Kulturë
Tahir Bezhani: Stinë e frymëzimeve poetike
E enjte, 29.01.2015, 07:16 PM
Vështrim libri
VJESHTA , SI STINË E FRYMËZIMEVE POETIKE
(Jehona Agushi: “Kur vjeshta ikë”, poezi, botoi “Migjeni” Prishtinë, dhjetor 2014.)
Nga Tahir BEZHANI
Pas një ndërprerjeje dhjetëvjeçare të krijimtarisë, poetja e talentuar nga Gjakova, autore e gjashtë librave, prej tyre pesë me poezi, sërish këto ditë doli me vëllimin poetik më të ri, ”Kur vjeshta ikë”.
Që në fillim vlen të ceket se autorja, Jehona Agushi, është njëra ndër krijueset e talentuara për nga forca e shprehjes poetike, ku vargu i saj buron prej ndjesive të veçanta, veshur e stolisur me motive të larmishme nga rrugëtimi jetësor. Në librin më të ri, vërehet një avancim i pjekurisë poetike, ku vargu i saj reflekton arritje cilësore në poezi. Ajo, tanimë është pjesë përbërëse e vargut, dhe vargu shpirtit të saj, i cili vjen nga thellësitë e botës individuale. Karakteristikat esenciale të pashme në këtë vëllim poetik, janë copëzat e jetës jo vetëm personale, por si pjesë e shqetësimeve të përgjithshme njerëzore.
Autorja, Jehona Agushi, poezitë e këtij libri përmbajtjesorë i ka sistemuar në pesë qerthuj: “Dhembje e heshtur”, ”Shi vjeshte”, ”Më shumë se kaq”, ”Dehje fjalësh” dhe “Në fund të fundit”. Gjithësejt libri përmban shtatëdhjetë e katër poezi.
Jehona Agushi, njëra ndër autoret më me perspektivë në vendin tonë për nga cilësia dhe përmbajtja e vargut, si të gjithë krijuesit tjerë, dhimbshëm e me respekt i përulet dashurisë prindërore, ku piskama e vargut, mbushur dashuri e dhimbje ndihet më larg se çdo kambanë tjetër. Vet titulli i librit, mjaft metaforik, ”Kur vjeshta ikë”, flet për një frymëzim mjaft nostalgjik e emocional. Përmallja e tillë vërehet në poezinë ”Prindërve kujtim”, ku lexojmë vargjet plot shugurim malli: ”Sot lotët m’u mbështollën/Për fyti/Nuk desha as të qaja/E gjatë paska qenë rruga/Deri këtu/e dashura NËNË/I dashur BABA”. Natyrisht se poezia ka një përmallim duke pasur parasysh situatën dhe gjendjen shpirtërore të autores në momentet e frymëzimit, duke kaluar nëpër labirinte gjatë situatave dramatike të luftës.
Në
tërësi, vargëzimi poetik vjen si një shtytje e fuqishme nga thellësi shpirti, ku shprushet zjarri i një
kohe të fjetur mbi ankth, përjetime shqetësuese të kohës me errësirë okupimi..
E gjendur dhe e shtrënguar me mallin prindëror, dhe duke mos i besuar
rrethanave mes ditës e natës, përjetimet dramatike, shpirti i saj vlon dhimbje
e dashuri prindërore: “e marta/e mërkura/nuk ditën të flasin/zor se mund ta
njoh veten/në një ditë si kjo”. Me gjithë peshën e rënduar psikike të
pasigurisë, autorja me vargun spirituoz e fuqinë e penës së mprehtë, gjënë
mënyrë për shpresën, për jetën, për ardhmërinë. Këtë argument e lexojmë po në
qethurin e parë, tek poezia “
”Ka ikur edhe koha e gjumit/Mos fli kaq herët/I thash natës/Behu përrallë e bukur/Të rrimë bashkë/Këmbë e duar kryq…”.
Në librin “Kur vjeshta ikë”, në pesë qerthujt e strukturuar brenda sajë, vërehet një shprushje zjarri, një mall i grumbulluar brenda një kohe e hapësire, ku poetja e talentuar, me talentin dhe filozofinë poetike, ka ditur të shtrojë para lexuesit një botë të pasur me tema e elemente shprehëse të nduardurta, rrjedhshëm me fuqi shprehëse poetike. Natyrshëm e me mjeshtëri, rrjedhin edhe tema të jetës intime, kushtuar fëmijëve, bashkëshortit, jetës plot ngarkesa, synimeve jetësore etj. Për këto qëllime, e gjen moralin si forcë sfiduese për rezistencë karshi situatave të rënda. Pra, nuk vërejmë nënshtrim para vështirësive të jetës tek filozofia e fjalës poetike, tek autorja, Jehona Agushi. Ja, një poezi me elemente qëndrese: ”Ka kohë që nuk/I trembem errësirës/Sa herë endem mes saj/E treti vështrimin/Drejt teje” Ose poezia”Mëso se si”:” Mëso se si duhet duruar/Edhe atëherë kur nuk durohet/Kur rruga që nis/Të sheh/ Me mall e lot syri”.
Marrë në tërësi, libri “Kur vjeshta ikë” i autores Jehona Agushi, paraqet një arritje të konsiderueshme për autoren dhe për artin poetik në përgjithësi, ku lexuesi dhe fjala e kritikës letrare, mund të shkruajnë faqe të tëra për këtë përmbledhje poetike. Secila poezi, sjellë një risi, i tërë libri është një pasuri që na bënë të jemi krenarë me autoren e librit. Pas një heshtjeje të gjatë, presim shpërthimin e fuqishëm, mirëpresim talentin e saj në fushën e artit poetik nga Jehona Agushi.
Libri i Jehona Agushit është një thesar në raftet e bibliotekave tona.