Kulturë
Është gjallë Liza Vorfi
E premte, 11.07.2008, 06:44 PM
Është gjallë Liza Vorfi
Liza Vorfi
Elsa Demo
Presidenti i Republikës nderon në moshën 86 aktoren Liza Vorfi. Ikona e elegancës dhe finesës së viteve pesëdhjetë u largua pa zhurmë nga skena. Urdhri “Naim Frashëri i Artë” në pleqërinë e shtyrë i duket pa kuptim
Presidenti i Republikës nderon sot me urdhër pune një aktore që ka dyzet vjet që ka dalë në pension. “Naim Frashër i Artë” për Liza Vorfin në moshën 86-vjeçare. Gruaja nuk ka më asnjë komunikim me artin, kurse me telashet e botës e lidh televizori. Koha nuk lëviz, as kujtimet. Është mosha kur kujtesa e ndërton të kaluarën, që në rastin e Liza Vorfit është jeta e gjitha, me një gjuhë memece, me ndjesira. Nuk kanë vlerë përgjigjet apo llogjika dhe vendosja e sendeve në vendet që u takojnë. Loja që bën kujtesa provokon torturë dhe për pasojë topitje të trupit. Çfarë ka ndodhur ka ndodhur. Gur kandari për të kaluarën do ishte vdekja e jo urdhrat e punës. Liza Vorfi ka sy të kaltër të kthjellët. Ajo thotë se nuk shikon dhe nuk dëgjon mirë, se duket e bukur ngaqë sapo ka dalë nga pasqyra, por portreti i saj është harta që tregon ku e ka kaluar jetën.
Ka shumë që nuk e dinë se Liza Vorfi është gjallë. Sot kanë për ta parë në këmbë në skenën e Teatrit Kombëtar dhe kanë për të marrë me mend elegancën dhe finesën e rrallë e cila që nga koha e ikjes së saj dhe pensionimit të një brezi të tërë të bashkëkohëseve të saj zor të jetë kthyer në ndonjë trupë apo portret aktoreje shqiptare. Teknologjia e estetikës femërore ka ndikuar veç të tjerash edhe në procesin e burrërimit, veçmas kërkesave të kohës për t’i kthyer gratë në forcë sociale.
Pak para se të niste lufta e dytë, një aktore e ikonë si Marlene Dietrich, me veshje gjysmë mashkullore, këndonte “Quand l’amour meurt” dhe joshte duke tymosur në kabare-bar në Paris, kurse një 16-vjeçare në Shqipëri me uniformë elegante të institutit femëror “Nana Mbretëreshë” këndonte në Radio-Tirana “Si dukat i vogël je”.
Ishte Liza, balerinë dhe këngëtare, e edukuar me gjuhë të huaja, në standardet që mund të përgatitej një femër, qytetare e botës. I ati, Ndue Vorfi, mësues i gjuhës shqipe, patriot nga Gjakova që e la përfundimisht Kosovën më 1924, e nisi me studime në Konservatorin e Romës. “Librat frëng më mbetën në Pezaro. Sot mund t’i ketë dikush. Mbajnë emrin tim. Babai më thirri të kthehesha në atdhe. Po fillonte lufta.”
Më 1945 mjaftoi një ftesë e Xhemal Brojes, “pse nuk vjen të bësh teatër” i kish thënë, që të bëhej “Liza Vorfi, e para aktore që hapi perden e Teatrit Profesionist të Tiranës (Teatri Popullor më pas) së bashku me Behije Çelën, me pjesën “Xhido” vënë në skenë nga regjisori jugosllav Bozha Nikolic.
Regjisorët e huaj mbetën përvoja më e mirë e Lizës në Teatër dhe ata që vinin nga Bashkimi Sovjetik dhe Jugosllavia. Ishte e vetmja dritë profesionistësh në atmosferëartistësh që po bëhej komuniste pa e kuptuar. Dënimi i të shoqit, Emil Shirokës, burgosja e tij si i rrethit të intelektualëve shqiptarë që kishin studiuar në Vjenë, solli në mesin e viteve gjashtëdhjetë përjashtimin e Lizës nga Teatri Popullor për një vit.
Lizës i del vetiu nga ndonjë skutë e kujtesës ndonjë emër aktoreje pa talent që njëlloj si atë vetë e ulin sot në radhët e nderit. Pa talent, po komuniste.
Në mesin e këtij dimri njerëzish ajo luante Dezdemonën e Shekspirit. Arapi i zi që e mbyt nuk ishte një burrë xheloz, por thashethemet, përgjimi i jetës dhe humbja e lirisë.
Sytë e Lizës janë pak të trembur sikur po sheh një film ku oborri i teatrit është mbushur me arapë me duart para për të mbytur dikë. Mara tek “Përmbytja e madhe” mbetet roli më i dashur, sepse nuk i hiqet nga mendja që është ngjitur në skenë me temperaturë. Ankthi i asaj kohe kishte dhe anën e vet të bardhë. Mara, ta shohë njëherë në ekran të regjistruar, ky është pengu i saj, por nuk gjendet në arkivat në TVSH, siç nuk gjendet asnjë fragment zë i saj i regjistruar në Radio-Tirana. “Bën të shkosh sot e kësaj dite, s’ke për të gjetur gjë prej gjëje në Radio-Tirana”, thotë Liza dhe i çelet një buzëqeshje ironike.
Ajo mendon se në fund të jetës njeriut i kthehet ajo që ka dhënë. Po në rastin e saj, nuk kanë të bëjnë fare këto urdhra në pleqërinë e shtyrë. Nuk do kishte turp t’i quante turp.
Role të Liza Vorfit në Teatër
Elmira tek “Tartufi”
Beatrisa tek “Shërbëtori i dy zotnive”
Dezdemona tek “Otello”
Aktorja tek “Hamleti”
Martirio tek “Shtëpia e Bernarda Albës”
Julia Shevicova tek “Morali i zonjës Dulska”
Dorina tek “Borgjezi fisnik”
Dona Luçia tek “Karnavalet e Korçës”
Marta tek “Cuca e maleve”
Mara tek “Përmbytja e madhe”
Në kinema në filmat:
“Furtuna”
“Debatiku”
“Komisari i dritës”
“Rrugicat që kërkonin diell”
“Lulëkuqet mbi mure”
Ata ishin katër”
“Ne vinim nga lufta”
Roli i fundit është kontesha tek “Gjenerali i ushtrisë së vdekur