Kulturë
Kadri Kadiu: Për poetin Meti Fidani
E premte, 09.06.2017, 06:54 PM
Kadri Kadiu
PËR POETIN METI FIDANI
(Marrë nga Libri " Dheu që dhemb")
Në Librin tim "Mall e Dashuri", kam shkruar dhe për Poetin e talentuar por të shumëvuajtur devollit, Meti Fidanin. Metin nuk e lanë të vazhdonte shkollën në Universitet por nuk e ndaluan dot që edhe në kampe internimi dhe në kantiere ndërtimi ai të bëhej poet. E dua aq shumë Metin, si njeri e si poet, sa që edhe këtë Libër dua ta stolis me një poezi të tij, të titulluar "Ç'pate Nënë që më bëre", duke shtuar dhe një koment timin modest.
Ja poezia e Metit:
"Pse më bëre, ç'pate nënë
I dënuar paskam qenë
Pse s'më flake në hendeqe
Më dhe rrugën me orteqe
Sa më linde mora dhenë
Zvarrë çapita Myzeqenë
Një kolopuç i internuar
Pse më bëre moj e uruar
Pse më bëre që të vuaj
Më dhe penën që të shkruaj
Ëndrrat e bukura fëmijërore
Vargje qëndisa në fletore
Mbusha libra, poezira
I recitova sa u ngjira
Një ditë katilët u mblodhën
Poezitë në kosh m'i hodhën
Desh Partia t'iu verë zjarrë
Hëngra breshërin' e parë
Më dhe rrugët moj kërcure
Çantë hallesh mbi sup më vure
Nëpër vepra jetim jam rritur
S'lashë shkollë pa trokitur
Tok me 10-tat portën shtynja
Por s'më linin që të hynja
Shtynja,shtynja dhe s'e dija
Prapa portës ish biografia
Portën s'ma hapi laneti
Mbeta lypsar te fakulteti
Si Luli i vocërr nëpër mure
Pse më bëre moj kërcure
Ky kurbeti ç'paska qenë
Pse më bëre, ç'pate nënë
Ngjitu zbritu nëpër skela
Çarë duart thela-thela
Thyer brinjë e thyer këmbë
Më dolli shpirti ndër dhëmbë
Ka të liga, ka të mira
Ka në botë plot trazira
Sa herë fishkëllen një frenë
Bobo, djemtë ku do jenë
Më shtrydhi, më ha meraku
Gjersa vijnë, pa pikë gjaku
Kanë makina e motorë
Gdhihem me zemër në dorë
Janë të rinj iu merr koka erë
Shpesh i bien shkurt e prerë
I kam të ëmbël si mjalti
I kam unë s'i ka asfalti
E në fjetsha si kukudhi
Më del në ëndër i paudhi
Ç'është kjo jetë me kusure?
Pse më bëre moj kërcure?
......
Po ç'them kështu, s'më ka lezet
Jam i pari, jam si mbret
Kur kam shpirtin e gëzuar
Me djem e nuse i rrethuar
S'ka si unë, jam i tëri
Ndrittë nëneja që më bëri".
.....
Dhe unë i përgjigjem Metit:
Po ç'po thua more Met
I paarritshmi poet
E dimë, ke hequr hukubet
Po nëna të kish me kimet
Ti je mbreti i poezisë
Lum ajo nënë që të dha sisë
Ti je nderi i Devollit
Shkon në gjurmët e Agollit