E shtune, 21.09.2019, 08:41 PM (GMT+1)

Kulturë » Kinema

Klaudeta Riza

E marte, 07.03.2006, 10:14 PM


Pasaporta Artistike

Klaudeta Riza

Ka lindur më 2 qershor të vitit 1949, në qytetin e Korçës.
Ka mbaruar për aktore në Artin e Dramës në Akademinë e Arteve në Tiranë. 33 vjet në skenën e Teatrit “ A.Z.Çajupi” , 33 vite punë e arritje, vlerësime, duartrokitje. Në vitin 1988 është vlerësuar aktorja më e mirë në javën e artit skenik. Në rolin e nënës tek komedia “ Kohë pa emër” të Ruzhdi Pulahës ka marrë dy çmime: një në festivalin ballkanik të komedisë dhe një në Festivalin Mbarëkombëtar në Kosovë.

Që në kopësht luaja rolet e nënave

Aktorja 57- vjeçare e Teatrit “ Çajupi” Klaudeta Riza që prej 7 muajsh ka dalë në pension, por ky pushim nuk ja zbeh famën dhe jetën e saj të gjatë artistike. Një jetë e tërë prej 32 vjetësh e lidh atë me skenën dhe teatrin e Korçës. E mirënjohur për gjithë qytetarët korçarë që e thërrasin akoma me emrat e personazheve që ka interpretuar aq bukur, madje kur i pyet për Klaudetën të përgjigjen profesorja. Kur e pytëm nëse kishte mundësi të na tregonte diçka për jetën e saj ajo u tregua e gatshme të na rrëfehej për gazetën Sot. Duke na treguar për fillimet e saj në botën e artit dhe vështirësitë që e kanë penguar. Vlerësimet dhe dashurinë e saj ndaj publikut korçar në veçanti, por dhe atij shqiptar në përgjithësi. Njohjet e saj me të tjerë artista të Teatrit “Çajupi” të Korçës dhe marrëdhëniet me ta.

Si e nisët rrugën e humorit?
- Që në kopësht kam luajtur rolet e mamave dhe partner kisha aktorin Perik Gjezin. Si djalë rolet i bënte Maqo Lakrori, ai që më vonë u bë deputet. Çdokush merr rrugën e tij të jetës dhe ne të dy zgjodhëm aktrimin dhe më vonë unë me Perikën u bëmë aktorë të Teatrit dhe të Estradës. Luanim skeçe bashkë. Në shtatëvjeçare se aq ishte shkolla atëherë më shumë kam recituar e pak skeçe luaja. Në të mesmen u mora me grupin artistik të shkollës, ku bënim Estrada e konkuronim në teatrot që bëheshin mes shkollave. Bënim gara artistike mes shkollave në ato vite që vazhduan dhe më vonë. Në ato vite ishte në Korçë Pirro Mani, i cili këmbënguli që unë të ndiqja shkollën e lartë të dramaturgjisë.

E mbaruat shkollën e lartë?
- Një vit si mbarova gjimnazin, punova në ndërmarrjen e trikotazhit, pasi atë vit u mbyll viti i parë. Në trikotazh u mora dhe me punë dhe me shfaqje artistike. Kjo ndërmarrje në atë kohë kishte një trupë të mirë teatrore, me të cilët unë ende i ruaj miqësitë. Për mua ishte si të bëja një vit stazh. Nga shteti m’u dha një e drejtë studimi për mësuese biologjie për në Shkodër, e cila ishte dy vjet, kështu që të mund të kthehesha më shpejt në Korçë. E refuzova, pasi doja të bëhesha aktore me shkollë e nuk merrja degë tjetër.

Pas “stazhit” si ecët më tej?
- Konkurova për aktore në artin dramatik. Në vitin e tretë kam luajtur rolin e nënës tek drama “ Të pamposhturit” e shkruar nga Mirush Jero. Tek komedia “ Ylli pa emër” madmuaselen ( zonjushën) , “ Në mosha e bardhë” rolin e Meribanit. Unë kam luajtur role ekstreme si të dramës ashtu dhe të komedisë.
Kur mbërritët tek “ Çajupi” në Korçë?
-Më kërkuan që të më mbanin në Tiranë, por në atë kohë emërimi ishte i detyruar dhe erdha e fillova punë në vitin 1972 pranë teatrit “ Çajupi” .

Si e pritët emërimin?
- Ishte nder që të nisje punë në një teatër me emër si teatri i Korçës. Ishte kënaqësi të ishe përkrah aktorëve të tillë si Pandi Raidhi, Stavri Shkurti, Jani Riza, Dhorkë Orgocka, Qefsere Trako, por përveç kënaqësisë ishte dhe një përgjegjësi e madhe që merrje përsipër të punoje me të tillë aktorë të një niveli të arrirë dhe shumë profesional, të cilët kanë bërë artin e aktrimit në Shqipëri.

Sa vite keni në skenë?
- Hipa në skenë në një moshë të re dhe zbrita pas 33 vjetësh pa asnjë lëvizje apo qarkullim në vende të tjera. Në ato vite përgatisnim katër premiera të reja në vit. Punoja si në teatër dhe në estradë. Merreshim me grupet amatore, bënim koncerte festive. Në art vështirësitë dhe suksesi janë shumë pranë.

Si e pritët daljen në pension?
- Ditën që m’u komunikua urdhëri se kisha mbushur moshën e pensionit, m’u ngarkuan dy role të rëndësishëm një në teatër dhe një në estradë. Teatri ka mungesa aktorësh. Komunikimin e prita me qetësi. Po jetojmë kohë të vështira dhe çdo gjë mund të presësh që të të ndodhë. Rolet që m’u ngarkuan nuk i lashë pa realizuar. Jam ngopur me role në jetë. Nuk më ka mbetur rol femre e mashkulli pa luajtur.

Keni luajtur role burrash?
- Për aktorin apo për aktorin nuk janë të ndara rolet, varet si paraqiten nevojat. Kur ka patur mungesa femrash, kanë luajtur burrat rolet e grave. Kur kanë munguar burrat, kanë luajtur gratë rolet e tyre. Për herë të parë në Teatrin e Korçës kam luajtur rolin e një djali e së fundi kam luajtur rolin e Skënderbeut.

Jeni larguar përfundimisht nga skena?
- Eh, si të them për këtë! Po na thirrën si argat do të vemi ( qesh), në fakt mungesa aktorësh ka. Rrethet po vuajnë nga mungesa e talenteve. Ata që mbarojnë shkollën në Tiranë nuk kthehen se i peshkojnë dhe i zënë në rrjetë atje. Në rrethe aktorët kanë një rrogë qesharake. Unë me pensionin që marr nuk më del për drita e dru, pasi dimri është i gjatë dhe i egër në Korçë. Shiko si po bën këto ditë që si kemi fikur sobat e dritat, janë dyfishuar në çmim.

Nuk morët ndonjë pension special?
- Nuk mbeti radha për tek mua, nuk kanë marrë as aktorë të tjerë të nivelit tim. Mua më ndihmojnë dy vajzat që më punojnë në Athinë, ku e madhja është gazetare dhe e vogla stomatologe. Kështu ia dal të jetoj mirë, sepse me pensionin as që mendohet.

Në teatrin e Korçës keni qënë disa çifte, si jeni ndjerë?
- E kemi bërë punën e skenës me cilësi. Nuk i kemi turpëruar bashkëshortët të cilët ishin dhe ata aktorë me ne. Në teatrin e Korçës kanë qënë këto çifte, Qefsere dhe Vani Trako, Dhorka dhe Dhimitër Orgocka, Vjollca dhe Aleko Prodani, Florika me Stavri Shkurtin, unë me Petrika Rizën. Si çifte jemi ndjerë mirë pasi e kishim zgjidhur problemin e thurjes së familjes e punonim me durim që të mbanim skenën gjallë.

Si jeni njohur me Petrikën?
- Petrika ishte në vitin e tretë në gjimnaz dhe ishte bashkë me motrën time. Na vinte në shtëpi bandilli ku kërkonte ndonjë laps apo fletoren e detyrave dhe aty më peshkoi mua ( qesh), lidhje që vazhdon të jetë vitale dhe sot. Kemi punuar bashkë në skenë. Skena ka qenë skenë dhe familja. Pra nuk i kemi ngatërruar gjërat. Lidhja na ka shërbyer për përsosje në anën profesionale.

Nëse do të ishit vjehrrë, si do të silleshit me nusen e djalit?
- Për fat të keq nuk kam djalë, eh nuk m’u dha mundësia që të bëhesha vjehrrë me nuse brenda. Unë kam dy vajza. Me nusen do të sillesha, siç sillem me dhëndrin. Unë kam qenë nuse vetë me vjehrrë brenda. E kemi kaluar mirë. Po të kisha nusen e djalit do të isha një vjehrrë që të na kishte zili qyteti. Do të isha një vjehrrë shembullore siç kam qënë në disa role ku unë e kam luajtur vjerrhën.

Si ndjeheni kur u thërrasin profesore?
- Rolet janë të dashur për çdo aktor. Në çdo rol gjen të veçanta. Gjen anë të veçanta që ndeshen e mbeten të gjallë. Ndiej kënaqësi kur më thërrasin apo më cilësojnë me role që kam luajtur. Do të thotë që unë kam arritur të futem plotësisht në botën e atij personazhi që kam interpretuar. Ky është një vlerësim për mua dhe profesionin tim si aktore. Vlerësim që më bëhet nga publiku i qytetit tim të lindjes dhe nuk ka sadisfaksion më të madh.

Sot



(Vota: 0)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora
PËLLUMB GORICA: MURET CIKLOPIKE QË SFIDOJNË SHEKUJT