E marte, 28.09.2021, 08:19 PM (GMT+1)

Lajme

Ariel Sharon, “buldozer”, por njeri i paqes

E marte, 03.07.2007, 08:29 PM


Ariel Sharon, i lindur më 26 shkurt të vitit 1928 në Kfar Malal pranë Jaffas në Palestinë, ka qenë një gjeneral dhe politikan izraelit. Ai ka qenë kryeministër i Izraelit nga 17 shkurti i vitit 2001 deri më 14 prill të vitit të kaluar. Ishte një ndër themeluesit e Partisë Likud dhe është i njohur në fushën ushtarake gjatë luftërave izraelo-arabe të vitit 1948-‘49, të Suezit në vitin 1956, të Gjashtë Ditëve në vitin 1967 dhe të Kippur më1973. Në përfundim të një karriere të gjatë politike, ai bëhet kryeministër më 28 mars të vitit 2001 pas shpërthimit të Intifadas së dytë.Ndihma e forcës për t’i dhënë fund krijohet nga eliminimi i politikanëve palestinezë dhe vdekjen e shumë civilëve. Në përfundim të Intifadas së dytë, ai zbatoi tërheqjen izraelite njëpalëshe të Rripit të Gazës. Përkrahësit e tij e vlerësonin pragmatizmin që e karakterizonte atë si person dhe “qëndrimin” e tij si burrë shteti, ndërsa kritikët përmendin logjikën e tij të luftës dhe krimet që i atribuohen atij. Ai theksoi shumë herë radhazi natyrën e angazhimit të tij politik, duke deklaruar në prill të vitit 2001 në gazetën e përditshme Haaretz : “Lufta e pavarësisë së Izraelit nuk ka përfunduar. Të gjithë jetën time e kam kaluar nën këtë konflikt. Të luftosh ka qenë dhe do të jetë detyra e brezit tim. Kjo do të jetë edhe detyra e brezave që do të vijnë”. Në nëntor të vitit 2005, ai kërkoi shpërbërjen e parlamentit, krijoi partinë e tij dhe përgatiti zgjedhjet e parakohshme të vitit 2006. Atë e quajnë edhe “buldozer” për shkak të vendosmërisë që e karakterizon. Ishte politikani më popullor i Izraelit. E kaluara e tij ushtarake dhe eksperienca si politikan luajtën gjithmonë në favor të tij. Ai ka ditur të ketë një imazh të sigurt, të vlerësuar nga izraelitët, që shihnin tek ai patriarkun që qetëson situatën. Në dhjetor të vitit 2005 dhe janar të 2006, ai u shtrua dy herë në spitalin Hadassah Ein Karem të Jeruzalemit, si pasojë e dy atakëve kardiakë radhazi. Pas rreth 5 muajsh në gjendje koma, u transferua më 28 maj të vitit të kaluar në qendrën mjekësore Sheba të spitalit Tel Hashomer.
Familja dhe rinia
I ati i tij, Shmouel Scheinerman ishte një teknik agronom me origjinë nga Brest-Litovsk, Bjellorusi, ndërsa e ëma, Vera ishte një mjeke me origjinë nga Mohilev, Bjellorusi. Prindërit e tij emigruan në Palestinë në vitin 1920 dhe u instaluan më 1922 në një fshat bujqësor të Kfar Malal, aty ku lindi Ariel Sharon. Ai ka një motër më të madhe, Yehoudit. Në moshën 14-vjeçare hyri në lëvizjen paraushtarake “Gadna”, më pas përfshihet në organizatën e vetëmbrojtjes “Haganah” kur ajo u themelua në Tsahal, pas luftës së pavarësisë së Izraelit në vitin 1948-‘49. Disa muaj më vonë ai merr pjesë në krijimin e Grupit të parë Lokal të EEIF në Tel-Aviv.

Karriera ushtarake
Gjatë Luftës izraelo-arabe të vitit 1948, ai është komandant në Brigadën Alexandroni në Haganah. Ai u plagos rëndë gjatë betejës së dytë të Latrunit kundër Legjionit arab. Në vitin 1949, ai emërohet komandant kompanie dhe më 1951, oficer në shërbimet sekrete. Pas studimeve në Universitetin hebraik të Jeruzalemit, atij i kërkohet të ndërmarrë shërbimin aktiv, duke marrë komandën e Njësisë 101, njësia e parë e forcave speciale izraelite. Sipas Uzi Benziman, Sharon luajti një rol të rëndësishëm në formimin e kësaj njësie. Sipas tij, në vitin 1952, Ariel Sharon kishte kërkuar të ngrinte njësinë e tij të komandove të specializuar në operacionet e raprezaljes, por hierarkia e tij do të ishte kundër. Më 14 tetor të vitit 1953, Njësia 101 (apo Forca 101), e komanduar nga Ariel Sharon shkretoi fshatin Kibia, që ndodhej në territorin jordanez, si pasojë e futjes së forcave palestineze në Izrael dhe në veçanti ndaj një atentati që shkaktoi tre viktima në Jahud, në periferi të Tel Avivit, tre ditë para masakrës. Gjatë operacionit të pagëzuar « Shoshana par Tsahal », 69 civilë u vranë si pasojë e dinamitit që iu vu shtëpive të tyre. Shumë vende e dënuan këtë masakër, ndër të cilët edhe Shtetet e Bashkuara, që kërkuan që të gjykohen autorët e këtij krimi. Ariel Sharon do të shkruante më pas se kishte marrë urdhër që t’u realizonte humbje të mëdha banorëve të Kibias: “Urdhrat ishin plotësisht të qartë, Kibia duhet të ishte një shembull për të gjithë”. Sharon deklaroi se e kishte besuar faktin e shtëpive të boshatisura të banorëve, njësia e tij kishte kryer verifikimet e nevojshme para se të aktivizonte detonatorët. Në vitin 1956, gjatë krizës së kanalit të Suezit, izraelitët bashkëpunuan për marrjen në kontroll të këtij kanali me trupat e ekspeditës franko-britanike. Ariel Sharon komandoi brigadën e 202 parashutiste dhe u shqua për vlerat e tij me të cilën drejtonte forcat luftarake. Brigada e tij parashutiste Nahal 50, mbërriti në qafën e Mitlas, e përkrahur nga një garnizon i përbërë kryesisht nga doganierë dhe roje kufiri, pjesa më e madhe e të cilëve ishin sudanezë. Garnizoni ishte në ikje dhe qafa e Miltas nuk ishte më e mbrojtur. Pikërisht aty ndodhi një aksident gjatë këtyre operacioneve. Trupat e parashutistëve të komanduar nga Rafael Eytan (i varur nga komandimi i Ariel Sharon) u akuzuan se kishin ekzekutuar më shumë se 200 të burgosur egjiptianë dhe civilë sudanezë dhe i kishin hedhur në gropa të përbashkëta. Asnjë provë nuk u soll ndonjëherë dhe përgjegjësia e Ariel Sharon nuk u vu kurrë në dyshim. Në vitin 1957, ai niset për një vit studime në Shkollën ushtarake të Camberley në Britaninë e Madhe. Pas kthimit, studioi drejtësi në Universitetin e Tel-Avivit. Më 1967, gjatë luftës gjashtëditore, ai komandoi një nga divizionet që morën pjesë në marrjen e Sinait. Ariel Sharon mori atje një prestigj të madh dhe shumë vlerësim nga publiku izraelit. Komandimi e bëri atë një strateg të madh. Më 1971, Ariel Sharon mori përsipër komandimin e Frontit të jugut (Sinai) dhe veçanërisht të zonës përgjatë kanalit të Suezit (linja Bar-Lev). Ai kishte gjithashtu si detyrë t’i jepte fund aktiviteteve terroriste në Rripin e Gazës. Trupat e tij vranë në atë kohë më shumë se 100 civilë palestinezë dhe burgosën qindra të tjerë. Ndërsa më 1973, Egjipti dhe Siria lëshuan një sulm të papërgatitur kundër Izraelit ditën e festës hebreje të Jom Kippur. Ariel Sharon u thirr në mënyrë urgjente në Frontin e jugut, duke u larguar kështu nga pozicioni i komanduesit dhe duke u vënë në krye të një divizioni. Gjatë luftës së Kippurit, ai e rriti edhe më shumë prestigjin e tij pranë opinionit publik dhe konfirmoi talentet e tij si reknik, si pasojë e shumë manovrave falë të cilave divizioni i tij kaloi Kanalin e Suezit dhe që i dhanë mundësinë Tsahal të rrethonte dhe të izolonte ushtrinë e tretë egjiptiane, duke i dhënë fitoren izraelitëve.

Karriera politike
Ariel Sharon u zgjodh në Knesset në vitin 1973 në listën e partisë Likud, post të cilin e lë një vit më pas pasi u thirr nga kryeministri Yitzhak Rabin për t’u bërë këshilltar special për Sigurinë. Këtë vit Sharon merr personalisht kryesinë e një grupi kolonësh për të realizuar një postë ushtarake të paligjshme pranë Napluzës. Kjo eksperiencë u rinovua shumë herë. Ministri i Bujqësisë bën të mundur përhapjen masive të vendbanimeve agrare herreje në Cisjordani dhe Gaza. Nën “siluetën” e tij ndërmjet viteve 1977 dhe 1981, më shumë se 25 000 hebrenj u vendosën në territoret e pushtuar në operacionet e quajtur Jumbo, Jude dhe Samari apo Meteor. Ai u rizgjodh deputet në vitin 1977. Më 1982, u bë ministër i Mbrojtjes. Drejtoi operacionet e evakuimit nga Sinai, që disa qindra kolonë izraelitë nuk pranuan të evakuonin. Më 8 shkurt të vitit 1983 komisioni i hetimit zyrtar, i drejtuar nga presidenti i Gjykatës Supreme, gjykatësi Yitzhak Kahan publikoi raportin e tij. Ky i fundit përmendi «përgjegjësinë personale» të Sharon që nuk kishte urdhëruar që masat e duhura të merren për të ndaluar masakrat e mundshme. Ariel Sharon ishte i detyruar të jepte dorëheqjen dhe u eklipsua nga jeta politike përgjatë shumë viteve. Nga viti 1990 më 1992, ai u bë ministër i Ndërtimit, si dhe president i Komitetit Ministror për Emigrimin dhe Integrimin. Si pasojë e rrëzimit të Bashkimit Sovjetik dhe valëve të emigracionit që prej Rusisë, ai inicioi dhe kryeu një program që përfshiu ndërtimin e 144 000 apartamenteve për të thithur emigrantët përgjatë vendit. Nga viti 1992 më 1996, gjatë periudhës së marrëveshjeve të Oslos, ai ishte anëtar i Komitetit të Mbrojtjes dhe të Punëve të Jashtme të Knesset. Më 1996, Ariel Sharon u emërua ministër i Infrastrukturës Kombëtare dhe u implikua në stimulimin e ndërmarrjeve të përbashkëta me Jordaninë, Egjiptin dhe Autoritetin Palestinez. Ai u bë gjithashtu edhe president i Komitetit Ministror për avancimin e Beduinëve. Ndërsa më 1998, Ariel Sharon emërohet ministër i Punëve të Jashtme dhe drejtoi negociatat me Autoritetin Palestinez. Si ministër i Punëve të Jashtme, Sharon takoi liderët amerikanë, evropianë, palestinezë dhe arabë për të realizuar hapa përpara në procesin e paqes. Ai bashkëpunoi në projektin “Flagship Water”, të krijuar nga komuniteti ndërkombëtar, për të gjetur një zgjidhje afatgjatë për krizën e ujit në rajon dhe duke shërbyer si bazë për marrëdhëniet paqësore midis Izraelit, Jordanisë dhe palestinezëve. Pasi Ehud Barak u bë kryeministër i vendit në maj të 1999, Ariel Sharon u bë lider i partisë Likud si pasojë e dorëheqjes së Benjamin Netanjahut. Ai u bë gjithashtu anëtar i Komitetit të Mbrojtjes dhe të Punëve të Jashtme në Knesset.

Mandati i kryeministrit
Më 13 nëntor të vitit 2000, në përgatitje të fushatës elektorale, ai deklaroi në një asamble në New York Post : “Jam për paqen afatgjatë. Mendoj që mund të fitojmë betejën e paqes” Në vitin 2001, Ariel Sharon zgjidhet në postin e kryeministrit të Izraelit mbi një program që kishte të bënte kryesisht me sigurinë kundër terrorizmit palestinez. Ai u rizgjodh në mars të vitit 2003, si pasojë e zgjedhjeve të parakohshme. Ai i tha stop çdo negociate me Jaser Arafat, të cilin e konsideronte përgjegjës të situatës dhe nisi një fushatë shtypëse shumë të ashpër kundër aktivistëve palestinezë. Ai filloi gjithashtu ndërtimin e një barriere ndarëse në brendësi të Cisjordanisë dhe përreth Jeruzalemit. Më 2004, pak pas vdekjes së Jaser Arafat, ai nisi disa tratativa paqeje me liderin e ri të Autoritetit Palestinez, Mahmud Abas. Paralelisht, Sharon njoftoi vendosmërinë e tij për të kryer një tërheqje njëpalëshe të kolonive izraelite nga Rripi i Gazës si pasojë e propozimeve të dy këshilltarëve të tij më të afërt, Arie Elmaleh dhe Shamgar Ouaknin. Më 25 tetor të vitit 2004, ai mbajti një fjalim në Knesset ku deklaroi: “Si dikush që ka luftuar në të gjitha luftërat e Izraelit dhe ka mësuar nga eksperiencat personale që pa forcën e duhur nuk kemi shans të mbijetojmë në këtë rajon që nuk tregon asnjë mëshirë për të dobëtit, kam gjithashtu eksperiencën e që shpata e vetme nuk mund të zgjidhë këtë zënkë të ashpër për këtë tokë.” Mosangazhimi u zhvillua nga 15 gushti më 11 shtator të 2005. Pas kundërshtimit të një pjese të anëtarëve të Likudit për këtë tërheqje, Sharon duhet të bënte një aleancë me partinë Punëtore të Shimon Peres. Zgjedhja e Amir Peretz në vend të Shimon Peres në nëntor të vitit 2005 kërcënoi koalicionin. Ariel Sharon i kërkoi presidentit Moshe Katsav të shpërbëjë parlamentin, më pas ai jep dorëheqjen nga partia Likud më 21 nëntor të vitit 2005. Në atë kohë ai krijoi partinë e tij Kadima, përmendi faktin se kjo parti kishte si qëllim të ndiqte “planin e paqes” dhe që nuk vë në dyshim evakuimin tashmë të realizuar të kolonive në Rripin e Gazës. Më 14 prill të vitit 2006, pasi sëmuret dhe bie në koma, ai humb zyrtarisht postin e tij si kryeministër, sipas ligjit izraelit që vendos një periudhë të përkohshme prej 100 ditësh. Posti qëndron vakant deri në kohën kur Ehud Olmert formoi një qeveri të re.

Gjendja e keqe shëndetësore dhe shtrimi në spital
Në dhjetor të vitit 2005 dhe janar të 2006, Sharon pësoi dy atakë cerebralë, i pari i lehtë, tjetri shumë më i rëndë. Më 18 dhjetor të vitit 2005, tre muaj para zgjedhjeve të njoftuara, Ariel Sharon u shtrua në mënyrë urgjente në spitalin Hadassah Ein Karem të Jeruzalemit si pasojë e një ataku cerebral. Shefi i qeverisë u sëmur pak kohë pasi ishte larguar nga presidenca e Këshillit në Jeruzalem, në rrugën që lidhte Jeruzalemin me Tel Avivin, ndërkohë që po shkonte me makinë në Neguev. Ai u vu nën shërbimin e traumatologjisë, ku gjatë natës i bëjnë disa analiza mjekësore. Më 20 dhjetor, dy ditë para se të pësonte atakun cerebral, Ariel Sharon largohet nga spitali në fillim të paradites. Sipas drejtorit të spitalit, mjekët i morën një kampion gjaku për të parë se çfarë kishte që pengonte qarkullimin e tij të gjakut. Megjithatë një ndërhyrje kardiake ishte parashikuar për javën tjetër. Më 4 janar të vitit të kaluar ai u shtrua sërish në spital në Jeruzalem pasi pësoi sërish një tjetër atak cerebral që u cilësua serioz nga mjeku i tij personal. Ai u operua një ditë më pas. Ariel Sharon u vendos në një koma të thellë nën një frymëmarrje artificiale gjatë shumë ditëve me qëllim që të mbante një presion të dobët të gjakut në kafkë. Israel Maimon, shefi i kabinetit të Ariel Sharon njoftoi shumë shpejt që pushteti i tij iu transferua zëvendëskryeministrit Ehud Olmert. Opinioni publik izraelit ndoqi vazhdimësinë e gjendjes shëndetësore të Sharon orë pas ore, ndërkohë që shtrimi i tij në spital ishte për një kohë të gjatë. Komunikata e fundit e spitalit theksonte në mënyrë të rregullt që prej daljes së tij nga koma se gjendja shëndetësore e tij ishte e rëndë, por e qëndrueshme. Ariel Sharon bëri një gastrostomi më 1 shkurt, operacion që konsistonte në futjen e një tubi drejt e në stomak të pacientit për të mundësuar ushqimin e tij dhe që të mundësohej sa më shpejt përmirësimi i tij. Më 11 shkurt spitali Hadassah njoftoi se gjendja e kryeministrit izraelit ishte rënduar shumë. Pasi kishte bërë analizat e stomakut, mjekët kishin konstatuar një degradim të madh të aparatit tretës, kështu që u vendos që ai të operohej menjëherë. Ky operacion, që ishte i shtati për të, u zhvillua pa probleme. Pas pesë muaj në koma, ai u transferua më 28 maj të vitit të kaluar në qendrën mjekësore Sheba të spitalit Tel Hashomer.

Ndikimet politike të rënies së tij
Me paaftësinë e Ariel Sharon, fitorja e njoftuar për partinë e tij të re Kadima në zgjedhjet legjislative të 28 marsit 2006 u bë e pasigurt. Kjo lëvizje, e klasifikuar në qendër, u krijua me vullnetin e tij dhe rreth personalitetit të tij. Zëvendësministri dhe kryeministri i përkohshëm në atë kohë, Ehud Olmert, çoi partinë Kadima në fitoren e zgjedhjeve.

Jeta private
Ariel Sharon është martuar dy herë dhe dy herë ka mbetur i ve. Gruaja e tij e parë, Margalit mbeti e vdekur në një aksident automobilistik. Më pas ai u martua për herë të dytë, duke marrë për grua motrën e vogël të Margalit, Lili, e cila vdiq nga kanceri në vitin 2000. Ai ka dy djem, Omri dhe Gilad, ndërsa djali i tretë, Gur vdiq në vitin 1967.



(Vota: 0)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora