E enjte, 06.08.2020, 05:58 PM (GMT+1)

Kulturë

Agron Tufa: In Memoriam Silke Liria Blumbach

E shtune, 13.06.2020, 08:33 AM


IN MEMORIAM

Silke Liria Blumbach

Paska vdekur e paharrurshmja Silke Liria Blumbach, vajza e dashuruar me Shqipërinë dhe Kosovën, poetja, përkthyesja poliglote, mikesha jonë e shtrenjtë e familjes.

Për ikjen e saj të parakohshme (në shkurt të këtij viti këmbyem për herë të fundit mesazhe) i vetmi ngushëllim e kujtim për miqtë janë tekstet e librat e saj, që Silke i shkruajti në shqip.

Këtu poshtë po hedh një tekst rescensional mbi bjërin nga librat e Silkes të shkruar kund 14 vjet më parë...

Qofsh lule e Parajsës, e shtrenjta jonë!

GJUHA, POETI, FATI DHE KRIJIMI

(Mbi fenomenin dhe fenomenologjine e poezisë shqipe të poeteshës gjermane Silke Liria-Blumbach)

Nga Agron TUFA

Ka afër një dhjetëvjeçar që poetja Silke Liria-Blumbach ka projektuar një ekzistencë të dytë, kësaj radhe jo biologjike, por gjuhësore, e për rrjedhojë, ekzistencë shpirtërore. Ekzistenca e re gjuhësore e poetes nga Gjermania, nuk ka habitur vetëm atë vetë, por tw gjithë ata lexues qw e kanw njohur poezinw e saj. Sepse mahnia që shkakton kjo ekzistencë, ka të bëjë me faktin se ajo është konfirmuar në nivelin e saj më të epërm: në gjuhë dhe madje në nivelin më të epërm të ekzistencës së gjuhës, që është poezia. Silke tani sapo ka botuar librin e tretë me poezi të shkruara në shqip – “Lumi qw rrjedh drejt burimit”. Duhet thënë se për qenien e shkrimtarit gjuha përcakton automatikisht edhe atdheun. Besoj se kjo është një ligjësi universale. Postulati i njohur i Martin Hajdegerit se “Gjuha është shtëpia e qenies”, veçse e thekson më fort mendimin e shprehur deri tash. Madje edhe nëse kjo “Shtëpi e qenies” është njëkohësisht e banueshme në dy gjuhë, në shqip dhe gjermanisht, si në rastin e Silkes. Natyrisht poeti në këto raste ka dy “shtëpi” të Qenies dhe rrjedhimisht, bujtja në të dyja këto shtëpi e bën të pashmangshëm dyzimin e qenies, sikundër ka ndodhur kjo edhe me raste shkrimtarësh të tjerë para Silkes (me Konradin, Nabokovin, Gogolin ukrainas, Vasko Popën rumun, Apolinerin italo-polak, Josif Brodskin rus etj).

Ajo që pëson sensacion të thellë në këto raste është Gjuha. Gjuha nuk është instrument në duart e shkrimtarit, si[ keqmendohet - përkundrazi – shkrimtari është instrument i bindur i gjuhës. Në rastin konkret, jo gjuha, por poetesha Silke Blumbach ka qenë shumë e epshme, e dëgjueshme, e bindur dhe e dhënë tërësisht pas shqipes, duke i besuar asaj tërë botën e saj, nga rrënqethja dhe frika ekzistenciale gjer tek regëtimat mw intime. Do të themi se Silke ka projektuar një Vete të re, duke ia besuar tërësisht aktivitetin e saj frymor shqipes dhe duke pranuar me dëshirë e vullnetarisht të jetë totalisht e varur nga kjo gjuhë. Dhe kur njeriu gjendet tërësisht i varur nga gjuha, ashtu si alkoolistët nga alkooli, si duhanxhiu nga cigarja, si narkomani nga droga, pra kur një njeri e ka përsëritur mahninë e krijimit me gjuhën, dhe s’mund të bëjë pa të, njëlloj si varësitë që përmendëm më sipër, atëherë sipas Brodskit, ky njeri quhet poet.

Por Silke, mendoj fort dhe jo pa arsye, është e ngjashme me rastet analoge tw Gogolit, Konradit apo Nabokovit, të cilët krijuan ekzistencën e tyre krijuese në gjuhë tjetër, duke ardhur nga jashtë sistemit. Duke e lidhur fatin e ekzistencës së vet me një gjuhë tjetër, është normale që krijuesi gjendet para një tendosjeje maksimale për të edukuar e stërvitur reflekset, duke operuar në plan të parë me vetëdijen, logjikën dhe ndjeshmërinë, derisa të fitojë siguri duke kompensuar një gjë thelbësore: mungesën e instinktit amësor ndaj fjalëve të sakta që të mund të shprehë atë çka është, atë çka ka më të shtrenjtë. E ndoshta me kohë, pas një familjarizimi me gjuhën, ky instinkt fitohet.

Po ta vëresh ligjërimin poetik të Silkes, ai dominohet nga një vetëdije gati traumatike, duke ndërkëmbyer e përforcuar imazhet me mjete të gjithwmundshme. Ashtu si fotonet e dritës rrahin pa pushim objektin nga një burim i caktuar drite, ashtu edhe Silke angazhon në ndriçimin dhe përftimin e imazhit të saj burime të gjithëmundshme ndriçimi të natyrave heterogjene. Një rol të tillë e luajnë tufat e dendura të asociacioneve me referenca nga kultura verbale, nacionale e transnacionale, kryesisht nga mitet, por asociacionet lindin edhe nga një sensacion infantil brenda për brenda gjuhës, duke u vetëmagjepsur me kumbimet, aliteracionet, semantikat e papritura. Vigjilenca e shqisës poetike shfrytëzon në mënyrë lojacake dhe krijon sakaq papritmas neologjizma, përftesa, fjalë-kentaurë, kimera efemere, duke krijuar një miksturë dinamike të tekstit. Një vështrim i tillë mbi gjuhën, mahnitja e pafund ose më saktë vetëmahnitja, është e pamundur për bartësin e lindur dhe të familjarizuar me gjuhën që në lindje. Një vështrim i tillë i magjepsur e infantil është privilegj i një vetëdijeje që vjen nga jashtë sistemit të gjuhës, duke ndërkallur një përjetim krejt të panjohur më parë nga bartësit e rutinizuar të saj. Pak a shumë ndodh diç e ngjashme me konceptin e arbitraritetit të gjuhës së fëmijëve, të cilin e pati studiuar Roman Jakobsoni në punimin “Gjuha e të pavetëdijshmes”. Gjuha në atë stad përjeton shekullin e saj fëminor dhe ka një automatizëm të kulluar për të hyrë në lidhje referenciale arbitrare me dukuri dhe nocione. Ajo, si të thuash, njeh fazën e saj “magmatike”, të pangurtësuar dhe prej kësaj “plazme magmatike” është më lehtë të krijohen konture e trajta, metamorfoza e kimera që i japin ligjërimit një dimension alogjik, nonsensi, absurdi, për sa koshienca dhe subkoshienca gjenden përballë një urie për krijim. Kjo shpjegon edhe naturën surrealistike dhe një vështrim tejet të mitologjizuar të subjektit lirik. Këtë fill argëtues në procedeun me gjuhën, Silke e ftillon nëpër labirinte fjalë pas fjalë, shprehje pas shprehje, duke i ndriçuar dukuritë dhe realet nxitimthi, sa të shplojnë pakëz konturin a profilin, në mënyrë kaleidoskopike. Mirëpo gjuha ka të ndërkallur një veti të çuditshme: ajo ngjiz dhe shumwfishon vetveten, e së këndejmi, realitetet gjegjëse paralele. Si duket, kjo e vërtetë duhet ta ketë shtyrë poeteshën ruse Marina Cvjetajeva të shkruajë vargun: “Poeti e shpie gjuhën larg. Gjuha e shpie poetin larg”. Së këndejmi, edhe vetë ekzistencën e poetit, përderisa ai banon në gjuhë, duke u ripërtërirë në mënyrë të ndërsjelltë, ashtu si ripërtëritja ciklike e kohës në mite. Po e ilustroj këtë mendim me një nga poezitë e Silkes, që për mua ka vlerën e kredos poetike, ku Fjala dhe Krijimi janë veçuar spikatur nga poetesha me gwrmë kapitale:

NDËRRIM

Kur botë të jashtme nuk ka

Ose ajo është e pagjetshme

Ose copat nuk mjaftojnë për të formuar botë,

Atëherë

Kthen sytë nga balli në mes të kafkës

Dhe lëkura bëhet një thes përreth universit

Dhe përsëri Fjala do të fillojë veprën e saj të Krijimit.

Silke Liria-Blumbach është një poete shqiptare. Ajo është një dukuri krejt sensacionale e poezisë shqipe. Kontributi më i madh dhe më esencial që i jep çdocili poet me krijimet e tij një tradite të poetikës nacionale është shkalla e begatimit të saj me mjete shprehëse: me metrikën, prozodinë, format poetike, intonacionin ligjërimor dhe diksionin e zërit, me tropet dhe metaforat, e si rezultat të fundëm të këtyre, me ndjeshmërinë e caktuar. Të gjitha këto janë ndryshime në kodin e një sistemi nacional poetik, për rrjedhojë kjo çon edhe në ndryshimin e fizionomisë së poezisë në etapën e saj të evolucionit organik. Unë mendoj dhe jam i bindur se ky begatim që Silke i sjell poezisë shqipe është i qëndrueshëm e jetëgjatë, sikundërsa jam i bindur se edhe gjuha shqipe e ka shpërblyer bujarisht poeteshën, duke e përsosur, duke e çliruar dhe shkarkuar nga frikërat e saj ekzistenciale, duke i dhënë asaj një jetë të dytë, të shëndoshë, në nivelin e saj më të epërm: poezinë. Me fjalë të tjera, ndoshta të panevojshme – duke e shpëtuar nga fantazma e realiteteve të frikshme. Dhe kjo jo në kuptimin figurativ, por në kuptimin më konkret dhe të drejtpërdrejtë.

Unë nuk mendoj se Historia e Letërsisë bashkëkohore shqipe mund të refuzojë luksin e veçantë dhe të anashkalojë një poete novatore si Silke Liria-Blumbach, sikundërse nuk imagjinoj dot asnjë antologji të Lirikës bashkëkohore shqiptare pa përfshirjen e individualitetit të veçantë të poeteshës shqiptare nga Gjermania – Silke Liria-Blumbach. Ne poetët shqiptarë duhet t’i gëzohemi tashmë pranisë së një simotre të talentuar të penës.



(Vota: 3 . Mesatare: 5/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora