E marte, 18.06.2019, 08:33 AM (GMT+1)

Reportazh

Korça

E shtune, 19.02.2005, 12:59 AM


Korça dhe shpirti i saj i ëmbël

Kur të nisesh për në Korçë, dy gjëra duhet t’i kesh patjetër me vete: rrobat e trasha dhe shpirtin e ëmbël. Në këtë mënyrë do ta shijosh vërtet qytetin e borës dhe të serenatave. Kjo nuk është një klishe, ndryshe nga sa mund të mendohet për gjërat e thëna e të stërthëna, korçarët vërtet mblidhen para një gote vere dhe këndojnë gjithë natën serenata shoqëruar me kitarë.
E filluam mbrapsht. Në fakt, më bukur do të ishte të parapërgatiteshe për darkën duke thithur ajrin dhe duke shijuar atmosferën e qytetit. Të endesh nëpër Korçë është një udhëtim i vogël në histori: rrugica të ngushta prej guri, shtëpitë e vjetra karakteristike (nëse ke mundësi të hysh në njërën prej tyre), të vizitosh katër muzetë: Muzeumin e Arsimit Kombëtar, Muzeun e Artit Mesjetar, Muzeun Arkeologjik dhe Muzeun Bratko (i vetmi në Ballkan për kulturën e Lindjes).
Për çdo drejtim duhet t’i referohesh qendrës (ku ndodhet edhe Katedralja e Madhe); ne morëm rrugën për nga lagjja e vjetër e Mitropolisë.

Shtëpia 110-vjeçare
Në fakt, Korça duhet të ketë më shumë se një muze. Mahnitesh kur hyn brenda në shtëpitë e vjetra, si ajo e Valentinës dhe Dhaskë Xhumelikut. E gjetëm Valentinën duke gatuar, por ajo u shqetësua vetëm se i kishte ende flokët me karfica dhe vajti menjëherë t’i rregullonte. Dhaska na ngjiti sipër në katin e dytë të shtëpisë: dhoma e ndenjjes ishte e madhe dhe e lartë, dyert ishin të dekoruara me mozaik xhamash me ngjyra, ndërsa muret të punuara dhe pikturuara me dorë. Kur erdhi Valentina (Pupi e thërriste i shoqi), ata na treguan diçka nga 45 vitet e bashkëjetesës, për familjarët e tyre që kishin ndërtuar atë shtëpi, sendet antike të ardhura nga Kajro apo Izmiri para 100 vjetësh. Duke parë fotografitë e vjetra dhe dy pleqtë ulur afër njëri-tjetrit, na u duk se kishin kaluar një jetë të bukur, të pasur me histori, nga ato që të zbusin zemrën dhe të bëjnë të ëmbël si vera e kuqe.

Pazari i vjetër
Është njëlloj sikur të kërkosh sende të çmuara në një pirg mbeturinash. Pazari, i zhytur në baltë, në fillim të ndjell dëshirën për t’u larguar, por diçka fshinte ajo baltë, si dikur rëra piramidat.
Në u gjendëm atje nga pasditja, në të perënduar të diellit: kur tregtarët kishin ikur, duke lënë tezgat dhe rrugicat bosh.

“Hani i Elbasanit”
Diku në pazarin e vjetër ndodhet një nga hotelet më të vjetra në historinë e hotelerisë shqiptare; në fakt, ai kishte më shumë hijen e një hani të vjetër. Arkitektura tejet e veçantë: pasi kaloje derën e madhe prej druri e gjeje veten në një oborr, i cili në fakt ishte edhe qendra e “Hanit”. Dritaret e ndërtesës në formën e katrorit binin mbi oborr, në mes të të cilit ndodhet një pus. Menjëherë në të majtë të derës së madhe ishin shkallët në formë turjele, që të ngjisnin në katin e dytë të hanit; shkallët ishin prej guri dhe një nga ustallarët që ndodhej në klubin e “Hanit”, tregonte edhe vetë çudi se si qëndronin ato shkallë guri të vendosura pa mbajtëse poshtë.
Dy kthesa më poshtë ndodhej ish-qendra tregtare. E ndërtuar diku mes viteve ’30, është një ndërtesat më të bukura në Korçë: dykatëshe, fasada e punuar në gur dhe merr formën e një harku. Ishte ndërtuar nga një prej tregtarëve më të pasur të Korçës; Rako ia thoshin emrin...

Ku të zini vend dhe të hani
Në qendër të Korçës ndodhen hotelet “Grand” dhe “Behar Koçibelli” (3 yje). Pozicioni i tyre i bën një vend të preferueshëm për turistët (sidomos ata pa makinë). Çmimet e dhomave variojnë nga 2500-3000; mëngjesi zakonisht përfshihet në çmimin e dhomës, ndërsa për kafen e parë nuk do t’u këshillonim barin e hoteleve në fjalë pasi çmimet e kripura nuk e justifikojnë cilësinë.
Po afër qendrës ndodhet hotel “Regency”, njihet nga vendësit si “Hoteli i amerikanëve”. Zakonisht klientët e tij janë të huaj, lidhur kjo edhe me çmimet relativisht të shtrenjta.
Por nëse doni të shihni gjithë qytetin, duhet të zini vend në hotelin “Kristal” (dikur kampi i punëtoreve), i cili ndodhet mbi kodra. Më e sigurt do të ishte të lëviznit me automjet deri atje (20 minuta nga qendra); dhomat janë të mira, por restoranti lë shumë për të dëshiruar. Ndërkohë që një sërë hotelesh dhe motelesh të vogla janë të shpërndara nëpër gjithë Korçën, si: hotel “George”, “Konti”, “Stefania”.

Restorantet
Është pak e vështirë të gjesh kuzhinë të mirë nëpër restorantet e Korçës (edhe pse nëpër qytet gjen restorante dhe fast-food-e pa fund. Më cilësoret mund t’i njohësh që nga pamja e lokalit (vende që ngjallin besim) shumica janë të vendosura rreth qendrës ose afër Parkut. Më i përmenduri ndër to është “Dolce Vita”, pozicionuar afër kinemasë “Milenium”.

40 vjet në celuloid
Na u desh të endeshim në rrugicat e kalldrëmta për të gjetur shtëpinë e fotografit të famshëm të Korçës. Shoqëruesja ime e njohu shtëpinë nga pllakat e gurta të vendosura në pragun e portës…
Është një shtëpi tipike korçare në lagjen e Mitropolisë: kur hymë brenda, minutat ngecën dhe ne pamë Korçën e vjetër, ashtu siç e kemi njohur gjithmonë, me historinë dhe elegancën e saj.
I biri i Kristaq Sotirit (tashmë edhe ai i thyer në moshë) u gjet i papërgatitur nga vizita jonë, mezi arrit ta pushojë qenin e lidhur nga të lehurat dhe na ftoi brenda te dhoma e sobës.
“Nuk ka shtëpi në Korçë që të mos ketë një fotografi nga babai”, - e filloi historinë Gjergj Sotiri.
Pothuaj për dyzet vjet ka funksionuar në Korçë studio “Sotiri” dhe në arkivën e saj është fiksuar gjithë historia e qytetit, me personazhet e çuditshme, vendet që ende janë të njëjta edhe sot dhe gjithçka e huaj që ka kaluar rastësisht në rrugët e tij.
Një koleksion prej 15 mijë fotografish, shumica të punuara në studion e parë fotografike të Korçës; jeta në fakt dukej shumë e bukur po ta shihje përmes makinës fotografike të Kristaq Sotirit: fytyrat ruajnë përgjithësisht atë hijen melankolike të kohës (vitet ’30); fotografitë e ciganëve (për të cilat Sotirit i duhet t’u paguante para personazheve të tij) dhe fotot e peizazheve rreth qytetit. Një nga më të famshmet është “fotografia sy”, panoramike e gjithë qytetit. Shkrepjet janë bërë nga kodrat, prej ku qyteti duket si në pëllëmbë të dorës...

1 napolon fotografia
Thonë se vajzave që kërkonin të martoheshin me shkesi, fotografitë ua bënte Kristaqi, por (tregohen histori) se shpeshherë ndodhte që dhëndri zhgënjehej nga pamja e vërtetë e vajzës…
Mjeshtri punonte vetëm me dritën e diellit, ndaj në studion e tij duhet të shkoje në orare të caktuara 14.00-17.00; aty mund të kaloje më shumë se një orë duke ndjekur udhëzimet e tij, bënte shumë shkrepje derisa t’i mbushej mendja se kishte arritur diçka të bukur. Gjithë javën priste klientët e tij, ndërsa të premten i retushonte fotot dhe të shtunën i shpërndante. Gjithë kjo kushtonte një napolon floriri…

Historia
17 vjeç Kristaq Sotiri, si shumë korçarë të tjerë, iku në Amerikë. Fillimisht në Nju-Jork punoi si punëtor në një studio fotografike, derisa mësoi zanatin. Kishte dëgjuar për një fotograf të famshëm që jetonte në Los Anxheles, George Steckel, ndaj niset. Për tetë vjet jetoi në Los Anxheles, duke punuar për Steckel-in derisa fitoi përvojën dhe paratë për të hapur një studio të vetën në Nju-Jork. Por fatkeqësitë familjare e kthejnë në Shqipëri (1923) dhe po atë vit ai hap studion fotografike “Sotiri” në qytetin e Korçës, duke u bërë edhe ai rrëfyes i një copëze të historisë së këtij qyteti.


(Vota: 1)

Komentoni
Komenti:

Artikuj te tjere

Gjirokastra Vlora Saranda

Gallery

Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora
PËLLUMB GORICA: MURET CIKLOPIKE QË SFIDOJNË SHEKUJT