E enjte, 14.11.2019, 04:38 AM (GMT)

Kulturë

Blerim Rrecaj: Ura udhëtimi

E marte, 01.10.2019, 05:14 PM


Ura udhëtimi

Nga Blerim Rrecaj

Edhe e diela ditë pushimi. Vendosim t'i drejtohemi një agjencie udhëtimi. Marrim biletat dhe në mëngjesin e orës tetë nisemi me njërin nga autobusët që mban emrin e njërit prej maleve të njohura. Autobusi ecën nëpër autostradë-foshnjen disa muajshe me emrin "Arbën Xhaferi". Dikush largon sytë nga gazeta e dikush nga telefoni kur kalojmë nëpër udhën lakadredhëse disa kilometërshe. "Sharremi" duket si një dinosaur në pleqëri të thellë e që mezi merr frymë, ndërsa dy pikëkalimet kufitare na sjellin ndërmend ndryshimet politike, njëri republikën tonë e tjetri republikën fqinje me emër të ri, me bisht. Sidoqoftë, vazhdojmë. Për në Kanionin e Matkës. Bukuritë natyrore gjithmonë tërheqin e të këndellin pasi që në to I Lartmadhërishmi ka vënë dorë. Ngjitemi rrjedhës së lumit Treska, shtratit të saj të gjerë, ujëshumë, të pastër, valbardhë, që bart me vete gjethet e verdha të drunjëve, sidomos të këtyre skaj brigjeve që vazhdojnë të hidhen si farë kërcimtarësh prej urash të shenjta. Një flutur e bardhë ka zgjedhur degën e një fijeje bari të zgjatur e të lakuar si urë thuajse po kundron, dëgjon e mediton dhe më pas fillon rrugëtimin fluturak. E vazhdojmë të ecim shtegut ku me mbrojtëse mbajtëse e ku pa to mbështetur prej faqeve të mëdha e të thepisura shkëmbore. Rrugës dikush vazhdon duke kafshuar një shtalb të verdhë e të ëmbël sheqer. Nga lart shohim dhe varkat lundëruese me vizitorë që lundrojnë mespërmes ujit të qetë të liqenit. Dikush u jep duarve me ndihmën e lopatave lundruese shijojnë ujin e rrezet e diellit të një dite që duket se s'ka si të jetë më e mirë. E këtej më së shumti vërehen ca lule vjollce kryepërpjetë të një të jargovante të lehtë, shihet dominimi i tyre, ndërsa një lloj luleje ngjyrë kaltër e lehtë duket që mbin për shkëmbinjësh dhe rri përqafuar me ta. Ecim e ecim e vazhdojmë të kthehemi duke u ndeshur edhe ca grupe të organizuara turistësh, shumë prej vizitorëve flasin shqip, më rrallë maqedonishtja. Na duhet të kthehemi dhe kthehemi duke parë një patë të kaftë e pupëlqëndisur me mozaik ngjyrash ku e pranishme është dhe e hirta. Me sqepin e saj të verdhë bash ashtu si një grusht gjethesh të verdha rreth saj, ajo çukit boçen e një shtalbi të hedhur. Dikush mbërrin atëherë kur autobusi niset bashkë me ne për t'u larguar nga ky kanjon. Më pas ca kohë e kaluar në një qendër tregtare, një orë ndejë te hapësira e admirueshme me drunj e gjelbërim të ca banesave të një pjese të njërës prej lagjeve. Më pas në qendër të Shkupit mbushur me statuja gjigande e më pak të tilla si përpjekje për përvetësim e kërkim identiteti, por mirë e tha dikush më shumë vjet ka ky i moshuari plisbardhë se identiteti i formuar në funksion të një krijese artificiale. Lëmë Shkupin, lëmë lumin dhe një lejlek këmbëgjatë të bardhë me shputa në ujë, lëmë Vardarin me shumë ura, në brigjet e tij bijnë, rrijnë e fluturojnë pëllumba...



(Vota: 0)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora
PËLLUMB GORICA: MURET CIKLOPIKE QË SFIDOJNË SHEKUJT