E premte, 26.04.2024, 08:10 AM (GMT+1)

Intervista

Alma Papamihali: Intervistë Ekskluzive me aktoren dhe këngëtaren e mirënjohur Maya Aliçkaj

E premte, 15.08.2008, 10:33 PM


Maya Aliçkaj
EKSKLUZIVE

"Guri i rëndë në vend të vet"

 

Intervistë me aktoren dhe këngëtaren e mirënjohur  Maya Aliçkaj

 

Nga Alma Papamihali - Zemra Shqiptare

 

"Maya nga Vlora, ose më saktë nga Dukati"...Kështu preferon të prezantohet këngëtarja e muzikës sonë popullore, e cila çdo ditë e më tepër, po lartësohet si një ndër këngëtaret më të preferuara shqiptare.

Pas përfundimit të shkollës së mesme të përgjithshme në Vlorë, ajo ka fituar audicionin e Akademisë së Arteve të Bukura në Tiranë, ku diplomohet si aktore. Me përfundimin e studimeve, nisin dhe angazhimet e saj profesionale, fillimisht si asistente pedagoge pranë Akademisë së Arteve të Bukura në Tiranë, gjatë kësaj periudhe edhe si asistente e regjizorit Rikard Ljarja, ku vendosin në skenë Lizistrat-en. Krahas asistimit me regjinë, ajo luan edhe një rol në këtë pjesë teatrale. Gjithashtu, ajo ka qenë edhe protagoniste në filmin Zemra e Nënës, me rolin e personazhit Ana.

Edhe ne Teatrin Kombëtar, nuk ka munguar interpretimi i saj në role të ndryshme.

Më pas, Maya largohet nga Shqipëria për në Gjermani, pas ftesës së një mikeshe gjermane, për të vizituar këtë vend. Por, nga një vizitë turistike, kjo ikje do të shënonte nje fazë të re te jetës se saj.

Fillon kështu në Gjermani një jetë tjetër, ku shpesh shumë gjëra i është dashur ti nisë edhe nga e para.

Studion në Universitetin e Wuppertalit për Histori- Filozofi. Gjithashtu, duke mos dashur të shkëputet nga profesioni i aktrimit, angazhohet gjatë kësaj periudhe në Gjermani, në Teatrin gjerman, ku luan role te ndryshme, si në Tic teatër, një rol në filmin Einzats fur Elrich, në programin televiziv RTL, etj.

Paralelisht me këto angazhime, gjatë këtyre viteve, ajo nuk mund të lerë pas dore, edhe këngën duke u gjendur në shumë koncerte të vendeve të ndryshme të Europës, si ne Gjermani, Austri, Zvicër, Hollandë, Bruksel, Londër, Itali, Greqi, etj. Ajo bëhet gjithashtu pjesë e një CD-je internacionale, të hedhur në treg në Gjermani, me këngë të këngëtareve nga vende të ndryshme. Në këtë CD, janë përfshirë edhe 4 këngë të saj në shqip.

Dëshira për të bërë një album me këngët e saj përmbledhëse, e risjell përsëri në Shqipëri, ku realizon dhe me sukses këtë dëshirë, me albumin e titulluar. "Lege Lege" dhe 3 videoklipet e realizuara me 3 këngë të këtij albumi, të cilat krijuan një lidhje të fortë me publikun, lidhje kjo që i shton dëshirën për të qëndruar në Shqipëri pranë këtij publiku, ku ajo vazhdon të jetë edhe sot e kësaj dite...

 

Së pari ju përshëndes dhe ju falënderoj për mundësimin e kësaj interviste.

Ju tashmë jeni ndër këngëtaret më të dashura dhe të mirëpritura të muzikës popullore shqiptare dhe veçanërisht të këngës vlonjate. Kam pasur mundësinë t’ju ndjek edhe në një koncert që keni dhënë direkt në qytetin tim këtu në Gjermani dhe të them të drejtën, mbresat kanë qenë të veçanta, jo vetëm për shkak të tonalitetit tuaj në një koncert live, por edhe për mënyrën e komunikimit me publikun.

Kur e kuptuat që ju i përkisni artit dhe veçanërisht këngës popullore, e cila do të zinte këtë vend kaq të rëndësishëm në jetën tuaj...

 

Së pari, ju falënderoj me zemër për këtë intervistë dhe përfitoj nga rasti të përshëndes gjithë lexuesit e sit-it tuaj. Që i përkisja artit, e kam ndier, jo kuptuar, që në fëmijëri. Që kur isha në kopësht e më vonë, mbaj mend që këndoja dhe recitoja përpara njerëzve. Gjatë gjithë viteve, deri sa kam mbaruar gjimnazin, kam marrë pjesë në të gjitha aktivitetet shkollore dhe jashtë saj, si me këngën  ashtu dhe me aktrimin. Por, pas gjimnazit, vendosa përfundimisht të bëhesha aktore dhe kjo dëshirë u mishërua me vazhdimin e Akademisë se Arteve në Tiranë.

Nganjëherë fati thjesht rrjedh... dhe për mua kështu rrodhi...

 

Them Artit, sepse përveçse një këngëtare shumë e mirë dhe e kompletuar, siç e thamë me lart, ju jeni edhe një aktore profesionale. Është një pyetje paksa e vështirë për t’u përgjigjur, megjithatë, mbase nuk do pyesja direkt kë do zgjidhnit mes aktrimit dhe këngës, por ...Në cilën prej tyre (aktrimit apo këngës) mendoni ta investoni në të ardhmen, kohen dhe punën tuaj...

 

Është vërtetë pyetje e vështirë për të zgjedhur mes tyre. Por duke patur parasysh, që unë jam një njeri praktik, i kushtoj për momentin më shumë rëndësi këngës, sepse ka më shumë publik sesa aktrimi, pra marr sadisfaksionin aq te nevojshëm, për çdo artist. Nevojshëm... kur them këtë gjë, më kuptoni... i referohem realitetit shqiptar sot. Por, dëshira ime është e njëjtë për të dyja njësoj, nëse do të ishin kushtet.

Pres me kënaqësi oferta në fushën e aktrimit dhe dëshiroj të kem mundësi kohore, që krahas këngës edhe të aktroj.

Një mundësi të tillë e kam humbur vetëm para pak kohësh, për një rol në Teatrin Kombëtar, pasi në ato momente isha totalisht e angazhuar me projekte muzikore.

 

Do doja të ndalemi pak gjerësisht tek kënga juaj e re...që momentalisht kemi pasur mundësinë ta ndjekim edhe nëpërmjet kanalit televiziv Folk +...Nuk është një surprizë kjo këngë dhe suksesi juaj i fundit, pasi tashmë artëdashësi shqiptar, e njeh fare mirë artisten Maya, e cila i jepet tërësisht këngës.

Nuk ka kaluar as nje javë, pas daljes së këngës suaj të fundit, Guri i rëndë në vend të vet ...dhe kjo këngë kaq domethënëse dhe aktuale për shqiptarët, që trajton temën e emigracionit, u shndërrua në një këngë hit. 

Ku është realizuar klipi dhe ç mund të na thoni diçka më shumë, edhe si kantautore...

 

''Aman aman o Shqipëri
nga dy pleq në çdo shtëpi
luten nënat në avlli
kthehuni o femijët e mi

 

Jemi Ilir dhe arianë
pse ta harrojmë vatanë
të zotët për të tjerë
mbetëm derë më derë...

 

Do ju coj një amanet
Guri i rëndë në vend të vet''

 

Shkëputur nga teksti i kënges ''Guri i rëndë ne vend të vet''

 

Po është e vërtetë. Kënga e fundit me sa po shoh, është pritur mjaft mirë nga publiku shqiptar dhe ky fakt më gëzon veçanërisht. Klipi është xhiruar në një vend shumë të veçantë, në Zvërnec të Vlorës, një vend ku ndërthuret aq bukur deti dhe mali, si dhe një buzë deti me një pamje fantastike.

Këtë vend e kisha zbuluar vet rastësisht dhe kisha kohë që e mendoja realizimin e klipit atje.

Është e vërtetë gjithashtu, që teksti dhe muzika janë të miat, ndërsa produksioni muzikor nga Adrian Hila.

 

Unë e kam ndjekur  kete klip me shumë kënaqesi dhe realizimi i tij është vërtetë fantastik.

 Isha kurioze...Çifti i prindërve që interpretojnë në këtë këngë, janë të afërmit, apo prindërit tuaj...

 

Po është e vërtetë...Dy personazhet në klip, janë prindërit e mi në shtëpinë e tyre, në Dukat.

Sinqerisht i falënderoj me zemër të dy prindërit e mi, veçanërisht mamanë time, që i kanë dhënë aq bukuri e fisnikëri klipit, si dy prindër të cilët mallin e fëmijëve në kurbet e përjetojnë çdo ditë.

Kjo këngë ka dalë vërtetë nga shpirti im, sepse çdo tingull të muzikës dhe çdo germë të tekstit unë e ndjej thellësisht mbi vitet e jetës sime të jetuara larg vendit, në Gjermani.

 

Ju përgëzoj edhe njëherë veçanërisht për këtë realizim dhe këtë krijimtari tuajën, edhe në emër të lexuesve 

duke ju uruar suksese në vazhdimësi...

 

Ju keni dhënë shfaqje në shumë vende të botës dhe ndjesia e artistit, është shumë e rëndësishme përballë publikut. Cilin publik do të veçojë Maya...

 

Publiku ka qenë gjithandej shumë i mirë dhe shumë i ngrohtë me mua. Do të veçoja koncertin e parë në Athinë, ku unë kisha vetëm 25 ditë që kisha dalë në ekran me albumin tim të parë “Lege Lege” dhe, kur prezantuesja i thotë publikut vetëm 2-3 fjalë të këngëve të mia, rreth 800 persona që ishin në sallë thanë njëzëri emrin tim dhe kënduan refrenin e këngës sime.

Por thjesht, në një mënyrë të përmbledhur, do të thosha se... publikun shqiptar nuk mund ta gjej askund tjetër.

 

Maratona e këngës popullore gjatë kësaj vere, organizuar nga televizioni Klan, ishte besoj një eksperiencë më shumë për ju, ku veçanërisht kënga popullore erdhi si në paradë, përpara publikut shqiptar.

Ç´mund të na thuash më shumë mbi një aktivitet të tillë...

 

Vet emri "maratonë", tregon që është një eksperiencë e lodhshme dhe e bukur. Por lodhjen na e ka kthyer në kënaqësi publiku, kudo që kemi qenë. Për këtë aktivitet, nuk i gjej dot fjalët për të shprehur kënaqësinë që kam ndier, në çdo rreth që kemi shkuar, pa përjashtim. Aty ndjeja direkt se sa më vlerësonin dhe më mbështesnin fansat e mi.

I falënderoj shumë të gjithë për pritjen e bërë, si dhe vlerësimet për këngën “Pikë Loti”, që unë e realizova enkas për këtë maratonë.

 

Albumi juaj "Lege, Lege", ka shënuar këngë, të cilat u shndërruan shumë shpejt në hite për publikun shqiptar. Por edhe këngët e mëpasshme si " Nuse do të bej në gusht", apo "Vajzat suljote", ishin një hap më tutje në karrierën tuaj muzikore...

Këto këngë janë përpunime me bazën e këngëve folklorike, apo këngë tërësisht të reja...

 

Tek albumi im i parë, 70 për qind e këngëve janë të reja, të krijuara nga unë dhe 30 për qind përpunime të marra nga tabani popullor. Për sa u përket dy këngëve të mëvonshme, “Nuse do të bëj në gusht”, me tekst e muzikë nga unë, ndërsa te kënga “Vajzat e Sulit”, muzika Maya, teksti nga Arben Duka.

Të gjitha këngët janë të punuara me mjeshtëri nga kompozitori i mirënjohur Adrian Hila.

 

Në repertorin tuaj, do vazhdojë të dominojë kënga popullore, apo rrjedha e tij do të marrë edhe në muzikën e lehtë...(Me gjithë se mua më duket sikur jeni e lindur për muzikën popullore)

 

Kam mundësi dhe dëshirë të këndoj edhe këngë të rrymave të tjera, por kjo sigurisht do kohën e vet, pasi për momentin e kam mësuar publikun me këngën popullore dhe ata më duan kështu sic jam paraqitur. Pra, në zgjedhje të tilla duhet shumë kujdes, duhet gjetur momenti i duhur, që edhe publiku sërish të jetë me ty, po aq fuqishëm sa me paraqitjen time me këngën popullore.

 

Ç’mund të na thoni për verën e sivjetme. Po pushoni ndopak, apo koha vazhdon të mbetet e kufizuar...

 

Më vjen shumë mirë që pata kohë të jap këtë intervistë për ju.

(Qesh) Kjo ishte koha ime e lirë.

Kohën e lirë e kaloj me intervista

 

Pra paskemi qenë edhe ne të privilegjuar...(qesh)

I përket dikujt zemra e Mayes...?

 

Zemra ime i përket trupit tim!

 Apo e kishit fjalën nëse jam e dashuruar apo jo?

 

Pikërisht...

 

Unë jam e dashuruar ... me artin.

 

Nëse do t’ju duhej të shkëputeshit nga arti... ku ju jeni përfshirë tërësisht (për një arsye apo tjetër) ...ku tjetër mund t´a përfytyronit veten...

 

Maja - Meqenëse kam studiuar në Gjermani edhe për Histori-Filozofi, do kisha dashur të ushtroja edhe profesionin e psikologes. Nëse nuk do isha tërësisht e angazhuar në këtë profesion që bëj aktualisht, sigurisht do bëhesha një psikologe, me dëshirën dhe besimin se do të isha më pranë njerëzve, do të kuptoja më shumë prej tyre dhe do t’i ndihmoja aq sa të mundesha.

 

Di Maya të gatuajë ...meqenëse siç themi "edhe kuzhina është art më vete"...

Qëndron për ju kjo thënie...

 

Dikur po...

Familja ime ka shijuar me shumë kënaqësi gatimin tim. Por siç thatë dhe ju, kuzhina është art dhe si çdo art, ai do kohën e vet. Kjo e fundit, mua më mungon që të ushtroj këtë lloj arti.

 

 Motoja e jetës që ju inkurajon herë pas here....

 

Motoja ime është të eci gjithmonë përpara, por të mos harroj të kthej edhe ndonjëherë kokën pas... për të qenë gjithmonë me këmbë në tokë.

 

Mendimi i parë i një mëngjesi..

 

 (Qesh) Shpresoj të mos bie zilja e telefonit, që të fle edhe pak...

 

 

Prezantimi në skenë, është një domosdoshmëri.

Cilën markë veshjesh preferoni...

 

Po, është e vërtetë kjo. Skena të do prezentabël në çdo aspekt.

Më pëlqejnë më tepër markat që më rrinë mua mirë në trup dhe jam e lirshme me to.

 

 Po veshja e një dite të zakonshme juaja, cila do të ishte...

 

Sa më praktike, por sigurisht, jo dhe me xhinse të grisura...

 

Lexoni ndonjëherë gazeta shqiptare dhe a ju intereson ndopak politika...?

 

Lexoj ndonjëherë për personazhe që për mua janë interesantë dhe që do kisha dëshirë, të dija më tepër për ta. Ndërsa, përsa i përket politikës, nuk më intereson aspak.

E vetmja urë që më lidh, në një farë mënyre, me politikën, është kushërira ime, e cila punon në Kryeministri, në Zyrën e Shtypit dhe që e dua shumë, si dhe një miku im i mirë që punon gjithashtu aty dhe... dua apo nuk dua,(qesh) nga halli

bisedoj ndonjëherë me ta, edhe rreth kësaj teme.

 

Përveçse artistë, ne jemi të gjithë së pari qytetarë dhe pjesë e një populli.

Çfarë jua vret syrin në aktualitetin shqiptar dhe nëse do të kishit mundësi, çfarë do ndryshonit në të...

 

Janë shumë gjëra të cilat lënë për të dëshiruar. Por unë do të veçoja diçka që për mua është shumë e rrezikshme për të ardhmen; sistemin e shkollimit në Shqipëri. E ardhmja e vendit tim, do të jenë... mjekë etj etj. etj. që kanë mbaruar studimet me lekë dhe në dorën e këtyre mediokërve do të jetë e ardhmja e Shqipërisë. Për sa i përket ndryshimeve, nëse do ishin në dorën time, do të ishin aq të shumta sa nuk t’i them dot në një intervistë. Por e sigurt është se vetëm publikut shqiptar nuk do t’i ndryshoja gjë.

 

Një bashkëpunim i frytshëm me artistë të tjerë shqiptarë, në fushën e muzikës ka qenë me autorët...

 

Aktualisht kam disa oferta për bashkëpunime të cilat më duhet t’i mendoj mirë. Deri tani bashkëpunimi im është me kompozitorin tim mjaft të suksesshëm Hilën dhe producentët e mi - Shtëpia diskografike Elrodi Mucise dhe produksioni i klipeve MAX produxion.

 

Projekte në të ardhmen, si në muzikë, por edhe në film...

 

Në planet e mia më të afërta është nxjerrja e një albumi të ri në dhjetor të këtij viti, për të cilin po punoj edhe ndërkohë. Për sa i përket aktrimit, jam në bisedime me dy regjisorë shqiptar për të luajtura në filmat e tyre dhe shpresoj që kjo gjë të realizohet.

 

Një përshëndetje për lexuesit e shumtë të sitit "Zemra Shqiptare"...

 

I uroj nga zemra të gjithë dhe shpresoj që çdo shqiptari që e lexon edhe këtë intervistë t’i çoj sadopak aromë nga kombi ynë dhe kurrë të mos harrojnë, që jemi shqiptarë.

Ju dua shumë dhe do t’ju këndoj me zemër gjithë jetën.

 

Gjithashtu edhe unë ju përshëndes dhe ju mirëpres t´ju dëgjoj dhe te na kënaqesh përsëri në koncerte të tjera si në Shqiperi ashtu edhe në Gjermani...

 

Edhe unë ju falënderoj për vëmendjen që me keni kushtuar dhe mundësinë që më dhatë, për të folur për veten time, krahas asaj, që unë shpreh me këngën time.

 

Ishin kënaqësi përgjigjet tuaja...

 

Vizitoni: www.mayaalickaj.com

Videoklipe: Ketu



(Vota: 3 . Mesatare: 5/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora