E premte, 26.04.2024, 09:40 PM (GMT+1)

Mendime

Andrea Stefani: "Diplomacia" evropiane e autoritarizmit

E diele, 20.07.2008, 03:58 PM


Andrea Stefani
"Diplomacia" evropiane e autoritarizmit

Nga Andrea Stefani

Mos vallë disa shtete perëndimore janë lodhur me konfliktualitetin politik në Shqipëri? Mos vallë ka humbur shpresa se në vendin më të varfër të Ballkanit mund të ndërtohet demokracia liberale dhe prandaj po kërkohet një formulë tjetër, më autoritariste por që duket sikur premton më shumë stabilitet? Nuk mund të mos shtrosh të tilla pyetje, kur dëgjon deklaratat e disa kryediplomatëve të sinkronizohen rradhazi në mbrojtje të ndryshimeve që iu bënë Kushtetutës së Shqipërisë në prill të këtij viti. Më e fundit ishte Maryse Daviet, ambasadore e Francës në Tiranë, që sapo ka pohuar publikisht se ndryshimet në Kushtetutë "nuk bien ndesh me parimet e demokracisë ose shtetit të së drejtës, të cilat Shqipëria është angazhuar t‘i respektojë". Mjerisht, edhe kjo diplomate, nuk ofron asnjë argument për pohimet që bën. Prandaj vështirë se bind njeri. Thjesht tenton ta besojnë verbërisht.


***

Për dallim nga fillimet e tranzicionit kur fjala e diplomatëve të huaj përthithej në publik si fjala e "Zotit" sot, pas afro 18 vjet tranzicion, ndesh një perceptim disi më ndryshe. Madje ka edhe një debat që diskuton limitet e ndërhyrjes së "ndërkombëtarëve" në punët e vendit ose edhe panevojshmërinë e kësaj ndërhyrjeje. Mbetem i idesë se, për fajësi kryesisht të klasës politike që po maksimalizon përfitime në kurriz të një opinioni të drobitur që ajo vetë ia ka shtrydhur shpirtin, të një opinioni thuajse inert, pa etikën dhe aktivizmin e duhur qytetar, prezenca dhe monitorimi perëndimor i proceseve politike mbetet i nevojshëm.

Por ndërkaq, ndryshe nga fillimet e tranzicionit, kur duheshin shfaqur preferenca mbështetëse për forcat opozitare ende të dobëta përballë diktaturës komuniste dhe inercive politike që nuk mund të mos pasonin atë, mbështetja nuk duhet të jetë më për ndonjë parti apo edhe më keq, për ndonjë lider politik, por për parimet e demokracisë dhe lirinë e institucioneve të saj. E megjithëse dihet që e ardhmja demokratike e një vendi gatuhet në radhë të parë nga institucionet dhe jo nga liderët, ende ka përfaqsi diplomatike që shfaqin përparësi ndaj liderëve dhe jo ndaj institucioneve. Madje nuk ngurrojnë të mbëshesin planet afatshkurtra të liderëve politikë, duke toleruar jo pak nga cenimi i lirisë apo pavarësia e institucioneve.

Ka ndodhur në të kaluarën me Berishën. Po ndodh edhe sot përsëri me Berishën, por edhe me liderin e socialistëve Ramën. Ky recidivizëm kult-ngritës dhe kundër-institucional, po bëhet shumë i rrezikshëm për demokracinë liberale në Shqipëri dhe në sens aftagjatë, kërcënon integrimin e saj me Evropën. Faktet flasin vetë. Pas ardhjes së dytë në pushtet, në një kohë kur mendohej se Berisha do t‘i nënshtrohej një monitorimi shumë të fortë edhe të perëndimorëve, që të mos përsëriste gafat autoritariste të së kaluarës, ndodhi e kundërta. Berisha u tolerua në shumë prej aksioneve të tij autoritariste kundër kryeprokurorit, kundër Presidentit të Republikës, kundër medias së pavarur. U tolerua jo vetëm hartimi me arrogancë i ligjeve antikushtetutese, por edhe kapja prej njerëzve të tij e të gjithë posteve më të larta të shtetit.

Por rasti më flagrant, është edhe ai më i freskëti, tolerimi i ndryshimit skandalisht autoritarist, të dokumentit themelor të shtetit që e aprovon edhe ambasadorja Daviet. Dhe në këtë rast, disa diplomaci perëndimore tolerojnë jo vetëm Berishën, por edhe liderin e socialistëve Rama. Pas kësaj autoritarizmi si sistem, po u shafqet shqiptarëve si një fatalitet. Ai nuk është më vetëm një mendjeshkrepje e Berishës. Ai po ofrohet edhe si alternativë e partisë më të madhe të opozitës, madje edhe si preferencë e disa përfaqësive perëndimore në Tiranë. Autoritarizmi është mishëruar në Kushtetutë.


***

Prova? Argumente? Kemi dhënë dhe do të japim pafundësisht. Por është dëshpëruese të shohësh se pikërisht ata që ideuan dhe ndërmorën ndryshimet Kushtetuese (Rama, Berisha) si dhe ata që po i mbështesin (edhe ca diplomatë) nuk janë në gjendje të sjellin argumente. As ambadadorja Daviet. Ajo thjesht deklaroi për publikun një përshtypje personale se "ndryshimet nuk bien ndesh me parimet e demokracisë". Por nuk dha argumente që shpjegojnë dhe bindin se pse është tamam ashtu. Pra, nuk rrëzoi dot me argumente kritikat se ndryshimet e Kushtetutës, i japin mundësi Kryeministrit që të caktojë President Republike një njeri të vetin. Daviet nuk argumenton dot se një President, i zgjedhur edhe me një minimum 71 votash të shumicës qeverisëse, nuk përbën një kërcënim për pavarësinë e institucionit të Presidentit dhe prej këtej, edhe për pavarësinë e gjyqësorit si kryetar i Këshillit të Lartë të Drejtësisë.

Po ta kish bërë një "mrekulli" të tillë të gjithë ata që kundërshtojnë ndryshimet e Kushtetutës, që nga Komiteti për Mbrojtjen e Kushtetutës, padyshim që do të rishikonin qëndrimin e tyre. Por ambasadorja Daviet nuk solli prova të vërtetësisë së pohimit të saj se "ndryshimet nuk bien ndesh me parimet e demokracisë". Përkundrazi, ajo iu referua një deklarate të bërë pak më parë nga ambasadori gjerman, Biorchard, e cila po ashtu vuante nga pretencioziteti dhe mungesa e argumenteve. Mos ndoshta donte të shtangte kundërshtarët e amendamenteve me këtë aleancë të pathyeshme franko-gjermane pro amendimeve? Vetë Daviet, në intervistën e saj, pohon se "nuk bëhet fjalë që ne të imponojmë një model".

Por është fakt se ndryshimet e Kushtetutës ofrojnë një model dhe nëse për këtë model nuk sillen argumente që evidentojnë një thelb demokratik të tij, atëherë ky është një imponim. Aq më tepër kur ndryshimet e Kushtetutës u bënë me anë të votimit të një ligji me urgjencë dhe pa transparencë publike. Në këtë rast, roli i diplomatëve perëndimorë është të ndihmojnë publikun shqiptar të kuptojë dhe të mirëinformohet për atë që ka gatuar politika, duke kompensuar diçka nga mungesa e transparencës. Por që amendimet të ishin demokratike, sepse kështu mendoj unë dhe miku im gjerman, kjo është jo vetëm pa klas diplomatik perëndimor, por edhe të përpiqesh t‘i shtysh shqiptarët që se kanë mësuar ende si duhet demokracinë, drejt besimit të verbër dhe jo drejt bindjes që buron nga arsyeja. Eshtë një qëndrim aspak diplomatik, që jo vetëm ngjason me një alibi "perëndimore" për autorët e amendimeve, por që bie ndesh edhe me disa prononcime të tjera të perëndimorëve.

Përshembull me atë më të fundit të OSBE në Tiranë. Në një deklaratë të dhënë pardje, OSBE përsëriti nevojën që "i gjithë legjislacioni me rëndësi të veçantë për publikun, veçanërisht kur ka të ngjarë të krijojë kundërshti, duhet të miratohet në mënyrë të tillë që të lejojë kohë të mjaftueshme për konsultime me ekspertë, grupe interesi dhe publikun e gjerë". Ndonëse e shqiptuar për një ligj tjetër që shumica e Berishës po përpiqet ta miratojë me arrogancën dhe nxitimin "demokratik" që e karakterizon (edhe në këtë rast pa shkelur procedurat parlamentare), ky është saktësisht edhe rasti i ligjit që solli ndryshimet e Kushtetutës. Dhe përveç të tjerave, mos duan të na bëjnë të besojmë se i gjithë faji për tensionet dhe konfliktet e këtyre viteve paksa qenë i Kushtetuës? Mos duan të na besojnë se meqë ndryshuan Kushtetutën, nuk do të ketë më konfrontime të panevojshme, duke patur nëpër këmbë të njëjtët politikanë konfliktualë? Nëse do të ndodhë vërtet kështu nuk mund të mos ia bësh: Sa e lehtë paska qenë, si nuk ju vajti mendja më parë?


***

Ambasadorja Daviet nënvizoi nevojën e shmangjes së konfrontimeve të panevjoshme, si dhe rëndësinë e qetësimit të tensioneve mes dy kampeve të mëdha politike në Parlament. Ne shkojmë edhe më tej se Daviet, duke shprehur dëshirën që të mos ketë as konfrontime "të nevojshme". Por kundërshtimet dhe më pas edhe konfrontimiet, nuk mund të shmangen, e bashkë me të edhe shumë hipertensione nëse shumicat, më vete apo të kombinuara, sillen me arrrogancë dhe në mënyrë tiranike ndaj pakicave. Dhe ao që Daviet e quan respektim rregullash gjatë ndryshimeve të bëra në Kushtetutë, nuk ka qenë gjë tjetër veçse një tirani e hapur e shumicës së bashkuar PS-PD ndaj kundërshtimeve jo vetëm të partive të tjera parlamentare dhe jo parlamentare,por edhe segmenteve të shoqërisë civile.

Por të gjitha u shpërfillën me arrogancë. Rastësisht? Para se të jetë procedurë parlamentare, demokracia është transparencë publike. Se po u mjaftuam vetëm me rregullsinë e procedurave parlamentare, rrezik nuk bëjmë dot me faj as Adolf Hitlerin. Dhe pikërisht transparenca publike, debati publik aq i rëndësishëm për shoshitjen e gjërave dhe ripozicionimin e politikave, u dhunua. Mos është pak kjo shkelje që nuk i bie fare në sy diplomates Davies? A mos është pak edhe fakti që tirania e shumicës së bashkuar duke shtrirë tentakutat e saj bipartiake edhe në KQZ, bllokoi referendumin për Kushtetutën, këtë të drejtë që popullit ja njeh Kushtetuta? Po sikur një gjë e tillë të ndodhë edhe me Gjykatën Kushtetuese, ç‘do të bëhet me lirinë e shqiptarëve, me shtetin ligjor, me demokracinë dhe integrimin që ata shpresojnë?

Duket se edhe në disa qarqe diplomatike po prevalon bindja se në kushtet e Shqipërisë, të konfliktualitetit pa mbarim të klasës politike, dobësisë së institucioneve dhe papjekurisë civile të masës, një formulë qeverisëse autoritariste do ti zgjidhte disi problemet e akumuluara në këto 18 vjet, duke ofruar më shumë stabilitet dhe më pak tension. Ose e formuluar ndryshe, politikanë si Berisha i kanë trembur aq shumë perëndimorët me "destabilitet", sa ata janë gati të tolerojnë një zgjidhje autoritariste vetëm e vetëm që të shmangin destabilitetin. Dhe vërtet ulja e tensioneve politike dhe stabiliteti janë gjëra që duhen lakmuar dhe me të drejtë ambasadorja Daviet, i formulon me përparësi. Por a duhet të synohet që atp të arrihen duke braktisur parimet e transparencës, të ndarjes së pushteteve, duke sakrifikuar të drejtën dhe drejtësinë, sikundër edhe po ndodh?

Nëse do të ishte kështu, nëse për hir të stabilitetit duhet ndërruar shteti ku sundon ligji me shtetin ku sundon partia, shteti ku vendosin institucionet dhe publiku me shtetin ku vendos lideri dhe pazaret mes liderëve që etiketohen si "marrëveshje", përse shqiptarët duhet të rrugëtonin deri këtu? A nuk ofronte diktatura komuniste një stabilitet absolut si prej varri dhe tension politik "0"? Por shqiptarët nuk donin më jetën pa puls, pa tension, jetën-vdekje të diktaturës. Ndaj është sa e frikshme aq edhe absurde të lakmosh demokraci pa tension sepse nuk mund të ketë demokraci pa tension ashtu si nuk mund të ketë jetë pa tension. Duhet folur dhe synuar për tension normal që i jep puls stabilitetit demokratik sepse monitorohet nga institucionet e pavarura, korrektohet me anë të transparencës publike që ushqen aktivizmin qytetar dhe, dashtë Zoti këtej e tutje, akoma edhe nga perëndimorët!



(Vota: 0)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora