E premte, 26.04.2024, 12:15 PM (GMT+1)

Kulturë

Nasho Jorgaqi: Vargjet e hershme të Çabejt që ngacmuan Konicën

E premte, 07.11.2008, 10:55 AM


Vargjet e hershme të Çabejt që ngacmuan Konicën

 

Janë kryesisht vjersha lirike, këngë të sinqerta të moshës, shprehje e drejtpërdrejtë e gjendjes shpirtërore, që përjeton njeriu në rininë e parë. Është ndjenja e dashurisë, që i zgjon vargjet erotike te vjersha “Një vashe”, botuar në 6 qershor 1926 në gazetën “Shqipëri e re” të Kostancës (Rumani).

 

Nga Prof. Nasho Jorgaqi

 

Në vitin e 100 vjetorit të lindjes së Eqrem Çabejt është rasti më i mirë t’i bëjmë të njohur opinionit të gjerë se gjuhëtari i madh kish një shpirt të ndjeshëm prej poeti. Kjo ndjeshmëri e bëri që tërë jetën të mbajë lidhje shpirtërore me letërsinë. Do ta tregonte këtë në studimet e thukta letrare që kreu, kontribute këto që i kanë qëndruar kohës, siç është vlerësimi profetik i talentit të Lasgushit, si dukuri jo e zakonshme në poezinë shqipe, por do të bënte dhe vetë sprova poetike të suksesshme në rininë e tij të hershme. Vlagën e frymëzimit, ai do ta ruante deri në moshën e burrërisë, kur në vitet 1949-‘50 do të shkruante një tufë sonetesh që u botuan të postume nën kujdesin e së bijës, Brikenës, në vitin jubilar. S’ka dyshim se sonetet e shkruara aq mjeshtërisht, me frymzim dhe me një gjuhë lapidare, ku fjala e ndjen veten ngushtë dhe mendimi ndjehet krejt i lirë, i erdhën si dhuratë e çmuar poezisë shqipe, kur ai ishte larguar prej kohësh nga jeta.

 

Ky gjerdan poetik lyp një shqyrtim dhe vlerësim serioz, që kritika jonë duhet ta bëjë, por kësaj here, autori i këtyre radhëve do të evokojë fillimet e tij letrare që lidhen me kohën kur ai ishte student në Grac të Austrisë. Ishte mosha kur i këndonte gjaku, kur ish në kontakt e mëkohej më burimet dhe rrjedhat e poezisë europiane, kur qe lidhur me një miqësi të ngushtë me poetin e ri Lasgush Poradeci. Tamam në këtë kohë i lindin vargjet e para dhe guxon të shfaqet përpara publikut. Nuk i boton në gazetat e Shqipërisë, por në shtypin shqiptar të diasporës. Janë kryesisht vjersha lirike, këngë të sinqerta të moshës, shprehje e drejtpërdrejtë e gjendjes shpirtërore, që përjeton njeriu në rininë e parë. Është ndjenja e dashurisë, që i zgjon vargjet erotike te vjersha “Një vashe”, botuar në 6 qershor 1926 në gazetën “Shqipëri e re” të Kostancës (Rumani).

 

Po akoma më interesante janë vargjet, që përftohen nga mendimet që vërtiten në mendjen e vjershëtorit, që pasqyrohen në vjershën “Melankolisë”, botuar në gazetën “Dielli” të Bostonit në 20 mars 1926. Kjo e fundit, që na duket më përfqësuesja, do të të tërhiqte vëmendjen e Faik Konicës, i cili duke marrë shkas prej saj, jo vetëm do ta botonte pamëdyshje në gazetën e tij, por do ta shtynte të shkruante artikullin “Vjershat”. Kritiku dhe krijuesi i autoritetshëm i letërsisë shqipe do të shprehte shqetësimet për gjendjen e poezisë shqipe të kohës, që paraqitet në të shumëtn e rasteve larg standardeve që lyp arti i vërtetë. Ai çmon lart poetë si Gjergj Fishta dhe A.Z. Çajupi, që “dinë se ç’është forma, ç’është rithmi”, por kritikon rëndë grafomanët, “ata që nxijnë kartë më kot”.

 

Dhe i nisur nga kjo situatë, ai nxjerr mësime dhe jep këshilla për të gjithë ata që merren me poezi se në art kryesore është cilësia, e cila arrihet kryesisht falë punës së përkushtuar me tekstin, përpunimit e korigjimit të vazhdueshëm, shoshitjes siç e quan ai, që lyp mund dhe sakrifica. Për këtë sjell shembullin e La Fontenit, dorëshkrimet e tij të nxira nga korigjimet e pamëshirta. Faik Konica u drejtohet krijuesve shqiptarë të poezisë se “vjershat që të quhen me të vërtetë vjersha duhet të përmbajnë ndonjë mendim të bukur, ndonjë ndjenjë të thellë ose të hollë dhe ky mendim, kjo ndjenjë duhet të shfaqet në një formë të mbaruar”. Dhe për këtë sjell si shembull vargjet e poezisë “Zëmëra” të poetit gjerman Herman Nauman. Duke marrë shkas nga kjo vjershë, ai bën lidhje me vjershat që shkruhen në Shqipëri dhe i rezulton se ato jan larg saj, pra “nuk gjenden vjersha me frymë t’atillë”. Dhe këtu Konica për një çast ndalet.

 

Para kësaj gjendjeje të pakëndshme, atij i zgjohet një shpresë dhe xixën e kësaj shprese ia jep vjersha e një studenti shqiptar dërguar nga Universiteti i Gracit, e cila i takon “vjershërisë me frymë të ndryshme”. Një frymë e tillë i duhet poezisë shqipe. Vjersha “Melankolisë” e të riut Eqrem Çabej e bart në një farë mënyre, atë çka kërkon savanti Faik Konica. Ajo këndon me një zë krejt ndryshe, që tingëllon moderne dhe bashkëkohore. Dhe sidoqë në gjykimin e mjeshtrit ajo “ka disa njolla”, prapë “Çfaq një dëshirë dhe një kërkim për rithmë të ra që është për të lavdëruar”. Nuk besoj që të kish vlerësim më të lartë se këto fjalë, që një autoritet si Konica, shkruante për vjershat e para të të riut Eqrem Çabej, i cili ndonëse nuk u bë poet, studioi e lëvroi si askush gjuhën shqipe dhe bëri emër të pavdekshëm në këtë fushë.



(Vota: 0)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora