E premte, 26.04.2024, 07:24 PM (GMT+1)

Kulturë

Blerim Rrecaj: Për cungjet e dy pishave

E diele, 09.12.2018, 12:58 PM


Për cungjet e dy pishave

Nga Blerim Rrecaj

Duke ecur trotuarit të një rruge të qytezës sonë multi-shqiptare fisesh e visesh nga më të ndryshmet dhe të komuniteteve tjera, pranë një shumëkatëshje, në katin e parë të së cilës gjendet kafiteria (shumica e ndërtesave, për të mos thënë të gjitha, katin e parë janë lokale me veprimtari të ndryshme...)me fjalët e dy shenjave matematikore, atë të mbledhjes e atë të zbritjes, ose mund të përmendim të dy polet, pra pozitivin dhe negativin që tërheqin njëri-tjetrin në fushën magnetike, shohim diçka që na tërheq vëmendjen. Ndalemi pak më gjatë për të vështruar dy cungjet e pishave në lartësi prej aty diku gjashtë metrave që tashmë duken si shtylla të drejta përçuese të elektricitetit. Në të vërtetë vetëm njëra duket e tillë, pasi asaj tjetrës i është hedhur një pëlhurë e gjelbër, dhe tashmë ky trung është shndrruar në bredh gjatosh stolisës për fundvit që mbi supe rretheqark mban dritëzat xixëlluese. Pak më përpara, para dy-tri ditësh, mbase dhe më pak, këto dy trupa të prera ishin pisha të larta kokat e të cilave mbërrinin deri kah kati i katërt a i pestë, i kësaj ndërtese tetë-nëntë katëshe. Nëpër gjithë këtë tollovi ne edhe mund t'i kemi vështruar ato me zili dhe mund të kemi ëndërruar a deklaruar se s'do të ishte keq t'i kishim para strehave tona. Dhe mbasi tashmë më nuk janë ne mund të ndjejmë keqardhje se në majat e tyre s'mund t'i shkundin erërat, a t'i përkëdhelin puhizat, e s'mund të kacavirren pika shiu, se s'mund të qëndrojnë fluska bore, se ndonjëri prej shpendëve s'mund të strehojë kokën, se nga gjumi do të zgjohemi pa rriskën e pakët e këtij gjelbërimi gjethembajtës, këndellës qoftë dhe për ca çaste. Pyetja pse i prenë këto dy pisha na sjellë në mend poezinë e Frederiko Garsia Lorkës: "I prenë tre lisa", që ishin tre, pastaj dy, pastaj një dhe s'mbetet asnjë, e pastaj edhe trolli rrëshqet, edhe uji lakuriq mbet, thotë ky poet. Lorka flet për lisa e ne flasim për pisha. E mbase dhe për fshisa. Dhe më mirë ta lëmë me kaq duke pëshpëritur pakëz me veten e me të tjerë për këtë element tjetër, të ri, të freskët kaos-istik në arenën e madhe të fragmenteve ku është goditur gjelbërimi, ku ka pësuar frymëmarrja, ku është shfaqur e sundon degradimi, edhe me këtë vogëlimë t'lartpërmendur si një pikë uji n'oqean. Lundrojmë tokës e mund të kalojmë rrugës kah ishin dy pishat. Dhe hapërojmë tash kur është natë. Mund të hyjmë dhe brenda e nga kafeneja të vështrojmë trungun me pëlhurë bredhi të ndriçuar...



(Vota: 0)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora