E premte, 06.12.2019, 10:46 AM (GMT)

Kulturë » Kinema

Arben Derhemi

E shtune, 30.06.2007, 09:42 PM


Derhemi: Teatrit i duhet “gjak” i ri

Arben Derhemi
Edhe pse nuk ka aq vite në teatër apo kinema, sa aktorët me thinja, “rebelizmi” i aktorit Ben Derhemi, ndaj gjendjes së teatrit ndihet teksa i kërkon të flasë, sesi ecin punët aty në prapaskenë, para se spektatorët të shohin shfaqjet e bukura që serviren në kryeqytet. Aktori i gjeneratës së re, tregon se ndryshimet e mëdha në teatër, duhet të fillojnë nga oborri i Teatrit Kombëtar, aty ku prej vitesh duket se shumë pak gjëra kanë lëvizur, ku shumë njerëz vegjetojnë dhe të tjerë bëjnë sikur punojnë. “Shumë vetë që punojnë në Teatrin Kombëtar, faktikisht nuk bëjnë asnjë veçse marrin rrogën dhe ikin, dhe kur vjen puna në mbledhje ata vetëm flasin sesi duhet të ndryshojë Teatri Kombëtar, pa bërë gjë”-tregon për Mapo, aktori Ben Derhemi. Ai tregon për luftën e brezave, aktorëve të rinj dhe atyre të vjetër, role të 20 vjeçarëve që luhen nga aktorë me moshë mbi 40 vjeç. “Teatri pa dyshim që ka nevojë për brezin e vjetër, por kur ata i duhen atij dhe nuk mund të luhen role që nuk kanë lidhje me ta. Në Teatrin Kombëtar në momentin që vjen një i ri, të gjithë mendojnë se ai ka ardhur vetëm për ti vendin dikujt tjetër, duke u bërë shkak edhe për heqjen e roleve, siç ka ndodhur pak kohë më parë edhe me mua”-thotë Derhemi, duke shpjeguar luftën e bërrylave edhe në institucionet teatrore.

Teatri me syrin e Derhemit
Spektatorët që janë mësuar të shohin shfaqje të bukura dhe të dhurojnë duartrokitje, as që e mendojnë sesa e fortë është lufta mes llojit (aktorëve) për të pasur një rol. Por duket se aktorët, ata që mbeten jashtë apo edhe ata që janë brenda, rrëfejnë se realisht nuk ndihen mirë. “Askush në teatër nuk dëgjon. Të gjithë mendojnë se bëjnë punën e tyre dhe dinë ta bëjnë shumë mirë. Njerëz që vegjetojnë për vite të tëra, me ide të çuditshme që diskutohen në mbledhje. Teatri shqiptar ka nevojë për njerëz të rinj, për gjak të ri, sigurisht që nuk kam asgjë me aktorët e vjetër, pasi edhe ata kanë vendin e tyre, por teatri kërkon hapësira më të gjëra edhe në konceptim”-thotë Derhemi. Ai vjen nga një brez i ri aktorësh, që edhe pse është favorizuar deri diku nga aftësia apo fati për të pasur disa role, shumë aktorë të tjerë të rinj, që duhet të luanin personazhe me moshë të re, nuk luajnë në teatër. “Në teatër ka aktorë shumë të vjetër që luajnë ende personazhe të rinj dhe kjo nuk është e drejtë, pasi ka aktorë të tjerë të rinj të cilët mund të luajnë këto personazhe. Këto nuk duhet të ekzistojnë, por ndodh pasi shumë njerëz që vegjetojnë mendojnë se pozicionet që kanë i kanë të përjetshme”-tregon aktori. Sipas tij futja e teatrove private në treg është një mundësi mjaft e mirë për aktorët, qofshin brenda oborrit të Teatrit Kombëtar apo jashtë tij, kjo veçanërisht edhe për gjeneratën e re, e cila përfaqësohet edhe nga vetë ai, ç’ka do të nxisë edhe konkurrencën për të vënë në skenë pjesë të mira teatrale.

Mbështetje për kinemanë
Kinemaja shqiptare ka heshtur prej vitesh dhe aktorët janë ata që e ndjejnë më shumë këtë boshllëk, mungesën e këtij ushqimi, që përtej reklamës së triumfeve të vogla në festivale të mëdha bëhen për filmin shqiptar. Aktori Ben Derhemi e pranon se kinemaja është një industri që ka kosto të madhe financiare dhe për këtë ai sugjeron edhe rrugët e mundshme, sesi kjo industri mund të fillojë të ecë. “Në fillim duhet të jetë shteti ai që duhet të mbështesë financiarisht prodhimet e ndryshime kinematografike, pasi filmi ka një kosto të madhe. Pas prodhimit të një, dy apo tre filmave, kur producentët apo regjisorët të ecin para, mund të vazhdojnë vetë të prodhojnë filma, por një mbështetje fillestare nga shteti duhet”-pohon Derhemi. Sipas tij ato pak prodhime filmash që bëhen në vend lidhen me interesat që autorët e tyre kanë, zgjedhjet e aktorëve apo stafit tjetër mbështetës, që kryesisht janë familjare, duke lënë në hije profesionistët. “Filmat shqiptarë prej vitesh janë kthyer jo në prodhime profesionale, por familjare. Një regjisor zgjedh gruan për rolin kryesor, vëllain për një rol tjetër, të afërm të tjerë për staf mbështetës dhe gjithë ky proces ngushtohet. Zgjedhja e aktorëve bëhet sipas interesave”-shpjegon ai. Duke kujtuar kinoprovat e dikurshme të Kinostudios, Derhemi shpjegon se ato janë vetëm pjesë e së shkuarës, pasi asnjë regjisor aktualisht nuk bën kinoprovë për zgjedhjen e një aktori që i duhet për filmin e tij, proces ky që është i paevitueshëm në çdo kast për kinematografinë moderne. E megjithatë, në këtë pafundësi problemesh që ka kinemaja duket se aktorët e vuajnë më shumë mungesën e kamerës, të vjetrit duke kujtuar kohët e lavdishme, ndërsa të rinjtë duke ëndërruar një të ardhme, që duket se vetëm role të pakta ka gjasa t’i japë në vitet që do të vijnë.



(Vota: 1)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora
PËLLUMB GORICA: MURET CIKLOPIKE QË SFIDOJNË SHEKUJT