E marte, 19.10.2021, 09:32 PM (GMT+1)

Shtesë » Historia

Bedri Islami: “Përjetësia e dyfishtë“, Fehmiu dhe Xheva - një jetë e jashtëzakonshme (VII)

E merkure, 03.12.2008, 10:04 PM


Fjala e parë publike në mbrojtje të luftës së UÇK-së

 

Asnjëherë nuk e kam ditur se në cilën përmasë të tij, Fehmiu kishte të mbrujtur idenë e qëndresës. E kam ditur fare mirë se  kishte diçka të tillë, edhe se njëkohësisht ajo të imponohej, ndoshta edhe pa dashje. Mirëpo, të shumtë kanë qenë ata që e  kanë ditur se ideja e qëndresës kishte qenë në thelb ideja e jetës së tij dhe se kësaj ideje ai i ishte përkushtuar i  gjithi. Mirëpo, kjo nuk e ka errësuar njeriun, përkundrazi, i ka dhënë një plotshmëri të pazakontë.

 

Kur njeriu lexon letrat që Fehmiu ka shkruar nga burgu, më të shumtat për Xhevën, por edhe për prindërit e të afërmit,  gjithëherë mund të gjesh drithërimën e shpirtit të tij, tepër i prekshëm, shumë njerëzor, saqë mund të të duket e pamundur  se pas kësaj ndjenje mund të kishte qenë një njeri i përmasave, siç jemi mësuar ta shohim ose ta përkujtojmë atë. E njëjta  gjë ndodh edhe kur ndesh në letrat e Xhevës, më të shumtat drejtuar Fehmiut kur ai ishte në burg, dhe të duket thuajse e  pamundur se pas këtij shpirti lirik, tepër të ndjeshëm, ndoshta të ndjeshëm deri në tingëllim, ka qëndruar një njeri si  Xheva Krasniqi-Lladrovci, njëra prej grave më të shquara të tërë kombit tonë.

 

Më ka takuar të jem si mik i zakonshëm tek ata, në atë dhomë që rrallë gjendej pa miq, por dhe ku shihja përkujdesjen e  tyre për njerëzit, vëmendjen që gjithëkush të ndjehet si në shtëpinë e vet, i çlirët, kur ende sot mendoj gjendjen e  veçantë që të krijonin, fjalët e mira, më duket e vështirë të bëj bashkë në një, njeriun e zakonshëm dhe përmasat e heroit.  Mirëpo kështu ka qenë: ata të dy ishin tepër të butë, shumë të ndjeshëm në marrëdhëniet me njerëzit dhe me njëri-tjetrin,  të vëmendshëm deri në hollësi për të bërë detyrën e mikpritësit, gjithnjë të kujdesshëm për të mos lënduar askënd, edhe kur  pikëpamjet e tyre ishin krejt të ndryshme.

 

Pas shpirtit lirik, qetësisë dhe përkujdesjes, qëndronte shpirti i madh i qëndresës dhe kjo nuk kishte se si të ndodhte  ndryshe. Shumë vite më vonë, kur në Familjen e Adem Jasharit kam parë disa nga regjistrimet familjare, duke vënë re se si  Ademi luante me fëmijët e tij, priste dru ose hidhte vallen me hapin e kujdesshëm dhe njëkohësisht të rëndë, kam vërejtur  të përbashkëtën mes këtyre dy figurave, padyshim nga më emblematiket në historinë e qëndresës së kombit shqiptar.

 

Ne gabohemi shpesh me portretizimin e heronjve. Duam të themi se ata nuk kanë bërë asgjë tjetër, veçse kanë luftuar dhe  kanë menduar për luftën; harrojmë se ata, duke qenë njerëzorë dhe të kuptueshëm, kanë bartë më mirë aspiratat e popullit që  i takonin, duam të harrojmë se në jetën e tyre, ashtu si ka zënë vend fjala me peshë, ka zënë vend edhe e qeshura, edhe e  kujdesura për shokët dhe miqtë, për prindërit, për të afërmit, ka zënë vend përkujdesja për shokët, për vendin dhe se e  kanë pasur një përmasë të tillë dashurie e perceptimi, ata kanë ditur të luftojnë dhe të qëndrojnë. Fehmiu dhe Xheva ishin  nga njerëzit që kurrë nuk e shfaqnin bujshëm përmasën e tyre të qëndresës, ata asnjëherë nuk janë mburrur se e kanë këtë  përmasë, ajo u ishte bërë veti e natyrshme, dhe shfaqjen e tyre e kishin si diçka të natyrshme, të zakonshme dhe të  kuptueshme.

 

Nga Lëvizja Popullore e Kosovës, dega jashtë vendit, për herë të parë, në fillimin e vitit 1997, menjëherë pas rënies së  Zahirit, Edmondit dhe Hakifit, u vendos që para se të zhvillohej mbledhja e radhës e Këshillit të Përgjithshëm, të bëhej  një demonstratë në rrugët kryeqytetit gjerman, Bon, dhe njëkohësisht, në përfundim të demonstrimit, të organizohej një  miting në përkrahje të luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

 

Deri atëherë nuk ishte bërë asnjë tubim dhe asnjë demonstratë e tillë. Në Kosovë kishin ndodhur lëvizje për të mbarë, ishin  rritur ndjeshëm forcat çlirimtare dhe ishte kaluar në krijimin e tre zonave të para operative të luftës. E gjithë kjo  kërkonte një mbështetje dhe nga Lëvizja Popullore e Kosovës, por, për vetë kushtet, haptas dhe publike, kjo mund të bëhej  vetëm nga dega jashtë vendit. Në Kosovë ishin burgosur prej vitesh disa nga drejtuesit e organizatës, kishin ndodhur  arrestime të reja. Vendimi për një demonstratë dhe miting të tillë, nuk ka qenë edhe aq i lehtë, por zhvillimi i tyre  kërkonte një impenjim më të madh nga të gjithë aktivistët.

 

Ishte e rëndësishme që kjo demonstratë të bëhej në mesin e Evropës, për të dëshmuar se nuk mbrohen ide të cilat nuk janë të  denja për t'u mbrojtur; por edhe për t'iu thënë të gjithëve se shqiptarët në Perëndim janë me mendjen e tyre në Kosovë.

 

Një ndër organizatorët themelorë të demonstratës ishte Fehmi Lladrovci dhe kjo për shumë arsye. Demonstrata do të  zhvillohej në një pjesë ku zhvillonte aktivitet nëndega e LPK-së për Gjermaninë e Jugut, ku ai ishte drejtuesi kryesor,  duheshin marrë masa për zhvillimin e saj, si sigurimi i lejes, përcaktimi i itinerarit që do të ndiqej, përgatitja,  miratimi dhe punimi i parullave dhe i pllakateve që do të shoqëronin demonstrimin, sigurimi i vendit ku do të bëhej  mitingu, i mjeteve të fonisë, i dekorit të vendit ku do të ishin folësit, përgatitja e materialit kryesor. Në pamjen e  parë, të gjitha këto mund të dukeshin të vogla, por gjithësecila prej tyre kërkonte kalimin e shumë burokracive dhe sidomos  përballimin e pyetjeve, ndoshta të kuptueshme, të autoriteteve gjermane, përse bëhej kjo demonstratë, në emër të kujt,  cilët mbështesnin, deri ku shkonte mbështetja e tyre, kush ishin organizatorët, a do të ishte demonstratë paqësore apo do  të kishte edhe eksese, dhe shumë të tjera. Nga kryesia e atëhershme e LPK-së, që ishte me shumicë në Zvicër, nuk mund të  pritej organizimi i një gjëje të tillë dhe nuk ishte as detyra e saj.

 

Për herë të parë disa qindra vetë ishin mbledhur për të brohoritur për Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës dhe për të  manifestuar udhëve të një qyteti në mbështetje të saj. Ne u grumbulluam në sheshin kryesor të qytetit, disa qindra veta, jo  më shumë, por për atë fillim nuk na dukeshin pak, dhe demonstruam nëpër rrugët e qytetit. Kishte parulla të ndryshme, jo  edhe aq shumë entuziazëm, siç dukej edhe nga prania e shtuar e organeve të rendit, që e kishin tashmë për detyrë të  kujdeseshin për sigurinë, dhe pas një kohe të marshimit, u grumbulluam përsëri në një nga qendrat kryesore të qytetit, ku  ishte vendosur një podium i vogël, më duket mbi karrocerinë e një makine.

 

Përsëri ishim vetëm disa qindra vetë dhe askush nuk është ndjerë i habitur kur fjalën e rastit e ka mbajtur Fehmi  Lladrovci. Kjo ishte fjala e parë publike, e hapur, në Perëndim, në mbrojtje të vlerave dhe të luftës së Ushtrisë  Çlirimtare të Kosovës, sepse nuk ishte menduar kurrë se do të bëhej një luftë anonime, por një luftë e denjë, që kërkonte  njerëz të denjë për ta marrë përsipër.

 

"Në momentin kur Fehmiu doli në foltoren e improvizuar, kujton bashkëluftëtari i tij, Adnan Asllani, ashtu i gjatë,  trupmadh, me mustaqet e njohura, një pjesëmarrës në miting tha "Për besë, Mic Sokoli". Unë shikova edhe një herë, dhe për  një çast, ashtu krejt padashur, edhe unë kam menduar se aty është ngjitur Mic Sokoli. Vetë rrethanat, atmosfera, bënë që më  të krijohet ky vizion".

 

Fjala e tij ishte një fjalë zemre, rrallëherë e kam parë Fehmiun kaq të emocionuar, me sytë që i shkrepnin dhe njëkohësisht  aq sublim. Njerëzit dëgjonin për herë të parë, krejtësisht hapur dhe burrërisht, t'u dilej në mbrojtje atyre që kishin  vendosur të luftonin dhe këtë e dëgjonin nga një njeri që i kishin besuar gjithmonë dhe, që edhe më pas, do t’i besonin.

 

Tani, kaq vite pas kësaj ngjarjeje, dikujt mund t'i duket diçka krejt e natyrshme. Mirëpo nuk ka qenë kështu. Ka qenë për  shumë vetë e panatyrshme. Ka pasur edhe "veprimtarë" që kishin frikë nga pjesëmarrja në demonstratë, që ngurronin të dilnin  haptas aty ku jetonin, që mendonin se pas kësaj dikush do t’i quante ekstremistë apo mbështetës të terrorizmit. Ai nuk e  kishte njohur kurrë frikën, ishte njeriu më i përshtatshëm për një fjalë të tillë dhe ajo kishte një jehonë shumë të  ndjeshme.

 

Më pas erdhën edhe dhjetëra e ndoshta qindra tubime, pati mijëra e mijëra njerëz, për të shkuar deri tek manifestimi i  jashtëzakonshëm i shqiptarëve në Rambuje, por fillesa është në atë miting të parë, zhvilluar në njërin nga sheshet kryesore  të kryeqytetit të atëhershëm gjerman, Bon, dhe ku njeriu i parë që foli ishte Fehmi Lladrovci. Nuk kishte patur më parë  mitingje të tilla, ata erdhën më vonë, ishin më të vrullshëm, u zhvilluan në të gjitha qendrat kryesore të kryeqyteteve  europiane e përtej oqeaneve, kishte më pas kamera televizive dhe gazetarë të shumtë, folësit ishin të ndryshëm, shumica  prej të cilëve kishin qenë miq ose bashkëluftëtarë të Fehmi Lladrovcit.

 

Është dashur jo pak burrëri të flisje atëherë në një shesh të hapur për Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës, aq më tepër në  sheshin kryesor të kryeqytetit gjerman. Për më tepër është dashur burrëri të flisje ashtu siç foli asaj dite Fehmi  Lladrovci. I gjatë, tepër serioz, me pamjen e tij tipike prej shqiptari të moçëm, që i tërhiqte aq shumë të huajt, pa e  pasur mendjen se kush ishte aty nga shërbimet e shtetit ku zhvillohej demonstrata, si kurdoherë i drejtpërdrejtë, ai pat  folur gjatë, njerëzit e ndoqën vëmendshëm, dikush edhe i habitur nga guximi i fjalëve që dëgjoheshin, por mua më kishte  mbetur në mend një fjalë e tij: "Nuk kemi asnjë shans tjetër për të qenë të lirë, veç Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Nuk  ka asnjë rrugë tjetër veçse t'i bashkohemi asaj. Nëqoftëse e humbim këtë shans, brezat që vijnë do të na mallkojnë".

 

Fehmiu foli edhe për faktin se Ushtria Çlirimtare e Kosovës ishte e të gjithëve, ajo ishte mbi idetë e cunguara të partive  dhe duhej bërë edhe më tej, strukturë e të gjithëve. Fjalët e mësipërme i pata cituar në shkrimin e bërë në "Zërin e  Kosovës".

 

Fjalët e thëna në atë miting, kanë marrë një kuptim shumë më të gjerë në vitet që erdhën më pas, sepse ato kishin pasur në  vete edhe pjesë të shpirtit të tij intim; atë dëshirën e pashoqe për t’u rikthyer në Kosovë, tashmë ilegal, në radhët e  Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.



(Vota: 0)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora