E merkure, 13.11.2019, 03:00 AM (GMT)

Plus » Historia

8 gusht, Enver Hoxha rrëzon Shqipërinë e Madhe etnike dhe marrëveshjen e Mukjes

E enjte, 31.08.2006, 04:02 PM


DRITAN KICI

Në Mukje Ymer Dishnica, në krye të delegacionit të Partisë Komuniste, në bisedime me të deleguarit e Ballit Kombëtar mendonte se kish bërë përparime të mëdha për sa i përket bashkimit mes dy formacioneve politiko-ushtarake. Nga ana tjetër, Enver Hoxha dhe udhëheqja e lartë e PK-së nuk ishin të të njëjtit mendim. Marrëveshja e Mukjes kish nxjerrë në pah vetëm tezën nacionaliste, duke anashkaluar luftën që deri në atë moment ish bërë në Shqipëri. Komunistët ndjeheshin të rrezikuar nga kjo tezë për dy arsye. E para ishte sepse Shqipëria etnike nuk kish qenë asnjëherë në objektivin e Partisë Komuniste, për shkak të një irealizmi politik që mbante në vetvete dhe e dyta, sepse me nxjerrjen në pah vetëm të tezës së bashkimit kombëtar, ideja e krijimit të një “Shqipërie të re” do të shkrihej shpejt si bora në pranverë.

Megjithse delegacioni komunist kish marë gjithë orientimet e duhura për të arritur një marrëveshje të kënaqëshme dy palëshe, duket se Ymer Dishnica ndjehej i paaftë për t’ju kundërvënë logjikës patriotike të Ballit.

Enver Hoxha, në qarkoren e lëshuar më 8 gusht 1943 dhe në letrën e drejtuar Ymer Dishnicës më 9 gusht, ku dënon marrëveshjen e arritur mes dy delegacioneve në Mukje, ndjehet i trembur disi nga efekti, që “lajmi i mirë i bashkimit” do të kishte në popull. Me kalimin e muajve, komunistët kishin shtuar së tepërmi influencën e tyre në popull dhe kjo e bënte udhëheqësin komunist disi të sigurt në vetminë e tij.

Qarkorja është i pari dokument, ku Enver Hoxha është haptazi i shqetësuar për pushtetin e ardhshëm. “…se “Balli” po mobilizohet për kolltuk”. Është habi, që mund të flitet që në këtë kohë për pushtetin e ardhëshëm, por në një farë mënyre flet dhe për mirëinformimin e komunistëve për situatën ndërkombëtare dhe se shpejt lufta do të merrte fund. Nga ana tjetër, Balli dhe krerët e tij, që kishin qenë paria e Shqipërisë para lufte, nuk mendonin se do t’ju duhej të ndanin pushtetin me komunistët.

Enver Hoxha, me këtë qarkore fillon propagandën e vërtetë kundër Ballit dhe formacioneve të tij ushtarake, duke i akuzuar për herë të parë, ndonëse shkarazi, për bashkëpunim me pushtuesin dhe për vrasje të komunistëve. Aktualisht në terren nuk kish ndryshuar ndonjë gjë e madhe, por kish nisur të zbehej lavdia e komunistëve dhe partisë së tyre.

QARKORE, NE LIDHJE ME DENIMIN E MARREVESHJES SE MUKJES

8 gusht 1943

Të dashur shokë,

Lajmërohemi se ju është dërguar nga Tirana një trakt për t'u shpërndarë, i firmuar prej “Komitetit për Shpëtimin e Shqipërisë”, ku flitet për bashkimin e plotë të arritur në mes të Këshillit Nacional-Çlirimtar dhe “Ballit Kombëtar”. Ky trakt është në kundërshtim me vijën nacional-çlirimtare dhe dezaprovohet nga KQ i Partisë, prandaj, në rast se nuk e keni shpërndarë, çirreni dhe të mos flitet më; në rast se “Balli” ju kërkon shpjegime për këtë gjë, i thoni se duhet të realizohet një bashkim konkret në terrenin tuaj: një herë, të pushojnë luftën kundër lëvizjes n.-çl., të ndalojnë propagandën antikomuniste dhe kundër Partisë sonë, të spastrojnë radhët nga kriminelët dhe agjentët e fashizmit, të deklarohen haptazi dhe me fakte kundër fashizmit, siç bëjnë aleatët tanë Angli-URSS-Amerikë dhe pastaj mund të mbërrijmë në të tilla konkluzione. Në rast se trakti është shpërndarë nga ju ose nga “Balli”, atëherë nënvleftësojeni, thoni se puna është të luftojmë me të vërtetë kundër okupatorit dhe për një Shqipëri demokratike, e jo për të firmuar letra që “Balli” deri tani i ka kundërshtuar dhe vazhdon t'i kundërshtojë haptazi me veprat e tija. Insistoni në popull mbi faktin se “Balli” ka sabotuar luftën tonë dhe po vazhdon ta sabotojë. Përmendni në konferenca dhe komunikata sabotimet dhe tradhëtitë që po bën “Balli” me fakte. Kjo nuk duhet bërë në formë lufte të hapët, por në formë apeli, për të hequr dorë nga këto gjëra që shkaktojnë përçarje dhe vëllavrasje. Kjo duhet të shërbejë për demaskimin e “Ballit” në popull dhe sidomos të krerëve të tij, kjo duhet të shërbejë, për ta ndarë atë element të mirë që mund të ketë në “Ballin” nga “Balli” dhe sidomos për ta ndarë “Ballin” nga populli.

Duhet shokë, të kuptojmë se “Balli” po mobilizohet për kolltuk, për të na luftuar, prandaj ne duhet të kemi kujdes të forcojmë radhët tona, të mobilizojmë popullin rreth nesh dhe të mos e lëmë reaksionin të na godasë dhe të na marrë frenat nga duart.

Qëndrimi ynë me “Ballin” është ai i pari. Jo bashkim për bashkim, se kështu i bëjmë varrin bashkimit, por bashkim me baza të shëndosha, d.m.th. pasi të bëjnë një rishikim të politikës së tyre, pasi të dënojnë politikën e tyre të mëparshme të gabuar dhe pasi të hyjnë në luftë.

Për këtë gjë, shokë, duhet të mobilizoni organizatën e tërë, t'i sqaroni shokët politikisht si duhet, të mobilizoni këshillat dhe miqtë. Agjitacioni ynë duhet ta mbulojë dhjetë herë atë të “Ballit”. Shokë, situata po ecën me hapa të shpejta, nuk

duhet të na zërë gjumi në rrugë. Për të përballuar situatën, për të qenë kaluar mbi të, duhet të forcojmë organizatën mirë.

Kini kujdes, shokë, të kontrolloni dhe të ndihmoni celulat, që kështu të jenë me të vërtetë në lartësinë e duhur; kini kujdes të rregulloni grupet edukative, të rregulloni punën me simpatizantët dhe me miqtë, kini kujdes të forconi këshillat, t'i shtini në punë, forconi organizatën në Ushtrinë N.-ÇI. (pa organizatë të Partisë në çeta s'ka Luftë nacional-çlirimtare). Por mos harroni t'i vini rëndësinë më të madhe forcimit të ushtrisë sonë, ta bëni luftëtare në kulm, ta pajisni mirë me armë.

Ndihmoni organizatën e rinisë dhe organizatën e gruas, vini rëndësi mobilizimit politik dhe ushtarak të rinisë, që është forca jonë më e gjallë.

Direktivat, përsa i përket vijës politike që po ju komunikojmë, transmetojani mirë dhe organizatës së rinisë.

Ju, shokë, e kuptoni vetë se për të kryer të tilla detyra duhen kuadro, dhe kuadro të shëndosha. Partia jonë është Partia e punëtorëve, Partia e popullit që punon, prandaj duhen nxjerrë kuadro të formuara mirë nga këta. Por duhet të punojmë për një gjë të tillë dhe jo të kufizohemi të lavdërojmë punëtorinë.

Shokë, ndajini mirë detyrat, ngarkojini mirë shokët me përgjegjësinë e duhur dhe përvishjuni punës. Ne e masim punën me rezultatet, prandaj, shokë, i presim këto sa më shpejt. Partia jonë është Parti masash dhe ka si objektiv që të jetë udhëheqësja e vërtetë e popullit shqiptar për fitoren e indipendencës së tij dhe të të drejtave të tija. Duhet këtë gjë ta kemi parasysh, kjo gjë duhet t'ju prijë dhe me këtë duhet t'i matni rezultatet.

Të fala shoqërore

për Komitetin Qendror të PKSH

Shpati

YMER DISHNICES

9 gusht 1943

Shafingo,Për traktin që na dërgon Hyseni, ti nuk na kishe vënë në dijeni më parë, këtë gjë nuk mund ta kuptojmë, dhe ti kurdoherë na vë para një “fait accompli”(fakt i kryer); nuk na lajmërove që më parë për hedhjen e traktit, për përmbajtjen e tij dhe të na kërkoje mendimin tonë për një gjë të tillë me kaq rëndësi historike. Në Labinot të ishte thënë, si ty ashtu dhe Tafarit(Mustafa Gjinishi), se kompetenca juaj nuk shkonte deri në këtë pikë (nuk zgjatem mbi këtë gjë, se ju e dini fare mirë deri ku ishit kompetentë, dhe s'ju ishte penguar iniciativa, por një iniciativë kurdoherë në favor të Partisë dhe jo në dëm të saj). Ju vetëm duhet të bisedonit me “Ballin”, ta shtynit për një bashkim konkret me ne; por ky bashkim nuk kryhet në tryezë, por në terren, në luftë. Ju ishin caktuar gjithashtu pikat, mbi të cilat duhet të bisedonit dhe të konkludonit (shih edhe letrën e datës 6.8.43). Ti ke rënë kokë e këmbë në pozitat e “Ballit” me këtë trakt, ku flitet për Shqipërinë etnike dhe ku nuk flitet aspak për luftën kundër fashizmit dhe për luftën tonë. Asnjë fjalë nuk ka në trakt për Partinë Komuniste. Bashkimin e keni bërë me kondita pariteti në mes të “Ballit”, që është një organizatë me një numër të kufizuar njerëzish, dhe Këshillit Nacional-Çlirimtar që përfaqëson Frontin Antifashist të popullit. Me këtë trakt ju pranoni t'i hidhet një perde tërë së kaluarës dhe së tashmes së fëlliqur të “Ballit” dhe ja hapni dyert, që të hyjë triumfalisht në histori. Prandaj ky trakt, i cili shkel kryekëput vijën tonë politike, dënohet nga Komiteti Qendror.

Duhet të kuptosh se “Balli”, si dhe të gjithë oportunistët e tjerë, sot kanë nevojë të madhe për të kapërcyer me marifet të kaluarën; duhet të kuptosh se ata janë vërsulur me tërë forcat e tyre për të trashëguar fashizmin që po vdes (por që nuk ka vdekur akoma i thuaj Tafarit), për të marrë pushtetin dhe për të na larguar nga radha e parë, ku jemi sot, si dhe për të na dhënë shqelmin nesër; veçanërisht, kur konditat politike të jashtme po rrokullisen, ju nuk deklaroni luftën kundër fashizmit, por proklamoni indipendencën, kur okupatori është ende brenda, gjithashtu dhe Shqipërinë etnike, tezë që e mbron vetëm fashizmi dhe reaksioni.

Përsa thamë më lart, në qoftë se trakti nuk është shpërndarë, të mos shpërndahet në asnjë mënyrë, sepse ky trakt është një kapitullim komplet përpara “Ballit”. Me këtë trakt, ju keni fshirë këshillat nacional-çlirimtare, Shtabin dhe ushtrinë, që i ngritëm me aq gjak e sakrifica; ju zhdukët parullat, që dy vjet me radhë udhëhoqën dhe frymëzuan luftën e popullit tonë. Emri i “Komitetit për Shpëtimin e Shqipërisë” është krejt i gabuar, si në fond edhe në formë dhe letrat e tua, përsa u përket të katër pikave, janë në kontradiktë me pikat e traktit. Luftën tonë e futët në pellgun e “Ballit” dhe guxoni të vini në trakt emrin e “Ballit” përpara atij të Këshillit të ndërtuar me kufomat e shokëve tanë të vrarë nga fashizmi dhe nga “Balli”. Me hedhjen e traktit, ju keni krijuar një situatë të vështirë, prandaj mos u shtyni më tutje në bisedime dhe sidomos, mos konkludoni asnjë marrëveshje tjetër. Së shpejti Partia do të dërgojë një delegat tjetër.

Për Komitetin Qendror të Partisë

Enver Hoxha

Botohet, sipas kopjes 



(Vota: 0)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora
PËLLUMB GORICA: MURET CIKLOPIKE QË SFIDOJNË SHEKUJT