E marte, 26.03.2019, 12:36 PM (GMT)

Komente

Gëzim Kasumaj: Urime 7 Marsi!

E enjte, 07.03.2019, 08:37 PM


URIME 7 MARSI, DITA E MËSUESIT SHQIPTAR...!

Nga Gëzim KASUMAJ - Zvicër

Historia e arsimit tonë është një histori luftash, përpjekjesh, histori e një populli të vogël në numër, por të madh në botën e tij shpirtërore, në vullnetin e tij për të qenë i lirë dhe i pavarur.

Ngjarjet janë ato që duhet nga gjeneratat të kujtohen, kurse mendimet dhe veprat të lartësohen. Populli ynë do ta kujtojë dhe do ta festojë diten e mësuesit shqiptar që është një ngjarje e madhe për historinë e arsimit dhe të kulturës shqiptare.

Rrënjët e edukatës dhe të arsimit tonë kombëtar i gjejmë që në lashtësine e hershme. Megjithatë, në historinë e zhvillimit të shkollave shqipe dhe të arsimit tonë kombëtar si pikënisje merret mësonjëtorja e Korçës që filloi të punojë me 7 mars 1887, me mësuesin e saj Pandeli Sotiri, të cilin e pason shkolla e Prizrenit në vitin 1889, me mësuesin Mati Logoreci.

Hapja e mësonjëtores së parë të Korçës qe një rreze drite që u ndez në errësirën shekullore të pushtuesve. Ajo realizoi një ëndërr të vjetër të shqiptarëve: Daljen në dritë të gjuhës shqipe pas shumë shekujsh,ringjalljen e ndërgjegjës kombëtare që ngjalli shpresën e madhe se edhe shqiptarët si një komb i veçantë dhe nga më të vjetrit në ballkan , nëpërmjet arsimit në gjuhën shqipe do të ngrihet në majat e larta të përparimit dhe të lirisë.

Kamgjiku turk , i ngjashëm me atë të Atiles për pesë shekuj rresht kishë qenë një terr i zi që shqiptarët dita-ditës i zhyste në errësirën turke qe c’është më e keqja pushtuesit dhe përkrahësit e tij e detyruan këtë popull të varfër që të ndahet në tri besime, me qëllim që më lehtë ta perçajnë e zhdukin. Megjithatë, nuk u doli ashtu. Shqiptarët kurrë nuk qenë pajtuar me regjimet e huaja, sepse nga gjiri i këtij populli luftarak dolën burra të shquar, ashtu siç i përshkruan Anteu shqiptar Fan S. Noli ” Njerëz me privacione e me vojtje e me tortura të çdo minute, përpara të cilëve edhe ferri i Dantes ishte një panair i bukur” . Ata dhanë besën e shqiptarit pa dallim feje e krahine që fjalës ilire t’ia japin shpirtin në hapesirën e Gjithësisë.[3]

Mbi shqiparët kanë kaluar stuhitë e shumta dhe rrallë mund të ketë ndonjë popull në botë që të ketë pasur pushtime dhe pushtues kaq të egër, siç kanë njohur shqiptarët. Veprimtarët e shqiptarisë gjatë gjithë jetës punuan për kombin dhe vendin duke jetuar në të.Lidhja e përhershme me ambientin e jetës shqiptare, ashtu si dhe perkushtimi shpirtëror i tyre i vunë pergjithnjë vulën e artit dhe dashurinë e zjarrtë për vendin, për tokë e qiell dhe horizont të caktuar që quhej Shqipëri.

Në kushte shumë të vështira nga gjiri i popullit shqiptar dolën një varg atdhetarësh të flaktë qe iu përveshën punës për përhapjen e arsimit shqip në popull dhe për krijimin e shkollave ne gjuhën amtare. Midis tyre më së shumti u shquan: Naum Veqilharxhi, Konstandin Kristoforidhi, Zef Jubani, De Rada, Thimi Mitko, Naim e Sami Frashëri, Pashko Vasa, Qiriazët etj. Këta rilindas të shquar, që punuan ditë e natë për të ngritur vetëdijen kombëtare, iu përveshën kultivimit të gjuhës që më vonë u bë strumbullar i gjithë luftës për kulturën kombëtare.

Gjuha shqipe, që i jepej shqiptarit me qumështin e nënës, ishte për rilindasit “xhevahir i origjinës sonë”.

Rilindasi i parë, iluministi dhe demokrati shqiptar Naum Veqilharxhi problemin e gjuhës dhe të shkollës shqipe e shihte si kushtin e parë për të marrë populli shqiptar rrugën e zhvillimit, ai për këtë qëllim botoi të parën abetare të shqipes me alfabet origjinal të tij si kërkesë urgjente që të mund të pengohej cdo ndikim i huaj dhe t’i bashkonte të gjithë shqiptarët, pavarësisht nga bindjet fetare. Kjo abetare ndër shqiptarët u bë libër i shenjtë. Ndjekjet, burgimet, helmimet nuk kishin të mbaruar ndaj patriotëve shqiptar vetëm e vetëm që të shtinin frikën e të hiqnin dorë nga shkolla dhe gjuha shqipe.

Vetëdija te shqiptarët dita-ditës rritej.Gjuha shqipe kishte filluar fshehtazi kudo të mësohej: në male,në bodrume e në izba. Megjithatë, siç shprehej Sami Frasheri ndonëse “ishin në gojën e ujkut e afër kuçedrës së mallkuar s’pushuan së punuari për të shpëtuar kombin e tyre”.Vullneti i fortë dhe deshira e zjarrtë për ta mësuar gjuhën shqipe si nga patriotët ashtu edhe nga masat e gjera, pa dallim feje hasi kudo në përkrahje të madhe.

Më 7 mars 1887, Pandeli Sotiri e filloi mësimin në gjuhën shqipe me 35 nxënës. Hapja e kësaj shkolle në Korçë pati fizionomi kombëtare dhe për nga karakteri është demokratike, sepse në të mësonin fëmijët e shtresave te ndryshme. Kjo shkollë kishte një klasë përgatitore dhe katër klasë të rregullta. Lëndët që mësoheshin ishin:shkrim dhe këndim, gramatika e gjuhës shqipe, historia, gjeografia, aritmetika, mësim natyre etj.

Ajo u bë vatër e rëndesishme për ngritjen e ndërgjegjës kombëtare,për edukimin patriotik të brezit të ri e të masave popullore, terhoqi vëmendjen dhe simpatinë e të gjithë shqiptarëve, brenda dhe jashtë vendit dhe me shmbullin e saj po frymëzonte edhe krahinat e tjera shqiptare.

Hapja e shkollës me mësim në gjuhën shqipe ishte një ngjarje dhe një fitore e madhe për gjithë lëvizjen kombëtare. Po kështu i këndon edhe poeti i shquar Naim Frasheri duke thënë:

O vëllezër shqiptarë,

Gëzohuni qe erdhi kjo ditë

Kaq e mirë e kaq e mbarë,

Na sjell të gjithë mirësitë.

Lumja ti, moj Korçë’ o lule,

Q’i le pas shoqet e tua,

Si trime ne ball’u sule

e paçim për jetë hua.

Më vonë u hapën edhe shkolla të tjera, si në Pogradec,Ersekë, Kolonjë, Elbasan, Ohër, Rekë etj.

Me gjithë këtë, pengesat nuk ishin të pakta nga armiqtë të cilët nuk linin gurë pa lëvizur mbi tokë e nëntokë për t’ua bërë jetën të pamundshme shqiptarëve.

Historia e popullit shqiptar, siç thotë Rexhep Qosja “është kronikë martirike e popullit që e paguan shtrenjtë pozitën gjeostrategjike si popull i Perëndimit për ata në Lindje; dhe si popull i Lindjes për ata në Perëndim ”. Prandaj ”derri e dosa, ujku e çakalli, qeni e dhelpra çdohere kishin për qëllim ta copëtonin Shqipërinë”.

Kjo mospërfillje ndaj të drejtave tona nuk u shfaq vetëm në vitin 1913 prej atyre që fatin e kombit tonë donin ta mbanin në duar të tyre, po mbi trojet shqiptare u versulën një lukuni ujqish grabitqarë me qëllim që secili për hesap të vet të gllabërojë copa sa më të mëdha nga trungu ilir.Dhe kështu populli shqiptar u copëtua nëpër banovina e republika sllave si dhe nga Greqia.

Pas Luftës së Dytë Botërore , Shqipëria etnike u nda në dysh. Por sidoqoftë vitet 1967-1980 ishin një periudhë e përpjekjeve për krijimin e sistemit të gjuhës letrare. Shqiptarët patën periudha të vrullshme e të përgjakshme, por edhe të arritjeve arsimore, kulturore e të tjera, sidomos gjatë viteve 1968,1981, 1989 dhe me luftën e fundit çlirimtare në Kosovë.

Shkolla shqipe kudo që të jetë do te frymojë shqip që nga emërtimi e administrata e deri te përmbajtjet mësimore, nga gjuha, letërsia, historia e kultura jonë kombëtare.

Asnjëherë nuk do të pranojmë shkollë të huaj, por shkollë kombëtare, ashtu siç na kanë mësuar mësuesit patriotë shqiptar që nuk kursyen as jetën si Pandeli Sotiri, Papo Kristo Negovani, Petronino Luarasi,Motrat Qiriazi, Mato Logoreci,Gjeqovi e shumë të tjerë. Prandaj, brezi ynë sot me krenari, dashuri e respekt i kujton emrat e tyre.

Shkolla shqipe është një homazhë për vëllezërit dhe motrat, për bijtë e bijat, pinjollë dardan që brez pas brezi u flijuan për çeshtjen kombëtare për mbrojtjen e trojeve etnike shqiptare.

SFIDAT E TË MËSUARIT TË SHQIPES NË MËRGIM!

Mërgata shqiptare kudo ballafaqohet me sfidat e emigrimit. Këto sfida janë të tipologjive të ndryshme; gjenerata e parë ka sfida që dallohen nga sfidat e gjeneratës së dytë, e ky dallim vazhdon edhe tek gjenerata e tretë që ka dallim nga gjenerata e dytë e kështu me radhë:

Sfida e identitetit: kush jemi ne?

Sfida e integrimit në vendin mikpritës: si të sillemi ne?

Sfida ndaj asimilimit (humbjes së gjuhës dhe kulturës)

Sfida ndaj globalizmit

Sfida ndaj teknologjisë informative; bota e internetit, etj.

Njeriu ynë është i detyruar të ballafaqohet me sfidat dhe jo për të gjitha sfidat ka një zgjidhje të shpejt apo është në dorën e tij se si duhet të veprohet, për fat të keq!

Megjithë vështirësitë, një gjë mërgimtarët tonë në përëndim e kanë thuajse në dorë të vet. Sfida me identitetin (gjuhën, kulturën) deridiku mund të zbutet nga gjenerata e parë duke e përcjellur tek gjenerata e dytë e diku diku edhe tek gjenerata e tretë. Cila është kjo gjë? Kjo është mundësia për të dërguar fëmijët (gjeneratën e dytë dhe edhe të tretën) në mësimin plotësues në gjuhën shqipe-ayt ku ai është i organizuar. E aty ku nuk është i organizuar të bëhen përpjekje për t'u organizuar sepse kjo është një e drejtë elementare e njeriut (fëmijëve) e cila në vendet përëndimore promovohet në parim.

Unë nuk dua të hyj kësaj radhe në një analizë të thellë të qështjes, por dua vetëm të them se kjo është në dorën tonë.

Fëmijët duhet të dërgohen në shkollën shqipe dhe atë jo për ë mësuar për të folur se ata disi do të mësojnë të flasin, por DUHET TË DËRGOHEN ATJE TË MËSOJNË QË TË SHKRUAJN, TË LEXOJNË DHE TË KUPTOJNË SHQIP. Paralelisht me këtë ata do të marrin njohuri të çmueshme për të ardhmen e tyre sepse do të mësojnë qështje nga kultura, historia dhe gjeografia e vendeve prej nga vijnë e ku flitet shqip, me çka përforcohet vetbesimi dhe identiteti i tyre. Po kështu ata në klasën ku mësohet shqip do njihen me njëri-tjetrin- pra do zgjerojnë rrethin e njohjeve, e kjo është një vlerë e çmuar në jetën e njeriut.

Shkencërisht nga shkencëtarët që merren me këto punët e gjuhës thuhet se; pa e njohur mirë gjuhën amtare (gjuhën e parë) nuk mund të mësohet si duhet gjuha e dytë, e tretë e kështu me radhë, PRA FILLIMISHT BAZAMENTI I GJUHËS AMTARE DUHET TË JETË NË RREGULL, për të vijuar më tutje!

Në gjuhën shqipe simbolikisht kjo shprehet kështu: NUK BÂHET HOP, PA E KAPËRCYER GARDHIN (rrethojën).

Këtë të drejtë të dashur prindër e kemi në dorë vetë dhe duhet t'a shfrytëzojmë patjetër aty ku mundësitë ekzistojnë.



(Vota: 3 . Mesatare: 5/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

PËLLUMB GORICA: MURET CIKLOPIKE QË SFIDOJNË SHEKUJT