u regjistrua në "SC 1906 Munchen", asokohe klubi më i fuqishëm, përpara se të shkonte në ekipin e Bajernit.

Divorci me Sibilën dhe martesa e dytë me Burmesterin

Më 1990, Bekenbaueri u martua me Sibilën, por u divorcuan në nëntor 2004. Duke filluar që nga viti 2002, Bekenbaueri kishte vendosur të bashkëjetonte me Heidi Burmesterin, një ish-sekretare e klubit bavarez në moshën 37-vjeçare. Bekenbaueri është babai i pesë fëmijëve, i fundit i të cilëve doli në dritë në nëntor 2003. Më 2 shtator 2000, qyteti i Hamburgut i bëri një nder të pazakontë: një specieje e veçantë luleje mori emrin e tij, Franc Bekenbauer, petalet e së cilës kanë ngjyrë të kuqe violetë dhe blu, nuancat e përfaqësueseve të klubeve "Bayern Munchen" dhe "SV Hamburg", ku ka qenë i aktivizuar mjeshtri i futbollit. Ishte pikërisht Bekenbaueri ai që ndryshoi vizionin e spektatorit për futbollin në lidhje me mbrojtësin e qendrës, duke i dhënë më shumë influencë në fushën e lojës. U dallua për botëkuptimin e tij të pakundërshtueshëm, kurajon për të rinovuar çdo gjë, taktin dhe mirëkuptimin në marrëdhëniet me lojtarët. Sipas një publikimi të revistës gjermane "Stern", duke iu referuar një studimi të Institutit "Forza", në numrin e saj më shtator 2005: "Bekenbaueri, 20 vjet pas mbylljes së karrierës së tij futbollistike, është cilësuar lojtari më i rëndësishëm në historinë 40-vjeçare të kampionatit gjerman të futbollit".

Emri: Franc
Mbiemri: Bekenbauer
Datëlindja: 11.09.1945
Vendlindja: Mynih, Gjermani
Debutimi në kombëtare: 1965
Ndeshje ndërkombëtare: 103
Gola në ndeshje ndërkombëtare: 14
Kampion në Bundesligë: 1969, 72, 73, 74.
Kupa e Gjermanisë(RFGJ) : 1966, 67, 69, 71
Lojtari më i mirë i Gjermanisë: 1966, 1974
Kapiten i ekipit kombëtar: 1971
"Topi i artë": 1972, 1976
Futbollisti Europian i Vitit: 1972, 76
Kampion i Botës: 1974 (si lojtar), 1990 (si trajner)
Kampion i Europës: 1972
Kupa e Kampioneve: 1974, 75, 76
Kupa e Kupave: 1967
Kupa Interkontinentale: 1976
Ekipet ku ka luajtur: C Munich 1906, Bayern Munich, New York Cosmos, SV Hamburg
Trajner i kombëtares së Gjermanisë: 1986
President i Këshillit Drejtues të Bajernit: 1991, 2003
President i Komitetit Organizator të Kupës së Botës - Gjermani 2006



(Vota: 0)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora
PËLLUMB GORICA: MURET CIKLOPIKE QË SFIDOJNË SHEKUJT