E premte, 26.04.2024, 11:47 PM (GMT+1)

Kulturë

Rrëfehet Yllka Mujo: “Pengu im në teatër... Zhulieta”

E shtune, 27.09.2008, 09:22 PM


Yllka Mujo
Aktorja e njohur e Teatrit Kombëtar dhe e dhjetëra filmave shqiptarë tregon për jetën e saj mes teatrit, kinemasë e familjes, pasionet, pengjet dhe planet për të ardhmen

Nga Petrika GROSI

Ndër rolet e parealizuara ndonjëherë (pasi çdo aktor, pashmangshmërisht ka shumë të tilla) për Yllka Mujon, pengu mban emrin “Zhulieta”. Ajo dëshironte me gjithë shpirt që të ishte protagonistja e historisë më të famshme të dashurisë që është vënë deri sot në teatër...
Për këtë gjë, por edhe shumë të tjera, aktorja e njohur rrëfehet me detaje në intervistën e sotme dhënë ekskluzivisht për gazetën “Albania”. Cila është jeta e Yllka Mujos mes skenës dhe familjes? Po marrëdhëniet me miqtë e kolegët, fëmijët dhe ish-burrin? Planet e aktores dhe pasioni i saj i dytë, muzika? Yllka dëshiron shumë që të interpretojë në një muzikal, ku t’i jepet mundësia që të shfaqë talentin edhe në të kënduar. E ndoshta kjo dëshirë e hershme do t’i plotësohet së shpejti nga regjisorja Ema Andrea. Por si? Edhe këto pyetje marrin përgjigje, por ndoshta natyrshëm, publikut mund t’i lindin pyetje të tjera nga më të çuditshmet, ose edhe më të thjeshtat: A di të gatuajë Yllka? Cili është specialiteti i saj? Ç’vend zë pasioni për aktoren? A është romantike ajo? Nëse po, atëherë preferon bashkëjetesën apo martesën, apo asnjëra nga të dyja nuk ka rëndësi? Po për teatrin, të rinjtë që nuk u jepet mundësia të ngjiten në skenë pas diplomimit, aktrimin para publikut në teatër dhe para kamerës gjatë xhirimit të një filmi, ç’mund të ndiejë vallë një aktore e kalibrit të tillë? E pra, për të gjitha këto, Yllka flet në intervistën që vijon më tej.

Si ndihet sot Yllka Mujo, pas kaq vitesh karrierë në kinema dhe teatër?

Me ne artistët ka një problem të vogël; në kohën që një artist është i angazhuar me punë ndihet më tepër energjik, shumë herë më i aftë, më pranë jetës, aktiv, i përfshirë, për pasojë edhe i kënaqur. Momentet e kohëve të vdekura, përveç rutinës së përditshme që ekziston për të gjithë njerëzit në një mënyrë apo në një tjetër, për artistin janë si një vdekje e ngadalshme. Personalisht, kur në raste të tilla më kap monotonia mundohem ta plotësoj me lexime të ndryshme dhe me muzikë. Është një cikël që ndodh në psikofizikën e çdo njeriu. Vjen momenti kur ke nevojë të marrësh, të mbushesh e pastaj ta japësh atë që merr, për tu rimbushur përsëri. Momentet e papunësisë të krijojnë këtë lloj vakuumi, një gjendje të mefshtë shpirtërore e psikike ku të duket sikur nuk je në cilësinë e mendimit, sikur nuk je e aftë shpirtërisht për të krijuar, mirëpo sapo kapërcehet ky prag dhe puna fillon thyhet edhe kjo gjendje. Sidomos kur nis një punë të cilën të pëlqen ta bësh!

Pra, gjatë kohëve të fundit keni lexuar dhe dëgjuar muzikë?

Kam dëgjuar kryesisht muzikë klasike. Më pëlqen kjo lloj muzike edhe për faktin se kam bërë katër vjet lice për kanto dhe edukim muzikor. Një gjë e tillë më ka ndihmuar jo vetëm për të mbushur momentet e hapësirave boshe por edhe në profesion. Muzika ka të bëjë me veshin, ritmin, tempin dhe është një element shumë i rëndësishëm sa i përket përshtatjes të aktorit në skenë.

Duke u nisur nga pasioni i muzikës dhe aktrimit, a e keni menduar ndonjëherë t’i përkushtoheni muzikalit, apo u duket inferior në krahasim me teatrin dramatik?

Muzikali absolutisht nuk mund të quhet inferior. Pas kaq vitesh karriere në teatër, ku shumë pak më është dhënë mundësia për t’i shfaqur ato pak vlera që kam si këngëtare, muzikali do të ishte një eksperiencë jashtëzakonisht e bukur për mua. Madje drejtori i Teatrit të Operas, Zhani Ciko, sa herë më takon më thotë se ka shumë dëshirë që të bëjë një muzikal ku unë të kem një pjesë. Kjo për faktin e thjeshtë se kam studiuar katër vjet për kanto, por edhe më ka parë në disa raste kur më është dashur të këndoj pjesë të vogla në skenë. Deri tani më ka munguar rasti që ta shpërfaq këtë talent dhe ndoshta nuk do të vijë kurrë pasi asnjëherë nuk i dihet. Muzikali nuk është ankth për mua, por kënaqësi. Nëse do ta realizoj një ditë këtë gjë, atëherë do të plotësoj një fletë që ka mbetur bosh për mua, por edhe nëse nuk e bëj dot diçka të tillë, nuk është se do të trishtohem pasi nuk jam ajo natyrë.

A ka ndonjë rol që keni dashur me gjithë shpirt ta bëni, por që për një arsye a për një tjetër nuk ju është dhënë mundësia?

Sigurisht që janë shumë rolet që mbeten pa u bërë.

Mes roleve të parealizuara, a ka ndonjë personazh që e keni pasur vërtet fiksim?

Më kujtohet koha kur në teatër u vu “Romeo e Zhulieta”... Kisha shumë dëshirë që ta bëja unë Zhulietën, por vajzat që e morën rolin ishin më të reja dhe mosha e tyre ishte më e përshtatshme.
Atëherë, meqë nuk mu realizua kjo dëshirë vendosa që të bëj fëmijën e dytë. (qesh) Kjo është shumë më e rëndësishme, humane, por edhe dashuria më e madhe në jetë.

Jeni romantike?

Pa dyshim që romantika bën pjesë në personalitetit tim si njeri, si botë shpirtërore, por asnjëherë kjo romantikë nuk më ka tërhequr deri aty sa të bëhet prioritare, me përjashtim të momenteve kur me të vërtetë ka qenë e domosdoshme. Kjo nuk do të thotë që jam natyrë e programuar, pasi romantikës i lë hapësirë sa herë kur shpirti dhe mendja ime e kanë të nevojshme. Është një gjë që tek njeriu ndodh vetiu. Nuk më pëlqejnë njerëzit e programuar pasi ata nuk mund të hyjnë kurrë tek artistët e mëdhenj. Në fakt, romantika, sa më tepër kalon koha, mbetet jetime. Megjithatë, këtë gjë kaq të bukur, të brishtë dhe të domosdoshme për shpirtin, nuk më pëlqen ta lë jetime.

A është e vështirë për një artiste të njohur si ju, që të ketë një jetë private të qetë?

Gjithmonë kam dashur që të mos bëj shumë bujë, pasi dua që të jem besnike e vetvetes dhe e privacisë sime. Jetojmë në një vend të vogël ku përgjithësisht njerëzit njihen, aq më shumë artistët, të cilët janë figura publike të deklaruara. Kryesisht, intimitetin tim e gjej në ato pak miqësi që kanë mbetur. Miqtë e mi më të mirë nuk jetojnë më. Mund të përmend këtu Andon Panon, Robert Shvarcin, apo Violeta Andonin, të cilën askush nuk e njeh, por për mua ka qenë mikesha më e mirë. Ata pak miq që më kanë mbetur i ruaj si perla në duart e mia. Miqësia është një vlerë e padiskutueshme për njeriun dhe unë e çmoj shumë. Dy fëmijët e mi janë padyshim miqtë më të mirë që kam në këtë botë. Prandaj, duke qenë natyrë e ndjeshme, duke dashur ta mbroj jetën time dhe të të dashurve të mi, kam krijuar vazhdimisht shumë barriera edhe me mediet e gazetarët, aq sa më kujtojnë si natyrë shumë të egër, të ftohtë dhe kritike. Është një lloj tërheqje që më ka bërë mirë, pasi unë e gëzoj realitetin tim privat.

Cila është lidhja e Yllkës me fëmijët?
 
Amosi me Elian janë gjëja më e shtrenjtë dhe sigurisht prioriteti im në jetë. Vajza vazhdon studimet në Francë për teatër-film, kurse djali studion në Akademinë e Filmit “Marubi”. Siç thashë më parë, janë miqtë e mi më të mirë. Jemi një familje pa paragjykime që në përgjithësi mundohemi t’i shohim gjërat jo bardh e zi por me të gjitha ngjyrat në kompleksitetin e tyre. Flasim me orë të tëra për probleme të ndryshme që përfshijnë jetën tonë. Kam vetinë që unë arrij të shkoj në moshën e tyre dhe i thërras ata të vijnë në moshën time. Fëmijët janë të përgatitur për realitetin që jetojmë dhe deri tani jam e kënaqur me ta, gjithashtu edhe fëmijët me mua. Është dashuri e ndërsjellë. Dëshiroj që ta ndërtojnë jetën duke i hedhur të gjitha hapat vetë. Ky është parimi që kam pasur në jetën time, edhe pse me shumë sakrifica, kam ecur vetë.

A ka rrezik që fëmijët të mbeten në hijen e nënës, apo të ndihen inferiorë?

Mendoj që jo, sepse Zoti çdo njeriu i fal dhuratat e tij. I gjithë problemi është të zbulohen në kohë këto dhurata. Fëmijët e mi besojnë te vetvetja dhe kjo është një gjë shumë e mirë. Për më tepër, ata asnjëherë nuk kanë dashur që nëna e tyre të jetë një objekt për t’i ndihmuar që të ecin para. Kjo është mënyra sesi ata e shikojnë realizimin e tyre.

Me fëmijët flisni për të gjitha, normalisht edhe për dashurinë. Çfarë lloj lidhjeje i këshilloni vajzës, duke qenë se është artiste?

Bisedat në shtëpinë tonë janë jashtëzakonisht të hapura dhe shumë të sinqerta. Fëmijët e dinë se në një marrëdhënie e rëndësishme është gjetja e një njeriu të përshtatshëm, që t’i ketë të gjitha atributet më të rëndësishme. E para vjen dashuria, por edhe vlerat e tjera që njeriu kërkon t’i plotësohen. Kjo ka të bëjë edhe me të njohurit e vetes, pasi njeriu, duke njohur vetveten di se çfarë do. Edhe në këtë drejtim fëmijët janë në rrugë të mbarë.

Po me babain e tyre, ish-bashkëshortin tuaj, ç’raport keni?

Një raport shumë pozitiv. Tashmë jemi miq të mirë. Flasim kryesisht për problemet e fëmijëve pasi jemi të shqetësuar për mbarëvajtjen e jetës së tyre. Fëmijët janë tema kryesore e bisedave tona. Kur kemi probleme takohemi, bisedojmë dhe i zgjidhim bashkërisht çështjet. Në përgjithësi ka një harmoni në familje. Pavarësisht se ne kemi vite që jemi divorcuar, kjo gjë nuk ka influencuar aspak në qetësinë shpirtërore e psikike të fëmijëve.

Teksa flisni për fëmijët, jeni për martesë, bashkëjetesë, apo nuk ka rëndësi?

Martesa është një gjë tradicionale, të cilën nuk do ta shikoja si kontratë më tepër sesa si një miqësi të mirë. Për mua nuk ka rëndësi zgjidhja martesë apo bashkëjetesë. Kryesorja është që dy njerëz të ndihen mirë dhe të kenë domosdoshmëri të qëndruarit pranë njeri-tjetrit.

Yllka si amvisë, ç’mund të thoni...

Për momentin jam duke qëndruar tek nëna ime. Ajo ka nevojë për mua pasi pak e nga pak drita e syve po e lë. Kohën më të madhe ia përkushtoj seriozisht nënës, por nuk lë mënjanë detyrimet e tjera.

Gatuani vetë, apo merrni gjëra të gatshme?
 
Nuk marr gjëra të gatshme. Në përgjithësi gatuaj vetë. Kryesisht përdor zarzavatet sepse për fat të keq unë nuk merrem as me gjimnastikë dhe as me trajtime të tjera për ta mbajtur trupin në formë. Përpiqem që ushqimi të paktën të jetë i shëndetshëm. Nuk mbaj shumë dietë, por kam metabolizëm të mirë.

Sa hyni tek ai tip i femrës që ka qejf të eksperimentojë në kuzhinë, të gjejë receta speciale etj?
 
Nuk jam natyrë e tillë. Në përgjithësi jam tradicionale dhe gatuaj pa shumë yndyrë. Sa për eksperimentet, ato i bëj në sfera të tjera të jetës. (qesh) I kushtoj më shumë kohë botëkuptimit, formimit, anës profesionale... Nuk kam ndonjë pasion si kuzhiniere.

Cila është gjëja që dini të gatuani më mirë?

(Qesh) Zarzavatet!!!

Sa i takon profesionit, me çfarë jeni duke u marrë këto kohë?

Kam disa projekte tani shpejt, por nuk më pëlqen të flas për to para se të jenë vendosur përfundimisht.

Janë projekte në teatër, kinema?

Edhe në teatër dhe në kinema.

Cila do të jetë natyra e rolit, ku sipas gjasave, do ta shohim së shpejti Yllka Mujon?
 
Mund të jetë një rol jo i madh, por shumë interesant dhe simpatik brenda një muzikali. Jam shumë e kënaqur më të dhe ekipin që do të punoj. Regjisore është Ema Andrea, një vajzë jashtëzakonisht punëtore, këmbëngulëse, që e ka fituar çdo gjë me forcat e veta. Me të kam një marrëdhënie shumë të mirë, qoftë shoqërore, apo dhe profesionale. Më pëlqen Ema, pasi është një vajzë moderne, me dritare të hapura. E respektoj punën e saj.

Sa e arritshme është sot për sot, skena e teatrit për talentet e reja që duan të ecin para vetëm me forcat e tyre?

Të mbijetuarit me art është bërë tepër e vështirë. Brezi i ri mbaron Akademinë dhe nuk e gjen veten në skenë, sepse teatri, për fatin e tij të keq, i ka mundësitë shumë të pakta. Këtu është dhe rasti për tu tërhequr vëmendjen qeverive që vijnë njëra pas tjetrës. Nëse dikur teatri ka qenë propagandë dhe investohej më tepër nga shteti, tani mbetet një vend edukimi. Normalisht, shteti duhet të investojnë për edukimin.

Sa duhet fati për t’u bërë një aktore e madhe?
 
Në radhë të parë duhet talenti dhe pastaj përkushtimi. Për artistët e rinj është vërtetë shumë e vështirë, të gjejnë vend në teatër. Këtë e them duke u nisur edhe nga fakti se në gjithë këtë Tiranë ekziston vetëm një teatër, ndërkohë që paratë, të cilat jepen për nismat privat janë gati për të papërfillshme. Shtigjet në përgjithësi janë të mbyllura. Shteti duhet të hartojë politika dhe të mendojë për sistemimin e këtij brezi të ri që po shkollohet për aktrim. Të kuptohemi drejt, jo të gjithë që mbarojnë shkollën janë të talentuar dhe jo të gjithë kanë të drejtën që të ngjiten në skenën e teatrit.

Aktorët e rinj i dëgjon shpesh të thonë: “Nuk na hapin vend në teatër aktorët e vjetër”. Është thjesht konflikt brezash, apo çfarë?

Jam përkrahëse e të rinjve dhe kam kënaqësi të madhe kur punoj me ta. Problemi është se nuk përfaqësoj asgjë sa i përket anës shtetërore. Thjesht mund t’i inkurajoj me fjalët dhe përkushtimin tim, por s’mund të bëj asgjë më tepër. Shteti me politikat e tij, duhet t’i ingranojë këta të rinj, të cilët mbarojnë Akademinë e Arteve dhe nuk u jepet mundësia për ta provuar realisht vetveten nëse janë të talentuar apo jo. Pati fatin Olta Gixhari, që luajti në “Pamje nga ura” me një staf profesionist dhe shumë dashamirësh aktorësh, të cilët e pranuan si pjesë e grupit dhe ndihmuan që ajo të kishte sukses. Nëse studentët që mbarojnë aktrimin nuk ndiejnë një lloj dashurie e përkushtimi për skenën dhe nëse ata nuk e pasurojnë pas diplomës eksperiencën e tyre, atëherë nuk do të jenë vetvetja.

Cila është zgjidhja e këtij problemi?

Në Tiranë duhet që të paktën të hapen 5 teatro të vogla, të cilat të ndihmohen fillimisht me subvencionime nga shteti, por të mos jenë të varura prej tij. Vetëm dy salla teatri brenda oborrit të Teatrit Kombëtar janë shumë pak për një kryeqytet.

Ku qëndron ndryshimi mes teatrit dhe kinemasë?

Në teatër je para spektatorit, frymës së gjallë, një sallë e mbushur plot me njerëz, ku gabimi ka mundësi korrigjimi sepse një shfaqje nuk jepet vetëm një herë. Ndërsa në kinema je para kameras së ftohtë ku gabimi mbetet dhe nëse ka mbaruar filmi është i pakorrigjueshëm. Në ndryshim me kinemanë, teatri është një histori që fillon, shtjellohet dhe mbaron aty, ndërsa filmi është një proces që ka kohën e vet të zgjatjes dhe vetëm kur ka përfunduar, atëherë fillon, zhvillohet dhe përfundon para publikut. Edhe loja në film ka ndryshimin e vet nga loja në teatër, pasi në teatër merr pjesë e gjithë psikofizika e aktorit, ndërkohë që kinemaja ka kriteret e veta, me të cilat mund të punohet siç është një detaj, një plan bust, një plan sysh, etj.

Sa e vështirë është për një aktore shqiptare interpretimi i një skene erotike?

Në filmat e huaj që jepeshin para viteve ‘90, priteshin skenat e puthjeve, për të mos shkuar më larg... Tashmë mentaliteti ka ndryshuar dhe Shqipëria është një vend i hapur si mendësi. Informacioni qarkullon më shpejt, interneti, televizori bëjnë punën e tyre. Rinia nuk i ka më këto probleme, as mosha e mesme nuk i ka më, ndërsa mosha e vjetër nuk do të ketë më rastin që të luajë skenat erotike, kështu që është e përjashtuar nga të paragjykuarit e vetvetes. Erotika nuk duhet të jetë qëllim në vetvete brenda filmit, por kur është e domosdoshme nuk ka asgjë të keqe. Një skenë erotike, një puthje, kur aktron është si drama, si e qeshura, si çdo gjë tjetër e teatrit, thjesht interpretim. Kam qenë e zhveshur nga këto komplekse, pavarësisht se në jetën time nuk kam pasur rastin të luaj një skenë erotike.

Kush ka qenë momenti më i vështirë në jetën tuaj, kur keni përjetuar ankthin më të madh?
 
Ndoshta koha kur isha në fillimet e mia, megjithëse ankthi nuk është reflektuar kurrë tek publiku, pasi tek unë nuk ka ekzistuar kurrë pasiguria. Çdo shfaqje në teatër është si një provë.



(Vota: 3 . Mesatare: 5/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora