E premte, 26.04.2024, 04:32 AM (GMT+1)

Faleminderit

Qazim Komani, figure e ndritur e Historise Kombetare

E diele, 27.07.2008, 07:56 PM


Shkruar nga Dr. Hakif Bajrami

Pushkë e ngritur kundër robërisë

Qazim Komani (1895-1948) si ushtarak profesional është komandant i Mbrojtjes Kombetare te Kosovës dhe u angazhua për mbrojtjen e kufijve te saj.

Qazim Komani lindi ne Gjakovë me 1895 në një familje, e cila gjthmonë ishte flijuar për Shqipërinë etnike dhe për Flamurin kombëtar.
Duke i qëndruar besnik atij parimi, duke nderuar vetëm idealin gjithëkombetar më 1948, si i burgosur politik në Sremaska-Mitrovicë, do t’i deklarojë Rrustem Statovcit: “gjithmonë kam qenë i gatshëm të japë jetën për dy parime të shenjta – për çlirimin e Kosovës dhe per Mëmën Shqipëri”.

I edukuar në një familje të urtë dhe bujare, Qazim Komani me propozimin e prindërve (babait Mehmetit dhe nënës Rukie – nga dera e fisme e Junikut) do ta marrë rrugen e ushtarakut profesional.
Prindërit ia kishin imponuar atë rrugë te shkollimit sipas inciativës së patriotit Haxhi Zeka.
“Vatanit i duhen oficerë të shkolluar dhe te guximshëm. Kujtoi se djemtë që kanë shëndet, pamje dhe shtat kreshnik, meritojnë të bëhen oficerë”, i pat këshilluar Bajram Curri.
Këto të dhëna na i ka dhënë patrioti Ramiz Binishi me 1975, i cili kishte qenë njëherish jo vetëm pjesëmarrës në shumë ngjarje me karakter gjithëkombëtar, por njëherit së bashku me Ibrahim Gjakovën, Bajram Currin, Bedri Pejanin, Hysni Currin e të tjerë ua kishin dhënë kahun jetësor shumë të rinjve shqiptarë.

Qazimi, si djalosh plot fuqi, me një inteligjencë te pashoqe, si nxënës i shkëlqyer do të orientohet në akademinë ushtarake.
Aty do të tregohet më i miri prej të gjithëve ne klasën e tij:

-Së këndejmi, një djalosh plot shëndet, i pajisur me kulturë evropiane, si njohës i shkëlqyer i gjuhëve dhe i literaturës mbi strategjinë e artit ushtarak, gjithnjë e me vëmendshëm dëshmohej në profesionin e oficerit energjik dhe parimor.
Për shkak te vetëmohimit dhe kryerjes së detyrave me përpikëri, Qazim Komani do të bëhet në moshë shumë të re major, nenkolonel dhe kolonel i Ushtrisë Shqiptare.
Në këtë gradë do të emërohet Komandant i Mbrojtjes Kombëtare të kufirit të sektorit të Kosovëes ne vijën: Bihor-burimi i Llapit-Përpellac (K. 1181-Bijanovc) në tetor 1943.
Qazim Komani, ne sajë të aftësive profesionale, Qendrën e Komandës së Mbrojtjes Kombëtare të Sektorit të Kosovës do ta vendosë në Prizren.

"E kam zbatuar Deklaratën e Qeverisë, sepse ishte me përmbajtje dhe kërkesa patriotike", do të deklarojë Qazim Komani ne Tiranë me 1945 para hetuesisë.
"Unë në punën time shpirtërisht kam urrejtur çdo okupator, prandaj dhe atë jugosllav. Për mua si ushtarak nuk kishte asnjë arsye të mos zbatojë këtë deklaratë gjithëkombëtare, ne të cilën theksohet:
-Duke u nisur nga fakti se fisi arbëror i bashkuar për të parën herë...
-Duke parë një pjesë të popullit shqiptar në anarki mendore dhe morale...
-Duke parë nevojën e pajtimit të mendimeve të ndryshme që përcajnë sot popullin për të qenë gati të mbrojë Atdheun me armë...
-Duke qenë të bindur ne detyrën e shenjtë për të luftuar për liri – vendosëm të lidhim BESA-BESE që të rrojmë të lirë dhe të bashkuar, a të vdesim”.

Me këto parime Qazim Komani do të pranojë (së bashku me Fuad Osmanin – kolonel) për të shërbyer dhe drejtuar forcat e Mbrojtjes Kombëtare të Sektorit të Kosovës duke mbrojtur me nder kufirin gjithënjë të rrezikuar prej forcave çetnike, prej Bihorit e deri ne Përpellac-Merdar-Prapashticë drejt Preshevës.

Kodeksi i sjelljes se forcave te armatosura shqiptare

Për ta mbrojtur kufirin si kërkonte thirrja e një ushtaraku patriot, Qazim Komani, ne cilësinë e komandantit te Mbrojtjes Kombëtare të Kosovës, do ta parashtrojë një kodeks sjelljesh për forcat e armatosura kreshnike shqiptare: “Për me i riorganizuar fuqitë ushtarake me përgaditë kombin për sakrifica, që do të kërkohen prej tij; Për me u ba ballë fuqinave të armatosuna të kombeve fqinjë në rast se mësyejnë kufitë tanë me qëllim përvetësimi të ndonjë pjese te tokes s’onë Arbnore; Për me i dhanë Qeverisë Kombëtare ndihmën dhe përpjekjen t’one morale dhe materiale; Për me i lanë në një anë çdo armiqësi dhe marrje gjaku gjer në mbarimin e luftës”.

Keshtu Mbrojtja Kombetare e Sektorit te Kosoves del se ishte e përgatitur politikisht dhe shpirtërisht për mbrojtje të atdheut, fakt ky që u dëshmua edhe pas nëntorit te vitit 1944, në luftën e Shaban Polluzhës dhe Mulla Idriz Gjilanit me shokë.
Forcat e Mbrojtjes Kombëtare të Kosovës numëronin 3000 veta të sistemuar në dy regjimente, gjithnjë në kuadër te Ushtrisë shqipatre. Rregjimenti i parë kisht qendrën ne Pejë (Prenk Pervizi, Ahmet Sati dhe Masar Kryeziu).
Me rregjimentin e katërt me qendër ne Prishtinë (deri ne qeshor) dhe pastaj me qendër në Gjilan (deri në nëntor 1944) komandonte Fuat Osman Xhaferi (1895-1946, i pushkatuar në Prizren). Si oficer ndihmës kishte: Sait Bashën dhe Isa Kokolarin. Të gjithë këtyre ushtarakëve të devotshëm shqiptarë u vinin për krah edhe: Sulejman Mala, Gjon Kot Martini, Ibrahim Kelmendi, Shefqet Shkupi dhe pastaj Mulla Idriz Gjilani dhe Shaban Polluzha me shokë, gjithnjë të ushëhequr me përpikëri profesionale nga koloneli Qazim Komani.

Duke i mbeutr besnik “Besa-Besës”, Qazim Komani do të vendosë që me të gjitha mjetet, në nëntor të vitit 1944, ta mbroje Kosoven nga depërtimi i forcave çetniko-komuniste.
Lidhur me këtë detyrë të shenjtë nuk do të luhatet kurrë.
Qazim Komani, në sajë të vlerësimit që kishte bërë, kishte vendosur që të gjitha forcat shqiptare të koncentrohen në Drenicë. Pas një kohe do të thirret në Tiranë dhe atje çuditersiht do të arrestohet. Pas marrjes në pyetje, përkundër reagimit intern por edhe kërcënues të udhëheqësit më të lartë të Kosovës Fadil Hoxha, që Qazim Komani të mbetet në Tiranë (“sepse ai atje nuk do të mund të dënohej në asnjë mënyrë”, dhe po të mretëronte drejtësia nuk mund të dënohej as në Kosovë) komunistet e Enver Hoxhës do t’ia dorëzojnë xhelatit Sapsoje Gjakoviq, i cili do t’ia organizojë një proces gjyqsor.
Në atë proces patrioti Qazim Komani do të akuzohet pse ka organizuar mbrojtjen e trojeve te Rrozhajes, Bihorit, Plavës, Gucisë, Llapit, Gjilanit – tërë Kosovës.

Qazim Komani, do të akuzohet pse në fshatin Rogove në prill 1944 kishte organizuar themelimin e Ushtrisë Shqiptare me emrin “Kreshnik”, ku përfshiheshin të rinjtë prej 20 deri ne 35 vjeç, dhe njësitë me emrin “Vullnetar” ku përfshiheshin personat prej 35 deri në 70 vjeç.
Kështu, në bazë te aktakuzës, që bazohej ne parimet çetnike, Gjykata e Prizrenit do ta dënojë Qazim Komanin me 15.05.1946 me denimin me te rëndë - me vdekje. Por, në sajë të provave që posedonte Gjyqi, në sajë të interesimit te shumë antifashistëve perëndimorë, me të cilët ishte shkolluar ne akademitë më të larta ushtarake, Qazim Komanit do t’i “falet” jeta dhe dënimi do t’i shnderrohet në njëzet vjet burg të rëndë.

Si u mbrojt patrioti Qazim Komani para gjyqit?

Qazim Komanin dhe Fuad Osmanin, komunistet (çetniket ne fakt) në gjyq nuk iu lejuan të kenë avokatë.
Këta dy ushtarakë shqiptarë ishin mbrojtur vetë.

Në gjyq Qazim Komani do të tregohet se nuk mbrohej me asnje fjalë, por padinë e kishte kthyer në një akuzë të rëndë kundër një ideologjie, e cila hiqej se është për drejtësi sociale dhe barazi kombëtare. Por, në esencë pushteti komunisto-çetnik në Kosovë me të gjitha mjetet maskohej pas disa frazave dhe demaskohej me terrorin e eger dhe violencën që përdorte ndaj kundërshtarëve ideologjikë.
I edukuar që ta thotë gjithnjë të vërtetën Qazim Komani do të deklarojë: “Me kapitullimin e Italise, Komiteti Ekzekutiv i Tiranes, mbasi likuidoi Qeverinë fashiste shqiptare, thirri Asamblenë Kombëtare të përfaqësuesve te Shqipërisë së Vjetër e të Kosovës dhe mandej më në fund kjo Asamble dekalroi të rrezuar sundimin grabitës të fashizmit, shpalli indipendencen e Shqipërisë, ktheu në fuqi Statutin themeltar si dhe të gjitha ligjet shtetërore që ekzistonin para 7 prillit 1939. Në bazë të Statutit (Kushtetutës) pushteti sovran, Asambleja ia besoi Këshillit te Nalte te Regjencës. Ndërsa Regjenca e shpalli formimin e Qeverisë së re kombetare”. Qeveria, thote Qazim Komani para gjyqit, bashkë me shumë masa të tjera me karakter internacional, duke patur parasysh okupimin ushtarak gjerman të Shqipërisë e të Kosovës, u orientua që popullin shqiptar ta shpëtojë prej një katastrofe të pushtuesit, ku do ta pësonte sidomos Kosova.
Të autorizuara prej Asamblesë të gjitha dikasteret e Qeverisë i moren ne shërbim nëpunësit e shtetit, kështu që Komanda e Mbrojtjes Kombëtare, do t’i thërras të gjithë oficerët dhe nenoficerët qe ndodheshin në zyra, por edhe të gjithë ata oficerë qe gjatë okupimit nuk kishin marrë detyra (1939-1943), ose ata që kishin qenë në burgje dhe internim, siç ishte rasti me kolonelin Qazim Komani.

“Detyra e Komandës së Mbrojtjes Kombëtare të Sektorit të Kosovës ka qenë për t’i mbrojtur kufijtë e Kosovës, duke mos patur asnjë preferencë të ndonjë parite të atëershme, duke i konsideruar këto si rryma të brendshme të popujve. Prandaj, detyra e sektorit është kryer me sukses, sepse prej anës sonë nuk është provokuar asnjë incident. Përkundrazi, gjermanët duke pasur SIMPATI TE MEDHA NDAJ QEVERISE SE NEDIQIT, kishin filluar sidomos në janar te vitit 1944 për të shfaqur DYSHIME me tendencë te sektorit të Kosovës.

Sektori Kosva ka mbrojtur vijën që e konsideronim te demarkacionit, sepse ne okupatorin nuk e kemi pranuar kurrë. Prova me eklatante që Forcat e beogradit (Nediqit) dhe ato gjermane bashkëpunoni është rasti i mësyerjes së tyre në ballin e Kolashinit me qëllim që të depërtojnë në tërë Kosovën”.

Për atë qëllim gjermano-serb Sektori Kosova kishte marre dhe dokumente autograf të pararojës së fuqisë së Nediqit. Lidhur me këtë Qazim Komani menjëherë kishte lajmëruar Komanden e Mbrojtjes Kombëtare të Zonës, mbi makinacionet gjermano-nediqiane, që synon dalëngadalë të shtrijnë sundimin e Nediqit në tërë Kosovën, në dëm të shqiptarëve. Pa pritur zhvillimet diplomatike mes Tiranës dhe Komandës gjermane, Qazim Komani me shpejtësi i kishte koncentruar forcat e Rakoshit, Skënderajt, Runikut, Istogut dhe disa çeta na vija më lindore e tokave shqiptare, duke i dhënë urdhër Komandës së Operacionit për ta permbysur fuqinë “nediqiste”- çetnike përtej vijës së demarkacionit, duke çliruar atë pjesë të tokës shqiptare dhe duke siguruar atë nga sulmet e tjera eventuale. Kështu, do te deklarojë Qazim Komani para gjyqit komunisto-çetnik në kushtet e diktaturës ushtarake, prej së cilës të gjithë shqiptarët duhej të shfaroseshin.

Mbrojtja e kufirit ishte detyre e shenjte.

Si nëpunës dhe oficer i Shqipërisë, do të shkruajë ne ankesën e tij Qazim Komani, isha i detyruar për të shërbyer atje ku e kërkonte Atdheu dhe kombi im.
Fati më solli në Kosovë, për të shërbyer mender.
Nga ky fakt, Gjykata Popullore e Tiranës( eshte fjala per gjyqet e pasluftes te llojit stalinist...shenimi im..brari) , as mua e as të tjerët, nuk i gjykoi, sepse detyra e ushtarakëve kërkonte të mbrohen interesat e larta të kombit.
Me të gjithë popujt jam sjellë njerëzisht, pa dallim race dhe feje, per çka jam i lumtur, sepse gjate procesit gjyqësor të montuar nuk u paraqit askush për të më ngarkuar, kishte konkulduar Qazim Komani.
Mjerisht ajo gjykate nuk pershkohet me drejtësinë që ngërthen në gjiun e vet populli.
Ajo Gjykate e Qarkut ne Prizren, thotë më tej Komani, më ka cilësuar si shërbëtor të okupatorit, si gjermanofil. Në lidhje me këtë, këto fjalë gjykata jonë shqiptare nuk i ka përdorur. Prandaj, po përsëris, thotë Komani, se po të kisha shërbyer në interes të okupatorit, gjykata shqiptare, si e vetmja kompetente per t’i gjykuar bijtë e vet, për të tilla akuza nuk do të më falte kurrë.

Qazim Komani, siç del nga dokumentet qe jane ruajtur, do të dënohet me vdekje, vetëm pse ishte shqiptar, prej një regjimi që kishte ndërruar vetëm emrin por jo edhe metodat krimiale, për t’i shfarosur shqiptarët. Qazim Komani do të ankohet ndaj dënimit bestial dhe në mungesë të fakteve, instanca më e lartë gjyqësore, do t’ia zbresë dënimin me burgim 20 vjeçar.
Qazim Komani do të vendoset ne burgun famkeq te Sremska-Mitrovicës, ku po dergjeshin edhe Shaqir Curri, Kolë Margjini, Rrustem Statovci e të tjerë.

I sëmurë rëndë nga torturat, për herë të fundit Qazim Komani do t’i nënshtrohet një kontrolli të vonuar prej mjekëve dr.Ridelli(gjerman), dr. Franci(zviceran), dr. Llangi(holandez) – të gjithë përfaqësues të Kryqit të Kuq.
Këta mjekë humanistë do të konstatojnë diagnozën e sëmundjes së Qazim Komanit. Ajo sëmundje ishte robëria e kombit të tij. Qazim Komani do të ndërroje jetë me 1948, nga torturat, në duar të patriotit Rrustem Statovci me fjalët e fundit: “Ah sa shumë burra i ka humbe Shqipnia qe katër vjet...”

Edhe në burg, në prani të dënuarv politikë, ku ishte edhe Nojenbaheri, Qazim Komani haptazi theksonte me një kushtrim të burrit të pamposhtur:

“O Kosovë, o tokë bekue,
Gjithë për ty gjaku m’gufon,
S’ka shqyptar kush TY t’harron”.

Qazim Komani, që u flijua për Kosovën dhe Shqipërinë etnike mbeti pushkë e ngritur kundër robërisë. Me rastin e njeqindvjetorit te lindjes, vepra e tij atdhetare në ruajtjen e kufijve etnikë, në ruajtjen e trojeve stërgjyshore, mbetet shkolle e kujtesës, nderit dhe patriotizmit.

Shkëputur nga arshiva e Televizionit Shqiptar

Rubrika “Kujtesë”

Përkujtohet Patrioti Qazim Komani, Komandant i “Mbrojtjes Kombëtare të Kosovës”

Tetor 1943 – Nentor 1944

Qazim Komani lindi ne Gjakovë në 17 janar 1895 ne një familje e cila gjithnjë ishte flijuar për Shqipërinë etnike dhe per Flamurin kombëtar.

Duke i qëndruar besnik atij parimi dhe duke nderuar idealin gjithëkombëtar në 1948, si i burgosur politik në burgun e Sremska Mitrovicës te Serbisë do t’i deklarojë patriotit Rustem Statovci: “Gjithmonë kam qenë i gatshëm të jap jetën për dy parime të shenjta – për çlirimin e Kosovës dhe për mëmën Shqipëri”.

Ne moshën 17-vjeçare u bashkua e luftoi me çetat malësore të Bajram Currit dhe me formimin e shtetit shqiptar iu dha bursa për studime në kolegjin Italo-Shqiptar te “San Demetrio Corona” të cilin e mbaroi në gusht 1918 dhe mbas kësaj kreu studimet e larta për oficer këmbësorie.

Në shkurt të 1922 u emërua toger dhe 2 muaj më vonë për merita te posaçme gradohet kapiten.

Për aftësi dhe përkushtim në detyrë do të bëhet që në moshë të re major, nënkolonel, kolonel.

Ne 1920 mori pjesë në forcat mbrojtëse të Kongresit të Lushnjës.

Nga 1925 deri 1928 punoi si mësues në Normalen e Elbasanit.

Nga 1928 deri 1939 ishte oficer karriere me detyra të rëndësishme në ushtrinë shqiptare ku u dallua për frymë të lartë patriotike dhe krenarie kombëtare.

Me pushtimin e Shqipërisë nga Italia fashiste u burgos për disa muaj e në vazhdim u internua në Itali për dy vjet mbasi nuk pranoi të bëjë betimin dhe të shërbejë në ushtrinë italiane.
Me kthimin nga internimi qëndroi pa punë gjate gjithë viteve të pushtimit italian.

Tetori i 1943 kolonel Qazim Komanin e gjeti në Kosovë, ku kishte pranuar detyrën Komandant i “Mbrojtjes Kombëtare të Kosovës” me komandë ne Prizren.
Detyra e “Mbrojtjes Kombëtare te Kosovës” ishte që me forcat e saj të organizuara si ushtri e rregull shqiptare dhe me oficerë krejtësisht shqiptarë të mbrojë territorin e Kosovës duke mbrojtur kufijtë prej forcave çetnike prej Bihorit-Plaves-Gucisë e deri në Përpallac-Merdan-Prapshticë drejt Preshevës.

Duke mbetur besnik i “Besa-Beses” Qazim Komani do të vendosë që me të gjitha mjetet dhe forcat njerëzore në Nentor 1944 ta mbrojë Kosovën nga depërtimi i forcave çetniko-komuniste.
Lidhur me këtä detyrë të shenjtë nuk do të luhatet kurrë. Në bazë të vlerësimit që kishte bërë, kishte vendosur që forcat shqiptare të përqëndroheshin në Drenicë. Pas një kohe thirret nga komanda eprore në Tiranë dhe atje mbas disa ditësh arrestohet nga komunistët e ne 1945 nxirret në gjyqin special.

Ne 1945 dërgohet ne Jugosllavi sipas kërkesës jugosllave.

Komunistët e Enver Hoxhës do t’ia dorëzojne patriotin Qazim Komani xhelatit Spasoje Gjakoviç i cili do t’ia organizojë një proces gjyqësor në Prizren.

Në këtë gjyq cetniko-stalinist do te akuzohet pse ka organizuar mbrojtjen e trojeve te Rozhajës, Bihorit, Plavës, Gucisë, Llapit, Gjilanit – tërë Kosovës.

Do të akuzohet gjithshtu pse në fshatin Rogovë ne Prill 1944 kishte organizuar themelimin e Ushtrisë shqiptare me emrin “Kreshnik” ku përfshiheshin te rinjtë prej 20 deri ne 35 vjeç dhe njësitë me emrin “Vullnetar” ku përfshiheshin personat prej 35 deri ne 70 vjeç.

Gjykata e Prizrenit ne 15.05.1946 e dënoi me vdekje, dënim i cili u shndërrua në 20 vjet burg të rëndë, në sajë të interesit te disa personaliteteve antifashiste perëndimore me të cilët ishte shkolluar ne Evropë.

Kosova do t’i jetë mirënjohëse birit të saj Qazim Komani, mjafton të përmendet trimëria dhe aftësia e ketij patrioti i cili në krye të forcave shqiptare, theu për turp në një front prej disa dhjetëra kilometrash në frontin e Kolashinit, ushtrinë e Beogradit (Nediçit) prej disa divizionesh dhe e smbrapsi atë. Kjo qe një fitore e armëve shqiptare, një disfatë e Ushtrisë Jugosllave dhe Kosova shpëtoi ndoshta nga shfarosja e plotë.

Qazim Komani haptazi ne burgun e Sremcka-Mitrovices theksonte me një kushtrim burri të pamposhtur:

O Kosovë, o tokë bekue
Gjithë për ty gjaku m’gufon
S’ka shqyptar kush TY t’harron.

Ai vdiq në gusht 1950, varri tij nuk dihet.

Në letrën e tij të fundit që i drejtonte nga burgu gruas së tij besnike mes të tjerash shkruante:

“...Une jam në spital ka tre muaj dhe përveç fatkeqësive çdo dite më asht më keq. Ndonjë lajm katastrofik për mua mos të të kapi në befasi, sepse për ju ka kohë që nuk jam.

Nuk të kam lënë as pasuri, as borxh.

Te jeni në mëshirën e Zotit

I yti...

Zoti pati mëshirë për atë familje, por jo regjimi i Enver Hoxhës i cili këtij patrioti ia nxorri gruan me 6 fëmijë të vegjël në rrugë të madhe. Për ta do të vazhdonte dënimi jugosllav, por tashmë në shtetin shqiptar.

Ishte i njëjti fat si për qindra e mijëra familje të tjera shqiptare.

Me dekretin nr. 547 date 3.VI.1993, presidenti Sali Berisha dekoroi Qazim Komanin me urdhërin “Për veprimtari Patriotike të Klasit të I-re” me motivacion: “Udhëheqës, organizator i penës dhe pushkës për realizimin e programit të Komitetit Kombëtar të Mbrojtjes së Kosovës.



(Vota: 1)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora