Mendime
Frank Shkreli: Dita Ndërkombëtare për t’i Dhënë Fund Pandëshkueshmërisë së Krimeve kundër Gazetarëve
E hene, 02.11.2020, 11:44 PM
DITA NDËRKOMBËTARE PËR T’I DHENË FUND PANDËSHKUESHMËRISË SË KRIMEVE KUNDËR GAZETARËVE
Nga
Frank Shkreli
Dita
Ndërkombëtare për t’i Dhënë Fund Pandëshkueshmërisë së Krimeve kundër
Gazetarëve (2 Nentori, 2020) është një ditë që shënohet çdo vit nga Organizata
e Kombeve të Bashkuara, (OKB-së), nga qeveritë anëtare të OKB-së dhe nga
organizata mbrojtëse të lirisë së shtypit dhe të drejtave të gazetarëve. Është një ditë që bota i kushton vëmendje
krimeve të dhunëshme kundër gazetarëve dhe përfaqësuesve të medias, në
përgjithësi. Instituti Ndërkombëtar i
Shtypit (IPI), me qëndër të Vjenë, tha me ketë rast se mosndëshkimi me të cilin
kryhen krimet kundër gazetarëve, anë e mbanë botës, vazhdoi të rritet edhe këtë
vit pasi qeveritë e ndryshme kanë dështuar të hetojnë krimet që bëhen e janë
bërë kundër gazetarve.
Sipas
burimeve të Organizatës së Kombeve të Bashkuara si dhe enteve të ndryshme
kombëtare dhe ndërkombëtare të cilat merren me mbrojtjen e gazetarëve dhe të
lirisë së fjalës, gjatë 14-viteve të fundit, janë vrarë rreth 1500 gazetarë,
vetëm e vetëm, se kanë kryer detyrën e tyre, duke raportuar lajmet dhe duke
informuar publikun. Sipas Komitetit për
Mbrojtjen e Gazetarëve, Kina, Turqia, Saudi Arabia, Egjipti dhe Rusia burgosin
më së shumti gazetarët për punën që bëjnë, në krahasim me vendet e tjera.
Në
këtë ditë, kujtohen gazetarët të cilët janë sulmuar, janë abuzuar, frikësuar
dhe kërcënuan nga qeveri të ndryshme dhe grupe kriminale të lidhura me qeveritë
due prëfaqsues të tyre. Shumë prej tyre
humbën jetën në mbrojtje të së vërtetës. Ja dhe disa shifra trishtuese, sipas
UNESCO-s 2020, në lidhje me krimet kundër gazetarëve në botë: Në dekadën e
kaluar, një gazetar është vrarë diku në botë, mesatarisht, çdo katër ditë. Viti 2019 tregon numrin më të ulët të
vdekjeve të regjistruara nga UNESCO në dekadën e fundit (vetëm) 57 vdekje. Në
vitin 2019, numri më i lartë i sulmeve fatale ndodhi në Amerikën Latine dhe
rajonin e Karaibeve, ndërkohë që ky rajon përfaqëson 40% të vrasjeve totale të
gazetarëve, të regjistruara në mbarë
botën, pasuar nga Azia dhe rajoni i Paqësorit, me 26% të vrasjeve. Shumica e gazetarëve u vranë në vendet pa
konflikt të armatosur, sipas UNESCO-s dhe organizatave të tjera ndërkombëtare,
mbrojtëse të drejtave dhe lirive të gazetarëve, anë e mbanë botës.
Këto
ente ndërkombëtare të gazetarëve thekësojnë se, “në nentë nga dhjetë raste” të
këtyre krimeve, vrasësit e gazetarëve -- anë e mbanë botës -- nuk ndëshkohen
për krimet e tyre. E mosndëshkimi i
këtyre krimeve ndaj gazetarëve, nënvijojnë këto organizata, inkurajon vet
autorët e krimit për të ndërmarrë vrasje të tjera dhe njëkohësisht krime të
tilla kanë një efekt tronditës edhe në shoqërinë ku ndodhë krimi, por edhe në
radhët e vet gazetarëve që dekurajohen që të kryejnë detyreën siç ua kërkon
etika gazetareske, duke raportuar të vërtetën.
Mosndëshkimi krijon dhe inkurajon mosndëshkimin dhe shpeshëherë ka si
pasojë edhe përkeqësimin e gjëndjes në vend, përfshirë prishjen e rendit dhe të
qetësisë, si dhe shkeljet e rënda ligjore dhe turbullirat politike.
Ekspertët
dhe entet ndërkombëtare për mbrojtjen e gazetarëve thonë se sado të tmershme që
janë këto shifra për krimet kundër gazetarëve, ato nuk përfshijnë një numër
shumë më të madh gazetarësh -- anë e mbanë botës -- të cilët çdo ditë pësojnë
sulme fizike, shpesh fatale, përfshirë tortura, ndalime arbitrare, frikësime
dhe kërcënime të llojllojshme nga policia dhe ndër autoritetet më të larta
qeveritare. Ata thekësojnë, gjithashtu,
se gratë dhe femërat gazetare përballen edhe me më shumë rreziqe, në kryerjen e
profesionit të gazetarisë, përfshirë edhe dhunën seksuale ndaj tyre.
Është
e turrpëshme për cilëndo shoqëri që sulmet ndaj gazetarëve të kalojnë të
pandëshkuara. Mosndëshkimi i sulmeve dhe
i krimeve kundër gazetarëve dhe përfaqsuesve të medias, i dërgon mesazhin edhe
shoqërise, në përgjithësi, që të mos ketë besim në gjyqësorin dhe as në
mbrojtjen e ligjit dhe të respektimit due zbatuimit të drejtave universale të
njeriut, në përgjithësi. Mosndëshkimi i krimeve kundër gazetarëve, por jo vetëm
ndaj gazetarëve, inkurajon krime edhe kundër grupeve të tjera të interesit,
duke vendosur në këtë mënyrë një kulturë mosndëshkimi dhe mos tolerance, në
cilëndo shoqëri qoftë. Prandaj, qoftë Amerika, qoftë, Shqipëria, Kosova, Franca
apo Gjermania, Rusia ose Kina, ose cilido vend qoftë, pa liri të vërtetë të
shtypit nuk ka as liri të tjera dhe as demokraci të vërtetë. Dhe pa ndëshkim të krimeve dhe sulmeve kundër
gazetarëve – vetëm e vetëm se kryejnë detyrën e vet për të informuar publikun
me fakte dhe objektivisht -- nuk ka as liri të vërtetë të shtypit dhe as zbatim
të drejtave të tjera bazë të njeriut -- pa marrë parasyshë se për cilin vend
flitet.
“Kur
gazetarët janë në shënjestër për t’u sulmuar për punën që kryejnë, shoqëritë në
tërësi paguajnë një çmim të rendë. Nëse nuk i mbrojmë gazetarët, mundësia jonë
për të qenë të informuar dhe për të marrë vendime të bazuara në prova dhe
fakte, pengohet rëndë. Kur gazetarët nuk mund të bëjnë punën e tyre në siguri,
ne humbasim një mbrojtje të rëndësishme kundër pandemisë së keqinformimit dhe
dezinformimit, që është përhapur në internet” vitet e fundit, u shpreh
Sekretari i Përgjithëshëm i Kombeve të Bashkuara, Antonio Guterres, me rastin e
Ditës Ndërkombëtare për t’i Dhënë Fund Pandëshkueshmërisë së Krimeve kundër Gazetarëve.
Udhëheqsi
botëror shtoi se përhapja e lajmeve dhe analizave të bazuara në fakte, varen
nga mbrojtja dhe siguria e gazetarëve që kryejnë raportime të tilla të
pavarura, të rrënjosura në parimin themelor: "gazetaria pa frikë dhe pa
favore". Antonio Guterres përfundoi mesazhin e tij duke bërë thirrje për
një “shtyp të lirë që mund të luaj rolin e vet thelbësor, në paqe, drejtësi,
zhvillim të qëndrueshëm dhe në mbrojtje të drejtave universale të njeriut”.
Ndërsa Sekretari Amerikan i Shtetit, Michael Pompeo në mesazhin e tij me këtë
rast tha se, “Gazetarët kanë një rol kritik në shoqëri, por shumë shpesh
kërcënohen, sulmohen apo vriten – krime që shpesh nuk ndëshkohen. Në Ditën
Ndërkombëtare për t’i Dhënë Fund Pandëshkueshmërisë së Krimeve kundër Gazetarëve,
ne u bëjmë thirrje qeverive të hetojnë dhe të dëmshpërblejnë këto krime”,
ashtuqë t’u jepet zgjidhje krimeve dhe abuzimeve kundër gazetarëve, shkruan
kryediplomati amerikan, Mike Pompeo me këtë rast. Në deklaratën të Departamentit Amerikan të
Shtetit thuhet se, në Ditën ndërkombëtare për t'i dhënë fund mosndëshkimit për
krimet kundër gazetarëve, “Shtetet e Bashkuara u bëjnë thirrje qeverive të
ndërmarrin hetime të pavarura dhe transparente ndaj kërcënimeve, sulmeve dhe
vrasjeve kur ato ndodhin; të ndërmarrim reforma reforma të praktikave policore
që mundësojnë keqtrajtim të gazetarëve; dhe që qeveritë të shfuqizojnë ligjet
dhe praktikat që kufizojnë lirinë e tyre të shprehjes.
Duke
lexuar mesazhe dhe raporte të tilla dekurajuese për krimet ndaj gazetarëve dhe
gazetarisë së lirë në përgjithësi -- nga viti në vit -- duket se bota është
duke kaluar nepër një periudhë të historisë, ndoshta si rrallë herë më parë,
kur po sulmohet liria e gazetarit, fjala e lirë dhe të drejtat e njeriut nga
përfaqsues të qeverive dhe enteve që, pikërisht, kanë për detyrë mbrojtjen e
këtyre të drejtave dhe lirive bazë të njeriut për qytetarët e vet. Kjo situatë e krijuar duhet të na bind se sot
bota, më shumë se kurdoherë tjetër më parë, ka nevojë për gazetarë dhe
përfaqësues të tjerë të medias, të cilët – përballë gjithë këytre sfidave dhe
kërcënimeve -- të premtojnë se, nga dita në ditë, do të ushtrojnë profesionin e
tyre me etikë të lartë gazetareske -- gjithmonë larg interesave të posaçme dhe
sidomos larg influencave dhe propagandës politike të qeverive dhe shoqërive në
të cilat jetojnë e veprojnë.