E marte, 30.04.2024, 03:28 PM (GMT+1)

Kulturë

Tubimi ne Polluzhë dhe ora letrare

E enjte, 19.06.2008, 05:45 PM


TUBIMI NË POLLUZHË DHE ORA LETRARE
 
Kuvendi Komunal i Skënderajt
Kuvendi Komunal i Drenasit
Shoqata e Invalidëve të Luftës së UÇK - së
Instituti Alb – Shkenca, Prishtinë

 
Me rastin e 63 vjetorit të vrasjes së Shaban Polluzhës, komandantit të shquar të Luftës së Dytë Botërore, të shtunën me 31.05.2008, në fshatin Polluzhë u mbajt një tubim popullor, ku përveç personaliteteve politike morën pjesë edhe dhjetëra bashkëluftëtarë të Shaban Polluzhës.
Manifestimin e shpalli të hapur Kryetari i Këshillit organizativ zoti Reshat Sahitaj, i cili veç tjerash tha: “Nisma e jonë për një manifestim të këtillë ka për qëllim zhveshjen e gënjeshtrave të disa historianëve të oborrit të sistemit të kaluar të cilët padrejtësisht shtrembëruan realitetin historik rreth luftës së figurave më të ndritshme kombëtare siç është edhe Shaban Polluzha. Qëllimi ynë është që këto figura historike që i bënë rezistencë armikut tani e tutje të trajtohen edhe nga këndi shkencor jo vetëm nga Instituti ynë Alb-Shkenca por edhe nga institucionet shtetërore të Kosovës”.
Prof Dr Adem Zejnullahu, nga Instituti Albanologjik i Kosovës, foli rreth figurës së Shaban Polluzhës dhe Mehemt Gradicës duke e studiuar veprimtarinë e tyre nga këndi i këngëve folklorike. Prof Dr Adem Zejnullahu tha se lufta e Shaban Polluzhës nuk ka guxuar të trajtohet objektivisht sepse sistemi i kaluar okupues këtë e kishte ndaluar, por armiku nuk kishte mundur që këngëtarëve popullor t’ua ndalonte që kësaj lufte t’i thurnin këngë dhe ne tani përmes këtyre këngëve mund të nxjerrim ne dritë anën e pashkruar të rezistencës së trimave te Shaban Polluzhës.
Në këtë tubim u lexuan disa kumtesa nga punëtoret shkencorë nga Kosova. Në tubim e morën fjalën edhe bashkëluftëtaret e Shaban Polluzhës si dhe veprimtari i shquar që kishte ardhur nga Amerika zoti Ahmet Zherka, babai i Ilir Zherkës i cili gjatë luftës se fundit në Kosovë kishte kontribuar ne kabinetin e Presidnetit Klinton.
E veçanta e këtij tubimi është se në qiellin e hapur ku dikur Shaban Polluzha dhe trima t e tij luftuan dhe u vranë pikërisht në ketë vend u organizua një orë letrare ku morën pjesë një numër i madh poetësh nga tërë Kosova si: Haxhi Vokshi, Mehemt Rukiqi, Prend Buzhala, Frrok Kristaj, Gani Gjafolli, Fatime Ahmeti, Riza Graiçevci, Nebih Bunjaku, Gjon Gjergji, Ali Ali Demaj, Bilall Maliqi, Demush Arifi , Zeqir Fazliu etj
Në akademinë solemne që u mbajt në Hoti “Grand”, Juria shpërblyen tri poezitë më të mira të konkursit letrar me ç’rast Kryetari i Jurisë Rexhep Qosja lexoji vendimin e komisionit: “ Komisioni në përbërje Myrvete Dresha, Reshat Sahitaj dhe Rexhep Qosja, i caktuar për të vlerësuar poezitë e arritura në konkursin e shpallur me rastin e 63-vjetorit të Kryengritjes kundërjugollave të Drenicës dhe rënies së prijësit të saj, Shaban Polluzhës, ka konstatuar se në konkurs janë paraqitur gjithsej 80 vjersha.
Numri më i madh i këtyre vjershave kanë vlerë të dukshme artistike, kurse disa prej tyre shquhen edhe me porosi domethënëse.
Duke pasur parasysh të dhënat që shënojnë përmbajtjen e tyre, Komisioni vlerësues i ka ndarë poezitë e paraqitura në konkurs në tri pjesë:
- pjesën e parë e përbëjnë vjershat në të cilat drejtpërdrejt i këndohet Shaban Polluzhës, idealit që iu ka kushtuar ai dhe rënies së tij;
- pjesën e dytë e përbëjnë vjershat që tërthorazi lidhen me Shaban Polluzhen, por në të cilat njëkohësisht këndohet Drenica, që me virtytet e saj e ka frymëzuar trimërinë e tij;
- pjesën e tretë e përbëjnë vjershat në të cilat këndohet , në të vërtetë përsiatet historia e mundimshme e popullit shqiptar.
Vjershat e të tri pjesëve i përshkon ideali i lirisë, që e shënon këtë histori.
Prej të gjitha këtyre vjershave, që dëshmojnë se poezia atdhetare vazhdon të jetë lloj shumë i çmuar, ndoshta lloji më i çmuar në poezinë tonë në përgjithësi, Komisioni i ka veçuar 10 prej tyre si më të mirat.
Të gjitha këto janë vjersha që shquhen me idenë, me porosinë, me gjerësinë e përsiatjeve dhe, më në fund, me mënyrën e trajtimit gjuhësor artistik.
Nga këto 10 vjersha Komisioni ka zgjedhur 3, që konsideron se mund të quhen më të mirat.
1. Komisioni ka vendosur, njëzëri, që, prej këtyre tri vjershave, çmimi i parë (me shpërblim prej 300eurosh), t’i jepet vjershës “Shikimi i Shaban Polluzhës” e nënshkruar me shifrën deti i lirisë.
Vjersha “Shikimi i Shaban Polluzhës” është e përbërë prej tri strofash tetëvargjësh, që domethënë se ka 24 vargje. Është vjershë që e përcaktojnë përsiatjet për vendimin historik të Shaban Polluzhës, për rrethanat në të cilat e kishte marrë ai atë vendim dhe, më në fund, për gërshetimin kuptimor e moral të atij vendimi me të sotmen e Kosovës. Vjersha ka kuptim të gjerë historik dhe kombëtar, në të vërtetë gjithëkombëtar. Është e shkruar qetë, pa tendosje ndjenjore dhe kuptimore, pa patos dhe pa retorik. Është vjershë lirike me të cilën jepet një porosi që të nxit mendime e gjykime për të djeshmen dhe të sotmen: të rënda për të djeshmen e optimiste për të sotmen dhe të nesërmen tonë.
2. Çmimi i dytë (me shpërblim prej 200 eurosh) Komisioni ka vendosur, po ashtu njëzëri , që t’ia jap vjershës “Udha e Drenicës”, e nënshkruar me shifrën DSH.
Vjersha “Udha e Drenicës” është një vjershë lirike kuptimisht dhe simbolikisht shumë e stisur. Emërvendi historik, Drenicë, është simbol i saj që përmbledh kuptimin liridashës të jetës kombëtare, që simbolizon ecjen vertikale drejt lirisë, që simbolizon qartësinë dhe vendosmërinë në këtë ecje. I gjithë ky kuptim simbolik është i përmbajtur në marrëdhëniet kuptimore të emrave Shaban Polluzha- Drenica-Arbëria
Vjersha “Udha e Drenicës” është shembull i vjershës që me fare pak fjalë, por me figurshmëri të zgjedhur, thotë,vërtet, shumë dhe atë që e thotë bukur.
3. Komisioni ka vendosur që çmimi i tetë (me shpërblimin 100 eurosh) t’i jepet vjershës “ E pse të mos ia themi emrin” e nënshkruar me shifrën Përlindja.
Kjo është vjershë lirike e përbërë prej gjithsej tri strofash: dy strofat e para kanë nga katër vargje, kurse strofa e tretë ka dy vargje. Është lehtë e kuptueshme dhe është posaçërisht origjinale për nga kuptimi. Siç i thotë titulli, kjo vjershë e përmban një qëndrim kritik ndaj brezave që e kanë mbajtur në heshtje emrin e Shaban Polluzhës, i cili nuk këndoi siç këndojnë të tjerë, i cili nuk bëri gjumë siç bëmë ne, i cili “si shkabë- thotë autori i vjershës- e tha emrin e tij”. Në këtë vjershë me pak fjalë dhe me figurë plotësisht të qartë është thënë thelbi i kuptimit të jetës dhe i vlerës së lartë morale të rënies së Shaban Polluzhës.
Duke ua uruar çmimin tre fituesve të tij., Komisioni i vlerësimit ka kënaqësinë t’i falënderoj për pjesëmarrje në konkursin për vjershat më të mira të shkruara me rastin e 63 vjetorit të rënies së Shaban Polluzhës të gjithë pjesëmarrësve në të. Të gjithëve u dëshirojmë frymëzime të reja në Kosovën e pavarur, në të cilën, më në fund, u sendërtua ideali i atyre që u flijuan për të dhe i atyre që me aq përkushtime shkruan për të. Ideali i gjithë popullit”.
Autori me shifrën “Deti i lirisë” që me vendin e parë u shpërblye ishte Merxhan Avdyli, me shifrën “DSH” qe mori vendin e dytë ishte Shaip Emërllahu dhe shifra “Perlindja “ që iu dha vendi i tretë ishte autori Shefqet Bylykbashi.
Akademia solemne përfundoi me filmin dokumentar të regjisores Elmaze Nura që e kishte punuar enkas për këtë përvjetor.



(Vota: 0)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora