E diele, 10.11.2024, 05:59 PM (GMT)

Kulturë

"Reformat" e Pangos ngrijnë institucionet

E enjte, 11.09.2008, 12:48 PM


Ministri Ylli Pango, i përkushtuar së fundi në nxjerrjen e shifrave që dëshmojnë sukses të madh në turizmin shqiptar, ka thënë vetëm një fjali për reformën: "I sugjerojmë përfaqësuesve të Sindikatës së Artistëve të kenë durim dhe të mos nxitohen të bëjnë peticione dhe deklarata për drafte ende të papërfunduara". Edhe kjo nëpërmjet postës elektronike nga zyra e shtypit pranë MTKRS-së
 
Anisa Ymeri
 
Në emër të reformës mund edhe të çreformohet. Së paku Pango dhe ministria që ai drejton, pra "kupola e kulturës", i kanë dhënë provat se mund të ndodhë edhe kështu. Ylli Pango vetëm vendos dhe janë misionarët e tij ata që mbajnë peshën e reformës institucionale. E që prej kohës kur mbinë idetë për reformën institucionale në institucionet e kulturës sonë kombëtare, gjithçka në këto institucione është paralizuar. Dy epiqendrat e mëdha të "ngrirjes" të jetës artistike janë Teatri Kombëtar dhe Teatri i Operas dhe Baletit. Arsyeja?! Reforma krejtësisht e papranueshme për drejtuesit e institucioneve dhe sidomos për komunitetin artistik të këtyre dy institucioneve kombëtare. Por ç'po ndodh në nisje të këtij sezoni artistik në TK dhe TKOB?!
Mjerisht asgjë! E këtë e konformon, jo vetëm gjendja e mjerueshme e këtyre skenave, që prisnin gjallërinë e sezonit të ri. Por edhe drejtuesit e institucioneve që gjenden përballë një ngërçi të madh e që e kanë të vështirë të shohin shpëtim. Vetëm se detyra ju kërkon të thonë, si drejtorit të TK-së, Kristaq Skramit se, "është një moment kritik, por që shpresojmë të gjejmë gjuhën e përbashkët me ministrinë për të miratuar qoftë edhe një prej projekteve që janë paraqitur, që të nisë punën për t'u ngjitur në skenë". Gjithçka për faktin e thjeshtë se në sajë të kësaj reforme, Bordi Artistik i cili vendos për repertorin e këtyre dy institucioneve, është inekzistent.
Sipas projekt-studimit të reformës institucionale, bordi duhet të përbëhet nga 6 persona, të cilët i vendos ministria (ministri) e anëtari i shtatë është drejtori i TK/ TKOB. Kjo pikë absurde e këtij drafti është kundërshtuar nga komuniteti artistik, e sigurisht edhe nga drejtorët, të cilët nëse do të qe kështu, nuk kanë asgjë në dorë në miratimin e Bordit Artistik të institucioneve të tyre. Mirëpo ky është një handikap që ka mbetur në letër, e që mund shpejt të bëhet faktik dhe pse të gjithë e kanë kundërshtuar.
Gjendja aktuale është krejtësisht e papranueshme, pasi në këtë muaj, duhej të shfaqeshin në skenë premierat, por ajo që ndodh është që këto dy institucione, nuk kanë një kalendar të shfaqjeve. Ajo që pritet të ndodhë është asgjë më shumë se "të presin" që çreformimi i pagëzuar "reforma institucionale" të gjejë të mesmen e artë. Pra të plotësojë disa prej dëshirave të Pangos për të marrë në dorë frerët e gjithçkaje që varet nga firma e tij, dhe të lejojë artistët të ngjiten në skenë për të sjellë shfaqjet e sezonit të ri. Pakkush e di nëse do ndodhë kështu, por drejtuesit e institucioneve shpresojnë.
 
REFORMA
Për Ministrinë e Kulturës, reforma institucionale duket se është një kapitull i mbyllur me kohë dhe pse rezultati i saj është ngrirja e këtyre aktiviteteve. Këtë e dëshmon mospasja e repertorit, kalendarit të shjfaqjeve. Duke e lënë aktivitetin e tyre artistik vetëm në dorë të shfaqjeve sporadike në skenën e këtyre institucioneve, të marra me qira nga kompani private. Por nëse Teatri Kombëtar, sezonin që shkoi e mbylli me një bilanc pakëz pozitiv, për shkak të shfaqjeve cilësore që u ngjitën në skenë, si projekte që patën nisur kohë më parë, opera ishte një dështim i madh. Në gjashtë muaj, skenën e pa vetëm një premierë. "Berberi i Seviljes", e cila në kuadër të nismës së po kësaj reforme institucionale drejt teatrit repertor, bëri që një shfaqje të merrte më shumë se gjysmën e buxhetit të një viti. Edhe kjo e diktuar nga bordi i TKOB-së që asokohe kishte mbështetjen e plotë të ministrisë. Ndërsa në këtë shator e në vijim dritën e skenës do e shohin vetëm projekte të vogla, të cilat do të shërbejnë për të hedhur "hi syve" se reforma po nis të funksionojë.
Ndërsa ministri i Kulturës, Ylli Pango gjithçka bën në këtë gjendje për të cilën nuk mund të mos jetë në dijeni, flet për suksesin e madh që ka pasur ministria që ai drejton në rritjen e numrit të turistëve këtë vit. Statistikat e tij janë dëshmi se Shqipëria ka "bërë namin" në thithjen e tyre këtë vit, e kjo falë spoteve në rrjetet televizive ndërkombëtare. Spote të cilat gati askush s'ka pasur guximin të thotë se ishin dështimi i rradhës për thithjen e turistëve. E përkundër publikimit të shifrave që trumbetohen si sukses për numrin e turistëve, ministri Pango e ka vështirë të flasë për kulturën. Sepse Pango është mësuar të dalë para mediave për t'ju rrëfeyer shqiptarëve arritjet e mëdha, e për kulturën ai së paku me heshtjen e tij tregon se s'ka asnjë. Sepse Pango flet vetëm për vepra të mëdha që mbajnë firmën e tij, siç qenë milionat e rikonstruksionit të Piramidës, e që tani punimet janë pezulluar. Sepse Pango nuk pëlqen të dëshmojë që monumentet e kulturës, pavarësisht se thuhet se janë dhënë shumë fonde për t'u restauruar, janë drejt degradimit.
E dëshmia tjetër, ajo që kemi para syve tanë tani teksa përshkojmë rrugët e kryeqytetit, janë afishet e munguara apo posterat që lajmërojnë për shfaqjet e rradhës në këtë sezon të ri artistit të Teatrit e Operas. Por zëri i artistëve edhe këtë herë ka rënë në vesh të shurdhër, duke dëshmuar se e vetmja gjë që mund të bëjë shteti për punën e tyre është kjo heshtje për këtë ngërç të krijuar prej muajsh.
 
NISMA
Ndonëse gjithçka nisi shumë muaj më parë, vërejtjet e fundit për refrormën institucionale të ndërmarrë nga MTKRS-ja mbajnë datën 10 korrik. I janë drejtuar ministrit të Kulturës, Ylli Pango për Studim-Draftin për Reformën Ligjore dhe Institucionale, që u përgatit nga grupi i dytë i punës ngritur brenda pak muajsh. Mund të cilësohen edhe si "guri i fundit" që artistët duket se mund të vënë në lëvizje për këtë reformë, e cila që në fillimin e saj ka ndeshur vetëm në kundërshti. Artistët, pra kryesisht aktorët e Teatrit Kombëtar dhe të Operas kanë ngritur zërin jo pak përgjatë këtyre muajve, duke kundërshtuar jo pak pika të kësaj reforme. Por ministri asnjëherë nuk ka dalë në ballë të kësaj reforme dhe fjalët e vetme që ka thënë janë nëpërmjet njoftimeve elektronike nga zyra e shtypit pranë MTKRS-së. Në korrik, kur debati ishte ende tepër i ndezur, në njoftimin e zyrës së shtypit theksohej: "Ministri është duke e shqyrtuar draftin, të cilin e theksojmë është ende draft, dhe ende se ka dhënë mendimin për të". Nuk dihet ende nëse tani ky draft ka një firmë të Pangos në të, pasi informacioni zor rrjedh nga MTKRS-ja dhe ata që janë përgjegjës për reformat e kanë thënë fjalën e tyre me kohë.
Kështu, Flamur Shehu, drejtor i kabinetit të Pangos, të cilit ju besua edhe drejtimi i grupit të punës që hartoi studim-draftin, është shprehur asokohe se, "ajo tanimë është diçka e përfunduar, palët kanë rënë dakord dhe drejtuesit kanë firmosur". Por firma që mungon për ta përmbushur këtë mision të lançuar që në krye të herës është ajo e ministit Pango.
Drejtori i TKOB-së, Zhani Ciko, i cili pak ka dalë në ballë të kësaj reforme, por kurdoherë ka mbajtur qëndrim, shprehet se, "jemi takuar me grupin e punës të këtij studim-drafti dhe kemi rënë dakord për parimet bazë, në vija të përgjithshme dhe pse ka shumçka për tu sqaruar ende". Mobilizimi i komunitetit artistik në këtë çështje ka qenë tejet i dukshëm, çka solli edhe ngritjen e një tjetër grupi pune për hartimin e një projekti të ri që ndryshon së tepërmi nga ai i pari. Megjithatë situata kaotike vazhdon.
Por ndërsa tani askush s'mund të thotë asgjë se çfarë po ndodh, pasi skenat bosh e dëshmojnë mjerimin, në korrik, drejtori i TKOB, Zhani Ciko shprehej: "Jemi takuar me grupin e punës të këtij studim-drafti dhe kemi rënë dakord për parimet bazë, në vija të përgjithshme dhe pse ka shumçka për t'u sqaruar ende, nuk ka asgjë më të pazgjidhshme". Ai vijon duke thënë: "Ne presim vetëm që ky draft të nisë të zbatohet, dhe të gjithë të vijojmë punën normalisht". Por asgjë e këtillë nuk po ndodh! Reforma as po zbatohet dhe as po hidhet poshtë. E kush e di për sa kohë do vijojë të jetë kështu.



(Vota: 0)

Komentoni
Komenti:

Video

Qazim Menxhiqi: Niset trimi për kurbet


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora