E hene, 20.05.2019, 05:41 AM (GMT+1)

Editorial » Shkreli

Frank Shkreli: Mbështetja e fortë amerikano-gjermane për NATO-n përballë kërcënimit rus

E shtune, 16.03.2019, 12:23 PM


MBËSHTETJA E FORTË AMERIKANO-GJERMANE PËR NATO-n PËRBALLË KËRCËNIMIT RUS

Nga Frank Shkreli

Sipas një studimi të kohëve të fundit nga firma amerikane e sondazheve, Gallup, Inc., 52% e amerikanëve e konsiderojnë fuqinë ushtarake të Rusisë si një “kërcënim serioz” ndaj interesave jetike të Shteteve të Bashkuara, ndërkohë që Rusia zë vendin e parë në listën e vendeve që amerikanët i konsiderojnë si “armiq kryesorë” të Shteteve të Bashkuara.  I njëjti studim thekson, njëkohësisht, se 73% e amerikanëve kanë mendime jo të favorshme për Rusinë.  Si përfundim, thuhet në raportin e entit Gallup, Rusia është tani vendi që shumica dërmuese e amerikanëve e konsiderojnë si vendin armik numër një të interesave amerikane.  Sondazhi nenvijon se këto prirje në qëndrimin e amerikanëve ndaj Rusisë dhe politikave të saj, sidomos në fushën ndërkombëtare, janë venë re edhe para se televizioni shtetëror rus identifikoi, kohët e fundit, instalimet ushtarake amerikane të cilat do të ishin objekt agresioni në rast të një sulmi të mundëshëm bërthamor kundër tyre, nga ana e Rusisë.

Nuk është për tu habitur atëherë që në një atmosferë të tillë mosbesimi nga ana e amerikanëve ndaj Rusisë dhe qëllimeve të saja armiqësore kundër Shteteve të Bashkuara, që mbështetja për Aleancën e Atlantikut Verior, NATO është shumë e lartë në radhët e amerikanëve.  Bazuar në një sondazh tjetër të firmës Gallup mbi mbështetjen që gëzon NATO-ja në Amerikë, 77% e amerikanëve mendojnë se NATO-ja duhet të vazhdojë të ekzistojë, ndërkohë që 66% e amerikanëve shprehin mbështetje edhe për Organizatën e Kombeve të Bashkuara, si një ent i nevojshëm ndërkombëtar për zgjidhjen e problemeve botërore, sipas të njëjtit sondazh.

Dihet se Presidenti Trump kishte shprehur skepticizmin e tij për ndihmat amerikane për organizatat ndërkombëtare, përfshirë NATO-n, gjatë fushatës për president dhe më vonë.  Ai kishte venë në dyshim edhe nevojën për ekzistencën e NATO-s, një qëndrim ky që në atë kohë u kritikua ashpër nga evropianët dhe nga Senati Amerikan.  Por, ky sondazh i kohëve të fundit, tregon qartë gjithashtu se edhe shumica e amerikanëve mendojnë ndryshe nga presidenti i tyre në lidhje me nevojën për ekzistencën e Aleancës më të fortë politiko-ushtarake që ka njohur ndonjëherë bota dhe e cila ka ruajtur paqn në Evropë për 70-vjet, pas Luftës së Dytë Botërore.  Ndërkohë që pikëpamjet e Presidentit Trump ndaj NATO-s dhe Kombeve të Bashkuara duket se kanë ndryshuar me kohë.  Ai nuk ve në pyetje më nevojën për ekzistencën e NATO-s dhe të OKB-së, por ngulë këmbë që të gjitha vendet anëtare të kontribojnë 2%, për mbrojtjen e përbashkët siç është rasti i vendeve anëtare të NATO-s dhe që vendet anëtare të OKB-së të japin kontributin e tyre për të mbajtur gjallë këtë organizatë.  Realiteti në detyrën e presdientit të përballimit me zhvillimet e papritura në arenën ndërkombëtare, shpeshëherë shkaktojnë që të hidhen poshtë perceptimet e vjetra dhe të ndryshojnë pikëpamjet edeh të një preisdenti.  Në një vend demokratik si Shtetet e Bashkuara është e pamundur që një president të ndjekë dhe të mbështesë qendrime dhe politika -- qofshin të mbrendëshme apo të jashtme – në kundërshtim me vullnetin e një shumicë aq dërmuese të popullit amerikan, siç është sot mbështetja e shprehur prej 77% e amerikanëve për Aleancën e NATO-s.   Sondazhi i firmës Gallup ve në dukje gjithashtu se mbështetja e amerikanëve për NATO-n është e fortë si në radhët e republikanëve ashtu edhe demokratëve, por edhe në radhët e atyre që nuk bëjnë pjesë në këto dy parti.

Studimi në fjalë thekson edhe mbështetjen e fortë të amerikanëve për Organizatën e Kombeve të Bashkuara, e cila sipas amerikanëve ajo luan gjithnjë një rol të dobishëm dhe të nevojshëm në botë.  86% e demokratëve amerikanë mbështesin OKB-në duke shprehur mendimin se roli i organizatës ndërkombëtare është edhe sot i nevojshëm, ndërsa 66% e atyre që nuk i përkasin asnjë partie dhe 49% e republikanëve amerikanë mendojnë se OKB-ja luan ende një rol të rëndësishëm.   Gallup ve në dukje se mbështetja e fortë dhe e vazhdueshme për NATO-n dhe OKB-në, madje edhe në periudhën e platformës politike, “Amerika e para” e presidentit Trump, amerikanët e të gjitha prirjeve politike vlerësojnë rolin që luajnë organizatat dhe institucionet ndërkombëtare për zgjidhjen e problemeve me të cilat përballet bota.

Ndërkaq, eshte matur mbështetja për NATO-n edhe në Gjermani.  Megjithë ndryshimet që ekzistojnë midis amerikanëve dhe gjermanëve mbi çështje të ndryshme ndërkombëtare dhe në marrëdhëniet dypalëshe, ata ndajnë mendime pothuaj të njëjta përsa i përket Aleancës NATO, si dhe Rusisë e Kinës, njoftojnë Qendra Amerikane Pju e sondazheve dhe enti gjerman Korber-Stiftung.  Sipas këtij sondazhi, gjermanët ashtu si amerikanët mbështesin fuqishëm Aleancën e NATO-s.  Si në Gjermani ashtu edhe në Shtetet e Bashkuara, sipas këtij sondazhi, mbështetja mbetet e lartë për NATO-n, madje edhe pas përplasjes midis Presidentit Trump dhe Kancelares gjermane Merkel, në lidhje me shpenzimet ushtarake dhe për influencën ruse, në takimin e Aleancës Perëndimore në Bruksel, korrikun që kaloi.

Raporti i këtyre dy firmave të sondazheve -- njëra gjermane e tjetra amerikane – rithekson faktin se mendimet e amerikanëve dhe të gjermanëve ndaj Rusisë vazhdojnë të jenë jo të favorshme dhe se pikëpamjet pozitive ndaj Rusisë, janë në nivelin më të ulët në Gjermani dhe në SHBA ç’prej vitit 2011, kur anë e mbanë Rusisë u mbajtën protestat popullore dhe pas akuzave për vjedhje të votave në zgjedhjet parlamentare të atij vendi, duke arritur një nivel edhe më të ulët, në vitin 2014, pas aneksimit të Krimesë nga Moska.

Thirrjeve të Presidentit Trump për rritjen e shpenzimeve ushtarake, Gjermania u është përgjigjur pozitivisht.  Mediat gjermane kanë njoftuar muajin që kaloi se qeveria gjermane ka siguruar Organizatën e Traktatit të Atlantikut Verior se ka vendosur të rrisë gradualisht shpenzimet për mbrojtje, megjithë ngadalësimin e pritshëm të veprimtarisë ekonomike në Gjermani.  Ashtu si edhe vendeve të tjera anëtare të NATO-s, Shtetet e Bashkuara i kanë bërë thirrje Gjermanisë që të shtojë shpenzimet ushtarake me 2% të ardhurave kombëtare (GDP), në përputhje me objektivin e caktuar nga vendet anëtare të NATO-s, në vitin 2014.  Pritet që të gjitha vendet anëtare të NATO-s të realizojnë angazhimin e marrë përsipër që të rrisin, gradualisht, shpenzimet ushtarake me 2% deri në vitin 2024.

Dje (të enjtën), Sekretari i Përgjithëshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg botoi Raportin Vjetor të Aleancës politiko-ushtarake që ai drejton, një “Aleance moderne që u përgjigjet kërcënimeve të sotëme ndaj sigurisë, që u adaptohet sfidave të reja dhe e cila investon për të ardhmen”, thuhet ndër të tjera në parathënien e raportit vjetor.  Raporti shënon edhe 70-vjetorin e themelimit të NATO-s me një përspektivë historike të arritjeve dhe sukseseve të Aleancës ç’prej themelimit të saj në vitin 1949 e deri më sot, përfshirë antarësimin në NATO të ish-vendeve komuniste, dikur kundërshtare të saj.



(Vota: 4 . Mesatare: 5/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

PËLLUMB GORICA: MURET CIKLOPIKE QË SFIDOJNË SHEKUJT