E merkure, 30.09.2020, 11:29 AM (GMT+1)

Komente

Ardian Ndreca: Koliqi dhe Camaj ishin në krahun e drejtë

E hene, 06.07.2020, 09:42 PM


Ardian Ndreca:

S’do ta kisha mendue kurrë se nën atë fytyrën prej Shvejku baballek të Auron Tares mund të mshehej nji historian i hollë që përpiqet me hjedhë ndonji kovë baltë mbi figurat e Ernest Koliqit dhe Martin Camajt.

Por ky Tarja ka meritën se të paktën nuk asht marrë me veprën e tyne por ka ba detyrat e shtëpisë tue u ushtrue në atë profesionin e vetëm që njeh. Tarja ka nisë me gërmue virtualisht ndër arkiva në vend që me vijue me koleksionue gëzhoja të ndryshkuna ndër poligonet ku dikur i kallte datën Paktit të Atlantikut.

Fotokopjet e Tares ndër arkiva janë si fotokopjet e bankënotave të Bankës së Shtetit që ndokush mundohet me t’i shitë si të vërteta.

Përtej humorit, pse në fund të fundit i shkreti asht produkt i patjetërsueshëm i kohës dhe rrethanave që e kanë prodhue dhe e ka këtë tarë të pashlyeshme në vetvete, shkrimi i tij s’kishte asnji fill logjik, nuk kishte as erë arsyeje historike, veç disa dokumente të pakontekstualizueme, e mandej shumë hamendësime që dy rreshta ma poshtë paraqiteshin si të vërteta historike të provueme e ma tej rishtas makinacione dashakeqëse prej sigurimasi.

S’po pretendojmë që Tarja të kishte kapë pasaktësitë e dokumenteve që me nder me thanë ka shqyrtue dhe as të kishte shmangë pohimet e rreme me shumicë (psh. Koliqi ambasador në Vatikan në vitin 1943!!) – e gjithë kjo të ban me mendue sesa lehtë të kishte hangër dreqi dikur me pasë përfundue para Tares me çfarëdolloj uniforme të ishte veshë ky i fundit!

Tarja asht qartësisht nji prej megallomanëve nostalgjikë që ka të drejtën me shkrue çfarëdolloj gjaje t’i kërcejnë në krye, madje ka meritën që s’e mshehë këtë gja, përkundër më habit dashakeqësia e atyne që kontrabandojnë si të ishin studime historike ato që Tarja – i pafuqishëm në artin e historishkrimit – gjen të gatshme në internet dhe i ban copy/paste me zellin e nji Shvejku hoxhist. Në nji shenj vendi m’u dhimbt madje se s’kishte mbërrijtë me e mshehë nostalgjinë për kohën e “shkëlqimit” të Sigurimit!

Lodhesh kot o Tare, deri dje kishit nji makineri të fuqishme dhune dhe shpifje që për 50-vjet nuk mbërrijti me i ba gja as Koliqit dhe as Camajt, asht peshë e randë për ty, manipulator mediokër dhe injorant në sensin pozitiv të termit, me zëvendësue i vetëm nji sistem të tanë!

Pastro ma mirë pluhnat koleksioneve të distinktivave me maoceduna dhe me buste të Enverit se aty e gjen veten 100%, pse te Koliqi e te Camaj ti s’mbërrin kurrë, edhe me u çue në maje të gishtave! Me të dhanë ty besim kur ban se po gjurmon të vërtetat historike asht si me ia besue repartin e kirurgjisë në QSUT atij berberit që ka dyqanin përballë spitalit!

As Koliqi dhe as Camaj s’e kanë shtëpinë aty ku ti pandeh se ia ke gjetë emnin. Asht e kotë me të spjegue ty dallimin mes rastësisë dhe domosdoshmënisë historike, pse këto gjana nuk bajnë pjesë tek manuali bazë i pushkës model 56.

Historia na mëson se Koliqi dhe Camaj ishin në krahun e drejtë, ndërsa taborri yt sot e 30-vjet ma parë falimentoi me turp përpara historisë tue lanë nji popull të izoluem, të unshëm, të përçamë për shkak të pronave të grabituna, të padijtun dhe të pashpresë.



(Vota: 3 . Mesatare: 5/5)

Komentoni
Komenti:

Video

Entela Binjaku: Denonconi dhunen kunder gruas


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora