E marte, 23.04.2024, 02:29 PM (GMT+1)

Mendime

Enver Bytyçi: Papa nuk pret në audiencë “djallin” e projektuar nga anti-shqiptarët!

E premte, 23.06.2023, 08:50 PM


Papa nuk pret në audiencë “djallin” e projektuar nga anti-shqiptarët!

Nga Enver Bytyçi

Të martën që shkoi kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, pranoi ftesën për të shkuar në Bruksel dhe për të dhënë provat përkatëse lidhur me rrëmbimin e tre policëve serbë nga forcat e terrorit serb. Ndoshta mund të thuhet se shpjegimin e pengmarrjes ai e përdori si arsyetim për shkuarjen në takim me Borrell. Dhe menjëherë pas tij, Aleksandër Vuçiç pranoi ftesën e Borrell, por tha se “nuk do të takohej me Albin Kurtin”!

Nejse, punë e tij se me kë takohet dhe me kë çan dërrasa! Prej gati një jave vazhdoi kështu dilema se do shkohej apo nuk do të shkohej në Bruksel. Kurti thoshte së do të japë përgjigje në fillim të javës, Vuçiç deklarohej se nuk do të shkonte në kryeqytetin e BE-së. Kur Kurti vendosi të shkojë, menjëherë ndryshoi qëndrimin e tij edhe presidenti i Serbisë. Dje të dy këta zhvilluan takime të ndara me përfaqësuesin e lartë të BE-së, spanjollin e shumëpërfolur, Joseph Borrell dhe emisarin Lajçak!

Por ndërsa Kurti mund t’i ruajë ekulibrat, lidershipi i Beogradit e ka më të vështirë të ruajë këto ekuilibra në këtë dilemë sjelljeje. Sepse Vuçiç është më i përkushtuar të vihet në kërkim të elektoratit pro-rus në Serbi e për këtë arsye nuk mund ta fitojë garën me Kurtin sa i përket sjelljes jo korrekte në këtë konflikt. Policët e Kosovës u rrëmbyen brenda territorit të saj. Kjo është e njohur tashmë. Ky akt i kreut të shtetit të Serbisë u diktua në funksion të rritjes së popullaritetit të tij përballë protestave të fuqishme në Beograd. E ndërkohë rrëmbimi i policëve e bëri atë përgjegjës dhe fajtor për nxitjen e përshkallëzimin e konfliktit, pavarësisht animit të zotit Hill.

Rrëmbimi i policëve si nëpër filmat me subjekt diktaturat si ajo e Kim Jong-ut të Koresë së Veriut, ishte përpjekje për rritje të kapitalit politik brenda vendit, por ndërkohë shërbeu edhe për dobësim të pozicionit në marrëdhëniet me Perendimin. Në Perendim ka të atillë, që mbështesin zotin Vuçiç dhe për këtë arsye i shkelin njërin sy të kryejë akte si ai me pengmarrjen e policëve të shtetit fqinjë të Kosovës. Por kjo nuk e ndalon rënien e reputacionit në kancelaritë e demokracisë perendimore.

Kurti, nga ana e tij, beson se është në të drejtën e Zotit të përgjigjet ashpër dhe me vendosmëri kundër veprimeve të tilla anti-demokratike e destruktive të kreut serb të shtetit, me qëllim mbrojtjen e tërritorit dhe sovranitetit shtetëror të vendit të tij. Ky lloj besimi shkon deri diku edhe në forcimin e mbështetjes së elektoratit të tij, por nuk ka shkuar në funksion të shpalljes së Vuçiç si „delja e zezë“ e Ballkanit. Kjo për shkak të investimit, lobimit dhe mashtrimeve të presidentit të Serbisë te faktori perendimor.

Edhe pse Beogradi ishte dhe mbetet fajtor për konfliktet e vazhdueshme në Kosovë e sidomos në veri të saj, javët e fundit, si asnjëherë më parë, u krijua një front i gjerë kundër Albin Kurtit, kryeministrit të Kosovës. Beogradi thoshte se „Kurti është fashist“, është nazist“, „është terrorist“! Edhe pse asnjë provë nuk kanë dhënë e nuk mund të japë për këto etiketime. Nëse nisemi thjesht nga kjo retorikë serbe anti-Kurt, atëherë nuk është e vështirë të krijohet lidhja midis akuzave që Vladimir Putin bëri kundër presidentit Selensky në prag të agresionit të tij në Ukrainë.

Por kjo retorikë do të ishte demantuar lehtësisht, nëse disa diplomatë perendimorë nuk do të kishin fajësuar kryeministrin e Kosovës, për veprime taktike krejt të pakondiserueshme, sikur ai të kishte ndezur Luftën e Tretë Botërore. Edhe pse luftrat botërore i nis Serbia, adresa e akuzave në këtë rast u devijua te viktimat e saj! Ndërkohë që akoma më i trishtë është fakti se këtyre ndërkombëtarëve nën maskën e „mosbashkëpunimit të zotit Kurti me SHBA-të dhe BE-në, iu bashkëngjitën shqiptarët e „çartun“. I pari ishte kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, ai që fajësoi Kurtin për tensionet në veri të Kosovës. Sigurisht që ai domte t’i thoshte presidentit të Serbisë se „Jam me ju“! Dhe më pas erdhën në radhë disa opozitarë në Kosovë dhe jo pak medie e analistë në hapësirën tonë shqiptare të injektuar me afeksione serbe. Pamë kështu thuajse një garë të shfrenuar se kush do ta akuzonte më shumë dhe më fort kreun e ekzekutivit të Kosovës!

Nuk dua të ndalem te motivet, sepse akuzat e Vuçiçit kanë motiv justifikimin e agresionit serb në Kosovë. Motivet e Edi Ramës, siç u mësua shpejt, patën motiv imponimin e projektit serb të Asosacionit. Opozita ka si motiv ta dobësojë qeverisjen e zotit Kurti dhe ta marrë në tavë pushtetin. Mediet e analistët janë të të gjitha grupimeve, sipas grazhdit ku ata hanë! Pra janë një përzierje dhe amalgamë e qëllimeve, shërbimeve dhe argëtimeve anti-shqiptare. Megjithatë vizita e djeshme në Selinë e Shenjtë dhe në Bruksel, demantoi gjithçka. Kreu i Selisë së Shenjtë nuk pret në audiencë „djallin“, të cilin e projektuan këto javët e fundit disa ndërkombëtarë, disa opozitarë dhe disa lajmëtarë të Tiranës për interesat e Beogradit!



(Vota: 0)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora