E enjte, 22.04.2021, 03:22 AM (GMT+1)

Kulturë

Shyqyri Fejzo: Pazari i “Përputhjeve” një lëvere e sheqerosur me piper

E diele, 21.02.2021, 10:09 AM


Pazari i  “Përputhjeve” një lëvere e sheqerosur me piper

Nga Shyqyri Fejzo

Kur punoja dikur në një TV lokal, gjeta belanë me drejtorin dhe kryeredaktorin. “pazari i gjësë së gjallë është institucion. Asgjë nuk na ke sjellë prej pazarit tonë” po më futnin të dyja këmbët në njërën këpucë ata të dy. Njëri e ngrinte “kopacen” dhe tjetri e lëshonte. Ksisoj, një të djelë, (ditë pazari) e prisha rehatinë time të së djelës dhe vrapin e sosa tek pazari i gjësë së gjallë. Hajde, hajde, atje çfarë të shikoje! “Sehiri një grosh”, kur i thonë, atje ishte. Nuk po rradhit llojet e bagëtisë sipas zooteknisë. As këngët e tyre me të pëllitura disa lloj melodish e tinguj në minor e maxhor, të njëthundrakëve me gomarin solist, të dythundrakëve, as me blegërimat e vërritjet e të imtave me soj e sorollop, as me kakarisjet e shpendëve, apo lehjen e ndonjë qeni të mërzitur.

Po ndalim më shumë   se çfarë dëgjonin llapat e veshëve dhe më pak çfarë shikonin loçkat e syve sigurisht dhe kamera e kameramanit. “Hajde, myshteria!” bërtiste me të madhe njëri që mbante një lopë rrace për kapistre, ndërkohë që viçi laraman i saj mundohej të pinte qumësht në gjirin e sëmës ngjyrë të kuqe, si qyp i kthyer kokëposhtë.

-Mos ju afro mushkës time se të shtie me shqelma. Ndaj e kam sjellë. Këtu  le të gjejë të zonë.- fliste një pronar i sinqertë, rreth të cilit vinin rrotull disa xhambazë të çuditur. Pastaj  në llapat e veshit vinin biseda të plota e copra të tyre.”- A e pe atë gomarin nga dhëmbët?...Po ajo pela sa vjet thua ti se është?”… “Po ti, o tu mbylltë me ferra sa herë e ke shitur këtë gomar?”…po i thoshin dy romë një “kapo pazari” që ishte nga një fshat aty afër, siç e mësova më vonë. “A ka lesh?”…Sa herë milet në ditë? Me viç apo pa viç?..”Çfarë ushqimi pëlqen?” …”A kafshon?...A i ka të dy cicat?”Dhe pyetje-përgjigjet e shkurtra dhe shakatë nuk mbaronin. Në sa pashë e dëgjova, jo një kronikë po edhe pesë kronika e  një reportazh mund të bëheshin për TV.

Që atëhere shumë ujra janë derdhur në det. M’u bë si huq, që sa herë dëgjoja emrin “kafshë” mendja më shkonte tek pazari. Tamam kështu më ndodhi një natë kur në Tv po shikonim “Përputhen”.Një nga ato bukuroshet që kishin ardhur të provonin e zgjidhnin ndonjë me përputhje, i drejtohet njërit nga bukuroshët përballë me përkëdheljen “ O kafsha, o kafsha!” Frap mua të gjorit përsëri mendja tek pazari. Se kur ke kafshë aty është dhe pazari i gjësë së gjallë.

Nuk kam ndër mend të bëj leksion për familjen, historinë e krijimit të saj nga shoqëria njerzore, apo shenjtërinë e familjes, si nga përvoja e njerzimit, apo nga pikpamjet fetare. Sido që të krijohej e zhvillohej, familja ishte qeliza bazë, themeli i shoqërisë. Por kur themelet e kësaj ndërtese janë të shtrembra, ajo nuk e ka të gjatë. Kur djali mbaronte ushtrinë apo shkollën e mesme a të  lartë, ishte kandidati për tu bërë dhëndërr. Vajzat po ashtu me shkollën, dhe qëndrimi gjatë para pasqyrës,me cicërimat e qeshjet e lira e të shëndetëshme me shoqet,  sidomos në punë e argëtim, ishin sinjalet për prindët e më tej për çeljen e nje çerdhe te re. Nënat ishin të parat që jepnin këtë sinjal të bukur e delikat. Mundet që partnerët të gjenin vetë njëri-tjetrin. Po kur ndonjërit “nuk i ndizte”, sidomos djem, atëhere baba merrte shkopin dhe dilte tek të afërm apo miq me mesazhin; “më gjeni një nuse për djalin se po i ikën koha”.

Më vështirë e kishin prindët e vajzave.  Ata i mbanin “veshët pipëz”për propozimet që do ju vinin duke vënë në peidistal “fatin e parë, që nuk ka të sharë”. Edhe pse kam njohje të pjesëshme nga emigracioni në Greqi, pëlqeja faktin që  familjet që kishin vajzë për të martuar, së bashku me kafenë apo pijen që servirnin mikut, vinin dhe dy fije borzilok (Vasiliko) I cili celte bisedën dhe jepte informacion për vajzën. Tashmë këto dukuri janë zbehur ose zhdukur  fare. Ato janë zevendësuar me telefonin, lap-topin, me xhaxha fecbukun. Me që cekëm fjalën e bukur “xhaxha” dikur xhaxhai i një mikut tim, kur e pa që i nipi nuk po “binte në gjollë” gjëkundi se “kulloste erën” e mundohej të zgjidhte, i tha: “O çun i mirë.Ti mbase kërkon arë që nuk ka përmjerrë lepuri. Fshiji buzët me trastën e kërricit, se ara pa shkelur lepuri sot nuk ka.”

Kthehemi  përsëri te “Përputhen”.Më kot kërkon Ariani apo  Bora “kimi” në takimet 4 minutëshe të çifteve. Ajo “kimi” ekziston, por është intime e fshehtë dhe nuk shfaqet kur do bordi I “Përputhen”. Ajo është jashtë çdo rregulli, çdo detyrimi. Ajo fshehtësi është gatuar me shenjtëri. Sot “Përputhen” i ngjan një lloj pazari ku shiten ndjenjat, lulëzon matrapazllëku, dyshimi i shumëllojshëm ekziston tek sejcili dhe i bren ata si krimbi drunë.  Këtu partneri- partneres apo e kundërta duhet ti rrëfehet “sa herë ka shkelur lepuri në arat përkatëse”. Po kush e ha atë  të heqë të mbathurat para kësaj gjendje publike?Kjo lloj veprimtarie është shfrenim fantazie i kokave pa ekuilibër mendor. Vazhduesit e këtyre ideve po nxitin edhe mosha më të larta drejt këtyre pazareve. Nuk duhet të çuditemi që një ditë të mirë të dëgjojmë se u krijua pazari imadh i “Përputhje”,me statut, me rregulla,me administratë, magazina holle dhe ekspozita. Vigjilenca, dihet se është çmimi i epërsisë. E këto zhvillime kanë rritur vigjilencën e televizioneve, bankave, bisnesmenëve. Këto zhvillime sigurisht do të çojnë në koncentrime të tjera, duke perfeksionuar metodat, por në thelb ato synojnë të shkatërrojnë dashurinë e vërtetë ndjenjat fisnike të të rinjve e të rejave, të shkatërrojnë qelizën bazë të shoqërisë, familjen. “Përputhen” dhe gjithë përputhjet e tjera të këtij lloji do të marrin gjithnjë “bulmet hudhrash”.

Shyqyri Fejzo

Hamburg janar 2021



(Vota: 0)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora