E shtune, 29.01.2022, 08:15 AM (GMT)

Kulturë

Tahir Bezhani: Stinë e frymëzimeve poetike

E enjte, 29.01.2015, 06:16 PM


Vështrim libri

VJESHTA , SI STINË E FRYMËZIMEVE  POETIKE

(Jehona Agushi: “Kur vjeshta ikë”, poezi, botoi “Migjeni” Prishtinë, dhjetor 2014.)

Nga Tahir BEZHANI

Pas një ndërprerjeje dhjetëvjeçare të krijimtarisë, poetja e talentuar nga Gjakova, autore e gjashtë librave, prej tyre pesë me poezi, sërish këto ditë doli me vëllimin poetik më të ri, ”Kur vjeshta ikë”.

Që në fillim vlen të ceket se autorja, Jehona Agushi, është njëra ndër krijueset e talentuara për nga forca e shprehjes poetike, ku vargu i saj buron prej ndjesive të veçanta, veshur e stolisur me motive të larmishme nga rrugëtimi jetësor. Në librin më të ri, vërehet një avancim i pjekurisë poetike, ku vargu i saj reflekton arritje cilësore në poezi. Ajo, tanimë është pjesë përbërëse e vargut, dhe vargu shpirtit të saj, i cili vjen nga thellësitë e botës individuale. Karakteristikat esenciale të pashme në këtë vëllim poetik, janë copëzat e jetës jo vetëm personale, por si pjesë  e shqetësimeve  të përgjithshme njerëzore.

Autorja, Jehona Agushi, poezitë e këtij libri përmbajtjesorë i ka sistemuar në pesë qerthuj: “Dhembje e heshtur”, ”Shi vjeshte”, ”Më shumë se kaq”, ”Dehje fjalësh” dhe “Në fund të fundit”. Gjithësejt libri përmban shtatëdhjetë e katër poezi.

Jehona Agushi, njëra ndër autoret më me perspektivë në vendin tonë për nga cilësia dhe përmbajtja e vargut, si të gjithë krijuesit tjerë, dhimbshëm e me respekt i përulet dashurisë prindërore, ku piskama e vargut, mbushur dashuri e dhimbje ndihet më larg se çdo kambanë tjetër. Vet titulli i librit, mjaft metaforik, ”Kur vjeshta ikë”, flet për një frymëzim mjaft nostalgjik e emocional. Përmallja e tillë vërehet në poezinë ”Prindërve kujtim”, ku lexojmë vargjet plot shugurim malli: ”Sot lotët m’u mbështollën/Për fyti/Nuk desha as të qaja/E gjatë paska qenë rruga/Deri këtu/e dashura NËNË/I dashur BABA”. Natyrisht se poezia ka një përmallim duke pasur parasysh situatën dhe gjendjen shpirtërore të autores në momentet e frymëzimit, duke kaluar nëpër labirinte  gjatë situatave dramatike të luftës.

Në tërësi, vargëzimi poetik vjen si një shtytje e fuqishme nga  thellësi shpirti, ku shprushet zjarri i një kohe të fjetur mbi ankth, përjetime shqetësuese të kohës me errësirë okupimi.. E gjendur dhe e shtrënguar me mallin prindëror, dhe duke mos i besuar rrethanave mes ditës e natës, përjetimet dramatike, shpirti i saj vlon dhimbje e dashuri prindërore: “e marta/e mërkura/nuk ditën të flasin/zor se mund ta njoh veten/në një ditë si kjo”. Me gjithë peshën e rënduar psikike të pasigurisë, autorja me vargun spirituoz e fuqinë e penës së mprehtë, gjënë mënyrë për shpresën, për jetën, për ardhmërinë. Këtë argument e lexojmë po në qethurin e parë, tek poezia “Para nesh”, ku pos tjerash shkruan: ”dhimbja ka ekzistuar/për të gjithë/po dashuria ka qenë e shenjtë/ashtu si kjo ditë sot….”. Asnjë krijues i viteve tronditëse të luftës, e as autorja në fjalë, nuk mund të anashkalojë një kohë të tillë pa e prekur me majën e lapsit, si vulë kohe me të gjitha peripecitë e përjetimeve faktike. Këtë e bëjnë poetët e mëdhenj në tërë boten, me arritje të mëdha në lëminë e letrave e civilizimit njerëzor. Një qasje e tillë, me më shumë apo me më pak peshë, vërehet edhe në krijimtarinë e poetes, Jehona Agushi, e cila i rri besnike çdo çasti emocional. Poezia “Vetmi e gjorë”, argumenton këtë mendim duke lexuar këto vargje mjaft prekëse:

”Ka ikur edhe koha e gjumit/Mos fli kaq herët/I thash natës/Behu përrallë e bukur/Të rrimë bashkë/Këmbë e duar kryq…”.

Në librin “Kur vjeshta ikë”, në pesë qerthujt e strukturuar brenda sajë, vërehet një shprushje zjarri, një mall i grumbulluar brenda një kohe e hapësire, ku poetja e talentuar, me talentin dhe filozofinë poetike, ka ditur të shtrojë para lexuesit një botë të pasur me tema e elemente shprehëse të nduardurta, rrjedhshëm me fuqi shprehëse poetike. Natyrshëm e me mjeshtëri,  rrjedhin edhe tema të jetës intime, kushtuar fëmijëve, bashkëshortit, jetës plot ngarkesa, synimeve jetësore etj. Për këto qëllime, e gjen moralin si forcë sfiduese për rezistencë karshi situatave të rënda. Pra, nuk vërejmë nënshtrim para vështirësive të jetës tek filozofia e fjalës poetike, tek autorja, Jehona Agushi. Ja, një poezi me elemente qëndrese: ”Ka kohë që nuk/I trembem errësirës/Sa herë endem mes saj/E treti vështrimin/Drejt teje” Ose poezia”Mëso se si”:” Mëso se si duhet duruar/Edhe atëherë kur nuk durohet/Kur rruga  që nis/Të sheh/ Me mall e lot syri”.

Marrë në tërësi, libri “Kur vjeshta ikë” i autores Jehona Agushi, paraqet një arritje të konsiderueshme për autoren dhe për artin poetik në përgjithësi, ku lexuesi dhe fjala e kritikës letrare, mund të shkruajnë faqe të tëra për këtë përmbledhje poetike. Secila poezi, sjellë një risi, i tërë libri është një pasuri që na bënë të jemi krenarë me autoren e librit. Pas një heshtjeje të gjatë, presim shpërthimin e fuqishëm, mirëpresim talentin e saj në fushën e artit poetik nga Jehona Agushi.

Libri i Jehona Agushit është një thesar në raftet e bibliotekave tona.



(Vota: 4 . Mesatare: 5/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora