E marte, 30.04.2024, 01:43 PM (GMT+1)

Kulturë

Zyba Hysa: Dalan Luzaj - 'Mes dy Kontinentesh'

E diele, 18.11.2018, 12:11 PM


MES DY KONTINENTESH, MES DY DASHURIVE, I NDARË MË DYSHË PËR TU SHKRIRË NJËSH MBRENDA TYRE…

(Refleksione nga libri “Mes dy Kontinentesh” të poetit Dalan Luzaj)

NGA ZYBA HYSA

Kur lexon poetit Dalan Luzaj, mijëra shigjeta dhimbjeje të vijnë shpirtit e s’mund të shpëtosh lotëve… një poezi që vërtet e ka emrin dhimbje!

Fëmijëri e çartur, që u ngazëllehet ëndrave duke jetuar bodrumeve të diktaturës, një rini e ndezur si flakë kashte për të verbuar edhe më shumë të ardhmen, se kurrë nuk e preku atë dritë internimeve e poshtërimeve të asaj që ne i kemi vënë një emër “Diktatura komuniste”, por ajo ishte murtaja antishiptare shekullore që hante të ndriturit për të lënë popullin në errësirë, si pre e shfrytëzimit skllavërues të pashallarëve të kuq! Më pas poeti vdes… 22 vjet internim bashkë me poshtërimin e të internuarve të përjetshëm, fshatarëve shqiptarë, të cilët kurrë nuk e kuptuan skllavërinë që rëndonte mbi supe, mbi shpinë, mbi kokë, mbi shpirt… se ferrin komunist e vishnin me vello parajse dhe një popull i paditur gënjehet si foshnja me përrallat që nënat i rrëfejnë për të vënë në gjumë… dhe populli flinte, dhe pashallarët vidhnin djersën dhe gjakun e tyre, duke akuzuar të ndriturit si sabotuesit e zhvillimit shqiptar, si tradhëtarë, kriminelë, imoralë… për të fshehur dhëmbët e çakallit mbi trupin e kombit tonë të shumëvuajtur…

Në asnjë vend tjetër në botë, nuk sulmohet i dituri, si në trevat e pushtuara “de fakto” e “de juro” të Shqipërisë Etnike! Dhe kur kthehemi pas, shikojmë figura të larta në fushën e artit luftarat e politikës, por s’ka mbetur as dhe një koloz i dijes dhe shkencës së këtij populli që dijen dhe shkencën e ka në gjak, në shpirt, në gjen…

Ku janë kolosët e dijes shqiptare?

Kjo është pyetje retorike për të diturit, pra s’ka nevojë për përgjigje, por më duhet të shtoj për të paditurit, se historikisht, ashtu siç është vjedhur pasuria kombëtare dhe ka shkuar në zhvillimin e shteteve pushtuese, po ashtu është vjedhur edhe dija dhe kultura jonë e hershme dhe aktuale duke i bërë pronë të tyre, vetëm me fshirjen e një emri e vendosjen e një emri kushdo qoftë ai, vetëm autori të mos ishte i vërteti, se është shqiptar.

Për të mos e zgjatur, se ky shkrim i dedikohet vëllimit poetik “Mes dy Kontinentesh”, në të cilin unë kam qënë redaktorja letrare e tij, thjesht për publicistikë, se ta futësh në skanerin e analizës ideo - artistike, duhen jo faqe të tëra, por libra, aq shumë mesazhe, aq shumë figuracion i pasur i shfaqur dhe i imagjinuar është derdhur në vargjet e poetit shqiptaro - amerikan, Dalan Luzaj, ndaj do përmend vetëm dy fakte; një në mesjetë dhe një të shekullit që sapo lamë.

Në mesjetë ka jetuar Gjon Gazuli me origjinë nga Mirdita, prift shqiptar dominikan, humanist, matematikan, astronom ndër më të shquarit të kohës, ku studimet e tij në fushën e astronomisë u vodhën nga tjerët dhe emiri i tij mbeti thjesht emër, shkencëtarët astronomë janë tjerë, të mencurit e botës, se ne paskemi qënë vetëm për komandantë ushtrie, po kështu u bë edhe gjatë diktaturës komuniste, ku shkrimtarët e mirëfilltë, u burgosën, u vranë dhe dorëshkrimet i privatizuan shkrimtarët e oborrit komunist… Fat ka qënë për ato pak koka që mundën të arratisen, si Isuf Luzaj, babai i poetit në fjalë, që do të thosha, ia kalon babait të tij në përdorimin e figuracionit, por kurrë s’mund ta hedhë pashin e mesazhit që përcjell poezia e Isufit, për vetë kushtet në të cilën kanë jetuar secili për të pasur mundësi të paisen me dije dhe kulturë dhe babait të tij në poezi, bëri emër në Amerikë dhe la dhjetra vepra gjigande në filozofi, por që shpërfillen nga “filozofët” e ndërtuar për të mohuar filozofinë…

Kalojmë tani në vëllimin poetik “Mes Dy Kontinentesh”, të cilin e kalova disa herë së lexuari dhe ajo që më bën përshtypje tek ky autor është se sa herë e lexon, aq më shumë xhevahire zbulon në vargun e tij, varg që nuk përtypet me një kafshatë, por duhet bluar mirë me mend për të kuptuar bukurinë e figuracionit poetik dhe forcën e mesazhit ideor. Vargu i tij nuk të thotë asgjë vetëm me një lexim horizontal, pa u zhytur thellësive vertikale të tij.

Që në titull “Mes Dy Kontinentesh” kemi të bëjmë me një metaforë mbi kopertinë si pasqyrë ku shikohet jeta e tij ATJE dhe KËTU, ku shpesh jeta bëhet e lodhshme e duket sikur humb edhe kuptimin, e, kjo ka bukurinë e vet, se sa vjen KËTU, pranë vendlindjes për të vendosur nga një lule të ikurve me pengje në jetë, i duhet të shkojë ATJE, ku e presin fëmijët me peshën e madhe që u ngarkoi mergimi, për t’ua lehtësuar diçka me praninë e tij dhe përsëri të kthehet këtu… Kjo ece - jake i ka shtuar mallin për Atdheun, me gjithë plagët që i ka falë, apo i fal dita – ditës, ai mbetet një dashuri kuantike që të ndjell përtej largësive…

E mbrenda kësaj pasqyre mbi koperinë, iderohen nga autori i saj, Kristi Bashmili, dy lulëkuqe, si dy dashuri të përflakura… Mes dy kontinentesh… mes dy dashurive… ndahet poeti më dysh, për t’u bërë një mbrenda tyre…

Dhe hap faqen e parë e lexon “Redaktori: Dalan Luzaj”, thjesht kjo jep një mesazh të madh poetëve dhe kritikëve të artit e letërsisë: “Kujdes me poezinë, ajo është një pemë që vetëm i zoti di ta krasitë, di cilën degë t’i presë për të mos e prishur kurorën e saj, nëse poezia hyn në dorën e një kopështari tjetër, ai do i japë formën e tij…”

Libri fillon me poezinë “Kopshti ynë” përsëri metaforë, një kopësht me gjithë blerimin dhe lulëzimin që çel nga dashuria e parë mbrenda shpirtit duke shtuar dritën në sy për ta parë botën përmes magjisë së dashurisë.

“Shpërtheu kopshiti ynë i bletë/ Pas tij, harlisur lulet dhe sytë…” Përdoret bindshëm krahas metaforës, paralelizmi figurative mes natyrës dhe shpirtit njerzor të dashuruar, ku nuk mund të dallosh në është natyra gjallesë, apo njeriu natyrë, gjithsesi të dyja janë pjesë të univesrsit, një e tërë…

Do më duhej kohë dhe rreshta pafund vetëm për të shpjeguar figuracionin e pasur, por pa kaluar masën e shijes së një arti që depërton tek lexuesi natyrshëm dhe magjishëm… “Më dha një lule gjuysmë çelur/ si buzë e saj, e zjarrtë si zjarr/ mes lulesh shpirtin kishte fshehur/ s’dija unë se ç’kisha marrë…” “Gjysmëçelur” ashtu si adolishenca si gonxhe e plasaritur, por e pa çelur, metaforë universale, pasuar në vargun tjetër me mbiemrin metaforik “e zjarrtë” shoqëruar po aty me krahasimin “si zjarr” jepen dy shpërthime artistike mbrenda një vargu… një mrekulli artistike!

Jeta rrjedh me plagët që i hap vetë jeta me hapat e saj të pasigurt e njeriu për çudi kërkon që plagët t’i shërojë me plagë, se çdo dashuri e ka emrin dhimbje! Kështu në poezinë “Kur vjen Maji” bashkë me majin çel një dashuri e re, një dashuri e derdhur në art përmes vargjeve që lulëzojnë si dashuria në maj, si maj! “Me shpirt ta nisa një “Mirëmëngjes”/ Ktheu nga ju duke qeshur…” Poeti Dalan Luzaj luan mrekullisht me fjalët për të fshehur fjalën direkte, që fjala të shpërthejë përtej fjalës… “Me shpirt ta nisa…” kuptimi metaforik shprehet qartë, shpirti kërkon një dashuri të re dhe fjala “Mirëmëngjes” shpalos fillimin e saj dhe e vulos “Kthen nga ju duke qeshur…” Një dashuri që shpërthen njëherësh në dy zemra, një shpërthim magjik, si natyra në maj. Është fat kur duam, fastkeqësi kur s’na kthehet dashuria, por kur “mirëmëngjesi” kthehet “duke qeshur” kjo është më shumë se fat!

Dashuria është pushtim elektronagnetik i shpirtit, ajo të fal një dritë magjike, ku botën e shikon ndryshe e jo më personin që dashuron. Kot nuk thotë populli ynë “Merr syte e mi e shikoje!” ndaj poeti skalit me sytë e shpirtit të dashurën e tij duke e shndërruar siç bën ai zakonisht në bukuri natyre (përdor mrekulisht paralelizmin figurativ), për t’i dhënë edhe natyrës shpirt nga shpirti i saj… Ai nuk parapëlqen të përdorë shpesh krahasimet, metafora është mbretëresha e poezisë së tij, ndaj nuk thotë “Trupi i saj si maji”, por “Sa bukur trupit i rrinte maji”, u shmanget mbiemrave për të futur në punë imagjinatën e lexuesit, ku secili të përfytyrojë trupin e saj sipas tij…

…………………………………………………………………………………………………….

Vëllimi poetik “Mes dy kontinentesh” vjen për lexuesin pas disa vëllimeve tjerë poetikë, si një buqetë lulesh plot aromë për lexuesin shqiptarë e më gjerë, ku cdokush mund të gjejë copëza jete të ngjashme me jetën e tij, mund të gjej pak besim, pak forcë, pak durim… për të vazhduar më tutje me një këndvështim pozitiv për jetën dhe gjithcka që na rrethon…

ZYBA HYSA

(poete, shkrimtare, studiuese, publiciste

Anëtëre e Akademisë së shkencave dhe arteve Shqiptaro – Amerikane, New York, redaktore letrare e librit “Mes dy Komtinenteve”)



(Vota: 2 . Mesatare: 5/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora