Saturday, 17.11.2018, 02:40 AM (GMT)

Kulturë

Blerim Rrecaj: Vargje realizmi tranzicionist

Sunday, 04.11.2018, 11:23 AM


Vargje realizmi tranzicionist

Nga Blerim Rrecaj

Shkon një ditë vjen një tjetër. Diç sikur jemi bllokuar. Si një veturë që ndalet e edhe pas përpjekjesh s'i ndizet motori. Jepi, jepi, provo, provo, çohu e shtyje. Kërko ndihmë. Shprehu shqetësueshëm. Lëre krejt. Përsëri provo. Bë ecejake rreth e përqark. Duke kërkuar zgjidhje. Dhe... Nxjerr telefonin nga xhepi. Pranon pyetjen çka po kqyr në të. Përpiqesh duke klikuar ta gjesh një këngë të dëgjuar kohë e kohë më parë. Dhe kujton gjithë nga ajo që të ka ngelur në mendje, e endet stacioneve të kujtesës, ndonëse dhe kjo pak e turbullt, pak e mjegullt. Se di as titullin e këngës, as emrin e këngëtarit vetëm fjalët e melodinë: 'Nëse mbetesh vetëm, e kerri të mbetet pa benzin, mos ngurro lajmërohu në numrin tim... Më thirr mos ngurro, për ty gjithmonë kam kohë, kam kohë...' Derisa mendja vërtitet te lidhjet e ligështuara familjare e shoqërore në për-gjithësi, për vizita e takime të rralla, ankesa për shpërndarje të afërmish, miqsh e shokësh dyerve të botës...Por edhe për kujdesin që duhet ta kemi gjatë takimeve, sepse na ka kapluar lodhja, kriza e ftohja tek e cila pak po ndikon antifrizi...Ankesat vazhdojnë dhe dikush shprehet më ashpër e dikush bën arsyetime më mirëkuptuese për këtë gjendje pikllëlluese. Sa mbrapshtë. E mirë, e bukur shkarravitëm deri këtu a jo po!? E gjithë kjo vazhdon në arenën e kësaj fletoreje të dhuruar para gati një dekade, në një ndërrim motmotesh. Një fletore kulturore me vulën e Ministrisë së Kulturës, Rinisë dhe Sportit e shtatorit 2009. Pas 5 fletëve ose më mirë 10 faqeve pason fleta(faqja) foto-kolor, njëra anë e medaljes me ca artefakte, një shpellë, një lokalitet antik, një kështjellë, një hamam, një tyrbe, një kishë, një teqe, një xhami, dy ura dhe ana tjetër e medaljes mban shënimet informuese me hartën e Kosovës me numrin që tregon vendndodhjen e tyre. Dhe po ha tash shkopinj të njelmët me susam. E troshat dhe susami po mbesin derisa të fshihen. E sillu e pështillu dhe merr rrugën jashtë mureve, qoftë për ndonjë detyrë a obligim, ftesë, me qejf a përtesë. E kushedi se çdo të vëhet në shportën e kujtesës, çfarë detaje, ndodhi, ngjarje. Dhe ecim. Në drurin e oborrit të shkollës kanë hipur disa nxënës vocërrak, ata edhe bisedojnë për detyrën që kanë marrë për të vizatuar hartën e Kosovës, duke theksuar lokalitetet e saj. Më vonë po këta fëmijë zënë njërën nga tavolinat e drunjta e bojëkafe të hapësirës katrore rrethuar me shumëkatëshe. Shkarkohen nga barra e rëndë e çantave dhe në një fletë të gjelbër hameri vizatojnë kufinjtë e kësaj Kosove. Duke parë dhe në librin:Njeriu dhe Natyra. Kanë dhe një hartë arkitektonike të Prishtinës. Por fëmijët sa lozin, sa vizatojnë, në fund lënë vizatimin, janë të pakënaqur me punën e tyre por magjishëm e pavetëdijshëm mbase me ndihmën e engjëjve kanë fshirë kufirin shqiptaro-shqiptar Kosovë-Shqipëri. Nga veranda e këtij restauranti njerëzit shijojnë këto çaste të kësaj dite të butë vjeshte e cila s'i zbut fjalët për përditshmërinë e halleve.E sytë hidhen edhe kah një pupël e bardhë shpendi që bartet duke u përkëdhelur nga puhiza e në shoqërinë e lehtë të ca tingujve instrumentalë, vazhdon rrugëtimin njashtu si një fluskë bore. Paramendoni që krahët e kësaj fluskeje të na hedhin tek një supermarket ku fillimi i muajit, marrja e të ardhurave, rrogave, qirave bën dyndjen e blerësve dhe aty takohen edhe bashkëpunëtor deri dje të afërt partie e sot me rrugë të ndara, e pyetja kureshtare është se a thua u përshëndetën. Hej, njëmend a po shkojmë në zgjedhje thotë dikush veç sa për të thënë diçka derisa mendjen e ka te paratë që do t'ia rrëmbejë kjo shportë me gjësende ushqimore e jo ushqimore familjare. Mbase sërish do fillojnë të bëhen premtime për investime prej miliona, qindra miliona e miliarda fjalësh premtuese. Derisa gjërat ngatërrohen e ngatërrohen, e po po vazhdohet me kultivim pengesash e ngatërresash, e po, po vazhdohet në vend se...Të bie në mend një varg i poezisë që pe e lexove së fundi të Alda Merinit që bukur po niste: 'Hapësira, hapësira unë dua...' Dhe ndodhemi te ndonjë hapësirë e rrallë, (edhe kjo s'dihet sa do të mbijetojë), fëmijët lozin e ne mund të vështrojmë luleradhiqet 'parashutiste' të cilat s'mund të fluturojnë pasi janë mbërthyer nëpër fije të endura merimangash...



(Votes: 2 . Average: 5/5)

Write Your Comment
Comment: