E premte, 26.04.2024, 11:25 PM (GMT+1)

Kulturë

Si u gjendën negativët në fototekën “Marubi”

E merkure, 07.09.2005, 12:52 AM


Drejtoresha Semiha Osmani: Ja zbulimi në fototekën tonë

Fototeka “Marubi” është një minierë që ka nevojë për gërmime dhe zbulime të reja. Pikërisht në thellësitë e saj janë zbuluar ditëve të fundit 200 negativë filmash të panjohur më parë, të cilët janë realizuar nga Pjetër Marubi në Mal të Zi, midis shekujve 19-20. Sipas drejtoreshës së fototekës, Semiha Osmani, zbulimi ka ardhur si rezultat i një hulumtimi të imtë, duke rënë në gjurmët e këtyre fotove që i përkasin punëve të para të Pjetër Marubit në Shqipëri. Ato përmbajnë dëshmi unikale dhe thesare të etnografisë. Drejtoresha Osmani, thotë se këta negativë filmash janë zbuluar rastësisht, ndërsa po punohej në ambientet e brendshme të fototekës.

Zbulimi i negativëve
Ishte Pjetër Marubi, ai që në vitin 1863 bëri shkrepjen e parë në Mal të Zi kur kishin kaluar vetëm 5 vjet nga fotografia e parë shqiptare, ndoshta e para në Ballkan. Fotot e gjetura janë të realizuara nga themeluesi i fotografisë shqiptare, Pjetër Marubi, 130 vjet më parë në Mal të Zi. “Gjetja e këtyre negativëve ka qenë rastësore dhe ato ishin të vendosur në dy kuti. Pasi i hapëm me kujdes dhe i verifikuam, u pa se ato ishin të panjohur më parë dhe përmbanin foto të bëra në Mal të Zi. Pjetër Marubi, dihet që ka qenë i preferuari i oborrit mbretëror malazez dhe fotograf i tyre”. Negativët e gjetur pak ditë më parë janë foto të qyteteve malazeze, peizazhe në natyrë, princër malazezë, veshje, motive etnografike, etj. Sipas Osmanit qëndrojnë pikërisht këtu vlerat kulturore dhe etnografike, ndërsa mbaronte shekulli i 19-të dhe shekulli i ri kishte filluar me ngjarje që do tronditnin jetën e përditshme të këtyre njerëzve. Negativët e zbuluar i përkasin fundit të 1800-ës dhe fillimit të viteve 1900 dhe më konkretisht mendohet të jenë bërë në vitet 1870-1903. Më tej, drejtoresha Osmani shton se gjetja e këtyre negativëve, quhet zbulim, pasi këta negativë figurojnë të regjistruar në fondin gjigant prej 200 mijë negativash, por vetëm një pjesë prej tyre janë të identifikuar.

Ruajtja e tyre
Rëndësia e negativëve të gjetur shtohet, pasi aktualisht, po përgatitet një album me fotot që Marubi ka realizuar në Mal të Zi dhe mendohet të jenë rreth 1000. “Tashmë, ne jemi në prag të përgatitjes së albumit me foto të Marubit në Mal të Zi dhe pritet të nënshkruhet marrëveshja përkatëse. Marubët kanë fotografuar mjaft jo vetëm në Mal të Zi. Negativët janë në gjendje të mirë dhe pasqyrojnë të gjitha fuqitë e Luftës së Parë Botërore”, thotë drejtoresha Osmani. Në këtë album mendohet t’i kushtohet rëndësi dokumentimit të oborrit mbretëror të Cetinjës dhe gjithë aristokracisë evropiane të kohës, që dyndej aty për shkak të rrethit të gjerë të krushqisë. Ideja për realizimin e një albumi lindi në vjeshtë të vitit 2001, kur u hap në Cetinjë ekspozita “Mali i Zi në dokumentet e Shqipërisë”, ku zgjuan interes të veçantë 50 fotot e Marubëve. Aty pasqyrohej mënyra se si e kishin parë ata botën malazeze, ku sigurisht nuk mungonte një pjesë bote shqiptare që bashkëjetonte atje.

Fototekë e dixhitalizuar
Një arkiv i jashtëzakonshëm fotografish, i përbërë nga rreth 150 mijë të tilla që datojnë në vitin 1800 do të ruhet më së miri, pa iu trembur rrjedhës së kohës. Kërkesa e specialistëve shkodranë ndër vite, për ruajtjen e pasurisë më të madhe fotografike në Shqipëri do të realizohet së shpejti. Nën kujdesin e qeverisë italiane do të realizohet një projekt në dy faza ku ka nisur të bëhet dixhitalizimi i fototekës “Marubi”. Projekti kushton 30 mijë dollarë dhe do të zbatohet në qytetin e Shkodrës, aty ku dhe Marubët e talentuar ngritën arkivin e tyre. Janë rreth 500 mijë negativë, të cilët do të kalojnë në 5000 CD ROM, duke krijuar kështu kushte të favorshme për përdorimin dhe ruajtjen e tyre. Sipas specialistëve, të cilët tashmë kanë nisur punën, të gjitha fotografitë do të kalojnë në një skaner special dhe imazhet dixhitale të negativëve do të jenë të kompjuterizuara. Sipas drejtoreshës Semiha Osmani, në total në Fototekën “Marubi” gjenden rreth 500 mijë negativë, duke përfshirë këtu edhe fondin e ri të Angjelin Nenshatit. Ndërsa në procesin e dixhitalizimit të këtyre fondeve është përfshirë edhe pasardhësja e fundit e familjes Marubi, Terezina Marubi.

Tre breza histori fotografie
Historia e studios fotografike “Marubi” fillon me Pjetër Marubin, (Pjetron) i cili lindi në Piaçenca të Italisë në vitin 1830. Si një disident i kohës, me një aktivitet garibaldist, pjesëmarrës në luftën kundër pushtuesit austro-hungarez, ai u detyrua të ikte nga vendlindja e tij. Rreth vitit 1850, ai u vendos pikërisht në Shkodër, duke u përpjekur të sigurojë azil politik pranë qeverisë osmane të kohës. Arkitekt, skulptor, piktor, Pjetri e kishte fillimisht artin e fotografisë një hobi, e më pas kjo do të bëhej profesioni i tij, duke hapur kështu të parën studio fotografike në Shqipëri dhe në Ballkan në vitin 1858. Në po këtë vit, ai realizoi të parën fotografi në Shqipëri që titullohet “Hamza Kazazi”. Pjetër Marubi, duke pasur gjithë këtë punë merr të parin ndihmës, Mati Kodhelin, të birin e kopshtarit të shtëpisë së tij. Mati është i mrekulluar nga puna e mjeshtrit Marubi, e kështu në këtë drejtim, ai kërkon të punësohet pranë mjeshtrit. por pas një specializimi në Trieste, ai vdes në moshën 21-vjeçare. Vendi i tij nuk lihet bosh. Pasioni nuk del jashtë familjes Kodheli. Zëvendës i tij bëhet Kel Kodheli, njëri nga vëllezërit e Matisë. Pasi Pjetri modernizon sipas standardeve evropiane studion e tij, ajo merr dy emra Pjetër Marubi dhe Kel Kodheli. Punët e Kel Kodhelit nisin të kenë të njëjtin sukses dhe pasioni i tij do të transmetohet vite më vonë edhe tek i biri. Gega do të jetë kështu, i fundit i dinastisë njëshekullore, brezi i tretë i saj. Në vitet 1970, Gega do t’i jepte i pari fotografisë shqiptare ngjyrat.



(Vota: 0)

Komentoni
Komenti:

Video

Qazim Menxhiqi: Niset trimi për kurbet


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora