E marte, 12.11.2019, 09:13 AM (GMT)

Komente » Fetahu

Adil Fetahu: Letra sekrete e Pashiqit nga Konferenca e Paqes në Paris

E hene, 01.04.2019, 07:23 PM


Nga zgafella e sekreteve serbe kundrejt Shqipërisë

LETRA SEKRETE E PASHIQIT NGA KONFERENCA E PAQES NË PARIS

Shkruan Adil FETAHU

Lufta e Parë Botërore, e filluar në vitin 1914,  është përfunduar me lidhjen e armëpushimit midis fuqive të Antantës e Gjermanisë, më 11 nëntor 1918.  Për arritjen e paqes përfundimtare u organizua Konferenca e Paqes, e cila filloi punën më 18 janar 1919, në Versajë, afër Parisit, me seancën plenare të delegacioneve  dhe delegatëve të 27 vendeve. Vendimet e rëndësishme merreshin në komitetin e ngushtë të pesë fuqive të mëdha, fituese të luftës: ShBA, Britania e Madhe, Franca, Italia dhe Japonia, por me qenë se Japonia nuk ishte shumë e interesuar për çështjet e Europës, praktikisht vendimet i merrte “Komiteti i të Katërve”. Figura qendrore e Konferencës ishte presidenti i ShBA-ve, Vudrov Vilson, me 14 pikat e tij të njohura, të 8 janarit 1918-es, me të cilat “duhej të garanohej pavarësia politike, ekonomike dhe territoriale e shteteve të Ballkanit”. Konferenca duhej të cakonte rendin e ri në Europë dhe kufijtë e shteteve, pasiqë ishin shpërbë katër perandori: Gjermane, Austrohungareze, Ruse dhe Otomane. Pas katër vjet lufte të përgjakshme, Konferenca ishte luftë diplomatike, gjëgjësisht ishte “loja midis të mëdhenjëve e të vegjëlve”.

Në marginat e Konferencës morën pjesë edhe disa delegacione të “shtetit” të Shqipërisë dhe të diasporaës shqiptare, me qëndrime të ndryshme.

Delegacionin e të ashtuquajturës Mbretëria Serbo-Kroato-Sllovene, e cila sapo ishte formuar, më 1 dhjetor 1918, e kryesonte Nikolla Pashiq (73 vjeçar), i cili ishte politikani dhe diplomati më i shkathtë dhe me përvojë nga vendet e Ballkanit, dhe është protagonist kryesor i imperializmitserb, me lakminë e pa shuar për Shqipërinë e Veriut dhe daljen në det. Delegacioni jugosllav përbëhej nga më se 100 delegatë dhe shumë ekspertë më të njohur të fushave të ndryshme. Në delegacionin jugosllav ishte edhe Mihajllo Pupin, shkencëtar e profesor serb, emigrant në Amerikë, i cili përmes grues së tij amerikane, njihej mirë dhe kishte kontakte me presidentin Vilson.

“Lufta diplomatike” në Konferencën e Paqes zhvillohej lidhur me kufijtë e shteteve humbëse dhe atyre fituese të luftës. Për caktimin e kufijve merreshin parasysh parime të ndryshme, strategjike, etnike etj, por edhe marrëveshjet e fshehta të lidhura midis fuqive të mëdha para ose gjatë Luftës. Jugosllavia e sapoformuar, kishte pretendime të mëdha territoriale ndaj të gjitha shteteve me të cilat kufizohej, përveç ndaj Greqisë. Dhe ato pretendime i realizoi në pjesën më të madhe, në dëm të Hungarisë, Bullgarisë, Rumunisë dhe Austrisë. Pretendimin për territorin shqiptar dhe daljen në det i ruante si kartë xhokeri, për më vonë, duke ditur brishtësinë e shtetit shqiptar. Dhe për ironi të fatit, Pashiqi në Konferencën e Paqes doli me qëndrim për pavarësinë e shtetit shqiptar, në kufijt e caktuar nga Konferenca e Ambasadorëve në Londër, në vitin 1913, me korrigjime që mund të bëheshin më vonë. Për synimet e tij, djallëzore, kërkonte përkrahjen politike dhe materiale të qeverisë së tij. Në një letër rigoroz sekrete që i shkruante kryetarit të qeverisë në Beograd, Stojan Protiq-it, i raportonte mbi zhvillimet e punimeve të Konferencës dhe gjasat për fitore reale. Këtu më poshtë, po japim përmbajtjen e letrës sekrete  të Pashiqit, në lidhje me problemin e Shqipërisë kur të trajtohej në Konferencë.

“Paris,5 dhjetor 1919

Kryetarit të Këshillit të Ministrave,

Personalisht dhe rigoroz sekret,

Zjidhja e çështjes së Shqipërisë po i afrohet fundit. Ajo është e lidhur ngusht më çështjen e Adriatikut, ndërsa çështja e Adriatikut tash përsëri erdhi në rend dhe po bëhën përpjekje të gjendet zgjidhje për të cilën do të pajtohej Vilsoni, dmth. qeveria e Amerikës dhe Italia. Aleatët tanë, Françezët dhe Anglezët, ç’është e drejta po kujdesën për interesat tona, por konsiderojnë se ne mund të pajtohemi me atë zgjidhje për të cilën do të pajtohej Vilsoni. Çështja shqiptare lidhet me çështjen e Adriatikut, në rend të parë për shkak se ka lidhje natyrore me te, dhe së dyti, se po kondierohet si objekt kompensimi.

Në lidhje me çështjen Shqiptare, Delegacioni Mbretëror (i Serbisë, sepse Mbretëria SKS akoma nuk ishte njohur nga Konferenca, v.j.) ka marrë qëndrim sikur i është paraqitur në notat e dërguara Konferencës së Paqes, dmth. pajtohemi për pavarësinë e Shqipërisë në kufjitë të cilët ia ka caktuar Konferenca e Ambasadorëve në Londër, më 1913, me kusht që nëse Italia e lëshon Vlorën, dmth. nëse edhe ajo i pranon konkluzionet e Konferencës së Ambasadorëve, të vitit 1913.

Pajtohemi që korrigjimi i kufirit (të Shqipërisë,v.j.) ndaj Serbisë dhe Malit të Zi, të zgjidhet në marrëveshje me fiset të cilat jetojnë në ata kufij.

Nëse Italia dhe Aleatët nuk i pranojnë në tërësi konkluzat e Konferencës së Ambasadorëve, por udhëhiqen nga Paktii Londrës i vitit 1915, sipas të cilit Vlora me hindërland i jepet Italisë, atëherë ne kërkojmë që – kur një fuqi e madhe vjen në Ballkan, në fqinjësi tonë të drejtpërdrejt – të fitojmë kufirin strategjikisht më të fortë, i cili më natyrshëm do t’ishte Drini kryesor prej detit deri ku bashkohet me Drinin e Zi dhe prej aty Drinit të Zi deri te një pikë nën Dibër, dhe te derdhja e Zetës në anën e majtë në Drinin e Zi, e pastaj pjesën që ndanë uji,duke përfshirë edhe tërë Liqenin e Ohrit, i cili do të mbetej në anën tonë.

Sipas Paktit të Londrës, me të cilin Italisë I jepet Vlora dhe njëfar protektorti në Shqipërinë e Mesme, Shqipëria e Veriut i është lënë Malit të Zi dhe Serbisë. Ne nuk e kërkojmë Shqipërinë e Veriut për vete, veçse kërkojmë që atyre fiseve t’iu njihet e drejta e vetëvendosjes, që vetë ta thonë se a duan të bashkohen me Shqipërinë e Mesme Myslimane, e cila bie nën protektorat të Italisë, apo dëshirojnë ta formojnë një shtet të vogël të pavarur, si një “tampon-shtet”, ose dëshirojnë që si shtet i vogël autonom t’i bashkohet shtetit tonë. Për çdo rast, ne pretendojmë që kufiri të jetë në Drinin e Përgjithshëm dhe në Drinin e Zi, me korrigjimet e përmendura.

Kjo pikëpamje jona dhe këto kërkesa tona u janë të njohura të gjithë”Arnautëve” të cilët gjendën në Paris e të cilët kanë ardhur nga anë të ndryshme dhe nën ndikime të ndryshme për të përfaqësuar popullin shqiptar. Turhan-pasha, Gurakuqi (?) dhe disa tjerë mbështesin pikëpamjet italiane, që Italia të mbetet në Vlorë me hinderland dhe t’i njihet protektorati mbi tërë Shqipërinë, e të mos i jepet asgjë Serbisë dhe Malit të Zi. Një grup tjetër, pas të cilit qëndron Shoqëria Shqiptaro-Amerikane “Vatra”, kërkon Shqipërinë e Madhe të pavarur. Grupi i tretë, i cili konsideron se për Shqipërinë më e dobishme do t’ishte poqese çështja shqiptare do të zgjidhej në marrëveshje me neve, do të thotë, ajo mbështetë konkluzat e Konferencës së Ambasadorëve të vitit 1913 dhe kërkon Shqipërinë e pavarur në kufijtë që  ia ka caktuar    Konferenca e Ambasadorëve dhe pajtohet të bëjë korrigjimin e kufirit në dobi tonë dhe sipas dëshirës së popullsisë së vendbanimeve lokale, dhe konsiderojnë se pavarësinë e vet më së miri do ta siguronin në qoftë se hyjnë në njëfar lidhje me neve, posaçërisht të krijohet  unioni doganor. Në atë grup janë ithtarët e Esat-pashës dhe ata që janë kundër protektoratit itlaian.

…Dhe tash këtu është momenti kur po përpiqen të dijnë: se a do t’iu ndihmojë Serbia materialisht për t’iu kundërvu haptas kërkesve italiane dhe a do të kërkojë (Serbia, v.j.) që çështja shqiptare të zgjidhet sipas parimit “Ballkani – popujve të Ballkanit”,  të zgjidhet ashtu që të fitojnë pavarësinë e Shqipërisë në kufijtë e caktuar nga Konferenca e Ambasasdorëve dhe në marrëveshje me shtetet fqinje ballkanike.

Disa herë më kanë ardhur delegatët shqiptarë, të cilët dëshirojnë të punojnë me neve, të dijnë se a mund të marrin aq mbështetje sa të mund të fillojnë kundërshtimin e hapët kundër Italisë.

Në këtë moment, kur çështja shqiptare ka ardhur në rend për t’u zgjidhur, konsideroj se do ishte gabim i madh t’i refuzojmë dhe përsëri t’i shtyjmë në parzmën e Italisë, që ajo t’i shfrytëzojë kundër nesh dhe ajo të bëhet si mbrojtës i tyre, ç’është e drejta jo krejt me vullnetin e tyre, por kur nuk mund të gjejnë mbrojtës më të mirë, nëse ne i refuzojmë, atëherë edhe ata (Italianët, v.j.) janë të mirë…

Konsideroj se interesat tona politike e kërkojnë që seriozisht t’i pranojmë dhe të mos kursejmë shpenzimet për të fituar jo vetëm simpatinë dhe miqësinë e tyre, veçse edhe t’i lidhim me Serbinë për gjithmonë. Qëndrimi ynë i këtillë ndaj “Arnautëve” në Konferencën e Paqës, do të kishte ndikim pozitiv edhe te Arbanasit tanë, të cilët do të rrinin të qetë dhe do t’i ndiqnin këshillat tona; nteresi i tyre do t’ishte të rrinë të qetë dhe miqësisht ta pranonojnë administratën tonë.

Për këto çështje është folur edhe në një seancë të Delegacionit, në të cilën ishin të pranishëm edhe z.Drashkoviqi dhe Stojanoviqi, dhe ata u pajtuan me këtë. Mendoj se do ta ndihmojnë propozimin tonë, që sa më parë të ndahet një buxhet goxha i madh, nja dy-tre million, dhe të formohet një këshill qendror prej tre vetash,i cili do të merrte në duarë të veta udhëheqjën e kësaj pune, e ata sipas nevojës të formonjnë nënkëshilla me detyra, të cilat do t’ua caktonte këshilli kryesor, dhe në mënyrë të fshehtë t’i furnizojë me armë dhe municion çetat në të cilat do të kishte besim se nuk do t’i keqpërdorin armët. Përgjithësisht, të udhëheqin punën në terren ashtu që ta sheh Europa, por edhe Amerika dhe Italia, se Shqiptarët nuk do të pajtohen poqese Konferenca (e Paqes, v.j.) t’iu imponojë protektoratin Italian edhe poqese Italianët mbetën në Vlorë dhe rrethinë”.

* * *

Në Konferencën e Paqes në Paris, i kishin mprehur shigjetat e shpatat Italia, Greqia dhe Jugosllavia, për ta coptuar Shqipërinë, sipas marrëveshjes së fshehtë – Paktit të Londrës, të 26 prillit 1915, sipas të cilit Shqipërinë do ta ndanin mes vete Italia, Greqia dhe Jugosllavia. Duke parë pazaret kriminale që bëheshin në kurriz të Shqipërisë, qeveria amerikane dhe presidenti  Vudrov Vilson, kishin shkëmbyer disa nota me kryeministrat e Francës, Anglisë dhe Italisë, në të cilat ishin shprehur kundër vendimeve të Konferencës së Paqes, poqese ato bazohen në Marrëveshjen e fshehtë të Londrës. Në notën që Qeveria amerikane ia kishte dërguar ministrit të jashtëm të Britanisë së Madhe, Curzon, më 6 mars 1920, sa i përket çështjes së Shqipërisë, ndër të tjera thuhet: “Çështja shqiptare nuk duhet të futet në diskutimin që propozohet midis Italisë dhe Jugosllavisë dhe Presidenti (i ShBA-ve,v.j.) duhet të deklarojë edhe njëherë se nuk do të miratojë asnjë plan që do t’i jepte Jugosllavisë një kompensim territorial në pjesën veriore të Shqipërisë, në vend të diçkaje që mund t’i shkëputet gjetiu (Jugosllavisë v.j.). […]  Politika e përcaktuar qartë dhe e pranuar nga Qeveria amerikane gjatë gjithë kohës që ajo ka marrë pjesë në vendimet e Konferencës së Paqes, ka qenë kjo: që të mos konsiderohet e lidhur me traktate të fesheta për ekzistencën e të cilave ajo nuk ka pasur dijeni më pare .[…] Kryeministri i Francës dhe Britanisë së Madhe nuk mund të presin që Qeveria e Shteteve të Bashkuara të jetë dakord për zbatimin e kushteve të Traktatit të Londrës…”.

Ky qëndrim i vendosur i Qeverisë amerikane, gjegjësisht i presidentit Vilson e shpëtoi Shqipërinë nga kasapët e Europës dhe çakejtë e Ballkanit, të cilët donin ta copëtonin dhe gëlltitnin.

Pas pranimit të Shqipërisë në Lidhjen e Kombeve (më 17 dhjetor 1920), Jugosllavia ishte ndër të parat që e njohu Shqipërinë. Por, diplomati jugosllav i asaj kohe, Ivan Vukotiq, më vonë kishte deklaruar: “Ne vërtetë e kemi përkrahur formimin e Shqipërisë së pavarur në kufijtë  e caktuar në vitin 1913, por me qëllim që sapo të ta kemi rastin e volitshëm, atë shtet ta rrëzojmë…”. Prandaj, kur kemi të bëjmë me politikën serbe, vlenë ajo thënja mitike: “Ruaju prej Danajve, edhe kur të sjellin dhurata”, sepse janë të pabesë! Serbia kurrë nuk ta jep atë që të takon, pa marrë atë që s’i takon”. Kjo duhet të kihet parasysh gjithmonë në çfarëdo bisede e marrëveshje me Serbinë.



(Vota: 1)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora
PËLLUMB GORICA: MURET CIKLOPIKE QË SFIDOJNË SHEKUJT