E marte, 12.11.2019, 09:14 AM (GMT)

Kulturë » Kinema

Ermela Teli

E enjte, 09.03.2006, 08:01 PM


Ermela Teli të luftosh për të qenë aktore

Admirina PEÇI

Shanset e një artisteje të re.
Në filmin grek “Eduard” interpreton Natashën

Ermela Teli
Të jetosh si aktor në Shqipëri, ngjan si risk. Për një të ri, rruga deri në skenën e teatrit apo në një film është thuajse e pamundur. Ata kanë pak shanse dhe duhet të luftojnë shumë.
Ermela Teli është njëra nga aktoret e reja të teatrit dhe filmit shqiptar. Por duket se Ermelës i ka ndritur ylli. Pas filmit “Tirana viti zero” ajo e ka thyer kufirin e ashpër. Ka interpretuar në Teatrin Kombëtar krah aktorit Sulejman Pitarka në shfaqjen “Pjata prej druri”, në një projekt artistik në Maqedoni dhe së fundi në një film grek që sapo është xhiruar, një film mbi një personazh shqiptar, për një histori gati të pazakontë. Një film që pritet të ketë sukses në arenën ndërkombëtare.
Aty është Natasha, një vajzë dikur timide, që rebelohet. Për të dhe për udhën drejt kinemasë e teatrit Ermela flet në këtë intervistë dhënë për “Milosaon” menjëherë pas xhirimeve.
Jeni Natasha te një film i ri, i një regjisoreje greke, frymezuar nga nje ngjarje me protagonist shqiptar. Ç’është Natasha për Ermelën?
Është një personazh që nuk e kisha provuar deri më sot si karakter, një personazh që ruan një lloj ekuilibri në familje, ndoshta ngarkesa pozitive e saj. Jeton me një baba që është oficer, me një lloj pozite shumë të ngurtë ndaj familjes. Nuk ka një mardhënie pozitive, që të jetë shumë i afërt me fëmijët e tij. Kjo është dhe një nga arsyet pse djali që është protagonisti i këtij filmi ikën pa i thënë qëllimin e tij familjes. E vetmja që mban këtë sekret në shtëpi është Natasha, e cila në një moment del mbi babain, sepse personazhi kryesor, vëllai i saj Eduardi, denoncohet nga vetë babai.
Ajo del jashtë dhe shkon e takon fshehurazi atë, në burg, për t’i qëndruar afër emocionalisht dhe për ta ndihmuar për problemet që ai mund të ketë. Mbi të gjitha për të zbuluar sekretin se çfarë i ka ndodhur në Athinë (Greqi).
Eshtë një performancë që unë nuk e kam jetuar në jetën time, pra në këto parametra. Megjithatë çdo aktor ka mundësinë e tij profesionale të zbulojë ato pika që s’i ka jetuar dhe t’u veshë vërtetësinë. Eshtë një personazh shumë interesant. Më pëlqejnë këto kalime të befta, nga një fëmijë i ngurtë në një karakter të fortë, që në një moment të caktuar fjalën e fundit e thotë të parën.
Filmi “Eduard” është mbështetur në një histori reale. Një djalosh që kryen një vrasje në Greqi dhe ktheheht atje për tu dorëzuar. Përfundon i burgosur dhe ende jeton dënimin e tij. Si u kthye në film kjo histori?
Them se filmi ka një skenar shumë korrekt nga ana dramaturgjike, gjë që këtu në Shqipëri mungon. Unë mendoj se është pika kyçe për një aktor sado i talentuar qoftë ai. Rruga për te personazhi duhet të jetë e shtruar mirë, i shkruar korrekt, sepse çdo gjë që për të do të ishte e paqartë do të shkatërronte gjithë diagramën e aktorit. Dhe në këtë pikëpamje unë jam e kënaqur sepse nuk kam patur asnjë lloj pikëpyetje, gjërat kanë qenë shumë të qarta dhe kjo ka qenë një ndihmë shumë e madhe në punë.
Është pak e çuditshme sepse Angeliki edhe pse një regjisore e huaj është njohëse shumë e mirë e karakterit të shqiptarëve. Për të bërë këtë film, personazhin kryesor, që është gjallë në të vërtetë dhe është në burg aktualisht, e ka intervistuar për një kohë të gjatë. Ka njohur jetën e tij, ka studiuar mirë skenarin, ka mësuar dhe pak shqip, për të kuptuar në të vërtetë se çfarë ndodh me një shqiptar në kushte të tilla. Mendoj se është një film që ka premisa të mëdha si në kuadrin e prezantimit të tij në Shqipëri por edhe jashtë. Për më tepër ka bërë diçka shumë interesante. Ka mbledhur një kast aktorësh të zgjedhur siç është rasti i aktorit nga Gjermania, Andre Henik, që është një aktor i kalibrit botëror.
Po ju, si u bëtë pjesë e këtij kasti?
Ka qenë shumë e rastësishme. Regjisorja kishte parë filmin “Tirana viti zero”, kur u vlerësua me çmim në Festivalin e Selanikut. Dhe kishte shfaqur shumë interes. Më vonë kur ka ardhur në Shqipëri më ka takuar shumë rastësisht. Bëra një kinoprovë dhe jam lajmëruar pastaj pas shumë kohësh. Ajo kishte provuar gati 300 aktorë për rolet e para siç është, Eduardi, Natasha etj. Për mua ishte një rast shumë i mirë dhe jam ndier shumë euforike në momentin e parë që më caktuan Natashën si personazh. Tani ka ardhur faza e vështirësisë sepse ajo ishte larg unë isha në Shqipëri dhe kam pasur nevojë që herë pas here të komunikoja për punën time personale për personazhin, rol që fatmirësisht erdhi në formën e duhur dhe erdhi organikisht. Më pëlqen shumë.
Aktorët që luajnë në këtë film janë shprehur se ditët e xhirimeve në Këlcyerë dhe Përmet kanë qenë të paharrueshme. Si i përjetuat?
Në Shqipëri ka patur gjithmonë dhe vazhdon të ektë probleme patetike, edhe pse viti shënon 2006. Elementi i vetëm që të bën të mendosh pak me tolerancë për Shqipërinë është pozita gjegrafike që ka. Përmeti dhe Këlcyra ishin dy vende shumë të bukura. Nuk kisha patur kurrë rastin t’i shihja. Është një vend me natyrë të jashtëzakonshme ku një hije dekadence përzihet me natyrën e virgjër dhe njerëzit tejet xhentilë, shumë të gatshëm të të ndihmonin me çfarëdo lloj mundësie që ata kishin. Kam hasur shumë elementë bashkë që të bënin përshtypje.
Nuk ishte vetëm filmi i jashtëzakonshëm por ishin gjithë elementë që i bënë të mrekullueshme ato ditë xhirimesh atje. Artistët e huaj që janë pjesë e stafit të këtij filmi janë ndjerë të mahnitur nga kjo ofertë shumë humane e njerëzve që jetonin atje. Ishte një rast shumë i mirë për të kuptuar banorët e saj mikrobote. Sepse Shqipëria nuk duhet parë vetëm në Tiranë.
Kur mund të shfaqet në kinema filmi “Eduard”?
Xhirimet mbyllen në Greqi dhe them se shumë shpejt do ta shohim në kinema. Ritmi i këtij filmi ka qenë shumë i kapshëm. Nuk është film që siç ndodh gjithmonë, xhirohet dhe pastaj ndodhin pengesa. Gjërat kanë shkuar me një grafik të saktë. Dhe tani që po vjen dhe fundi i filmit, mendoj që nuk kam pasur shumë kohë ta shijoj gjithë këtë lloj atmosfere që na kanë dhënë xhirimet. Megjithatë shumë shpejt duke mbaruar filmi dhe duke hyrë në montazh kam përshtypjen se brenda këtij viti do të ketë premierën, një gjë që nuk ndodh me filmat tanë në përgjithësi.
Së fundi spektatori ju ka parë në tetaër në shfaqjen e regjisorit Gëzim Kame “Pjata prej druri”, në një rol i cili u vlerësua nga kritika dhe artistët e teatrit, sidomos në raport me aktorin Sulejman Pitarka. Si ishte eksperienca krah tij?
Teatri në Shqipëri ka akoma nevojë që të sjellë gjëra të reja. Nuk është vetëm elementi i ri, siç mund të jetë një aktor apo një aktore e re po ndoshta vetë tematika, që duhet trajtuar në teatër duhet të jetë pak më novatore. Njerëzit janë të tejngopur me fryëmn e teatrit tradicional. Kjo ishte një pjesë, afër realitetit shqiptar dhe kam përshtypjen se shumë njerëz e kanë ndjerë veten brenda asaj atmosfere. Në lidhje me personazhin tim them se jam ndjerë shumë me fat, një personazh kaq i gjerë dhe me pika të cilat tregonin një lloj pjekurie të personazhit. Nuk ishte thjesht një adoleshente, që sheh mamanë duke flirtuar po një vajzë të re që di ti perceptojë problemet që ndodhin e t’i nxjerrë në funksion të familjes dhe të saj.
Dhe në krye fare elementi kryesor ishte Sulejman Pitarka, që mudn të them ka qenë zot i asaj pjese. Për herë të parë kam kuptuar dhe jam bindur njëqind përqind tek vetja se teatri dhe filmi ka nevojë të fortë për një mjeshtëri artistike të atij niveli që zotëron Pitarka.
Mosha mesatre e aktorëve të tetarit Kombëtar është mjaft e lartë. Ç’do të thotë për një aktore të re si ju, rruga gjithmonë e vështirë për të mbërritur te ajo skenë. Ka ndodhur shpesh që një 40-45 vjeçare të luajë rolin e nëj 20 vjeçareje...
Eshtë joprofesionale kjo. Një 40 vjeçar nuk mund të luante rolin e një 20 vjeçari, pasi 20 vjeçari është absolutisht më i zhvilluar dhe ka një mënyrë të menduari shumë më të avancuar, i mësymur nga nëj botë tjetër informacioni dhe një tjetër ritmi që për ta përftuar atë. Ka ardhur koha t’u jepet shansi të gjithëve për të zhvilluar repertorin e tetarit, të paktën të jemi në një nivel me vendet e Ballkanit.
Pra kërkoni më shumë shanse?
Mund të them se si unë ka shumë aktorë të tjerë të rinj. Nëse u jepet shanci dhe ata do të kishin mundesinë për të treguar dhuntitë e tyre.Por është e vështirë sepse në Shqipëri është ndoshta mënyra e ngushtë e kënveshtrimit të gjërave. Njerëzit s’janë tolerantë dhe sidomos në pikëpamjen e artit.

Milosao



(Vota: 1)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora
PËLLUMB GORICA: MURET CIKLOPIKE QË SFIDOJNË SHEKUJT