E marte, 22.10.2019, 04:46 AM (GMT+1)

Editorial » Shkreli

Shkreli: Respekt për punën e Ambasadës Gjermane

E merkure, 10.06.2015, 08:34 PM


RESPEKT PËR PUNËN E AMBASADËS GJERMANE NË SHQIPËRI

Nga Frank Shkreli

Javën që kaloi Ambasada Gjermane në Tiranë dhe Zyra e OSBE-së në kryeqytetin shqiptar njoftuan financimin nga qeveria e Gjermanisë të një projekti për nixtjen e dialogut publik rreth të kaluarës komuniste në Shqipëri.  Në një deklaratë për media thuhet se, "Veprimtaritë e projektit do të nisin me një sondazh në shkallë vendi për të matur njohuritë e publikut, perceptimet dhe pritshmëritë e tij për diskutimet rreth të shkuarës komuniste në Shqipëri.  Thuhet se “Rezultatet e sondazhit priten të ofrojnë një panoramë të qartë të nivelit të njohurive të segmenteve të ndryshme të shoqërisë rreth të shkuarës, si dhe një thellim drejt shpresave dhe shqetësimeve në trajtimin e trashëgimisë të regjimit të mëparshëm. Gjithashtu, rezultatet e sondazhit do të ofrojnë një bazë të qëndrueshme për nisma të mëvonshme në këtë fushë", theksohet në deklaratën e përbashkët të ambasadës gjermane dhe Zyrës së OSBE-së në Tiranë.

Në deklaratë thuhet gjithashtu se OSBE-ja në Tiranë, si enti përgjegjës që do të zbatojë këtë projekt, do të veprojë në bashkëpunim me organizata të ndryshme të shoqërisë civile shqiptare dhe do të organizojë takime nëpër shkolla të mesme dhe në komunitet, për të nxitur, sipas saj, shqiptarët që të diskutojnë mënyrat për të trajtuar historinë e shkeljeve flagrante të të drejtave të njeriut nga regjimi komunist i Enver Hoxhës, të cilat do të kulminojnë, sipas njoftimit, në një debat të madh televiziv në fund të këtij viti.

E gjithë kjo veprimtari nga ana e Gjermanisë për tu përpjekur që të zbardhet sadopak e kaluara kriminale e regjimit komunist shqiptar, është meritë e ambasadort të saj në Tiranë, Hellmut Hoffman dhe e fondacioneve gjermane, përfshir edhe fondacionin Konrad-Adenauer-Stiftung.  Kjo nuk është hera e parë që Ambasadori Hoffman -- ndryshe nga ambasadorë tjerë perëndimorë në Tiranë -- ka bërë deklarata dhe ka marrë pjesë në veprimtari të cilat kanë për qëllim nxitjen e dialogut në radhët e elitës politike dhe të shoqërisë shqiptare për një transparencë mbi këtë kapitull të zi të historisë së kombit shqiptar si dhe për hapjen e dosjeve të regjimit komunist. Duke njoftuar projektin në fjalë, Ambasadori gjerman në Tiranë, Hellmut Hoffmann, ofroi përvojën gjermane në këtë fushë, ashtu siç ka bërë edhe në të kaluarën dhe shtoi se, "Përballja me të shkuarën e vështirë nuk është një detyrë e thjeshtë, por ne e dimë gjithashtu se nëse bëhet në mënyrë të frytshme, kjo mund t'i shërbejë njerëzve dhe shoqërisë në tërësi."   Por, ambasadori gjerman paralajmëroi se ndonëse gjermanët me përvojën e tyre mund të ndihmojnë, përballja me të kaluarën e regjimit komunist në Shqipëri është një detyrë që, nëse do të dalë me sukses, duhet të ndërmerret nga vetë shqiptarët, duke theksuar se, "ndërsa ne jemi të lumtur që mund të japim mbështetjen tone në këtë mes, u takon vetë shqiptarëve të vendosin saktësisht se si dëshirojnë ta trajtojnë këtë detyrë”.  I vetdijshëm për një mungesë të vullnetit të mirë të klasës politike shqiptare të këtyre 25-viteve të fundit për tu përballur me historinë dhe me krimet e regjimit komunist si dhe të një mungese debati të mirëfilltë mbrenda vendit në lidhje me këtë periudhë të errët të historisë shqiptare, Përfaqsuesi i OSBE-së në Tiranë, Ambasadori Florian Raunig, ndonëse kujtoi se ndihet një interesim i ri për të trajtuar shkeljet e të drejtave të njeriut nën regjimin komunist në Shqipëri, ai theksoi se nevojitet diçka më shumë në këtë drejtim. Ndërkaq, ai citohet të ketë thënë se, "Ne po fillojmë këtë projekt sepse besojmë se ka nevojë për dialog kombëtar gjithëpërfshirës rreth qëllimeve dhe pritshmërive të shoqërisë në përgjithësi, rreth nismave të ndryshme që janë propozuar për të trajtuar këtë histori të vështirë”, ka thënë Kryetari i Prezencës së OSBE-së në Shqipëri, ambasadori Raunig.

Autoritetet shqiptare tani dhe gjatë këtyre 25 viteve, vazhdimisht janë shprehur se përvoja gjermane është dhe mbetet si më tërheqse nga përvojat e vendeve të tjera, për tu përballur me të kaluarën e hidhët komuniste të Shqipërisë. Por përpjekjet e Tiranës zyrtare në këtë fushë kanë mbetur të tilla përfolje, vetëm propozime, deklarata, fjalë boshe për konsumim publik të mbrendshëm dhe të jashtëm, pa asnjë vullnet as veprim konkret për tu përballur me të kaluarën, përfshirë dhe miratimin kohët e fundit nga Kuvendi i Shqipërisë të një ligji për hapjen e dosjeve të ish-Sigurimit famëkeq të Shtetit komunist shqiptar, i cili organizonte dhe drejtonte shtypjet mbi popullatën.

Për të theksuar rëndësinë e përballjes me të kaluarën komuniste, ambasada gjermane në Tiranë kishte sjellur ditët e fundit në Shqipëri të ngarkuarin Federal të Gjermanisë për dosjet e sigurimit të shtetit, Z. Roland Jahn, një aktivist i njohur në procesin e rrëzimit të diktaturës komuniste në ish-Gjermaninë Lindore, e të cilit sipas Deutsche Welle, (DW) me 93 përqind të votave në parlamentin gjerman, i është besuar mbikqyrja dhe trajtimi i inventarit të dokumentacionit sekret të STASI-t famëkeq të Gjermanisë lindore ish komuniste.

Në seminarin e organizuar në Ambasadën gjermane në Tiranë javën që kaloi, ku u tha se hapja e dosjeve është në interesin e publikut në përgjithësi, ish-gazetari Jahn duke u bazuar në përvojën gjermane, sipas DW, u tha të pranishëmve se procesi i hapjes së dosjeve duhet të jetë një ndërmarrje e hapur dhe multidimensionale, duke theksuar se, trajtimi i së shkuarës nuk është thjesht punë shqyrtimi dosjesh, pasi në qendër janë njerëzit, janë viktimat e prekura -- që atyre t'u garantohet një impakt pozitiv nga procesi. Nëse nuk bëhet kjo, atëherë lind natyrshëm pyetja: përsa na vlen hapja e këtij dokumentacioni. Duke folur për përvojën gjermane ai u shprehur tekstualisht kështu: “Bëhet fjalë për rreth 2 milion njerëz të prekur nga sjellja dhe qëndrimet e STASI-t. Ne duhet t'i jepnim akses këtyre njerëzve për të njohur më mirë të shkuarën e tyre, në shumë raste edhe të tmerrshme e të paimagjinueshme. Kjo ishte një sfidë shumë e madhe për zbatimin e ligjit të dosjeve. Në hedhjen dritë mbi dosjet është dhe qasja shkencore, vënia në dispozicion për hulumtuesit, por dhe për mediat e prodhuesit kinematografikë.  Pra, ka një trajtim multidimensional në bërjen e transparencës, që njerëzit të mësonin sa më shumë nga padrejtësitë e bëra nën diktaturë”.

Në raportin e DW thuhet se për të ngarkuarin federal gjerman me Dosjet e ish-Sigurimit të Shtetit, trajtimi i së shkuarës vlen dhe për pastrimin e administratës dhe shërbimit publik nga njerëzit me të kaluar kriminale. Kjo krijon besim te qytetarët për institucionet dhe rendin demokratik, që të mos depërtojnë në shërbimin publik ish-anëtarë të policisë sekrete. “Kjo përbën ende një objektiv madhor në punën tonë. Sa më mirë ta kuptojmë diktaturën aq më mirë formësojmë demokracinë”, citohet të ketë thënë, i ngarkuari gjerman me dosjet e ish-Sigurimit të Shtetit. Në një intrevistë me DW, i ngarkuari Federal i qeverisë së Gjermanisë për dosjet e ish-Sigurimit të Shtetit në ish-Gjermaninë lindore komuniste, Roland Jahn, gjithnjë duke folur për përvojën gjermane u shpreh se, "Hapja e dosjeve të STASI-t mundësoi ndërrimin e elitave politike e shoqërore", ndërsa në lidhje me seminarin dhe takimet në ambasadën gjermane, Roland Jahn vlerësoi se: Ishte një takim shumë interesant, që tregoi se në Shqipëri ka probleme lidhur me trajtimin e diktaturës komuniste, por rruga e zgjidhjes do të ishte biseda dhe dialogu mes palëve, pasi zbardhja e së shkuarës komuniste mund të realizohet vetëm duke qenë me njëri-tjetrin dhe jo kundër njëri-tjetrit", përfundoi ai intervistën me DW.

Roland Jahn duke folur në podiumin e diskutimit organizuar në Ambasadën e RFGJ në Tiranë dhe ambasadori Hoffman i pari nga e djathta, 02.06.215

Ja pra këshillat dhe përvoja gjermane se si duhet përballuar e kaluara komuniste, hapja e dosjeve dhe lustracioni në Shqipëri. Ndryshimi midis Gjermanisë dhe Shqipërisë nuk ka si të jetë më i madh. Gjermania i ka hapur dosjet e ish sigurimit të shtetit Stasi menjëherë pas shëmbjes së Murit të Berlinit. Shqipëria, 25 vjetë më vonë gjithnjë asgjë, ndonëse siç kanë provuar edhe vendet tjera ish-komuniste, ky nuk është një mission i parealizueshëm! Po të ekzistojë vullneti, siç tha edhe Roland Jahn midis të Tiranës, për hirë të brezave të tanishëm dhe të ardhëshëm "problemet janë të zgjidhshme, mjafton që njerëzit të bashkohen dhe të kenë vullnetin për t'i zgjidhur ato" dhe duke "qenë me njëri tjetrin dhe jo kundër njëri tjetrit".

Kështu i këshillojnë gjermanët autoritetet dhe shoqërinë shqiptare dhe kjo është përvoja e tyre! Por kam drojë se ashtu si edhe në çerek shekullin ç'prej shembjes së komunizmit, këshillat e miqëve gjermanë dhe përvoja e tyre për tu përballur me të kaluarën do të bien në veshë të shurdhër në Tiranë. Ashtu siç theksojnë autorët Arolda Elbasani dhe Artur Lipinski në një analizë mbi "Drejtësinë Tranzicionale në Shqipëri" botuar në Berlin më2013, çështja e hapjes së dosjeve dhe përballja me të kaluarën në Shqipëri gjatë dy dekadave të fundit, është lejuar që të shfrytëzohet politikisht nga aktorë të vetshpallur anti-komunistë. Sipas tyre, për këtë është folur vetëm në momente të veçanta politike për përfitime politike të rastit dhe asgjë tjetër. Për të parafrazuar autorët e kësaj analize, aktorët politikë në Shqipëri kanë përdorur debatet politike dhe nismat legjislative dhe komisionet për tu përballur me të kaluarën komuniste vetëm për të përforcuar pushtetin e tyre dhe jo për tu përballur seriozisht me krimet e ish regjimit komunist. Për ata që dëshirojnë një demokraci të vërtetë si dhe për elitën politike shqiptare që i referohet përvojës gjermane si shëmbull për të ndjekur Shqipëria në përballjen e saj me të kaluarën komuniste, mesazhi i qeverisë gjermane nepërmjet ambasadorit të saj në Tiranë, Z. Hellmut Hoffman është që elita dhe shoqëria shqiptare sa më parë  dhe "Sa më mirë ta kuptojmë diktaturën aq më mirë formësojmë demokracinë” për brezat e tashëm dhe për brezat e ardhëshëm të kombit shqiptar. Por megjithë respektin për punën dhe angazhimin serioz të Gjermanisë në mbështetjen që Berlini mund të japë në këtë drejtim, sipas porosisë së ambasadorit Hoffman, "U takon vetë shqiptarëve të vendosin saktësisht se si dëshirojnë ta trajtojnë këtë detyrë”.



(Vota: 3 . Mesatare: 4.5/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora
PËLLUMB GORICA: MURET CIKLOPIKE QË SFIDOJNË SHEKUJT