E premte, 13.12.2024, 06:25 PM (GMT)

Intervista

Alma Papamihali: Intervistë Ekskluzive me poetin dhe publicistin Jeton Kelmendi

E diele, 11.05.2008, 09:21 PM


Adem Jashari është zemra,  ndërsa Ibrahim Rugova, truri i Dardanisë!

Nga Alma Papamihali - Zemra Shqiptare

Jeton Kelmendi
Jeton Kelmendi, është një poet dhe publicist i kohërave moderne, lindur më 1978 në Pejë. Shkollën fillore dhe të mesmen ai  i kreu në vendlindje, ndërsa studimet e larta në Prishtinë. Nën autorësinë e tij,  lexuesi shqiptar është ndeshur jo vetëm ne Kosove, ku ai  punon për shumë media, por edhe jashtë vendit, e sidomos ne Belgjike, Paris dhe së fundi në Bukuresht (Rumani). Shkrimet e Kelmendit, po luajnë një rol të rëndësishëm në çështjen dhe realitetin shqiptar, duke tërhequr vëmendjen e medias dhe duke u përkthyer gjerësisht në gjuhën vendase, sidomos ne çështjet politike aktuale. Por edhe poezitë e Kelmendit, janë te  përkthyera gjithashtu në disa gjuhë dhe janë pjesë e disa antologjive. Ato kane pasur vazhdimisht lexues me përmasa te gjëra, si dhe janë ndjekur nga një kritike pozitive, qe e ka cilësuar poezinë e Kelmendit, një poezi bashkëkohore, moderne si dhe poezi me premisa ndikuese në esencën e letërsisë shqiptare. Edhe pse në një moshë relativisht ende të re, biografia e botimeve te Kelmendit është shumë e ngjeshur.
 
Shekulli i Premtimeve, 1999 
Përtej Heshtjes, 2002 
Në qoftë mesditë, 2004 
Më fal pak Atdhe, 2005 
Ku shkojnë ardhjet 2007
Zonja Fjalë 2007
Sa fortë janë rralluar letrat në gjuhen Rumune në Bukuresht 2007
Fryma, është në botim në gjuhën Angleze ne SHBA

 
Te jesh poet është madhështore, por jo secilës madhështi në botën që jetojmë, poeti ka kërkuar t´i thure  një poezi. Ishte ky mendimi i pare qe me lindi, tek lexoja një poezi te poetit Kelmendi, ne vargjet e se cilës arrin te gjesh vërtetë madhështinë e dëshiruar, sidomos kur lexon fundin e poezisë...

"Nënë ti je emri ynë që shndrit në qiell
E tokë"

Janë vargje këto, kushtuar krenarisë se një kombi, siç është Nene Tereza për te gjithë ne shqiptaret, një madhështi, para se cilës poeti nuk mund te qëndroje indiferent. Ndaj duke dashur te lexojmë edhe me shume për ndjesinë e poetit mbi figurën e një prej personazheve madhore, qe inkurajon dhe  shpesh i jep një grade superiore ne krijimtarinë e tij poetike. Ndaj do te kishim dëshire te dinim:

Ç´përfaqëson për ju një figure e tille, siç është ajo e Nene Terezës dhe si është pritur një poezi e tille nga lexuesi shqiptar apo dhe ai i huaj (nëse është përkthyer ne një gjuhe tjetër kjo poezi?

Kelmendi: Nëna jonë Terezë, tek unë përfaqëson majën më të lartë të krenarisë sonë kombëtare. Ajo padyshim, është sinonim i shpirtit dhe mirëssisë shqiptare. Kam provuar ta shkruaj një poezi të mirë për ketë figurë që nga viti dy mijë dhe ja kam dal ta bëjë diçka te tille, nga fundi i vitit të kaluar. Në fakt kam shkruar dhjetëra poezi dhe kur mendoja sa e madhe është Nëna Terezë, poezitë e mia për të, nuk me pëlqenin. Poezia për të cilën ju pyesni është botuar në disa revista dhe website në gjuhën shqipe dhe kam marrë shumë urime për ketë poezi, që më flenë në zemër.       

Bunkeri i luftes, Jeton Kelmendi kujton ditet kur nga aty mbrohej atdheu
Ndërsa lexojmë për  ju, ndër të tjera në biografinë përmbledhëse, kemi edhe një pikë shumë interesante, që nuk mund ta lexosh tek biografitë e poeteve te tjerë. Jeton Kelmendi, është edhe "veteran i UCK-së". Nuk e di pse ashtu spontanisht, me erdhën në  mend vargjet e të madhit Migjen:
 "Mjerimi pjek femine para se te burrnohet/ don ta mesoje ti iki grushtit qe i kercnohet"...
Ndaj etja për lirinë e Kosovës dhe kërkimi me ngulm i realizimit te ëndrrës së fjalës se lire, nuk mundi t´ju lere pas, edhe pse ne një moshe te re, për te qene i rreshtuar në radhët e një ushtrie. Megjithatë qëllimi për te cilën kryhej një lufte, mbase ju kishte burrëruar përpara kohe.
 C’farë domethënie ka sot për ju, një përvojë e tille historike dhe a mund të na tregoni diçka konkrete, mbi mbresat e atij viti?

Kelmendi: Sa herë që popullit i kanoset rreziku i zhbërjes, të gjithë qytetarët e vendit kanë obligim për t´a mbrojtur. E vërtetë që kam qenë i ri, akoma pa i mbushur të njëzetat, por fatin e patëm të tillë dhe pa modesti e them se nuk kam bërë gjë. Kam kryer vetëm një pjesë të vogël të obligimit ndaj atdheut tim.  Është e vërtetë se lufta është edhe një përvojë e madhe e jetës, por pas krenarisë që ke mundur ti shërbesh atdheut, ke edhe shumë pakënaqësi. Dihet paslufta i ka euforitë dhe perfiterte e vet  dhe ata shpërfillin të vreten dhe vlerat reale, gjë kjo që më së shumti prek ish-luftëtaret.    
 
Sot... pas kaq vitesh përpjekjesh, vuajtjesh, stërmundimi dhe mbi te gjitha, heroizmi...Kosova gëzon pavarësinë e saj.  17 shkurti i 2008-s, do te mbetet ne zemrat e çdo shqiptari, date e përmasave historike, ndaj edhe te tilla data, nuk mund te kalojnë pa u përjetuar thellë, nga emocione të forta në zemrën e një poeti.  Ku ndodheshit ose më sakte, ku e festuat 17 shkurtin e këtij viti? Gjithashtu c´domethënie ka për një poet dhe një publicist si ju, kurorëzimi i një Kosove të pavarur?

Kelmendi: Po, është e vërtetë se Kosova që nga 17 shkurti ka një gjysmë pavarësi. Nëse e shikojmë pak më mirë, Kosova vetëm ka bërë një hap drejt pavarësie, por nuk është pavarësi e plotë. Si poet e kam festuar ashtu si një artist i Kosovës, kurse si publicist dhe njohës i politikës së Prishtinës dhe relacioneve ndërkombëtare-Kosovë, kam pasur mendime të përziera.  Me 17 shkurt kam qenë në Bruksel dhe e kam festuar me vetveten, duke shikuar TV tona dhe manifestimin e shqiptarëve kudo nëpër botë.

C´mendoni mbi gjendjen politike shqiptare në përgjithësi, pra parë në prizmin, Shqipëri-Kosovë-Maqedoni?

Kelmendi: Në fakt shqiptarët sot janë më mirë se kurdoherë më parë, nëse shikojmë historikisht. Shqipëria po ecën drejt Evropës, u thirr në NATO dhe që është më rëndësi është duke u zhvilluar ekonomikisht. Kosova është nisur drejt krijimit të mekanizmave, që e bëjnë shtetin funksional. Maqedonia dita ditës po u shkon në favor shqiptarëve, duke u bërë faktor kyç ata. Problem i madh mbeten raportet politike ndërmjet faktorëve shqiptar, në të tria vendet. E tëra kjo, është pasojë e njerëzve të politikës së vjetër në Shqipëri. Nga Kosova pas vdekjes së Ibrahim Rugovës, politika atje është dezorientuar dhe tani manipulohet dhe mashtrohet opinioni nga koalicioni i dy partive më të mëdha. Nuk ka opozite reale në Kosovë, kurse Hashim Thaçi kontrollon çdo gjë në vend. Kur flasim për Maqedoninë, dhe politikën shqiptare atje, është për të ardhur keq, se si shqiptaret nuk dinë ta menaxhojnë vetën. E vërteta është se të tria vendet, janë në top listën e vendeve më me korrupsion në Evropë. Ky është edhe problemi më i madh drejt integrimit në strukturat Euro- atlantike.      

Jeton Kelmendi dhe Ibrahim Rugova ne nje takim (2003)
Një foto, shpesh flet më shumë se qindra fjalë. Megjithatë, njërën prej tyre, do doja veçanërisht ta komentonit pak me gjërë. Është fjala për një takim krejt të veçantë tuajin, siç është ai me presidentin, politikanin e një niveli botëror, Ibrahim Rugova. Cilat janë mbresat dhe përjetimi i atij takimi ne sytë e Kelmendit dhe c´mund te thoni për figurën e Rugovës dhe rolin aq të rëndësishëm te tij, si figure politike në kurorëzimin me Kosovën si shtet të pavarur? 
 
Kelmendi: Me ish-presidentin Rugova jam takuar disa herë. Ne kemi të drejt të flasim çka të duam për figurën e tij, sepse ishte yni. Disa e shajnë duke menduar se janë patriot, nëse flasin keq për të, të tjerëve ua zë diellin edhe për së vdekuri, disave u shërben edhe tani për interesat e tyre nga më të ndryshmet. Ai tani nuk është më në jetë, por emri i  tij mendoj është sinonim i lirisë dhe demokracisë në Gadishullin Ilirik. Fotot që kam me Ibrahim Rugovën sa herë i shikoj, ma sjellin ndërmend një fjalë të tij që ma kishte thënë dikur “nuk është lehtë të jesh i mirë dhe ta duash atdheun pa hile, a interes”.   Mund ta them me plot gojën se pas disa kohe historia do mat me kohen e Rugovës, kurse e vërteta, do ta verë atë në nderin e kombit.    
 
Tek flasim për figurën e Rugovës, fare natyrshëm n´a shkon mendja, tek ai që do të mbetet krenaria e kombit shqiptar, tek ai që i dha ngjyrën e gjakut te tij, lirisë se shtetit më të ri në botë, Adem Jasharit. Si e përshkruan Jetoni Kelmendi ketë figure madhore?
 
Kelmendi: Një gjë është shqetësuese për mua si intelektual. Shoqëria shqiptare në përgjithësi ka një ves të keq që e ka trashëguar nga mentaliteti ballkanik. Për ta ngritur dikë, duhet ta përulim tjetrin. Kur jemi këtu të Adem Jashari, dimë se disa bashkëkombas tanë, për ta ngritur figurën e heroit, pështyjnë mbi Rugovën. Mendoj se ne kemi vend për të të gjithë dhe kur bie fjala për vlerat e Kosovës, unë kam një fjalë Adem Jashari është Zemra, kurse Ibrahim Rugova truri i Dardanisë.

Ju jeni një poet shumë i talentuar, por ajo që spikat kohëve të fundit në shtypin shqiptar, është aktiviteti juaj i gjerë në media dhe kryesisht në politikë.
C´vend zë politika në jetën tuaj, duke e krahasuar me letërsinë?

Kelmendi: Arti dhe letërsia për mua, janë dashuri pa të cilën nuk mundem, kurse politika është profesion, ngaqë unë jam njeri i medies dhe media është shtëpia e politikës. Tek mediat shqiptare ju e dini, unë shkruaj kohë pas kohe dhe kryesisht kritikoj fenomenet dhe dukuritë e përquduara të politikanëve tanë. Mendoj se ne publicistët dhe intelektualet në përgjithsi, duhet të shohim drejt dhe jo të jemi servil të politikës. Ju lutem, ju e dini që unë kritikoj edhe të majtën, edhe të djathtën dhe jo siç bëjnë disa kolegë të mitë në Tiranë dhe Prishtinë. Thjeshtë mendoj se kështu ne i kontribuojmë shoqërisë dhe ndikojmë në uljen e dukurive të këqija politike.         

Autorët e preferuar për ju, nga letërsia shqiptare dhe ajo e huaj?
 

Ismail Kadare dhe Jeton Kelmendi (Prishtine 2001)
Kelmendi: Kryesisht lexoj nga autorë të huaj, por natyrisht edhe shqiptar. Veç asaj profesionale, lexoj dhe poezi, romane, drama etj dhe ato kryesisht nga interneti. Nga autoret tanë lexoj librat e miqve dhe kolegëve të mijë si Agron Tufa, Ndue Ukaj, Arjan Leka e të tjerë. S'po i përmend tani të gjithë. Por edhe pse lexoj dhe preferoj këta autorë dhe shumë të tjerë, do doja të vecoj në këtë rast dhe emrin e të madhit Isamil Kadare, vepra e të cilit po ndikon pozitivisht në njohjen e emrit te shqiptarit nëpër botë. 

Një poet, një publicist, kërkon te jetë pothuajse për gjithçka i informuar.
Kjo ka të bëjë kryesisht me natyrën gazetareske të personit. Thjesht doja një përgjigje te shkurtër.  A është Jetoni kurioz nga natyra?

 
Kelmendi: E vërtet se përpiqem të jem i informuar, me aq sa kam mundësi. Dihet mirë se nëse nuk i përcjell gjërat, ato ecin shpejt dhe informatat janë ushqim për të ecur në hap me kohën. Duhet të kemi parasysh se në ditët tona, jeta është shumë dinamike, prandaj kërkon angazhim dhe përkushtim të madh. Është e natyrshme, se tek unë ka ndikuar edhe profesioni dhe puna gazetareske.  

Siç e kam thënë edhe më lart, edhe pse në një moshe të re, ju keni punuar në mënyrë intensive dhe keni kurorëzuar në shtyp një sërë botimesh. Me çfarë  po merreni konkretisht tani dhe a do të ketë mundësi lexuesi së shpejti të lexojë diçka te re nga ju?
 
Kelmendi: Në natyren time, është që mos të ngutem të botoj shumë, por të përpiqem që kur botoj të mos botoj gjithçka. Kam disa libra për botim: një përmjedhje poezish pres të dal në SHBA këto ditë diku.  Po ashtu, po përpiqem edhe në gjuhen Frënge, ta botoj një libër. Për lexuesin shqiptar ndoshta nga fundi i vitit, mund të nxjerr dy libra, njërin me poezi dhe tjetrin dramë.  
 
Ku jetoni momentalisht dhe hera e fundit që keni qenë në Kosovë?
 
Kelmendi: Unë jetoj në Bruksel shumicën e kohës, por edhe në Paris shkoj nga dy dite në javë. Sa i përket Kosovës, së fundi e kam vizituar në janar të këtij viti.

Artistet në përgjithësi dhe poetët në veçanti, janë njerëz të ndjeshëm nga natyra. Ata janë të parët që e përjetojnë, qofte mirësinë dhe bukurinë e kësaj jete, ashtu dhe te këqijat e mangësitë e saj. Si mendoni, (duke qënë një njohës i mirë i realitetit shqiptar), cili është problemi ose mangësia kryesore e këtij realiteti, qe do te ndikonte ne një jetë më të mirë dhe mbarëvajtje bashkëkohore?

Kelmendi: Nëse shikojmë natyrën e atdheut, gjithandej ka shtrihen tokat shqiptare, ne kemi bukuri të rralla natyrore, por se sa dimë ne ta mirëmbajmë atë dhe sa investojmë në bërjen e kushteve për turizëm, është diçka krejt tjetër. Nga sipërfaqja e madhe që ka Shqipëria, deri tek bjeshkët e bukura, të gjitha duan një investim në bërjen e kushteve më të mira. Në atë mënyrë, që të bëhen tërheqëse për syrin e turistëve të huaj. Mua natyra më jep forcë dhe imagjinatë për të krijuar art, kur jam në  duke vizituar, sidomos vendet e tilla në atdhe. 
 
Meqë dhe unë jam poete, do doja të them, thjesht që përveç letërsisë, tek unë muzika zë një vend të rëndësishëm. Po Jetoni, a dëgjon ndonjëherë muzikë me volum të lartë, apo jeni kryesisht një tip i qete?? ...dhe nëse po, cilën rryme muzikore, ose këngëtarë preferoni?

Kelmendi: Do të nisëm nga thinja e popullit “le të më çoi ai që është rrëzuar vet”. Pra meqë ju jeni poete, e dini më së miri se si është jeta e poetit. Unë për nga natyra jam shumë i qetë, por muzikën e preferoj shumë. Varësisht nga ambienti, ashtu e dëgjoj muzikën, p. sh. Kur ndodhëm në bjeshkët e Dukagjinit dhe në Rugovë e dëgjoj Dervish Shaqën dhe e pëlqej me zë sa më të lart. Kur jam në me shoqëri, dëgjoj atë që është e preferuar për njerëzit që janë me mua. Ndërkaq kur jam vetëm, degjoj më së shumti balada, qoftë shqip, qoftë anglisht. Këngëtar të preferuar kam disa prandaj s’ po ju jap emër.   

Nëse do te kishe mundësinë te jepje ndihmësen tende në realitetin që jetojmë, ku mendon konkretisht që duhet ndryshuar diçka?

Kelmendi: (Qesh) Fatmirësisht, që nuk jam në një pozitë të tillë që mund të ndryshoj shumë. Sikur të isha në një pozitë të tillë, do ta ndryshoja gati, gjithçka që na shoqëron në jetë, pasi syri im sheh shumë parregullsi në shoqërinë tonë. Do ta ruaja pa e ndryshuar bukurinë e vajzave shqiptare, që unë i quaj bukë vargu dhe ujë fjale.  

Jeton Kelmendi dhe shoqeruesit ne Luginen e Presheves
Sot ju jeni një poet dhe publicist i njohur...Nëse letërsia, ose fusha e medias nuk do të ishte profesioni juaj, ne cilin profesion do e shihnit veten tjetër?

Kelmendi: Në fakt unë kam edhe nje profesion, jam biokimist, por atë nuk e kam dhe aq për zemer, prandaj nuk punoj në atë fushë. Profesion tjetër që e dua shumë, është aktrimi por edhe filozofia më shkon për zemër. Cilëndo nga këto dyja po ta kisha duke specializuar, nuk do isha pishman.   

Përveç artit te të shkruarit dhe publicistikes, si e kalon kohen e lirë Jeton Kelmendi?

Kelmendi: Jam një ithtarë i të shëtiturit dhe të vizituarit të vendeve dhe monumenteve. Është e rregullt vizita ime në ndonjë nga vendet dhe muzetë e Evropës. Merrem dhe me sport ngapak, jo rregullisht por në menyrë pasive, kështu e kaloj kohën e lirë, kur nuk lexoj gjë.  

A e ka gjetur ai shpirtin binjak, me të cilin ndan dhe ndër çastet më të bukura?

Kelmendi: Kjo pyetje para disa vitesh është konsideruar provokim, por sot një pyetje reale. Dihet se artistet janë pak aventurist në shpirt dhe nuk janë të vetmuar kurrë, por unë jo, nuk e kam gjetur akoma njeriun e tillë. Njeriu im do të jetë shqiptar, nga atdheu im, ketë ja kam premtuar vetes dhe kur do ta kem, është në të ardhmen. Dua që njeriu i jetës t’më flasë shqip.  

Qyteti më romantik për ju, është...?

Kelmendi: Vjena dhe Parisi, nga vendet e huaja, kurse Berati, nga qytetet e atdheut.

Keni një shprehje apo thënie të preferuar, që mund ta quanit "moto" të jetës suaj?

Kelmendi: Po, shiko të tjerët dhe orjentoje veten. Kjo është motoja ime e jetës, por dhe porosia për miqtë e mij. 

Një opinion, apo një sugjerim mbi faqen elektronike "Zemra shqiptare"...Për shembull nëse dëshironi të lexoni kryesisht diçka me shume?

Kelmendi: Zemra Shqiptare, është një agjenci prej më të mëdhave dhe më të vizituarave në gjuhën Shqipe të këtij lloji. Shefit të kësaj faqe i dëshiroj sukses dhe punë të mbarë. Bën një punë të shkëlqyeshme, kurse ju Alma, ju falënderoj për pyetjet e gjithanshme dhe komplete, për një intervistë në detaje.

Edhe unë, do doja t´ju falenderoja gjithashtu, qe patët mirësinë dhe kohën, për t´ju pörgjigjur çdo pyetjeje drejtuar nga unë.  Njëhkohësisht, ju uroj frymëzim në rrugën e bukur të artit dhe shpresoj të kemi mundësinë të bashkëbisedojmë përsëri herë të tjera.



(Vota: 1)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora