Kulturë
Rexhep Halimi: Fatmire Duraku - Peri i padukshëm
E diele, 06.01.2019, 12:38 PM
Peri i padukshëm
Fatmire Duraku, “Peri i padukshëm”, (ribotim) botoi shtëpia botuese “Fad”, Prishtinë, 2018
Nga Rexhep Halimi
Autorja Fatmire Duraku këto ditë botoi librin “Peri i padukshëm”, i cili është botim i dytë. Ky libër, i botuar për herë të parë më 2010, zgjoi te lexuesit dhe kritika një interesim të veçantë. Kjo bëri që autorja tashmë me përvojë, Fatmire Duraku, e cila shkruan poezi e prozë për të rritur dhe për fëmijë. Deri më tash ajo botoi romanet “Te varri i çikës”, “Plepi i thyer”, “Zana në dhomën e Deas”, si dhe librat me poezi për të rritur: “Pse ike kur me puthe”, “Vjedhësi i çasteve”, “Vagëllimë mbi ujë” dhe “Gjaku i Trëndafilit”. Në kohë të fundit është angazhuar posaçërisht në shkrimet për fëmijë. Fryt i këtij angazhimi janë dhe librat me tregime për fëmijë “Magjistari nga fira”, “Jastëku çudibërës”, “Strajca magjike”, “Puthja e peshkut”, “Dea dhe kërriçi i vetmuar”, “Kapiteni i anijes së kaltër”, “Vasha e shpellës së dragoit” , “Pupla magjike”. Ndërkohë botoi dhe librat “Shpirtëzimi i fjalës” - Leksikoni i Letrareve Shqiptare në Kosovë, “Zëri i unit” - Antologji e poezisë së femrës shqiptare në Kosovë, “Pesha e Fjalës” , bisedë në veten e parë, etj. Disa nga librat e saj-e sidomos romani “Plepi i thyer” dhe libri me poezi “Vagëllimë mbi ujë”, u shfletuan nga kritika jonë dhe u vlerësuan mjaft mirë. Ja disa fragmente nga shkrimi i Klara Kodrës, Ramadan Musliut dhe Fritz Radovani, etj.
“ Poezia e Fatmire Durakut është një poezi që spikat për koncentrimin e mendimit: është një poezi që fsheh në vetvete ndjenjën e cila rrjedh si uji nën akull. Për konçizitet dhe forcë sintetike dallohen vjershat “Lulja në dritare”, “Prerja e lisit të shtëpisë”, “ Pasqyra e zezë”, “Loja me vdekjen”. Disa fjalë-çelës janë simbole tipikisht shqiptare të Lisit, Petritit, Ullirit. Kjo poezi është sintetike pa qenë hermetike... e shtrirë kështu në formë dhe përmbajtje të veçantë, nga Trioleta te vargu i lirë, duke ruajtur gjithnjë origjinalitetin e shprehjes, të freskuar me gjithësi të re të frymëzimit lirik.” - thotë ndër të tjera Klara kodra
“Në radhën e individualieteve poetike që janë imponuar viteve të fundit pa dyshim se vendin meritor e zë Fatmire Duraku. Në poezinë ë saj spikatet vetëdija mbi formën. Mbase ky është faktori dominues pse në poezinë e saj shfaqen, pos të tjerave, edhe format klasike. Në librin e saj “Vagëllimë mbi ujë”(2007), që për mua është libri më i dalluar i periudhës së fundit, kemi cikle me poezi të formës së trioletit, formë kjo që imponohet për vlerat formale e jo vetëm si formë e aplikuar. Po kjo poezi dallon edhe për një lepezë të gjerë preokupimesh, sikurse edhe imazhesh, idesh, tingujsh e ritmesh. Në këtë poezi sikur kemi një balance të ndjeshëm mes introspekcionit dhe retrospekcionit”, shkruan Ramadan Musliu.
“Duhet t`ua kujtojmë se proza e Fatmire Durakut, Plepi i thyer, një vepër me ngjarje e titull interesant, është një krijim i realizuar nga realiteti i vrazhdë dhe paraqet shenjë në kohë . thekson Fritz Radovani.
Libri me poezi për të rritur i Fatmire Duraku “Peri i padukshëm” është kompozuar kryesisht me poezi lirike, intime, të cilat për trajtim kanë emocionet e heroit lirik në mjedisin e vet të lashtë, por tash-në rrethana të reja të së përditshmes, në ballafaqim me lirinë kaq gjatë të synuar, por me të cilën ky njeri nuk është mësuar dhe ka vështirësi ta ndiej atë brenda vetvetes.
Lidhur me poezinë e autores interesim kanë shpërfaqur dhe shumë lexues. Vlen t`i cekim konstatimet e një lexueseje nga Shqipëria, të cilat janë me interes “ E nderuara shkrimtare, të uroj për librin dhe te dëshiroi suksese. Isha ne Kosovë dhe më ra në dorë libri juaj “Vjedhësi i çasteve”, u mahnita kur e lexova, nuk mund të besoja se ka ndonjë autore nga Kosova që shkruan poezi te tilla, plot emocion, plot ndjenja që te lënë pa fryme, sidomos përshtypje më lanë poezitë për Detin, ndër shumë të këtilla. Të të them me një fjale i gjithë libri ishte me poezi antologjike, me të cilat mund te prezantohesh në çdo antologji ndërkombëtare... me fat e nderuara shkrimtare”, uron Rita Mensuri.