E hene, 10.08.2020, 11:53 PM (GMT+1)

Editorial » Mehmetaj

Gani Mehmetaj: Korbat e islamit sillen mbi Dardani

E shtune, 18.04.2020, 03:59 PM


Korbat  e islamit sillën mbi Dardani

Nga Gani Mehmetaj

1.

Kur nga Turqia erdhën ndihma simbolike, në emër të koronavirusit, dolën i madh dhe i vogël në aeroport  që ta falënderonin babanë e tyre shpirtëror, Erdoganin. Gati sa nuk u vunë në rresht zyrtarët e lartë, të gatshëm të bënin punën e hamallit dhe ti shkarkonin ndihmat aq shumë u përgjëruan. Të vinte pështirë me servilizmin e tyre, të dëshpëronte sa poshtë ka rënë shteti ynë. Mediet shqipe të sponsorizuara nga shoqatat islamike turke, ranë në trans duke e përsëritur lajmin sikur të na kishin shpëtuar me jetë.

Dhjetë herë më shumë dha ndihma Gjermania në këtë kohë krize morale e shëndetësore, ndërsa u dha lajmi i flashkët dhe i papeshë. Njëqind herë më shumë dha ndihma Evropa Perëndimore, BE-ja dhe SHBA-të, por nuk me kujtohet të kenë dalë në aeroport, nuk di të jetë dhënë ndonjë kumtesë e zyrtarëve të lartë, ndërsa nuk mbizotëroi euforia mediale si me ndihmat e papërfillshme të "Nënës Turqi".

Zyrtarët e ambasadës turke dolën me premtimin se gjatë ramazanit nuk do ti lënë keq vëllezërit  e tyre myslimanë në Dardani, thua se me një porcion fasule me mish të skaduar apo, pilaf me kofsh pule për iftar, do ti shpëtojnë nga vdekja. Ndërhyrja brutale e ambasadës turke dhe e Turqisë në kohë ramazani me agresionin e paparë islamikë, duhet të ndërpritet, zyrtarët tonë duhet ta thërrasin ambasadorin në raport dhe t'ia japin kartonin e kuq. Ne jemi shtet laik, nuk jemi shtet islamik, prandaj nuk duhet të lejojmë që ambasada turke të përhapë aq paturpësisht dhe me aq agresivitet islamin pa e përfillur fare shtetin tonë. Kemi a s'kemi ne shtet, apo Turqia na i dikton kushtet?

2.

Kur TIKA, organizata kulturocide turke, që e ka shpërfytyruar trashëgiminë materiale e shpirtërore të shqiptarëve më shumë se kushdo tjetër, solli 300 pako ushqimore, prapë dolën zyrtarë tonë dhe e falënderuan nënën Turqi sikur të kishte sjellë tërë mallin e Turqisë. Nëpër rrugë defilonin me flamuj turq si ta kishin pushtuar Prishtinën, jepeshin deklarata, bëheshin fotografi. Mediet tona të pa dinjitetshme i dhanë peshë aq të madhe si të kishte sjellë miliarda dollarë e jo 300 pako, nga të cilat 70 pako ishin për "turqit"  e Prishtinës.

Kur një kishë ungjillore shqiptare në Prishtinë, dha 1000 pako ushqimore, po përgatitët të jep edhe disa mijëra pako tjera ushqimore e higjienike (maunët me ndihma me duket e kanë kaluar kufirin), asnjë portal a televizion nuk e shënoi, asnjë zyrtar nuk i falënderoi. Kryesore na e dinë ata që i morën ndihmat, me tha pastori, miku im.  Kohë më parë njëra nga kishat protestante në Prishtinë e luti të parin e qytetit që t'ua bënte një listë nevojtarësh kryeqytetas , meqë kishin ndihma të mjaftueshme, por ai nuk pati kohë, sepse ishte i zënë në krye të marketingut të Tikës kulturocide.  Kisha protestante mbanë mbi 200 familje në Prishtinë më ushqime dhe me dru dimrit, madje edhe stufat ua blenë,  shpërndanë pako për institucionet me persona me aftësi të kufizuara, kopshte fëmijësh etj. por prapë askush nuk e informon opinionin.

Kisha Katolike Shqiptare e Dardanisë ka dhënë disa mijëra pako ushqimore, shoqatat humanitare nënë ombrellën e saj mbajnë qindra familje të varfra,  (pa i dalluar në baza fetare sikur turqit e arabët),  ushqejnë qindra të pastrehë gjatë ditës, por prapë mediet tona nuk e japin asnjë lajm.

3.

"Jetimet e Ballkanit" është organizata tjetër islamike që mu si korbat mbi kërma po e shfrytëzon fatkeqësinë tonë kombëtare: krizën morale, identitare e sociale për të bërë reklamë islamike. Jetimet e Ballkanit kanë kuptimin simbolik "myslimanët e shkretë", që baba Dovleti e nëna Turqi i braktisi, prandaj shoqatat islamike arabe nuk i harrojnë, nuk do t'i lënë të vetmuar në detin "e kaurit". "Jetimet e Ballkanit" kanë ndikim të fuqishëm në medie, reklamën që ua bëjnë televizionet tona është e paparë, por edhe kur duan ta linçojnë dikë në rrjetet sociale janë në gjendje ta çmendin. E kemi të freskët linçin ndaj Naim Abazit pse ai tha se unë jep ndihma nga parat e mia e jo nga paratë e lypsarisë sikur Kastrati dhe nuk bëj zhurmë. Kaptina më e trishtë është organizata "Jetimët e Ballkanit". Çdo ditë na e kujton mjerimin tonë moralë dhe krizën e identitetit kombëtar.

Për fund. Nëse shqiptarët e mi përtej Drinit fërkojnë duart dhe thonë: lum si ne, kemi shpëtuar nga murtaja islamike, e kanë gabim, janë në të njëjtën hale, por nuk duan ta shohin.



(Vota: 17 . Mesatare: 5/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora