Monday, 10.12.2018, 04:29 AM (GMT)

Komente » Shkreli

Frank Shkreli: Thjeshtë, njerëzore!

Sunday, 18.11.2018, 11:11 AM


THJESHTË, NJERËZORE!

Nga Frank Shkreli

Ish-Zonja e parë e Shteteve të Bashkuara, Michelle Obama ka botuar ditët e fundit librin me kujtimet e saja në Shtëpinë e Bardhë, ndërkohë që është duke e promovuar anë e mbanë vendit.  Si pjesë e promovimit të librit, Michelle Obama është duke dhënë inter vista në programe të ndryshme televizive mbi përmbajtjen e librit të saj më të fundit.  Në intervistat e saja mbi përmbajtjen e librit, ndër të tjera, ish-Zonja e parë e Amerikës, përmendi edhe marrëdhëniet e saja miqësore me ish-presidentin republikan Xhorxh W. Bush.  Është një marrëdhënie miqësore midis dy personaliteteve të politikës amerikane, që mendojnë ndryshe, politikisht, pasi njëri i përket Partisë Republikane dhe tjetra, Partisë Demokrate, por që na kujton se pa marrë parasyshë ndryshimet politike midis tyre, edhe në arenën politike mund të zhvillohet një miqësi personale që mund të lehtësojë bashkunimin për realizimin e objektivave të përbashkëta politike, në interes të përgjithëshëm.

Në një intervistë me të bijën e Presidentit Bush, Jenna Bush Hager, e cila punon për rrjetin televiziv NBC, Michelle Obama u shpreh se, “Ne mund të arrijmë shumë, me një udhëheqje të duhur dhe me një diskurs politik të një toni miqësor e harmonizues midis nesh”, duke shtuar se “Do të më pëlqente jashtzakonisht shumë nëqoftse vendi ynë mund të këthehej përsëri në një periudhë politike në të cilën nuk do të demonizonim njëri tjetrin dhe njerzit me të cilët nuk kemi të njëjtat mendime politike.”  Megjithse, Obama dhe Bush u përkasin dy klaneve politike krejt ndryshe, për nga fillozofia dhe pikëpamjet e tyre për qeverisjen e vendit, Michelle Obama shprehet se megjithë ndryshimet politike midis tyre, ajo e konsideron ish-Presidentin Xhorxh Bush, një njeri të mirë, e të dashur.  Një ndjenjë kjo, thjeshtë njerëzore dhe tepër frymëzuese ndaj një kundërshtari politik, që cila tejkalon bindjet politike dhe dallimet e tjera.

Udhëheqsit politikë ose personat e njohur publikë kudo, duhet ta kuptojnë se politika në vetevete nuk është një objektiv përfundimtar, se disa parime janë më të rëndësishme se politika dhe qëllimet përfundimtare të politikës – se ato parime ose vlera tejkalojnë interesat politike dhe partiake, pasi bazohen në premisën se të gjithë ne jemi krijuar prej Perëndisë me të drejta të barabarta.  Udhëheqsit e vërtetë nuk i trajtojnë të tjerët ndryshe, vetëm e vetëm se ata mund të kenë mendime politike ndryshe për zhvillimin e vendit, se mund të jenë kundërshtarë politikë ose se pse mund të jenë të një feje ose krahine, ose race tjetër.  Trajtimi ndryshe, për të mos thënë ndëshkimi i njerëzve që mendojnë ndryshe, jo vetëm që nuk është njerëzore, por nuk është as demokratike, në rrethanat e sotëme politike.

Për ne shqiptarët kudo, është mirë që të reflektojmë se si trajtojmë njëri tjetrin dhe për kulturën tonë politike në përgjithësi, sidomos këtë javë, ndërsa kujtuam Mid’hat Frashërin, me rastin e riatdhesimit të eshtrave të tij në Atdhe.  Megjithse rivarrimi eshtrave të tija në tokën shqiptare u prit mirë nga shumica e shqiptarëve – përfshirë këtu edhe dy partitë kryesore politike -- reagimi i disave ndaj riatdhesimit të eshtrave të Frashërit në Shqipëri nuk ishte as njerëzor dhe as demokratik.  Në të vërtetë duke dëgjuar disa debate në televizionin shqiptar, nga të ashtuquajtur eskpertë e historianë, në lidhje me këtë çështje, më silleshin në mend fjalët e vet Mid’hat Frashërit, se Shqiptarët do të fitojnë të gjitha luftërat kur ata të përfundojnë betejën e fundit nëdrmjet tyre.

Je dakort ose jo me figurën e Mid’hat Frashërit dhe rolin e tij politik gjatë Luftës së dytë Botërore, kontributi i tij për Shqipërinë dhe çështjen shqiptare në përgjithësi është monumental dhe i qartë për të gjithë, shumë dimensional, siç e quajtën shumë folës me këtë rast dhe meritonte të këtheheshin eshtrat e tij, sidomos duke marrë parasyshë edhe amanetin e tij.  Kryerja e amanetit për ne shqiptarët është diçka e madhe.  Është vlerë!  Janë disa norma njerëzore, por edhe tradita shqiptare – pa marrë parasyshë pikëpamjet ose qëndrimet politike – të cilat në një shoqëri demokratike duhet të ruhen dhe të mbështeten, si pjesë e traditës.  Janë këto norma dhe tradita, nga të cilat duhet të frymëzohen jo vetëm udhëheqsit e sotëm politikë, por edhe shoqëria shqiptare në përgjithësi.  Sepse, mbi të gjitha, janë norma njerëzore dhe tradicionale shqiptare!

Në këtë 550-vjetor të Gjergj Kastriotit – Skenderbe dhe ndërkohë që po afrohet edhe festa e Pavarësisë së Shqipërisë, Luigj Gurakuqi, njëri prej protagonistëve kryesorë të kësaj pavarësie, ka shkruar me rastin e 1-vjetorit të pavarësisë së Shqipërisë, se “Nuk është sot dita të përmendim se nepër sa të liga ka shkuar Shqipënia në këtë mot të gjatë…por të forcojmë dashuninë e vëllazëninë e t’i japim dorën njëni tjetrit për të mbajtun, për të rritun, për të shtuar mvetësinë e Shqipnisë sonë të dashun.”   Gurakuqi ka paralajmëruar në vitin 1913 se duhet, “T’a dijmë se çarjet, zihjet, anmiqësitë tona na turpërojnë para Evropës…u shtojnë rreziqet vëllazënvet tonë të mjerë, të cilët ditë më tjatrën po presin të lirohen nga zgjedha greke e të bashkohen me ne – e ma tepër u thyejnë zemrën edhe atyne fatzezve që patën rrezikun e madh të mbeten jashtë Shqipënisë së lirë”,  ka shkruar Gurakuqi në “Mvetësia e Shqipniës” Vjeshtë e III, 1913.

Inati, përbuzja, urrjetja ndaj bashkombasve tanë nuk na bën nder, pa marrë parsyshë cilët janë personat në fjalë, periudhën që kanë jetuar, ose ideologjitë e tyre.  Sjellje të tilla ndaj bashkatdhetarëve tanë -- të gjallë ose të vdekur -- mohojnë mundësinë e një bashkjetese kombëtare dhe vërtetojnë pretendimet e atyre që nuk ua duan të mirën shqiptarëve, se në të vërtetë, shqiptarët nuk janë të aftë të vetëqeverisen.

Ka ardhur koha që të gjithë së bashku të përpiqemi të gjejmë rrugën që na çon drejt një jete kombëtare më njerëzore ndaj njëri tjetrit, në përputhje me traditat dhe vlerat kombëtare të shqiptarëve.  Është një kërkesë njerëzore e kohës dhe një nevojë e madhe e interesit kombëtar, që secili prej nesh, si individë dhe si shoqëri të kontribojmë, sipas mundësive, drejt një bashkejetese kombëtare më të mirë për të gjithë, ashtuqë të përfundojmë njëherë e mirë betejën e fundit ndërmjet shqiptarëve, për të fituar luftën me sfidat përball të cilave gjëndet sot Kombi shqiptar.



(Votes: 2 . Average: 4.5/5)

Write Your Comment
Comment: