Shtesë » Shkenca
Kujdes! Po vjen një grip i rrezikshëm. Vaksinohuni!
E merkure, 26.11.2008, 05:47 PM
Virusi australian, një "peshqesh" në prag të Vitit të Ri
Një virozë e rrezikshme, e rëndë dhe ngjitëse pritet të mbërrijë edhe në tokën shqiptare në pragun e festave të fundvitit. Ky virus pritet të prekë në shifra të larta qytetarët, në mënyrë të veçantë ata që janë më delikatët apo të ekspozuar ndaj virozave. Prejardhja e kësaj viroze është Australia. Koha e keqe, rrymat ajrore që qarkullojnë në rajon bashkë me të ftohtin sjellin edhe viroza. Lloji i virozës që pritet të na prekë në fundvit është tipi H3N2/A/Brisbane/10/07. Ky tip ka prekur disa prej fqinjëve tanë dhe është izoluar në laboratorët e infeksionistëve për t‘u ekzaminuar.
Tipi i virozëz H3N2 është cilësuar si një flamë e cila pritet të prekë shifra të larta dhe të sëmurë në të gjithë Evropën. Vaksina e hedhur në qarkullim këtë vit përmban "mbrojtje" për tre lloje virusesh, por mutacionet që pësojnë virozat shpeshherë e gjejnë të parapërgatitur sistemin tonë mbrojtës. Pavarësisht kësaj, vaksina e rekomanduar nga infeksionistët ka rol të rëndësishëm në parandalimin e gripit dhe virozëve. Vaksina, mjeti kryesor mbrojtës i parandalimit, këshillohet për të gjitha kategoritë "delikate", të moshuar mbi 65 vjeç, fëmijë mbi 6 vjeç, të rinj dhe të rritur, të cilët janë pacientë kronikë. Andej detit, në Itali, tre nga të prekurit janë "izoluar". Përkatësisht një grua 35 vjeçe me fëmijën e saj 2 vjeç dhe një tjetër fëmijë 5 vjeç janë prekur nga një nëntip i A/H3N2, të gjithë jo të vaksinuar. Viroza australiane mendohet të prekë të gjithë Evropën.
Sipas infeksionistëve, në Itali nga 5 deri në 7 milionë njerëz, 1.7% e popullsisë, do të preken nga kjo virozë duke kaluar një pjesë të kohës poshtë batanijeve. Veç kostos shëndetësore, gripi dhe virozat e "vështira" sjellin edhe shpenzime të mëdha për shtetin, si për blerjen e ilaçeve, ashtu edhe në uljen e produktivitetit në punë si pasojë e mungesave për arsye shëndetësore. Janë rreth 200 fëmijë që paraqiten çdo ditë në urgjencën e pediatrisë në qendrën universitare "Nënë Tereza". Deri tani, nuk ka asnjë rrezik për shpërthim epidemie, pasi i gjithë fluksi është si pasojë e ndryshimit të temperaturave dhe të ftohtit. Drejtoria e Qendrës Spitalore ka deklaruar se janë të përgatitur për të përballuar çdo rast emergjence.