E enjte, 01.10.2020, 09:20 AM (GMT+1)

Komente

Sokrat Habilaj: A nuk i vrasim poetët kështu?

E hene, 01.09.2008, 03:50 PM


Sokrat Habilaj
A nuk i vrasim poetët kështu?     

Shkruar nga Sokrat Habilaj    

Thuajse dyzetë vite më parë, kur Sidni Polak, (Sydney Pollack) realizonte një nga filmat më të mirë të tij dhe jo vetëm të tij, “A nuk i vrasin edhe kuajt kështu?”, Shqipëria ishte në kulmin e vrasjeve, dhunimeve, përdhosjeve, masakrimeve, poshtërimeve dhe përbaltjeve të vlerave. E mbërthyer në një situatë të tillë absurde, ajo çapitej s’dihej se për ku, mes kësaj lufte vërtet të çuditshme në “liri” dhe në “paqe”.

Bëmat e këqija të asaj kohe janë të panumërta, ashtu siç janë të panumërt ata, jeta e të cilëve u pre në mes dhe që do të mbeten përjetësisht në memorien kolektive të këtij populli si një peng, si një brengë, pse jo edhe si një skuqje turpërimi i pashlyeshëm.

Pa harruar askënd, thuhet shpesh se tri nga vdekjet më të dhimbshme të asaj kohe, tri nga vdekjet që rrinë si tri pika loti të ngrirë në fytyrën e këtij vendi, janë ato të tre poetëve, Vilson Blloshmi, Genc Leka dhe Havzi Nelaj. Vdekja e tyre merr përmasa vërtet të kobshme jo thjesht se ata ishin kundërshtarë të bindur të regjimit në fuqi, por më shumë nga fakti se ata ishin poetë. Disidenca e tyre nuk shpalosej mes parullave, mes debateve politike, por vinte si një pëshpërimë e heshtur e shpirtit të tyre poetik. Të gjitha disidencat ndaj së keqes janë të mirëpritura nga ata që e duan lirinë dhe të mirën, por disidenca e tyre ishte shumë më e pafajshme, shumë më e paqortueshme. E pra edhe vrasjet e tyre nuk mund të krahasohet me asnjë vrasje tjetër.

Pas viteve nëntëdhjetë, rreth këtyre tri vdekjeve është folur më shumë se për çdo gjë tjetër, kur ka qenë fjala për krimet e regjimit komunist. Kanë folur ish-të persekutuar të cilët për disa çaste i kanë harruar plagët e tyre dhe fisnikërisht kanë ngritur supet me dhimbje, si të donin të thoshin, mirë me ne po me poetët ç’patën vallë? Kanë folur njerëz fare të thjeshtë që kurrë mund të mos kenë lexuar ndonjë poezi, po sidoqoftë e kanë kuptuar se ata që i thurin ato nuk i bëjnë keq askujt. Kanë folur dhe politikanë, a njerëz që ngjiten e zbresin nga tribuna duke u munduar të mbajnë mend edhe ndonjë varg të tyre për ta përdorur në fjalime, por ose nga pamundësia për të mbajtur mend një varg poetik, ose nga që ato nuk shkojnë sa duhet me fjalimet e tyre, vetëm janë munduar t’i mërmërisin nëpër buzë, ndërsa kanë përmendur emrat e tyre.

Ajo që evidentohet pas një pëshpëritjeje të pafund morti që vazhdon e vazhdon, jo vetëm nga ata që i kanë njohur, jo vetëm nga ata që kanë provuar mbi shpinë egërsinë e atij sistemi, po edhe nga brezi i lindur pas vitit nëntëdhjetë është ndjenja e fajit kolektiv për këtë akt makabër. Ky reflektim të krijon përshtypjen se ndoshta është një nga rastet e pakta, ku askush nuk kërkon të justifikohet, por edhe konkluzioni ndaj regjimit që lamë pas është unik për një pikë të veçantë. Ai sistem ishte më shumë se ç’njerëzor veç tjerash, sepse ai regjim vriste poetë. Pas kësaj duket se ka meditim të thellë, duket se janë nxjerrë mësimet e duhura në drejtim të trajtimit të kësaj kategorie elitare të inteligjencën së kombit, por fakti është se e gjitha kjo tingëllon... si një hipokrizi!

Në këto tetëmbëdhjetë vite, shumë lloje të artit kanë bërë ç’është e mundur për të mbijetuar, duke iu përshtatur kërkesave të kohës. Në këtë kuadër ka pasur përpjekje vërtet serioze ashtu siç ka pasur edhe largim nga vlerat e vërteta, por ajo që duhet thënë është fakti se në këto përpjekje, poezia dhe këtu është fjala për poezinë e vërtetë, duket pak më e tërhequr në trishtimin e saj. Kjo ndodh se ndryshe nga artet e tjera, veçanërisht me poezinë është vështirë të komercianilizohet, është e vështirë që ajo të ngjitet në tribunë dhe të tundë vithet. Thjesht është vështirë që ajo të shesë veten. Dhe, kjo ndodh se më shumë se të gjitha artet e tjera, ajo ka lidhje me ato ngarkesa emocionale të njeriut që nuk mund të shiten.

Në kushtet kur gjithçka duket e zhytur në zhurmë të pafund, të dëgjosh një mërmërimë, a thjesht një rënkim shpirti është më tepër se e pamundur. Po këtu nuk është fjala thjesht tek poezia, por tek ata që e pikojnë atë prej shpirtit të tyre, të cilët duken se janë në një harresë dhe indiferencë të vazhdueshme. Duket se ne jo thjesht jemi indiferent ndaj këtij grupimi, por kur na jepet rasti që ata duhen vlerësuar, jo vetëm që nuk e bëjmë këtë gjë, por përkundrazi, ndaj tyre, herë në mënyrë të drejtpërdrejt e herë në mënyrë të kamufluar, jo vetëm që mungon dashamirësia dhe ngrohtësia, por shpesh ata shigjetohen dhe për këtë mund të sillen shembuj.

A nuk e keni venë re se ç’ndodh edhe me shkrimtarin tonë të madh Ismail Kadare? Sa herë që ai merr pjesë në ndonjë debat publik, gjë që ai e bën shpesh, anatemohet herë majtas e herë djathtas. Anatemohet në atë fushë ku ai vetë ndihet i fuqishëm dhe ata që mundohen ta përbaltin as që mund të përafrohen me vlerat e tij. Kur duan ta sulmojnë i kujtojnë raportet me regjimin apo vepra si “Shqiponjat fluturojnë lart” dhe kur duan të thonë se ai ishte në oponencë me atë regjim i kujtojnë “Nëpunësin e pallatit të ëndrrave” etj., duke harruar se vepra e tij do të përmendet edhe kur ata që e përgojojnë tani do të jenë veçse ca gërma në një tabelë të vogël.
 
E njëjta gjë mund të thuhet edhe për Dritëro Agollin. Kur ai harron të përzihet me politikë, lihet si të thuash në heshtje, por kur e shohin se ai trazon edhe politikën, po ata anonimët majtas e djathtas, përpiqen të hyjnë në botën e tij poetike. Ka qenë shërbëtor dhe këngëtar i regjimit thonë, duke i kujtuar poemën “Nënë Shqipëri”, ndërsa disa të tjerë thonë se ai ka qenë krejt e kundërta duke kujtuar, “Zhurma e erërave të dikurshme” apo “Shkëlqimi dhe rënia e shokut Zylo”, ndërsa autori i tyre është një i vetëm dhe ka brenda vetes aq shumë dashuri për vendin e tij sa nuk kanë të marrë së bashku, të gjithë ata që i përgojojnë emrin.

Po edhe kur një poet hesht, ndaj tij ka një mjet po kaq agresiv për ta ulur sa të mundin artin e tij, për ta bërë të harrueshëm atë çka ka skalitur ai. Kjo armë e djallëzuar është indiferenca ndaj tij. U sulmua, u izolua nga regjimi i kaluar Fatos Arapi, po ai bëri vetëm art të vërtetë, ndërsa sot ai nuk luftohet, nuk izolohet, veçse duket që indiferenca e ka strukur atë dhe krijimtarinë e tij në një skutë harrese. Nga kjo indiferencë, brezi që e ka nisjen e vet pas vitit nëntëdhjetë zor se e shijon bukurinë e vargut të tij.

Poeti-dhimbje Frederik Reshpja, thonë se iku nga kjo botë pa marrë as pension sepse një nëpunëse e vogël e vënë nga shteti kur pyetej për këtë problem në kohën që poeti ishte gjallë shprehej: Po ai është krejt i marrë! Ajo nëpunëse e vogël nuk ka si ta kuptojë se krejt e marrë është vetë ajo dhe ca të tjerë rreth saj, jemi shumë nga ne, e ca mbi ne që i anashkalojnë vlerat dhe që fatmirësisht janë jashtë gardhit të çmendinës.

Ka tetëmbëdhjetë vite që poeti i ëmbël si Vjosa e tij dhe njeriu i mirë Qazim Shemaj endet gjithmonë i papunë. Për një kohë të gjatë mbajti me shpirt në dhemb gazetën “Drita”. Askujt nuk i shkon në mendje që mirësisë së tij t’i japë pak mirësi që do të thotë edhe një pune dhe asgjë më shumë. Thonë se kohët e fundit e kanë degdisur të jap mësim në një klasë me dyzetë-pesëdhjetë nxënës, ku vetëm për poezi nuk mund të flitet. Në kohën kur lloj-lloj tipash zbresin dhe ngjitin shkallët e posteve, atij nuk i zgjatet dora thjesht se ai bën herezi duke nxjerrë nga shpirti poezi e ndodh që këto poezi kanë dhimbje. Ndoshta kjo nuk shkon me ambientin tonë aq gazmor.

Po edhe kur qeveritë që venë e vijnë, i afrojnë poetët ky afrim duket i dyshimtë ose më saktë, kur i kanë afruar si në heshtje u kanë kërkuar të heqin dorë nga arti i tyre. Këtë ndoshta nuk e kanë thënë kaq troç, po ambientet ku i kanë ftuar kanë qenë tepër mbytëse për artin e tyre të brishtë. Ju kujtojmë se kanë qenë deputetë poetë të tillë të spikatur si Faslli Haliti, Bardhyl Londo apo Visar Zhiti. Ata trokitën në portën e atij që quhet tempulli i demokracisë, të bindur se atje duhej edhe nervi i tyre poetik për ta bërë politikën, pse jo edhe pak poetike, po kur e panë se gjithçka tjetër mund të bëhej po kjo kurrë, ikën të zhgënjyer drejt artit të tyre. Dhe faqet e gazetave mbushen me britmat dhe sharjeve të kolegëve të tyre, ndërsa nuk ka asnjë rresht prej tyre, sepse ata nuk fyejnë, nuk shajnë, nuk e ngrenë zërin. Ata thjesht bëjnë art poetik që duket si jashtë kohës që jetojmë.

Po nuk janë të vetmet raste këto që përmendëm për të vërtetuar konkluzionin se shoqëria jonë akoma nuk është emancipuar, akoma nuk ka dalë nga kazerma e ashpërsisë dhe indiferencës ndaj vlerave që asaj i bëjnë nder. Sot ka disa poetë të rinj që janë vërtet të talentuar. Ata shkruajnë poezi si të thuash për qejf të tyre, duke u hallakatur sa andej këtej në kërkim të një pune. Mund të ndodh që dikush të gjejë një punë, po unë jam i bindur se askush nuk mund ta gjejë këtë punë thjesht për faktin se veç të tjerash ai është poet.

Ky vend ka plotë halle, po ne duhet të gjejmë kohën e duhur për të mos harruar edhe ata që dje me sakrificën e tyre i dhanë një rast më shumë dhe krejt të pakrahasueshëm gjykimit tonë ndaj regjimit që iku. Koha nga vijmë shumica jonë, vriste ëndrra dhe pastaj të linte si një kufomë me tru të shpëlarë të endeshe pas ritmit të saj. Ajo kohë vriste edhe njerëz. Koha që jetojmë nuk vret as ëndrra as njerëz, po nuk mjafton vetëm kaq. Nuk mjafton se mund të ndodhë që ndërsa është mbyllur kapitulli i vrasjes së ëndrrave dhe njerëzve, të lihesh i qetë duke u endur kuturu, ti me gjithë ëndrrën tënde derisa të tretesh si një dru i tharë.

Që të mos ndodhë kjo, poetët dhe arti i tyre poetik të cilët më shumë se kushdo tjetër janë një ëndërr shpesh e trishtë, kanë nevojë për më shumë kujdes. Dhe këtë kujdes duhet ta kenë në radhë të parë ata që i kanë gjërat në dorë, por edhe gjithë shoqëria. Pushtetarë dhe njerëz të thjeshtë, barktharë dhe të ngopur, matrapazë dhe idealistë, hajdutë dhe të ndershëm, ende pa u bërë të tillë, sa mësojnë dy fjalët e para në jetë, kanë aq shumë dëshirë që ato t’i thonë në trajtë të rimuar, pra poetikisht, por edhe kur ikin nga kjo botë duan që dikush t’u thotë tek koka dy fjalë të rimuara. E meqenëse ndodh kështu nuk duhet të neglizhojmë që shpesh të kujtojmë edhe ata që këto rima i kanë muzikë të shpirtit të tyre.



(Vota: 0)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora