E premte, 26.04.2024, 05:24 AM (GMT+1)

Mendime

Florim Zeqa: Pazaret e fshehta politike, rrezik

E enjte, 15.03.2018, 12:00 PM


Pazaret e fshehta politike, rrezik për shtetin!

Shkruan Florim Zeqa

Zgjedhjet e jashtëzakonshme parlamentare, siç po shihet mund të jenë shumë afër shkaku i pamundësisë së kalimit të Demarkacionit me Malin e Zi si dhe humbjes së legjitimitetit të kësaj qeverie nga pamundësia e zgjidhjes së shumë problemeve të grumbulluara politike dhe sociale. Kjo situatë përveq humbjes së besimit në popull, ka çuar në humbjen e kredibilitetit të kryeministrit dhe humbjen besimit të partnerëve të koalicionit në njëri-tjetrin.

Do të ishte absurde t’i lejohet kësaj qeverie të shkojë tutje me qeverisjen e shumicës shqiptare nën prangat e listës "Srpska", kësaj pakice e cila përveqse muk e pranon Republikën e Kosovës si shtet të vetin, e saboton dhe shkatërron nga brenda ekzisten e saj!

“Pazari” politik me Listën Serbe të Vucicit, në emër të votës për demarkacion, gjegjësisht pranimi i Asociacionin me kompetenca ekzekutive është mundësia e vetme e kalimit të Demarkacionit me Malin e Zi në Kuvendin e Republikës së Kosovës.

Pasojat e pazareve politike

Problemi dhe përgjegjësia bie mbi tri partitë e mëdha; LVV, PDK dhe LDK të cilat  janë shkëputur nga historia e themelimit, aspektet programore dhe pikëpamjet ideologjike. Sikurse PDK-ja, që është shkëptur totalisht nga vlerat e luftës çlirimtare, ashtu edhe LDK-ja është tretur shumë largë nga vlerat rugoviane, nga tradita e respektimit të rregullave demokratike; dialogut të brendshëm partiak, tolerancës, mirëkuptimit dhe transparencës në marrjen e vendimeve.

Po ashtu nga shkaku i shkëputjes dhe largimit nga parimet e saj, nga vlerat kombëtare dhe opozitarizmit të fuqishëm në Kuvend dhe jasht tij, LVV-ja pësoj ndarjen e thellë dhe më të dhimbshme pas ngritjes në piedestal pas zgjedhjeve të fundit palamentare.

Lidhja e krerëve të VV-së me mafio-oligarkët ekonomik, nga një forcë progresive për vendin, këtë subjekt e shndërruan në korporatë profitabile për disa nga eksponentët e saj.

PDK-ja, një fraksion i dalë nga lufta çlirimtare, e shndërruar në parti politike duke u thirrur në vlerat e luftës çlirimtare, në gjakun e derdhur për lirinë e vendit,...tashmë me të dyja këmbët është duke shkelur mbi gjakun e familjes Jashari dhe mijëra dëshmorëve të lirisë.

LDK-ja e sotme nuk i ngjet më aspak formacionit politik rugovian. LDK-ja, e cila deri dje kërkonte largimin e së keqës së madhe për vendin nga pushteti, gjegjësisht PDK-në e Hashim Thaçit, sa herë që i duhet kësaj të fundit bëhet patericë e saj, duke i kthyer shpinën elektoratit dhe duke harruar të gjitha akuzat kundër kapësve të shtetit, korrupsionit, krimit të organizuar, hajnisë, kontrabandes, etj.

LDK-ja e kapur nga grupet e interesit, e bashkuar me kapësit e shtetit u shndërrua edhe vetë në uzurpatore të shtetit dhe thyerse e shpresave të qytetarëve.

Sikurse nga viti 2010 deri në vitin 2014 kur erdhi në pushtet, edhe tani në opozitë, më tepër është duke e ndihmuar klanin "Pronto" dhe PDK-në sesa kur ishte nën kurorën qeverisëse me klanin e sipërpermendur.

Me një fjalë, kjo klasë e kusarëve të pangopshëm politik brenda këtyre dy subjekteve politike,...për ruajtjen e pasurive të tyre milionshe, të krijuara përmes aferave korruptive, hajnisë dhe krimit të organizuar, janë shndërruar në binom shkatërrues të shtetit të Kosovës.

"Unë kryeministër sot, ti nesër president", ishte marrëveshja private, e pazarit politik mes dy njerëzve të padinjitetshëm, dy figurave të dështuara, sa të njëjta po aq të kundërta politike, Thaçit e Mustafës.

Heshtja e pajustifikuar e qytetarëve

Më e rëndë se degradimi i subjekteve politike, është heshtja qytetarëve kundrejt keqeverisjes, përderisa e pajustifikueshme mbetet heshtja dhe indiferenca e popullatës kundrejt pazareve të fshehta politike për votimin e Demarkacionit me Malin e Zi!

Në Kosovën e sotme, me secilin që flet veq e veq, askush nuk pajtohet me dhënjen e territorit në këmbim të liberalizimit të vizave, mirëpo kur është në pyetje bashkërendimi i forcave (organizimi), të gjithë hezitojnë, sikur mungon vullneti dhe guximi qytetar për t'u përballur me sfidat e kohës!

Duket, sikur të gjithë janë duke pritur rënjën e kësaj qeverie, për të triumfuar si "heronjë" të demokracisë pas përfundimit të betejes.

Prandaj është momenti i fundit që zërat kundërshtues nga popullata të bëhen më aktiv, më të zhurmshëm dhe më sfidues për pushtetarët.

Situatën e heshtur të popullatës, janë duke e shfrytëzuar në mënyrën më të mirë pushtetarët, liderët sa të dështuar, po aq të korruptuar dhe shantazhuar, që tashmë janë duke u përballur me sfidat e kauzave të rrejshme përmes të cilave erdhen në pushtet.

Kur jemi në këtë segment, përpara të del ajo thënja e vjetër popullore; "Ja hunin, ja tirqit". Vërtetë mbijetesa e disa liderëve shtetërorë dhe partiak në politikë ndodhet para një sprove të madhe dhe të pakalueshme!

Paradoks dhe dyfytyrësi politike

Pushtetarët e sotëm derisa ishin në opozitë, i kundërshtonin me të gjitha mjetet veprimet antishtetërore dhe antikombëtare të qeverisë së kaluar, sot janë më të zëshmit për miratimin e atyre marrëveshjeve fatkeqe për vendin të nënshkruara nga oponentët e djeshëm politik!

Ndaj kësaj sjellje të dyfisht të opozitarëve të djeshëm, për habi popullata po vazhdon heshtjen dhe indiferencën e saj, thuajse gjithçka është në rregull me qeverisjen aktuale.

Koalicioni i zgjeruar PAN, duket sikur e ka marrë timonin e shkatërrimit të shtetit  të Kosovës për interesat e tyre personale. Po u lejua të shkojë tutje PAN-i, do të vazhdojnë tutje me konçesione tjera të dhimbshme për vendin edhe pa funksionimin e kuvendit, ngase edhe ashtu, kuvendin e përdorin vetëm si dekor "demokratik", për marrjen e  vendime antidemokratike, antishtetërore dhe antikombëtare në dëm të shtetit dhe qytetarëve.

Në situatën e krijuar, për ndaljen e dialogut të pabarabart me Serbinë në Bruksel dhe parandalimin e shumë të këqijave të tjera, ekziston vetëm një zgjidhje; ajo është revolta e përgjithshme popullore, padëgjueshmëria qytetare ndaj insitucioneve të korruptuara deri të bllokimi i tërësishëm i jetës institucionale.

Ata që mendojnë të presin fundin e mandatit të kësaj qeverie, për përmbysjen e këtyre strukturave kriminale dhe korruptive me votë të "lirë", do të zhgënjehen akoma më keq, ngase deri atëherë, këta liderë të korruptuar, do ta rëndojnë akoma më shumë jetën e qytetarëve, do ta ngulfatin vullnetin e shumicës shqiptare, përmes dialogut të Brukselit, ku përveq Zajednicës do ta degradojnë akoma më tepër sovranitetin e shtetit me tkurrjen territoriale të vendit.

Pra, sikurse pushtetarët e mëparshëm, edhe këta të sotmit nuk janë më të mirë  sa u përket interesave të shtetit dhe qytetarëve të vendit.

Pra, të keqen këtij vendi ia kanë sjellur të gjithë politikanët pa dallim pozitë dhe opozitë, kush më shumë e kush tjetër më pak, të gjithë së bashku janë shndërruar në shkatërrues të shtetit dhe thyerës të shpresave të qytetarëve për jetë në vendin e tyre.




(Vota: 0)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora