E premte, 26.04.2024, 02:30 PM (GMT+1)

Kulturë

Adem Zaplluzha: Menatë vijnë lejlekët

E diele, 01.02.2015, 04:29 PM


Adem Zaplluzha

 

Pesë poezi nga libri “Menatë vijnë lejlekët”

 

MË LËRË TË VDES

 

Të lutem

Më lërë të vdes sonte

Nuk dua vdekje më të bukur

Se sa kjo kënaqësi

Që shtrihet në krahun e djathtë

Të fluturës së atdheut tim

 

Dje isha një tjetër specie

Që i ngjasoja erës

Në sqepin tim të çarë

Buronte lumi i verdh

Po ai lumë

Që buron në kujtesë

 

Sërish të lutem

Si asnjëherë më parë

Më lërë të vdes

Si zogu i ngrirë në mermerë

 

O të përgjëroj

Me zjarrin e shpirtit të kallur

Më lërë të vdes

Të thash

Nuk dua vdekje më të bukur

Se sa kjo lindje

Që i përket atdheut

 

 

KUR EGËRSISHT PUTHIM

 

Asnjëherë pa u ndalur

Kalojmë nën harqet e Urës së Gurit

Prej një ane të kujtesës

Deri te ana tjetër e hapave tona

Ne ecim si drurët

 

Në disa raste u përngjajmë gurëve

E në disa raste të tjera

Kur dalim nga lëkura e jonë

Nuk i përngjajmë as jetës

E as  vetvetes

 

Udhët i matim me lotin e erës

Kur dita e jonë epike

I përngjan fantazmagorisë

Deri në ekzaltim

Dehemi nga kënaqësia

 

Sa herë që  na teket pa asnjë arsye

Në secilën pikë loti

I përmbysim detet më të tërbuara

Dhe jemi aq larg vetvetes

Sa që fëmijëria e jonë na duket

Se është tërësisht e huaj

 

Kur egërsisht puthim

Trishtimin e jetës në ikje e sipër

Në gjumin tonë të përdalë

Si akaciet mbijnë

Disa lloje të barojave

Që sapo  takohen me ajrin

Shndërrohen

Në larva të krimbave

 

 

DUART E TUA

 

Duart e tua të mjegullta

Më mbajnë gjallë

Sa herë që kam mall për ty

Shtrihem mbi ëndrrën time

 

Vetëm kështu jetoj

Mbase kjo qenka e vetmja mënyrë

Ku mund të vdes lirisht

Pa kurrfarë hezitimi

 

Duart e tua prej shiut të trëndafiltë

M’i ledhatojnë iluzionet

Kur më ndjekin dhembjet

Ndjej thirrjen epike të dashurisë

 

Duart e tua

Ah ato duar që m’i mbajnë gjallë plagët

Sa herë që i drejtoj sytë kah universi

Shikimi im depërton përtej çdo honi

 

 

DHE ATA TË TJERËT

 

Sonte do të ecim përtej çdo mundësie

Edhe nëse nën hapat e erës

Fshihen shpirtrat e akrepave

Ne do të ecim

Nëpër tehun e mprehtë

Të shpatës së gjetur

Do ecim nëpër llavën e vullkanit të përskuqur

 

Kur të mbërrimë deri te mermeri i kuq

Mes kolonadave të erës

Do i takojmë mbretërit

E të gjitha kohërave

Ata që abdikuan

Për disa shkaqe personale

Dhe ata të tjerët

Që i gjykuan dashnoret për tradhti

 

Por domosdo duhet të ecim

Nëse ndalemi

Kurrë më

Nuk do të jemi në gjendje

Të njëjtë si para

Ose pas lindjes së diellit

Përgjumja askujt nuk i bënë mirë

 

Sa herë që fjetëm

Nuk i patëm punët mirë

Gjumi i jonë i përdalë

Hynte nëpër çdo udhë të verbët

Hynte nëpër ato vende

Ku nuk mund të delte asnjëherë

I ngjante rërës së gjallë

Në shkretëtirën e shpirtit kryengritës

 

 

MBI SHPATULLAT E RRAPEVE

 

Atë çast hyjnor

Mbeta pa asnjë fjalë

U stepa para mjegullave

Kur ninëza

E lirikave të erës

Si një mbretëreshë prej uji

Hyri në shpirtin e malit

 

Lëvizën drurët si gurtë

As gjethet më

Nuk ishin në gjendje

Të heshtin

Nga korijet e lulëzuara

Vinte një fëshfërimë prej ëndrre

Ishte koha

E zgjimit të baladave

 

Nëpër degët e pemëve

Lulet çelnin

Disa specie zogjsh

Çelnin edhe duart e lisave

Disa lloje prej kashelashave

Mbi shpatullat e rrapeve

Era i krihte

Flokët e brymta të shirave



(Vota: 9 . Mesatare: 5/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora