Monday, 10.12.2018, 05:19 AM (GMT)

Kulturë

Qamil Alushi: Qazim Shehu - Vitet e humbura

Saturday, 01.12.2018, 10:34 AM


Vëllimi poetik ”VITET E HUMBURA”i Qazim Shehut

Nga Qamil Alushi

“Vitet e humbura” është një vëllim tjetër me poezi që,në vazhdim të udhëtimit të tij poetik,Qazim D.Shehu u shton trembëdhjetë vëllimeve poetike në këtë gjini,secili në nivel cilësor  në ngjitje, që flet për  pjekurinë artistike të autorit.Në 180 poezitë e përfshira në këtë vëllim,bie në sy edhe më dukshëm përpjekja për t`i dhënë lexuesit  një ushqim shpirtëror  të këndshëm,me një shije aromatike që të sëmbon ndjenjat,siç ndodh kur thithet aroma e trëndafilave në një bahçe të rritur nën  kujdesin e bahçevanit.Dhe unë, lexuesi i rregullt i poezive të tij,teksa mora në dorë dhe nisa të lexoj , e ndjeva veten se isha në mesin e trëndafilave të cilat jo vetëm me bukurinë e tyre magjepëse,po edhe me kundërmimin aromëndjellës, gjithkujt do t`ia kishte ënda, po të ishte e mundur,ta merrte me vete ngado që shkon.Gjeja veten aty,në ato vite të humbura.Sa kujtime më përcillnin ato nga kohë e perënduar dhe nga kjo që erdhi pas saj, dhe kjo e perënduar më parë se të niste.Jetova njërën,po jetoj edhe tjetrën,larg së parës,më larg edhe kësaj të dytës.Kam një mendim të përcaktuar për të dyja.Ky mendim më është i humbur në mjegullnajat e kohës, se nuk gjejmë ngjyrën e gjelbërt  të fijeve të barit,as shkëlqimin e vesës së mëngjesit në faqen e një lugine.Zëri i poetit është   edhe i kujtimeve të ëmbla  nga “Sofra”ku,nëna  këshillonte dhe u drejtohej fëmijëve me fjalën e shenjtërisë për atë që mban shpirtin gjallë,por është edhe zëri i një dufi që shpërthen ndaj jonjerëzores që paralajmëreon të frikshmen e përplasjes me një pjellë që nuk thotë më “Oh ç`kohë  e bukur;por:oh,sa e bukur kjo kohë e shëmtuar!”;e poeti portretizon këtë skenë tek”Sofra”:”U ndodha afër tavolinash luksoze/pranë gjellëve që emrin s`ua dija/dhe zemra bridhte e mendja më thosh/s`ka si sofra ime në fëmijëri/Ajo sofër e thjeshtë  me dërrasë arrre/ku nëna na mblidhte e na fliste/në bukë ,mos thoshim gjysëm fjale/se ish gjynah e buka na vriste/Dhe priste ajo sofër mbrëmjet e mëngjeset/të shtrohej magjishëm me bukë e me ujë/dhe sa herë shkoj në bankete të mëdha/mbushur me  ushqime me verëra të shtrenjta/shoh një uri të të ngopurve që hidhet si valë/me para të uriturve që ua vodhën nga djersa/sërish e sërish më vjen ndërmend/sofra e nënës kur ishim fëmijë/thërrimen e bukës mos hidh përdhe/se buka vlen shtatë hajmali”…Kjo sofra e nënës së poetit ishte dhe është sofra e gjithë të varfërve,por një sofër e shenjtë,e bukur fort,ja,kjo është e gjitha;ç`mbetet të thuhet  tjetër?!Bukuria e krijimit të autorit është e dukshme ,se ai me një vëzhgim të hollë ka arritur të zbulojë një realitet jo të këndshëm,thelbësoren e tij:Rënien morale të njeriut.Ja ç`thotë ai në poezinë”Dhe të mendosh”:”Ti solla lulet prej letre/lule sidoqoftë janë/se para teje një tjetre/vështrimet e mia drejt saj shkanë/do t`i pranosh ti ato/pa ngjyrën këndellëse/në këtë botë që sajo/manekinë në vend të njerëzve”.Çka i jep vlera vëllimit është se autori procesin e zhvillimit  gjatë viteve të humbura e ka parë dialektikisht,jo vetëm si pasqyrim dukurish në formë pezhorative,por edhe si një pohim i një gjendjeje të re,në një mjedis tipik.E gjejmë këtë  në vargjet  me ngjyrim poetik të fortë tek poezia “Shpresë e kotë”, ku autori duke vërejtur si kanë ardhur ditët,  e sheh të vështirë të mendojë se cila do të ishte dita më e mire, se të gjitha janë njësoj ,dhe ajo që do të zgjidhte është e fshehur  midis ditëve si një ëndërr që s`ka ekzistuar.Megjithatë,duke pohuar një gjendje  të caktuar mohuese në vargun “Ditën s`e gjej” ai ,i bindur se në rrjedhën e jetës pandalësia është një kah i hovshëm i shpirtit,pashmangshëm do ta sjellë  në një gjendje cilësisht të re këtë,duke e shprehur në vargun:”Po,kjo ka për të ndodhur…”Kundrashijet”është një poezi tjetër ku e ndodhura e dy të kundërtave del qartësisht si një ekzistencë pa të cilën nuk përjashtohet asgjë.”Mjaltë i buzëve pa një pikë helm do qe pa shije/si marri e fjalëve pa një dozë arsye/sa herë e kam vrarë mendjen për kundrashijet/si dielli që s`kuptohet pa hijet”.Me ndjeshmërinë e një poeti të afirmuar ,për t`u dhënë poezive të tij ëmbëlsinë kur duhet, dhe vrazhdësinë kur duhet,më parë se të marrë penën në dorë,ka njohur dhe qëmtuar mirë mjedisin  nga ku ka vjelur lëndën dhe ka përzgjedhur atë që i ka cimbisur ndjenjat që i kanë vluar si frymëzim.I është dashur të verë në funksion aftësinë për të gdhendur mjeshtërisht vargun,siç bën mjeshtri i drurit dhe i gurit.Duket njëherazi se ai  nuk është i përkushtuar për të njohur të vërtetën, se ajo nuk ka nevojë të krijohet,se ajo ekziston,por për ta dhënë e pasqyruar atë poetikisht;ndaj ia ka dalë ta nxjerrë në dritë me forcën e bukurinë e saj,edhe shëmtinë e jetës,veçmas tek poezia “Urrejtja”:”S`kemi kohë për dashuri/urrejtja i vuri flakën botës/më duket vetja se po rri/duke pritur Varkëne Noes?Pres përmbytjen pa dëshpërim/përderisa dashuri s`ka më/urrejtja për mua s`është qëllim/përderisa s`mund të rri pa të”…Me poezitë e “Viteve të humbura”si lulet që kanë çelur e hapur gonxhet  me aromën e këtij lulëzimi, edhe autori bëhet i afërt me ata që e duan këtë aromë,siç ndodh me tingujt e ëmbël të një kënge,që ta qetëson mendjen dhe shpirtin.Një muzikë ndjenjash,krijim vlerash qetësuese, përcillen në vargjet e poezisë së tij.Poezia vjen nga një dilemë filozofimi të gjatë për gjërat e jetës.Ajo nuk kërkon shpjegim për to, po shpreh gjendje dhe, përmes gjendjeve ,vjen pasyrimi i mirëfilltë i tyre.Vargu i poezive të tij i ka këto brenda vetes dhe është kjo që e bën të vërtetë,të këndshëm por edhe ndjen hidhësinë kur njeriu vret natyrën që i ushqen frymëmarrjen.Poetit nuk ia lë shpirti rehatinë të heshtë përballë dhunës me të  cilën nuk pajtohet, ndaj e sulmon atë përmes vargjeve poetikë:”Imazhe drurësh tund era/re ecin në qiell e s`gjejnë prehje/pastaj treten në dehje/dikur ishin drurë të vërtetë/me degë gjer tek retë/dhe retë i ngrinin mbi kokë/lisa ,ahe,bunga e shkorreta/ranë një mbi një si plagë të vjetra/në trungune tyre të prerë/që valëvit imazhin e drurëve nëpër erë’’.Përmes vargjeve rrjedhëse, tek poezia “Nga zemra”,ai jep dashurinë si një imazh të pandalshëm,tronditjet e ndarjeve,përpiqet ta portretizojë atë,mendon siç duhet të jetë,si cilësi permanente e jetës që, pa të ,nuk do kishte kuptim.Se vetëm një dashuri zemre nuk e mashtron atë që do,ku lë të nënkuptohet se aty ku është paraja, nuk është dashuria,se ku është varfëria më e pastër është dashuria,një koncepsion çajupian ky.”Nga zemra u ndez intimiteti/hija e sorkadhes nga era/eja,mere zemrën time/ca buzëqeshje e të tjera/S`munda të të bëj dhuratë/para ,mall e gjë/vetëm zemrën si pishtar/e shkul e ta lë”…Një vetëmohim që përjashton çdo gjë,veç dashurisë,një sinqeritet prekës deri në delir.Vargje të thurura lirshëm si një shpërthim në fund të një epilogu që parakupton ndeshjet e kuptimeve mbi dashurinë e vështirë në këtë kohë abrashe.Po a mund të ndriçohet tjetri nga drita e pishtarit të zemrës së sakrifikuar?Kjo merr hamendësime dhe lexuesi mund të mendojë  nga nënteksti që mbart.Efekti poetik krijohet  me zbërthimin e ndjenjave ,se autori nuk ka vargëzuar thjesht, po e laton vargun përmes mendimit dhe kujdesit për fjalën duke çkyçur tingëllimat që vijnë nga bota e brendshme e tij,me figuracionin që përdor,për të hedhur dritë e për të zgjuar ndjesitë që vijnë dhe vërshojnë me vrullin e tyre përhapës.”Hoje mjalti të hidhur/thurur kodesh tingujthinjur/biem në grackë të parasë/do thoja dashurisë…po,më falni/dashuria poi afrohet Saharasë/me ëndrra lëndinash të largëta”…Forca poetike e autorit të “Viteve të Humbura” , pikëpamja e efektit, shtrihet dhe merr vrull përmes figuracionit  të gjetur,të natyrshëm,aspak të kërkuar,por edhe nga idetë përmes lëndës poetike ,jo nga fantazi të sajuara, po nga fantazi të ngjizura me frymëzim përmes një realiteti që e ka ndjellur atë me larminë e vet, edhe pse shpesh në të zotërojnë tonet gri.Dhe në gjithë këtë përqendrim poetik ai ndalet tek njeriu, ndaj mediton për të:”Kush është ai që merr kokën në duar?/Është njeriu/kush është ai që qiellit i turret/si një copë akulli për ta copëtuar/në kazanin e egos e shkriu/prapë njeriu…”Në një realitet vrastarësh,thash e themexhinjsh dhe përgjuesish që e punësojnë mllefin e tyre në  ndërmarrtjen e shpifjeve,poeti s`mund të rrijë indiferent,ndaj ai shpërthen:”Muret kanë buzë/një thash e them e thurin si tërkuzë/dhe rrinë me heshtjen si ushunjzë/që s`e thithin dot/buzët e mureve çelen në heshtjen vrastare/edhe pse kam bllokuar mure dhe dritare”…Ndër vjershat e bukura ,më origjinalet,me një vlerë të spikatur e fuqi poetike të përgjithësuar,në mbylljen e të këtyre shënimeve do më pëlqente të citoja disa vargje nga poezia “Balada e mashës” duke ia lënë në dorë lexuesit të gjykojë vetë mbi konotacionet dhe shenjat e saj nëntekstuale:”Fjala në vatër sitej gjithnjë/nga burra të mirë/masha prushin hë për hë/e trazonte duke e nxirë/Pse masha kjo vegël kapëse/kjo vegël e dashur me autoritet/e prapste fjalën dhe e qaste/fjala pa folur bëhej shenjt/Dhe kur mbaronte fjalë e bukur/fjalë e pa gjetur kur mbaronte/trokiste masha veshëstrukur/mbi dërrasa, dhe kumbonte/sërish qetësohej nën sofër/kjo kujdestare pa teprim/gjer njeriu bëhej gogël/në avuj rakie plot harbim/kjo mashë e shekujve sot më flet/kjo bartëse jete  me bukuri/sa herë pa gjumë i gdhiu netët/sa herë  trokiti gjer u gdhi/po sidoqoftë ish krenare/se ishte në të vetin identitet/kur  erdhën kohëra më barbare/njeriu mashë u bë vetë/”…



(Votes: 1)

Write Your Comment
Comment: