Kulturë
Albert Zholi: Aleksandër Moisiu, magjia e artit skenik
E premte, 11.07.2008, 06:57 PM
Libri/ Aleksandër Moisiu po kthehet në legjendë kur në kohë është kaq afër nesh. Legjendat duan kohë të trajtohen si të tillë
Aleksandër Moisiu
Aleksandër Moisiu, magjia e artit skenik
Nga Albert Zholi
Para disa ditësh në një nga ambientet e Ministrisë së Kulturës Rinisë dhe Sporteve u promovua libri “Aleksandër Moisiu”, me autor Sali Hidrin. Në këtë promovim merrnin pjesë shkrimtarë artistë, kritikë arti, gazetarë si dhe dashamirës së artit. Në këtë promovim e morën fjalën shumë pjesmarrës, të cilët folën për vlerat artistike të veprës. Pas promovimit mora disa opinone nga aktorët më të shquar shqiptarë mbi figurën e aktorit me përmasa botërore Aleksandër Moisiu.
Mirush Kabashi
Aleksandër Moisiu, për të cilin ne kemi marrë informacion më shumë nga studiues të huaj për sa i takon vlerave të tij artistike, mbetet një aktor i jashtëzakonshëm përsa i takon forcës së tij të jashtëzakonshme transformuese nga një rol në rolin tjetër, forcës së tij të madhe shpirtërore dhe energjive të tij mëse mitike. Kjo dhe për faktin se ai mundi të udhëtojë nga një shtet në një shtet tjetër me ato mjete komunikacioni që kanë qenë, për të dhënë shfaqje që kanë mahnitur Evropën.
Mirush Kabashi |
Margarita Xhepa (Artiste e Popullit)
Margarita Xhepa
Dua ta filloj diskutimin tim shumë modest me një falenderim shumë të thellë për zotin Hidri, sepse shikoj një libër të bukur artistik dhe një dëshirë, ku një shkrimtar durrësak shkruan për një Aleksandër të Madh. Libri fillon me një elegancë ku i gjithë aktiviteti i tij i madh që ka dhënë nëpër botë dhe që ka krijuar personalitetin e tij në artin e madh në shumë shtete të botës është dhënë me disa dedikime.Tashmë dihet se kanë shkruajtur shumë për Aleksandër Moisiun dhe nëpër gazeta të ndryshme, por eleganca këtu në artin e tij të madh fillon me postulatat që kanë thënë personalitete të mëdha artistike për këtë aktor të madh. Më e bukura për mendimin tim është se Moisiu del në këtë libër një artist i madh, por edhe njeri i madh. Kur këto gërshetohen gjithmonë bashkë, atëherë del gjithmonë një art i madh. Ne artistët nga vetja, jonë, nga shpirti ynë, i ngjisim diçka tjetër personazhit. Këtë e pasqyron edhe personazhi në skenë. Në këtë libër Aleksandër Moisiu i madh na jepet me një edukatë dhe me një fisnikëri, për t’u admiruar. Këtë e shoh me korrespondencat që ka ai jo vetëm me familjen, por edhe të tjerët. Ndihet edukata, kultura që ka marrë. Mendoj se ky është një libër sidomos për artistët e rinj që duhet ta lexojnë pasi kanë shumë se çfarë të marrin. Po shkëpus vetëm një moment, ku Aleksandri thotë se: “Duhet të punojmë, të punojmë dhe të korrigjojmë në rast se kemi gabime”. Pra kemi të bëjmë me një shpirt të madh si njeri dhe si artist. Kjo vlen shumë për të gjithë, sepse ky lloj mesazhi na frymëzon të marrim gjëra të reja, na pasuron shumë si karakter.
Lazër Filipi (Artist i Popullit)
Lazër Filipi
Edhe një gazetar gjerman ka botuar një libër para pak vitesh për Aleksandrin. Edhe një shkrimtar nga Trieste ka bërë një dramë kushtuar Moisiut. Pra Moisiu është një figurë e madhe, që i kanë kushtuar shumë libra dhe ky libër i Saliut nuk ka për të qenë i fundit, por do të vazhdojë. Në ndryshim nga librat e tjerë, libri që ka botuar Saliu ka një veçori dhe është kapur në një aspekt tepër të veçantë, në aspektin familjar, vetjak etj.. Në sa më shumë kënde të ndryshme të shihet një figurë, aq më shumë shikohet dhe hidhet dritë mbi të, personalitetin, karakterin, imazhin, figurën e tij. Por ne duam të vazhdojmë të shkruajmë libra të tjerë për Moisiun. Saliu ka bërë një punë shumë të mirë dhe shumë shkencore, pa rezerva dhe e ka parë Moisiun në këtë këndvështrim. Por ne harrojmë që për Moisiun ka shkruar edhe një figurë e madhe botërore siç është Franc Kafka. Është një nder i madh për kombin tone, që një figurë kaq e madhe të shkruajë për Aleksandër Moisiun. Ai ka lënë mbresa të mëdha pa përmendur pastaj edhe autorë të tjerë të mëdhenj që ne i njohim, por edhe që nuk i njohim. Ka ardhur koha që të mblidhen dhe të bëhet një antologji për Aleksandër Moisiun. Ashtu siç mendoj unë se duhet të mbledhim të gjithë krijmtarinë e Moisiut dhe ta botojmë. Moisiu ka dhe anën tjetër, atë të të shkruarit vetë, ka drama dhe disa pjesë të shkurtëra ose artikujt të ndryshëm. Moisiu ka shkruar edhe një dramë për Lindjen e Fëmijës. Në Gjermani u bë një zhurmë e madhe në atë kohë dhe për këtë flet gruaja e një shkrimtari rus që e ka pas njohur Moisiun. Ka edhe shumë filma që ka interpretuar Moisiu dhe ne nuk i njohim. Jeta e tij është e mbushur me ngjarje. Ne po heqim paksa nga pluhuri i harresës të dalë një pjesë e vogël e veprës së tij të madhe. Ne njohim vetëm filmin që është shfaqur në Shqipëri.
Prof. Gjergj Vlashi
Libri i Sali Hidrit nuk do të jetë libri i fundit i shkruar për Aleksandër Moisiun. Unë bashkohem me mendimin që ky libër do të jetë fillesa e librave që do të shkruhen për Aleksandër Moisiun, për vetë faktin që në këtë libër për herë të parë figura e Aleksandër Moisiut dhe Epoka në të cilën u lind dhe u formua ky personalitet i fuqishëm i teatrit botëror, trajtohen me origjinalitet duke sjellë gjëra të reja që lexuesi jonë po i lexon për herë të parë. Vlera e këtij libri është sepse ai është trajtuar në tre drejtime: - Ku janë marrëdhëniet midis Triestes dhe Durrësit. Periudha e formimit, adoleshenca e aktorit, ndikimi që pati bota shqiptare dhe qyteti i Triestes në formimin e personalitetit të këtij artisti të madh. Pjesa e dytë e këtij libri është drama e Aleksandër Moisiut. Një dramë e jashtëzakonshme jo vetëm shpirtërore, por edhe drama e një epoke, e cila po pushtohej gjithmonë e më tepër nga forcat naziste. Këtë dramë Moisiu e ndjeu shumë siç e ndiejnë të gjithë intelektualët e mëdhenj gjermanë dhe bashkëkohës që kuptonin që nazizmi ishte një murtajë që i vinte njerëzimit për të mbytur zërin e lirisë, demokracisë dhe të mendimit njerëzor. Ai iku nga Gjermania sepse filloi të ndiqej nga nazistët si çifutët. Ai u mundua të merrte nënshtetësinë shqiptare, për t’i shpëtuar ndjekjes. Dhe ndodhi vdekja e tij e parakohshme që nuk duhej të kishte ndodhur. Në një ditë marsi i sëmurë nga mushkëritë, vdes parakohe një nga artistat e mëdhenj të skenës botërore. Vdekja ishte e kërcënuar nga koha dhe nga drama shpirtërore që ai jetonte. Kjo nuk ishte vetëm drama e një biri të Shqipërisë, por këtë dramë e ndiejnë edhe shumë të tjerë. Ai ishte një artist i madh. Një vlerë tjetër e librit janë letrat që na jepen për herë të parë, ku zbulohen marrëdhëniet e Aleksandrit me njerëzit e familjes, dashuria e tijë e madhe për njerëzit. Ne shohim kudo një njeri të madh, një artist të madh dhe një bir të denjë të këtij kombi të lashtë. Përsa i përket librit Saliu ka meritën që na sjell gjëra të reja qoftë në tregimin e periudhës të marrëdhënieve të Durrësit me Triesten, qoftë edhe në jetën intime të Aleksandër Moisiut, na ndriçohen hapësira të panjohura, na zbulohen anë të panjohura të botës. Hap shtegun për një trajtim më të thellë dhe më të gjërë të figurës së Aleksandër Moisiut. Koha patjetër do të sjellë gjëra të reja sepse një pjesë e madhe e dorëshkrimeve të Aleksandër Moisiut ka qenë e bllokuar. Janë 20 kuti të hekurta, që për herë të parë para disa vjetësh ato çlirohen, ku ishin futur letra të panjohura dhe dorëshkrime të tjera të njerëzve të tjerë për Aleksandër Moisiun dhe vepra të autorëve të tjerë që ishin kundër nazizmit, që përçonin një frymë të re në kulturën gjermane dhe botërore.
Sali Hidri (autor i librit)
Kam një kënaqësi të jashtëzakonshme sepse libri ka rënë në dorën e të gjithë lexuesve, që duan të lexojnë dhe dinë të lexojnë. Jam krenar që në moshën time rinore jam rritur me magjinë e artit skenik dhe do të them vetëm një pasazh:
Duke qenë se për 27 vjet kam qenë Drejtor i Muzeut të Durrësit dhe kam qenë edhe në shtëpinë e Aleksandër Moisiut, pak nga pak fitova atë bindjen se të shkruash për Aleksandër Moisiun nuk është aventurë. Pata fatin të prezantohem nga Ambasada Italiane si mik i Ambasadës Italiane në Trieste, ku bëra edhe kontaktin e parë me muzeun e Aleksandrit. Atje u mrekullova me materialin. Unë mbas 10 vjet pune e dorëzoj librin për lexuesin, duke qenë gjithmonë pranë vetes time sepse kam arritur të bëj diçka modeste për një figurë të madhe. Një libër është një pikë uji në oqeanin e madh të veprës së tij. Ky është një evenimet i rëndësishëm i jetës sime si krijues.
Tinka Kurti (Artiste e Popullit)
Tinka Kurti
Për librin unë e uroj autorin shumë. Nuk e kam lexuar. Është një anomali e jona që sillet libri në tavolinë atë ditë që promovohet. Unë kam dëgjuar dhe lexuar shumë për Aleksandër Moisiun. Sa herë dëgjoj diçka të re emocionohem me figurën e tij. Është shumë e rëndësishme të gërmohet në këtë figurë, pasi është një sukses i padiskutueshëm të arrish një vlerësim të tillë jashtë vendit tënd. Unë kam edhe dy fotografi të çuditshme të tij në shtëpinë time. Por është dhe një paradoks. Ne jemi vetë aktorë dhe e dimë se çfarë do të thotë të njohësh jetën e një figure të tillë. Por, neve artistëve nuk na çojnë të shohim varrin e Aleksandër Moisiut. Aty shkojnë ministra e kryeministra që nuk e kanë idenë se kush ka qenë Aleksandër Moisiu. Që nuk lexojnë për të. Që nuk investojnë për të. Që nuk vijnë në promovime librash për të. Aleksandër Moisiu po kthehet në legjendë kur në kohë është kaq afër nesh. Legjendat duan kohë të trajtohen si të tillë, ndoshta shekuj, por nga madhështia në skenë ai që tani po trajtohet si i tillë. Ne i kemi tanët figura të tilla dhe i lemë në harresë. Bota nuk i ka dhe mundohet t’i bëjë të vetët. Krenohemi me të gjithë Aleksandrat që ka Shqipëria.