E diele, 25.10.2020, 11:19 PM (GMT)

Editorial

Nikë Gashaj: Kosova në kohë të Rankoviqit

E enjte, 06.08.2020, 09:03 PM


KOSOVA NË KOHË TË RANKOVIQIT

Nga Nikë Gashaj

Politika nacionaliste dhe shoviniste e Rankoviqit në udhëheqjen e sigurimit shtetëror jugosllave ndaj shqiptarëve në Kosovë u shprehë dhe zbatua, në veçanti në periudhën e viteve 1951-1957.

Në fillim të vitit 1951 në vijën e nacionalizmit dhe shovinizmit të Aleksadar Rankoviqit u ndërmuar aksioni për deklarimin e shqiptarëve për kombësinë turke. Në realizimin e këtij aksioni pati qëndrime tendencioze dhe nxitëse, madje edhe stimulime materiale që qytetarët të deklaroheshin turq, edhe pse nuk e ndienin veten të tillë. Për më tepër pati edhe presione brutale fizike që qytetarët të deklaroheshin pjestarë të kombësisë turke. Pas këtij aksioni, prej 97.954 qytetarëve që më 1953 u evidentuan si turq në Jugosllavi, numri i turqve më 1961 u shtua në 259.536 ose afro 260 për qind.

Duhet vënë re koicidencën ndërmjet aksionit për deklarimin e shqiptarëve e të myslimanëve si pjestarë të kombësisë turke dhe aksionit për shpërnguljen në Turqi. Në të vërtetë, në kushtet jashtëzakonisht të vështira të presionit agresiv të Stalinit ndaj Jugosllavisë, më 1953 u arrit nënshkrimi i marrëveshjes mbi Paktin ballkanik ndërmjet Jugosllavisë, Greqisë dhe Turqisë. Qeveria turke e shfrytëzoi këtë moment që nga Jugosllavia të kërkojë zbatimin e traktatit shtetëror të nënshkruar ndërmjet Turqisë e Jugosllavisë më 1938 për shpërnguljen e qytetarëve nga Jugosllavia në Turqi. Lidhur me këtë u arrit “marrëveshje xhentlemene” mbi zbatimin e atij traktati.

Qeveria Jugosllave u përcaktua për shpërnguljen individuale të qytetarëve në Turqi në bazë të vetë deklarimit të atyre qytetarëve dhe të sigurimit të “visikës”, domethënë të fletëgarancionit të qytetarëve nga Turqia se garantojnë mbajtjen e të shpërngulurve në atë vend.

Mirëpo, grupi fraksionist i Aleksandar Rankoviqit dhe organet e sigurimit shtetëror shfrytëzuan dhe keqëpërdorën këtë “marrëveshje xhentlemene” me qëllim të nxitjes e edhe të ndërmarrjes së presionit ndaj qytetarëve, posaçërisht pjestarëve të kombësisë shqiptare që të deklaoheshin turq me qëllim të shpërnguljes në Turqi. Në këtë drejtim u stimuluan qytetarët dhe u bënë lehtësi e u thjeshtësua procedura për ndërrimin e kombësisë dhe përgatitjen e dokumentave për shkuarjen në Turqi, deri te lirimi nga obligimi ushtarak i atyre që shpërnguleshin. Në këtë bazë u shtua numri i qytetarëve që edhe kështu shkonin në Turqi për shkaqe ekonomike, familjare, ideologjike e të tjera.  Në periudhën prej vitit 1953 deri më 1966 në Turqi u shpërngulën 230.716 persona, prej të cilëve më se 80.000 pjesëtarë të kombësisë shqiptare.

Se shpërngulja në Turqi nuk ishte e natyrshme, por u stimulua politikisht dhe me zbatimin e metodave të presionit shihet nga fakti se pas Plenumit të Brioneve të KQ të LKJ( 1966) jo vetëm u pakësua në mënyrë drastike, por faktikisht u ndërpre. Përkundrazi, në periudhën pasbrionase kemi madje edhe kthim të qytetarëve nga Turqia në Jugosllavi.

Deformimi më drastik i forcave nacionaliste dhe shoviniste në marrëdhëniet ndërnacionale në Kosovë dhe forma më brutale e presionit ndaj masave shqiptare është i ashtuquajturi aksion i mbledhjes së pushkëve në dimrin e vitit 1955/1956. Mbasi që organet e sigurimit shtetëror në Kosovë inscenuan gjoja përgatitjen e kryengritjes nga shqiptarët për t’iu bashkuar Shqipërisë. E gjoja të sigurohej tubimi i  armëve, u ndërmuar aksion masiv tremujor i presionit dhe rrahjes së qytetarëve, kryesisht të pjesëtarëve të kombësisë shqqiptare për gjoja dorëzimin e armëve. Përkah masiviteti dhe metodat brutale të presiont ndaj shqiptarëve, ky aksion ishte i ngjajshëm me ato që i ndërmerrte borgjezia serbomadhe gjatë kohës së Jugosllavisë së vjetër.

Gjatë këtij aksioni u rrahën jo vetëm ata që faktikisht posedonin armë, por edhe shumë banorë të pafajshëm dhe aktivistë politikë. Kështu, pas Plenumit të Brioneve u konstatua se gjatë këtij aksioni u rrahën më se 30.000 perona, prej të cilëve afro njëqind qytetarë vdiqën prej rrahjeve.

Se nuk ishte fjala për tubim të vërtetë të armëve nga popullsia, por për një manipulm politik, shihet nga fakti sa ky aksion nuk u ndërmuar në mbarë Jugosllavinë dhe nga ajo se prej afro 30.000 pushkëve, që me atë rast u tubuan nga popullsia, menjëherë pas përfundimit të aksiont afro 15.000 sosh dhe revolesh iu kthyen përsëri shqiptarëve, atyre që me rastin e terrorit të përmendur dhe në mënyrëa të tjera u përfituen si bashkëpuntorë të sigurimit shtetëror.

Duke e kualifikuar këtë aksion si keqpërdorim të rëndë të sigurimit shtetëror, në dokumentin e KK të LK të Kosovës të vitit 1966 thuhet: “Deformimet më të rënda dhe pasojat më të rënda politike i solli aksioni i mbledhjes së armëve në dimrin e vitit 1956... Metodat me të cilat u zbatua aksioni kaluan të gjithë kufijtë e të drejtave kushtetuese e ligjore të qytetarëve dhe të drejtave të organeve. U bënë maltretime prej shpullave e deri te masat drastike të mundimeve, madje deri te linkuidimi fizik, paaftësimi i përhershëm, vrasjet etj.”

Formë tjetër e deformimit drastik të organeve të sigurimit shtetëror, lidhur me pjesëtarët e kombësisë shqiptare, ishte inscenimi i proceseve të rrëjshme gjyqësore dhe formimi i organizatave artificiale armiqësore, me qëllim të kopromitimit të popullit shqiptar në Jugosllavi. Kështu, në vitin 1956, mu në kohën e aksionit për mbledhjen e armëve dhe të shpërnguljeve intensive në Turqi, u inscenua “Procesi gjyqësor i Prizrenit”, me të cilin u desht të  diskualifikoheshin dhe të likuidoheshin politikisht shumë funksionarë të lartë të Kosovës, pjesëmarrës të merituar të LNÇ dhe intelektualë eminentë shqiptarë. Procesi gjyqësor duhej të “argumentonte” se këto kuadro ishin në pozitat e irredentizmit dhe të lidhura me shërbime të huaja informative. Ali Shukriu konstatoi me të drejtë në Plenumin e KQ të LK të Serbisë më 1966 se këtu qe fjala për “prerjen e knjazëve”, përkatësisht për likuidimin e kuadrove të kombësisë shqiptare. Pas Plenumit të Brioneve të KQ të LKJ, Komisioni zyrtar i Këshillit Ekzekutiv të Kosovës informoi në mënyrë të dokumentuar opinionin se ishte fjala për konstruktimin, përkatësisht inscenim të të ashtuquajturit “Proces të Prizrenit”.

Gjithashtu, pati raste që organet e sigurimit shtetëror në Kosovë të formojnë organizata artificiale armiqësore dhe në bazë të akuzave të rrejshme të burgosin e maltretonin pjesëtarët e kombësisë shqiptare. Kështu, në mbledhjen plenare të KK të LK të Kosovës më 1966 u përmend rasti i krijimit të organizatës artificiale irredentiste prej 30 anëtarësh në rrethin e Lipjanit. Mirëpo, mbasi nuk qe e mundshme të inscenoheshin akuza të rrejshme, këta qytetarë u liruan nga burgu si të pafajshëm.

Mosbesimi ndaj inteligjencës shqiptare dhe dyshimi në punëtorët kultro-arsimorë e artistikë, pjestarë të kombësisë shqiptare, ishin karakteristikë e forcave nacionaliste dhe shoviniste në krye me Rankoviqin. U krijua psikoza e dyshimit dhe të mosbesimit ndaj çdo aktiviteti të karakterit krijues në gjuhën shqipe. Për më tepër, nga organet e sigurimit evidentoheshin personat që blenin rregullisht “Rilindjen”, të cilën e botonte Lidhja Socialiste e Kosovës.

Deformimet e permendura, respektivisht politika nacionaliste dhe shoviniste lidhur me Kosovën dhe pjesëtarët e kombësisë shqiptare u manifestuan edhe në politikën investive ndaj Kosovës. Deri në vitin 1961 Kosova nuk bënte pjesë në “klubin” e republikave dhe të viseve jo mjaftë të zhvilluara, kurse deri më 1958,kur shkalla e shtimit të të ardhurave shoqërore në Jugosllavi ishte 8 për qind, në Kosovë ajo qe 1,7 për qind, gjë që solli shtimin e mëtejshëm të shpërpjestimeve në zhvillimin e Kosovës në krahasim me republikat dhe viset e tjera.

Është e vërtetë historike se forcat nacionaliste e shoviniste serbomadhe rankoviqase manipuluan me organet e sigurimit dhe i keqpërdorën ato në Kosovë, për presione dhe deformime lidhur me pjestarët e kombësisë shqiptare. Në të vërtetë ajo ishte një politikë antishqiptare me pasoja të rënda për pozitën popullit shqiptarë në Kosovë.

Duhet të themi, se forcat e lartpërmendura, nacionaliste dhe shoviniste në krye me Rankoviqin që vepruan për njëkohë të gjatë u dënuan dhe u hodhën poshtë në Plenumin e Brioneve të KQ të LKJ më 1966. Andaj, pas atij Plenumi, pozita e shqiptarëve në Kosovë filloi të përmirësohej, respektivisht shqiptarët filluan me marr frymë më lehtë.

Duke folur për deformimet lidhur me Kosovën dhe kombësinë shqiptare në Jugosllavi, J. B. Tito në Kongresin XI të LKJ mbajtur më 1979, ndër të tjerat, tha: “Qysh nga koha e Jugosllavisë së paraluftës kemi trashiguar një gjendje shumë të rëndë në Kosovë:prapambeturinë e përgjithdhme ekonomike e shoqërore dhe antagonizma të mëdha kombëtare... Jugosllavia e re mori masa të rëndësishme për eliminimin e trashigimit të rëndë dhe në këtë drejtim arriti rezultate të rëndësishme në Kosovë, të cilat assesi nuk duhet kurrë t’ i nënçmojmë, por, në të njëjtën kohë, duhet të bëjmë një vështrim kritik dhe të pyesim : A kemi gabuar në të kaluarën? Kuptohet, pati gabime, sidomos deri në  mbledhjen plenare të KQ të LKJ. Atëherë KQ i LKJ dënoi vendosmerisht elementat dogmatikë, të cilët njëfarë kuptimi patën monopol mbi Kosovën e Metohinë. Pati lënie pas dore të interesave të kombësisë shqiptare, arbitrarizëm dhe veprime të palejueshme. Ne edhe sot i ndiejmë pasojat e kësaj, por përpiqemi t’i eliminojmë sa më parë”.

Mirëpo, mbetet çështje e hapur për shqyrtime të mëtejshme politike: Pse, Presidenti i Jugosllavisë J.B. Tito, nuk ka vepruar më parë, dmth. para Plenumit të Brioneve(1966),  për ti ndalë forcat nacionaliste dhe shoviniste në krye me Rankoviqin të cilat kanë vepruar për një kohë të gjatë nga pozita antishqiptare dhe kundra Kosovës. A mund të supozohet se nuk ka qenë mirë i informuar për një gjëndje të tillë në organet e sigurimit shtetëror, apo do të ketë patur arsyera të tjera.



(Vota: 1)

Komentoni
Komenti:

Video

Entela Binjaku: Denonconi dhunen kunder gruas


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora