E premte, 26.04.2024, 04:17 PM (GMT+1)

Editorial » Sidheri

Elvi Sidheri: Akademikët hanë miza!

E merkure, 14.05.2014, 08:05 PM


“E yjet rrinë e vështrojnë”...teksa akademikët hanë miza!

Nga Elvi Sidheri

Në pritje të vizitës së kryeministrit turk Erdogan, i natyrshëm më erdhi ky shkrim në fakt...

Vizitë që u shty për shkaqe madhore tragjike, që do të meritonin vetëm shprehjen e njohur turke apostafat të përdorur në të tilla raste të dhimbshme: “Geçmi? Olsun”...pra “Të shkuara-Ngushëllime”!

Vizita të tilla, ndër të tjera fare normale sa i përket rëndësisë së tyre ekonomike, politike e gjeo-strategjike midis dy vendeve si Shqipëria e Turqia, në rastin specifik të kryeministrit të plotëfuqishëm turk dhe enturazhit të tij autoritarist, përgjithësisht përbëjnë sidoqoftë vetëm majën e një ajsbergu gjigand që fshihet i zhytur nën ujërat e turbullta të neo-otomanizmit modern.

Përçapjet e maskuara apo publike të autoriteteve turke që synojnë imponimin e këndvështrimit neo-otomanist mbi historinë e 500 viteve të fundit të popullit shqiptar, nuk janë më lajm apo zhvillim i ri.

Ndonjë mbledhje këtu, një konferencë aty, deklaratat e përfaqësuesve të Ministrisë së Jashtme ose të Arsimit turke ...ndërlidhur me pohimet e pretendimet shpesh groteske në delirim të otomano-nostalgjikëve jo të paktë të viseve shqiptare, rëndom na kanë shpënë drejt sqarimit përfundimtar të qëllimit final të një sipërmarrje të tillë madhore me origjinë Ankaranë.

Pra atë të ndryshimit sipas pikëpamjeve revizionuese neo-otomane, të historisë shqiptare, duke nisur qysh nga dita e parë kur dy kombet tona u takuan aspak paqësisht shumë shekuj më parë.

Por ka edhe një fushë tjetër me impakt të gjerë, ku “investohet” shumë për këtë qëllim...

Tek gjuha!

Gjuha shqipe, një gjuhë e lashtë, për shumë trajta ende mjaft enigmatike, me rrënjë të thella në koren e tokës ku shqiptari banon dhe sipas të gjitha gjasave, ka banuar pa ndonjë zhvendosje të theksuar territoriale, prej kohësh të pallogaritshme.

Një gjuhë që falë vjetërsisë së saj dhe autoktonisë së faktuar përkundër tërë paragjykimeve dashakeqe të shumëkujt, ka njohur gjithësesi influenca të shumta në fjalorin e saj.

Nga ato latinet, tek huazimet pse jo të ndërsjellta me gjuhën e fqinjëve helenë (të lashtën dhe modernen), tek sllavizmat e barbarëve që vërshuan gadishullin tonë para 14 shekujsh...deri tek mbetjet e gjuhës së pushtuesve jetëgjatë osmanë.

Është e qartë dhe askush me mend në kokë nuk ka sesi t’a vërë në dyshim realitetin normal të ekzistencës së fjalëve të shumta turke në gjuhën tonë.

Rreth 5 shekuj sundimi të huaj në fund të fundit, do të pasqyroheshin edhe në këtë kontekst, pra në të folurën e popullit tonë.

S’është as për t’u habitur sidoqoftë veçanërisht shumë, pasi për shembull, prania e fjalëve turke tek gjuhët e fqinjëve tanë sllavë, serbë, maqedonas apo bullgarë, është e njëjtë ose e përafërt me gjendjen përkatëse të gjuhës shqipe.

Në një botë dhe vend të lirë, vetëkuptohet që kushdo ndihet dhe është faktikisht (edhe me ligj) i lirë të flasë dhe të shprehet si t’ia ketë ënda, pra edhe duke përdorur gjatë komunikimit të përditshëm në gjuhën e tij mëmë, shqipen në rastin tonë, dhjetëra, qindra ndoshta...a më tepër, fjalë turke, me ose pa vend, shpesh pa asnjë nevojë.

E di shumë mirë që ndokush do të thotë që: “Ç’na bënë ca fjalë turke aman”?

Të tjerë do të vënë në dukje, sidomos përsa i përket qyteteve të mëdha dhe zonës bregdetare të Shqipërisë, praninë e pamohueshme...edhe në këtë rast me apo pa vend, të huazimeve nga gjuha italiane për shembull, ose nga “Lingua Franca” e epokës së sotme, anglishtja.

Të tjerë sërish do të kenë vërejtur me vëmendje ekzistencën e pakundërshtueshme dhe tejet të gjerë, të mbetjeve nga serbishtja në rajonet shqiptare si Kosova etj, që kanë jetuar në ish jugosllavi nën thundrën shtypëse të autoriteteve serbe të Beogradit apo të maqedono-sllavëve të Shkupit.

Nuk është ky problemi themelor me të cilin dua të merrem sot sido që të jetë, megjithëse të gjitha këto fenomene, ku më pak e ku më tepër, do pranuar se ekzistojnë.

Do vënë në dukje ndërkaq gjithësesi, se gjuha shqipe jo vetëm na dallon e identifikon në një botë të madhe në globalizim të pandalshëm si kjo në të cilën jetojmë, por ajo është edhe palca e qënies sonë, ADN-ja e saj.

Prandaj të shkatërrosh gjuhën shqipe, domethënë që të synosh qëllimisht që t’ia deformosh përfundimisht këtë ADN këtij populli.

Është bërë tashmë normale që të hasen ndërhyrje dërrmuese në sintaksë dhe gabime drejtshkrimore duke mos përfillur në mënyrë sa harbute aq edhe të qëllimshme, rregullat e gjuhës.

Rasat, vetat, gjinitë, numrat, kohët, mënyrat, renditjen natyrale në fjali...

Shihen të lulëzojnë përkthime shkel e shko, shqipërime gjithmonë e më në rrallim, porsi një specie në zhdukje e sipër, ndërkohë që gëlojnë përkthimet e cekëta të modelit “Copy-Paste” pa asnjë lloj interpretimi apo fantazie, lëre më përputhshmërie gjuhësore, nga gjuha përkatëse e huaj, në shqipen tonë të ngratë.

Për të dalë drejt e në temë, çështja pra nuk është dhe nuk ka kurrësesi të bëjë me fjalët e shumta turke të mbetura në përdorim brenda gjuhës shqipe, si pasojë normale e sundimit tepër të gjatë osman.

Problemi qëndron tjetërkund!

Tek përdorimi i shtuar tejmase “Artificialisht” i termave turke, sidomos në përkthimet e filmave të huaj.

Të jetë një rastësi kjo vallë???

Pse jo?!

Rastësia është diçka që ndodh pikërisht si pasojë e “rastësisë”...ndonjëherë.

Nuk është një fenomen i kontrolluar, as i qëllimshëm, aq më pak i synuar apo studiuar nga dikush.

Por vjen fjala, unë që kam kaq vite që nuk më ka ndodhur një herë të vetme që në përkthimet shqip të filmave të huaj në platformën kryesore dixhitale të vendit tim, të has fjalën shqipe “Pjesë” në vend të turqishtes së përherëshme “Hise”...mund të bëhem sidoqoftë ligjshmërisht dyshues?!!

Po do të ketë qenë rastësi, ndoshta e ekzagjeroj unë.

Po si i bëhet që në vend të “Fytyrë”, “Turi” a ndonjë forme tjetër dialektore shqipe, në të njëjtat përkthime dixhitale të kinematografisë së huaj, gjej përherë vetëm fjalën turke “Surrat”??

Rastësi të jetë edhe kjo vallë?

Ndoshta dikush tek rrjeti ynë dixhital, është nostalgjik përveçse i kohës së Babës që e Dum shumë...edhe i filmit “Lulëkuqet mbi mure”, ku kujdestari “Surrat-patate”...pasi rrëzohej, ia bënte mirë zotërisë së vet (ndjesë pastë i madhi Kadri Roshi)...

Që të mos harrojmë pasi tashmë u nis ky shtjellim, gjallë në botë se kam parë të përkthejnë sikur edhe një herë sa për t’a prishur syrin...”I gjymtuar” e jo turqisht “Sakat”!

Ncuq, s’bëhet fjalë!

Do theksuar fort në të njëjtat përkthime të të 6 kanaleve dixhitale filmadhënëse të së njëjtës kompani, fjalës ndoshta më emblematike shqipe “Bukë” përgjithësisht i thuhet “Simite”, “Kifle”, “Gjevrek” e ku di unë çfarë turqizme të rradhës.

Tani...edhe “Djallin” e quajnë ekskluzivisht “Shejtan”, po s’po ankohem shumë se krijesa në fjalë nuk më entuziazmon së tepërmi.

Një tipar tjetër i kësaj vije të mendimit dhe praktikës turkomane të përkthimeve shqipe, është patjetër edhe fjala “Ujdi” që ka zëvendësuar në masën 100 % fjalën shqipe “Marrëveshje”.

Në qoftë se dikur, përpara antarësimit në NATO, vendi ynë bëri pjesë për një kohë të gjatë në iniciativën e Partneritetit për Paqe, tashmë diçka e tillë sipas prirjes së fundit përkthyese të sipërpërmendur, do të ishte quajtur Ortakëria për Paqe, sipas fjalës turke aq të dashur për platformën tonë dixhitale “Ortak”.

Kjo logjikë na bën të kuptojmë pa shumë mundim edhe shmagnien totale nga fjalë të njohura për gjuhën tonë si “Taksë” apo “Tribut” që tanimë janë mënjanuar përfundimisht nga “Haraçi” turk.

Që një “Topall” i ngratë, nuk mund të jetë asnjëherë në vuajtjen e tij “Çalaman” në shqip, merret vesh edhe kjo.

Duke dalë jashtë “gardhit” të platformës dixhitale dhe përkthimeve ala-turka që aty praktikohen vazhdimisht, për shkak të “rastësisë” së qëllimshme (“Me dashje pa qëllim” siç thuhej dikur), gjithësesi raste të ngjashme të eliminimit fizik të gjithëanshëm të fjalëve shqipe në favor të termave turq, nuk mungojnë...

Ja për shembull, ky shteti ynë i varfër, ka një “Borxh publik” tepër të lartë!

Kështu?

Tani, meqë gjithmonë për fjalë të huaja sikur është duke u bërë fjalë, po “Debit” publik përse nuk cilësohet ndonjëherë ky i gjori?

Se sidomos mes specialistëve të fushës, ky term përdoret shpesh.

Politika jonë dhe “zëdhënësit” e saj, do ishte mirë të mësonin se “Zaptimet” dhe “Kaplimet”, mund të jenë edhe “Pushtime” në ndonjë rast...edhe të rrallë qoftë!

“Tapitë” që shpërndahen nga çdo qeveri papërjashtim, në të vërtetë janë “Tituj pronësie”.

Të mos flasim për “Sojlinjtë” apo “Sojsëzët” e parlamentit tonë, që termat “Fisnikë” e “Dorë e ulët” nuk i njohin as së largu siç duken bathët.

Për të mos e zgjatur shumë, tani po vë më poshtë një grup fjalësh që me pak kujdes, do t’i vëreni të gjithë duke patur durimin të ndiqni disa ditë filmat e përkthyer në shqip (i thënçin!) nga platforma më e madhe dixhitale në vend...

Secila prej këtyre fjalëve me origjinë turke, përdoret në vijimësi vend e pavend, duke larguar përherë me qëllim nga përdorimi, sinonimin origjinal në shqip...

Boll-mjaft

Çapkën-i hedhur, mistrec

Hasëm-armik

Mysafir-mik, i ftuar

Aheng-festë

Nishan-shenjë, shënjestër

Gjyslyke-syze

Batanie-mbulesë, kuvertë

Mesele-çështje

Bitis-përfundoj

Dynja-botë

Haber-lajm

Kalem-laps

Gjerdan-varëse

Sahat-orë

Sos-mbaroj

Pará-të holla, monedha përkatëse e ndonjë vendi

Hesap-llogari

I sertë-I hidhur, i athët

Liman-port

Zor-vështirësi, mundim

Harxhoj-shpenzoj

Çirak-ndihmës

Usta-mjeshtër

Marangoz-zdrukthar

Bollëk-pasuri (kur s’përdoret “bollëk”, është “Begati” në sllavisht)

Fukara-i varfër

Fukarallëk-varfëri

Bosh-zbrazur

Avash-ngadalë

Bahçe-kopësht

Bereqet-drithëra

Xhevahir-gur i çmuar

Syrgjynosje-përndjekje, internim, persekutim

Etj, etj, etj!

Gjuha shqipe siç shkruajta më lart, përmban në gjirin e saj, shumë fjalë me origjinë turke...dhe ky nuk përbën aspak një problem.

Ajo çfarë kam shtjelluar më sipër, ka të bëjë pikërisht, me një përdorim të qëllimshëm, dëmtues ndaj gjuhës sonë dhe pasurisë së fjalorit të saj, të këtyre fjalëve që jam përpjekur të listoj dhe rradhis, me synimin e dallueshëm, për të nxjerrë nga përdorimi njëherë e mirë me anën e tyre, fjalët përkatëse shqipe të të njëjtit kuptim.

Këtu pra, vend për rastësi nuk ka fare!

E të thuash që ndërkohë, teksa në Shqipëri vlojnë e zjejnë sërish ethet e fjalëve turke të para 5 shekujve, turqit e sotëm në Stamboll apo Izmir, flasin një turqishte të pasuruar me shumë terma europianë të tilla si: “Shans, Kolier, Party, Partner, Mersi, Pardon, Krem (në vend të “Kismet, Gjerdan, Aheng, Ortak, Kajmak)”... si shenjë e një kozmopolitanzimi të elitës urbane të këtij vendi të madh.

Këto “detaje” në pamje të parë, janë ato guriçkat që shtrojnë për t’a thënë në turqisht “kalldrëmin” e udhës së zotit Erdogan dhe shpurës së tij neo-otomane drejt Shqipërisë, historisë e gjuhës sonë.



(Vota: 15 . Mesatare: 3.5/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora