Monday, 10.12.2018, 05:18 AM (GMT)

Kulturë

Blerim Rrecaj: Mozaik me dromca të ftohta

Monday, 03.12.2018, 08:42 PM


Mozaik me dromca të ftohta

Nga Blerim Rrecaj

Ka nisur të bëhet ftohtë. E ka kohën. Deri tash ishte mjaft ngrohtë. Po hyjmë në dimër. Ka nga ne që s'heqin dorë nga shijimi i akulloreve. A duke kërkuar diç në frigorifer hasim në një qese me manaferra. Ato tashmë janë të ngrira, të ngurta, të forta, të ftohta, të akullta. E që mund të jenë blerë pranë objektit të Postës së Kosovës mbi "Kurriz" të "Dardanisë", pranë Ministrisë së Kulturës në sheshin "Nëna Terezë", a nga ndonjë trokitje a rënie zileje e duarve të vogëlushëve nëpër dyer shtëpishë a banesash. Për të na u kujtuar tregimi i mrekullueshëm e me frymë humane e edukative "Shitësit e manaferrave" i Qamil Batallit. Në të bëhet fjalë për një inxhinier që ndalet të blejë manaferra te një vogëlush. E fton në shtëpi, ia blen të dy kovat, i tregon se kur ishte fëmijë, sikurse ky tash, mblidhte e shiste manaferra. Me paratë që fiton blej libra sikurse unë, e këshillon. Vogëlushi i tregon që me paratë që po fiton do i ndihmoj vëllaut që e ka në spital, pasi që një ditë duke mbledhur manaferra lopën që e kishin marrë me kullotë del në asfalt, andej pari kalon një veturë që e tremb lopën dhe ajo e trembur e qëllon me brirë vëllaun e tij, e për këtë, vazhdon vogëlushi, unë jam fajtor, pasi ishte rendi im për ta ruajtur lopën. Inxhinieri interesohet te një mjeke që e njeh e punon në spital, e vizitojnë, e pas një jave a dhjetë dite intervenimi në syrin e vogëlushit, e ai shërohet. Tregimi përfundon kur një ditë derisa inxhinieri zgjohet të shkoj në punë sheh para dyerve të shtëpisë dy kova të mëdha me manaferra, të lëna aty nga fëmijët në shenjë nderimi e mirënjohjeje. Në ekranin e televizorit tash shohim ku vjelen e mbushen shportat me manaferra në një film vizatimor. Mendja shkon edhe te ndonjë kujtim fëmijërije ku të afërmit nga fshati që vijnë për vizitë u sjellin të afërmëve nga qyteti këso frutash kokërrzeza, ca prej të cilave shtrydhen për të mbushur një shishe me këtë lëng të zi që ia shkon 'coca-cola'-s, me siguri. T'i lëmë tash të bekuarat e të uruarat manaferra, se jemi kah e bëjmë siç thotë ndonjë fjalë a ndonjë këngë popullore dimrin-verë, a jemi kah e bëjmë "Verë n'dimër", njashtu si shtëpizat e drunjta të vendosura n'shesh t'Prishtinës, me karrrike e tavolina përpara ku mund të shijohet ndonjë çaj a ndonjë kafe. Më pas vështrimet mund të ndalen përgjatë xhamave të avulluar të autobusëve, veturave, dyqaneve, a nëpër dritare dhomash të nisim të lëmë gjurmë gishtrinjësh duke hedhur vija vizatimesh a shkarravinash. Pse jo? Duke u kujtuar për pikturën "Dimri dhe dielli" të Agim Sulajt ku në një dritare të avulluar një fëmijë vizaton diellin. Migjeni na flet me tregimin:"Bukuria që vret", të cilin mbase se kemi lexuar që nga fillorja, e Gani Xhafolli me poezinë: "Telegram diellit: Motra ime nuk ka këpucë", të parë diku internetit, na bën me dije për aktualitetin e shkrimeve edhe të Migjenit. Ne mund të hidhemi edhe për ca kohë te çastet e fëmijërive tona, te diejt që vizatonim nëpër tokë para se të fillonte a edhe kur pikonte shiu, i cili herë dëgjonte e herë s'u përgjigjej kërkesave tona, duke na lënë të vazhdonim lojërat, a duke na lënë ato në gjysmë. I ftohti di e mbase do të zbukurojë drunjët, bredhat, shelgjet lotuese edhe sivjet duke i stolisur me sharm e me shije me vija bardhësie. Por ajo që lë mbresa tash në këto çaste të ftohti, në këtë mesditë, në këtë oborr shkolle, janë fëmijët që në katër pesë vende ku uji i mbledhur e i mbetur është shndrruar në akull, aty ata rrëshqasin, humbin baraspeshën, rrëzohen, ngriten përsëri, lidhin tojat e zgjidhura e s'duan t'ia dijnë për asgjë, mbase dhe të nxisin për t'u bërë me 'mendët e tyre'. Veç imagjinata e tyre hapësirat aq të ngushta i kanë shndrruar në pista patinazhi, gëzim e buzëqeshje krah për krah njëri-tjetrit.E mbi çatinë e shkollës, lart nëpër qiell dy tufa të veçuara e të bashkuara pëllumbash fluturojnë, fluturojnë...Fryn dhe e kaplon një valë tjetër e ftohti. Kujtojmë se temperaturë konstante pothuajse e pandryshueshme përgjatë stinëve mbretëron në Shpellën e Gadimes. Ne vazhdojmë të hedhim hapa nëpër brymë e borë, nëpër diell e mjegull...



(Votes: 0)

Write Your Comment
Comment: