E premte, 26.04.2024, 01:52 PM (GMT+1)

Kulturë

Prend Buzhala: Lutje për ëndërrimin e dëlirë

E hene, 17.07.2023, 07:17 PM


Prend BUZHALA:

LUTJE PËR ËNDËRRIMIN E DËLIRË

Kur nata na e rrëmben ditën

e ëndrrat na bredhin nëpër errësirë,

vjen mëngjesi e na i hedh ato nëpër rrugë,

O Zot, ashtu si lind dielli,

ashtu na rilind kur zgjohemi,

mos na i tret ëndrrat e jetës,

na e bëj ëndrrën të dëlirë.

E braktisim këtë përsiatje koti,

dhe mbyllemi në vetminë e shenjtë,

na i rrëfe pak kufijtë tu të pakufishëm

për ta dëgjuar ligjërimin yjeve

e ëndërrimin e virgjër të natës.

Na ndodh të përsiatim,

të dyshojmë e të frymëzohemi,

nga madhështia e së bukurës,

dhe ëndërrojmë të pamundshmen,

O Zot, na ndihmo,

si ta drejtojmë gishtin kah vetja,

me zemër të mirë,

me ëndërr të dëlirë.

Ku jeta shpërngulet në përjetësinë e ëndërrimit

e, vetveten e shndërrojmë në përrallë të bukur,

O Zot, zbrite dashurinë në rruzullim

si qenie që jeton përgjithmonë,

kurse ne të vdekshmëve

na ngushëllo sa herë na mbetet t'i kujtojmë

humbjet, plagët, vetminë.

Na i rrëfe fshehtësitë:

si mendja ta gjejë lumturinë e saj,

kur fluturon nëpër hapësirë.

Dhe le të mbetemi duke gjakuar zogjtë e mirë.

Me ëndërr të dëlirë.

(16 korrik 2023)



(Vota: 1)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora