E premte, 26.04.2024, 09:38 AM (GMT+1)

Kulturë

Flora Durmishi: Të kesh mbështetjen e grave

E marte, 23.04.2013, 08:24 PM


Është mirë të kesh mbështetjen e grave!

Nga Flora Durmishi

E intervistuara ime, e sotme, është gruaja e parë shqiptare që ka hyrë në Parlamentin e Maqedonisë. E para grua shqiptare zv.kryeministre dhe e para grua kryetare e komunës së Tetovës - Teuta Arifi. E lindur në Tetovë nga prindër intelektualë. Nëna e Teutës, zonja Nadire, njihej në qytetin e saj të lindjes si një ndër mësueset e pakta të asaj ane. Teuta Arifi është shkolluar në Tetovë, Prishtinë e Shkup. Është doktor I shkencave filologjike. I pëlqen shumë të shkruajë. Është autore e botimeve të ndryshme shkencore dhe politike. Flet disa gjuhë: anglisht, frëngjisht, italisht e turqisht. Intelektualja, Teuta Arifi, në vitin 2000 sakrifikoi komoditetin e vet me qëllim që të ndryshojë gjendjen e përgjithshme të shqiptarëve në Maqedoni. E kanë cilësuar si një grua të guximshme, mendjendritur dhe në të njejtën kohë të ndjeshme dhe subtile. Është nënë e dy fëmijëve.

Zonja Arifi, para se gjithash dua të ju falënderoj për kohën që ndatë për mua dhe dëgjuesit e Radio Kosovës. Urime dhe shumë suksese edhe në pozitën e re!

Ju falënderoj përzemërsisht! Për mua gjithmonë është një nder I vecantë mundësia për të folur për mediat kosovare dhe gjithmonë komuna e Tetovës është e hapur për cfarëdolloj aktiviteti, informacioni  për dëgjuesit e radios tuaj.

Jeni gruaja e parë shqiptare që, me votat e veta ka hyrë në Parlamentin e Maqedonisë, e para grua shqiptare zv.kryeministre dhe e para grua kryetare e komunës së Tetovës! Ju po bëni histori zonja Arifi!

Në një mënyrë edhe ashtu I bie! Fati ka dashur, në një mënyrë që, hapat që kam bërë, të jenë të parët dhe të jenë hapa historik. Në vitin 2002, kur kam dalë në zgjedhjet parlamentare deri atëherë nuk kishte pasur grua shqiptare në Parlmenin e Maqedonisë por edhe në pozitën ekzekutive si zv.kryeministre. Për të ju thënë shumë sinqerisht kam pasur shumë sfida, shumë fitore, shumë pozita më të vogla, më të mëdha por asnjëra prej tyre nuk më ka gëzuar si kjo e Tetovës! Kjo, me që unë kam arritur të marr mbi 24 mijë vota, si kandidate për Komunën e Tetovës, që është votë personale. Është vota rekorde që, prej themelimit të parties, dikush ka marrë në këtë proces. Për mua kjo është përgjegjësi e madhe përpara të gjithëve dhe pse jo, edhe një dëshmi se gratë mund t’I sjellin shumë të mira procesit politik të cdo partie politike.

Zonja Arifi, kishte skeptikë se do të mund të fitonit zgjedhjet, pikërisht se jeni grua! Mirëpo, Tetova, për cudinë e shumë njerëzve, nuk ju shikoi si grua por si një njeri që mund të bëjë ndryshime ose si një njeri që mund të cojë komunën përpara! Dhe kjo ka befasuar të ju them të drejtën!

Ka pasur shumë njerëz që, mund të kenë qenë skeptikë! Ka pasur të tillë të cilët. ndoshta gjatë fushatës, do të kishin dashur të mbështeten në një element të patriarkalizmit të mundshëm të tetovarëve mirëpo, për mua nuk ka qenë dilemë asnjëherë. Unë kam qenë shumë e binur, sic jam cdo herë, se këto 20 vjet të pluralizmit, tetovarët në momentet e caktuara, I kanë bërë zgjidhjet e caktuara që, kanë qenë kthesë politike për shqiptarët e Maqedonisë. Për herë të parë është themeluar parti politike në Tetovë dhe, fillimtarët e shumë proceseve kanë qenë pikërisht nga Tetova. Në gjendjen në të cilën kishte rënë komuna e Tetovës, si komuna më e madhe, qendra më e madhe e shqiptarëve në Maqedoni, mendoj që mbështetja nuk do të mungonte. Njerëzit më kanë pritur jashtëzakonisht mirë si burrat, të rinjtë, por për mua ka qenë shumë i rëndësishëm kontigjenti votues I grave të cilave, unë u jam qasur me një program të vecantë dhe me një qasje timen të vecantë.

Atëherë kur jemi këtu, cfarë vecanërisht përfitojnë gratë me zgjedhjen tuaj?

Në radhë të parë, me zgjedhjen time, gratë përfitojnë një ide të hapur të pushtetit local. Edhe pse këto janë ditët e para, unë shoh që gratë me një lehtësi të madhe mund të vijnë sot te kryetarja e komunës dhe të tregojnë cilindo hall të tyre që mund të kenë. Poashtu mendoj që grate, fitojnë një garancë se do të ketë një barazi më të madhe në procesin e angazhimit të stafit komunal dhe një garancë se angazhimi I komunës së Tetovës ndaj cështjeve të grave do të jetë serioz. Unë mendoj që ato e kanë kuptuar këtë dhe kjo ka qenë logjika e mbështetjes së madhe të tyre.

Ishit zv.kryeministre, pozitë shumë e lartë kjo ndërsa, vendosët të konkurronit për kryetar komune! Dikush e konsideron këtë si kthim mbrapa madje, flitej se mund edhe të digjeni. Pse e bëtë këtë zgjedhje?

Për arësye se, pa marrë parasysh se, cfarëdo qoftë pushteti që keni në Republikën e Maqedonisë, për cdo politikan shqiptar I cili, është pak racional e di që pozita më e madhe, më e nderuar, më e fuqishme është të jesh kryetar I Tetovës. Në ato matjet e niveleve se si I bëjmë ne, duket e cuditshme por në kuadër të realitetit objektiv  të keni sot mbështetjen e qytetarëve për cilindo project që keni vlen, jam shumë e sigurt, më shumë se cilado pozitë në pushtetin qëndror.

Në këtë fillimmandat me cfarë po përballeni?

Po përballemi me një situatë jashtëzakonisht komplekse. Për fat të keq, komuna e Tetovës, sipas rezultateve që po I shoh në analizat e mia, ka pasur një periudhë serioze keqmenaxhimi. Komuna është në borxhe serioze dhe në minuse serioze financiore. Unë, me ekipin tim, por edhe këshilltarët e jashtëm të cilët, janë të gatshëm të ndihmojnë, jemi duke bërë hulumtime për të dalë nga kjo situatë. Kam bërë grupin tim emergjent dhe kam shpallë gjendje krize me të cilin, do të duhet të kthejmë stabilitetin financiar të komunës së Tetovës. Dhe pasi të kthejmë stabilitetin financiar, të mundemi që të jemi një komunë e fuqishme në përmasa, jo vetëm të vendit tone, por edhe në përmasa rajonale.

Zonja Arifi, ka ankesa se gratë, sapo marrin një pozitë të mirë, harrojnë që janë gra. Ju deri tani nuk keni harruar që jeni grua. Uroj që të jetë kështu edhe në vazhdim!

Jo, jo në asnjë mënyrë! Qasja ime gjatë gjithë kësaj periudhe ka qenë: cka mund të bëjë unë për gratë tjera? Kur jam zgjedhur në 2002-shin si anëtare e Parlamentit, qasja ime ka qenë: Po, do të jem gruaja e parë shqiptare në Parlament por ajo që unë nuk guxoj të lejoj është të jem gruaja e fundit shqiptare në Parlament. Kam qenë pjesë e ndryshimeve legjislative për të siguruar numrin e grave në këshillat dhe në Parlament  dhe qsja ime është që, me pozitën time, të përfitojnë të gjithë qytetarët por me pozitën time, të mirë edhe hajr të shohin më shumë gratë.

Pse është e rëndësishme që gratë të jenë më shumë në vendimmarrje?

Mendoj që vendimmarrja ka nevojë për gratë. Politika ka nevojë për gratë. Ka nevojë për nikoqirllëkun e grave. Ka nevojë për afinitetin e grave, për të punuar më shumë punë përnjëherë. Ka nevojë për atë ndjenjën e grave që, është një ndjenjë amnore dhe e kujdesit për të tjerët dhe, kam përshtypje që politikat shqiptare përgjithësisht kanë nevojë për një lidership I cili, është lidership pakashumë edhe I grave me një mentalitet të tillë. Mendoj se politika jonë ka ardhur në një fazë kur, gratë I duhen më shumë se sa që mund të merret me mend.

Burrat, cka mund të mësojnë nga gratë?

Po mund të mësojnë që, mund të jenë më të hapur, më të afërt me njerëzit, më komunikativ, më pak paragjykues, më të drejtëpërdrejtë në komunikim  dhe më të sinqertë! Mendoj se kjo do t’I ndihmonte secilit politikan. Mendoj se logjika apo suksesi I politikbërjes tone, varet nga ajo se sa ne e mbajmë lidhjen me qytetarin, me popullin. Në momentin kur humbet ajo lidhje atëherë humbasim kohë në proceset politike.

Femra shqiptare në Maqedoni, ku është ajo sot?

Femra shqiptare në Maqedoni ka bërë ecje të madhe përpara dhe për këtë unë mendoj që duhet t’I pranohet faktit të hapjes të universiteteve tona të cilat, kanë mundësuar që femrat e reja të jenë pjesë e procesit arsimor. Mandej, ndihmesë të vecantë kanë dhënë proceset që kanë ardhur pas Marrëveshjes së Ohrit të cilat, kanë mundësuar një numër të madh të të rinjëve dhe të rejave shqiptare, brenda administratës shtetërore. Mendoj se definitivisht, në pozitën tone, kemi ndryshuar shumë mirëpo, po aq kemi për të bërë për të ardhmen meqenëse, sfidat dhe proceset e reja kërkojnë shumë e më shumë nga ne.

Zonja Arifi, ju shquheni për qëndrimet dhe mendimin ndryshe edhe brenda partisë. Pra jeni e zëshme edhe brenda partisë tuaj! Kjo është e rrallë në këtë hapësirë.

Unë e kuptoj politikën si një art të bërjes kompromis mirëpo nuk e kuptoj si jë kompromis ekstrem me vlerat që ne përfaqësojmë, me vlerat tona. Kështu që, gjatë kësaj periudhe, unë atë që kam pasur dhe dashur ta them dhe t’I qëndroj pas e kam bërë gjithmonë intesivisht dhe në radhë të parë brenda subjektit tim. Dëshiroj që subjektet tona politike, të bëhen subjekte moderne në të cilat, do të kenë vend dhe hapësirë edhe për mendime më të gjëra për arësye se, mendoj që, shoqëria dhe vendi që udhëheqim është më I madh se sa partitë që ne përfaqësojmë.

Zonja Arifi, nuk po bëjnë sa do të duhej për grate. Ato nuk po përkrahin aq sa do të duhej njëra tjetrën! Kjo është përshtypja ime. Po ju cfarë mendoni?

Kam dëgjuar zonjën Ollbrajt të thotë: Gratë që nuk punojnë për gratë kanë një vend të ftohtë në ferr. Unë mendoj që, politika është një punë konkurrente dhe, mund të mirëkuptohet konkurrenca mirëpo, nuk mund të mirëkuptohet, asnjëherë, padurueshmëria kot fare që mund të shfacet. Unë mendoj që, është e rëndësishme që, gratë të përkrahin njëra tjetrën, të ndihmojnë njëra tjetrën, të rrisin një gjeneratë të re, të atyre që vijnë pas apo atë që kam thënë unë, jam e gatshme për të  udhëhequr me Tetovën por akoma më shumë jam e gatshme që të jem pjesë e ndërtimit të një gjenerate të re, të njerëzve të rinj e të reja të cilët duhet të jenë udhëheqës të këtij populli. Për mua kjo është sfidë e madhe.

Cilat janë sfidat nëpër të cilat kalon një grua kandidate për të drejtuar një fushatë të suksesshme? Ju sapo e keni provuar këtë.

Unë kam pasur qasjen që përvec fushatës që ka pasur partia kam ndërtuar edhe fushatën time personale si kandidat domethënë, e kam personalizuar jashtëzakonisht shumë fushatën. Sfidat kanë qenë, në radhë të pare, qasja ime ka qenë që, kudo që më kanë thërritur gjithkund kam shkuar. Njerëzve direkt u  kam shpjeguar cka dëshiroj të bëj. Kam shkuar në shtëpitë e të gjithëve që kanë qenë të gatshëm të më pranojnë. Nuk kam bërë parapëlqme që të shkoj te dikush që jam I sigurt që është përkrahës dhe të mos shkoj të bisedoj te ata që s’janë. Në një fushatë, duhet të jeni shumë direkt, shumë të hapur, të shkoni gjithkund, në mënyrën që e kuptojnë ata, t’u shpjegoni dhe t’u tregoni se pse e doni mbështetjen e tyre dhe mandej atë komunikim ta vazhdoni.

Keni vizituar shumë fashatra gjatë fushatës. A  ka pasur ndonjë reagim që nuk e keni pritur?

Jam mirëpritur shumë. E kam ndjekur parimin që, meqenëse unë jam 11 vjet në proces politik dhe jam një figurë që më njohin, për dallim të ndonjë fillestari, nuk kam pasur problem asnjëherë që të jem bashkëbisedues I mirë për strukturat tona, për burrat dhe kështu me radhë. Ndërkaq, për gratë, ato kanë kërkuar takime të vecanta. Kemi përdorë këtë sistemin e mexhlisit, takimit, ndejës, dhe ka qenë shumë I suksesshëm. Gratë këtu, janë të interesuara për politikë. Në këtë përfundim kam ardhur pas fushatës. Ju intereson vecanërisht politika lokale, problemet që I ka qyteti seriozisht me ujin, hedhurinat, me arësimin, papunësinë. Gratë janë jashtëzakonisht intelegjente dhe shumë mbështetëse. Është mirë të kesh mbështetjen e grave.

A do të mund t’I plotësoni gjithë ato premtime që keni dhënë?

Jam shumë e bindur që po! Dita-ditës bindem edhe më shumë, pa marrë parasysh që shumë kolegë të mi burra kanë qenë dhe vazhdojnë të mbeten skeptikë në mundësinë e ngritjes së komunës së Tetovës, sic jut hash, për shkak të keqmenaxhimit paraprak dhe rënies, minusimit të madh buxhetor që ka por, ne kemi marrë modele, kemi studiuar modele të suksesshme të cilët kanë pasur situata poashtu kaq negative por që I kanë kthyer në positive. Unë jam shumë e bindur që do të arrijmë te qytetari I Tetovës të krijojmë një shpresë, një mundësi, një vullnet, një entuziazëm po edhe një komunë të cilën qytetari e meriton.

Tani së fundi kemi edhe fenomenin e ashtuquajtur facebook. Ju e keni shfrytëzuar mirë këtë mundësi, kam përshtypjen!

Po e kemi përdorur shumë. E kemi një qasje të punës dhe intenzitetit të madh, me numër të madh të fansave. Kam edhe administratoret e mia të cilat administrojnë faqen e facebook-ut mirëpo, inbox-it I përgjigjem vetë personalisht. Nuk ka ndodhur që të mos u kthej personalisht përgjigje të gjithë atyre që më kanë shkruar. Edhe kur më kanë uruar tani, për fitoren, u jam përgjigjur të gjithëve. Mendoj se rrjetet sociale janë efikase në fushatë.

Zonja Arifi, shqiptarët janë popull I madh prej të cilit kanë dalë dy nobelistë ose tre le të themi, Nëna Terezë, Ferid Muradi dhe Kadare edhe pse ky I fundit nuk e ka marrë këtë cmim për mua është nobelist. Megjithatë ky popull nuk po arrin të ketë një koordinim të mirëfilltë!

Unë mendoj që, në 20 vjtëshin e fundit, ne kemi hyrë në një fazë të asaj që quhet partishmëri dhe ajo ka kontribuar në vrapimin edhe të interesave parciale dhe të themi politike. Megjithatë e rëndësishme është që te shqiptarët kanë ndodhur procese të rëndësishme shoqërore përgjatë kësaj periudhe kohore. Mendoj se është mirë ta rrisim shkallën e koordinimit  ndërshqiptar për cështje të rëndësishme, të tryezave ndërshqiptare për cështje të kulturës, arsimit, infrastrukturës, lidhjes tonë infrastrukturore, zhvillimit ekonomik. Mendoj që aty ka ende shumë punë që duhet të bëhet.

E fituat Kërçovën, Strugën dhe kjo falë bashkimit të shqiptarëve. Kjo do të thotë që në momente të caktuara është I domosdoshëm bashkimi kur bëhet fjalë për cështje të mëdha!

Apsolutisht! Për shkak se për ne, aty ishte shumë e qartë se nëse nuk do të bënim një bashkëveprim do t’I humbnim ato komuna ndërkohë që në komunat ku jemi shumicë shkojmë me konkurrencë.

Zonja Arifi, lideri I partisë tuaj z. Ahmeti ka thënë se pas përfundimit të procesit zgjedhor, BDI-ja do të rishikojë partneritetin me VMRO-DPMNE-në. Pse duhet të rishikohet ky partneritet?

Nuk do të hy në komente të deklaratave të kryetarit tim por do te kisha nënvizuar një aspekt tjetër, aspektin e kolumnes së tij për sa I përket anëtarësimit të vendit në NATO e cila ka krijuar shumë debat. Mendoj se për ne, prioritet I madh, mbetet cështja e NATO-s dhe Bashkimit Evropian dhe normalisht tani, pas përfundimit të zgjedhjeve locale, për ne do të jetë shumë e rëndësishme mënyra se si do të zhvillohet ky proces më tutje.

Sa e konsideroni efikas këtë partneritet në të kaluarën?

Ai është një partneritet I cili është bazuar në vendimet dhe verdiktin e popullit maqedon dhe popullit shqiptar. Ne kemi pasur parimin që ai që fiton te njëra bashkësi të koalicionojë me bashkësinë tjetër. Kemi arritur që, cështjet për ne, që kanë qenë prioritet, t’I shtyejmë sa kemi mundur mirëpo duhet pasur parasysh që konceptet jo gjithmonë kanë qenë të njejta.

Ka vërejtje se BDI nuk e kishte forcën reale në vendimet esenciale të shtetit maqedonas dhe se partneri maqedonas pothuajse vendoste për gjithcka!

Jo nuk do të mund të thoja se është ashtu. Edhe ne, si një parti politike e cila, që nga themelimi, është në pushtet, minus 18 muaj, që kemi qenë në opozitë, kemi pasur periudha kur kemi pasur fuqi më të madhe e ndonjëherë më të vogël. Mendoj që, fuqinë më të vogël, më të kufizuar, e kemi pasur në atë periudhën nga 2008 deri në 2011 dmth në atë periudhë kohore shumica parlamentare në anën maqedonase ka qenë jashtëzakonisht e madhe. Edhe atëherë normalisht që kemi pasur gjithmonë ndikimin tonë mirëpo ka pasur periudha kur ka qenë më I mirë se atëherë. Sido që të jetë ne nuk kemi lëvizur prej asaj që kemi pasur rrugë të tonën të trasuar me logjikën që proceset që janë filluar nuk mund të kthehen pas dhe normalisht veprimi politik I shqiptarëve në Maqedoni është pjesë e një mozaiku të politikës shqiptare në rajon edhe ajo I ka pasur parasysh ato momentet që është dashur të jetë më balansuese kur është dashur të bëjë ndonjë tërheqje të vogël por kryesisht lëvizja ka qenë në një vijë dhe ajo vijë për ne nuk ka lëvizur asnjë herë.

Ka qenë një periudhë e rëndë e marrëdhënieve shqiptaro-maqedonase javëve dhe muajve të fundit. Si e shihni rrjedhën e raporteve ndëretnike pas këtyre zhvillimeve?

Maqedonia është një shtet I cili, ka një fragjilitet të theksuar ndëretnik dhe ai fragjilitet varet shumë se si menaxhohet politikisht. Unë mendoj se marrëdhëniet ndëretnike duhet që të mbahen në linjen e Marrëveshjes së Ohrit. Normalisht që sfida do të ketë ky raport, shqiptaro maqedonas, dhe do të jetë sfidues derisa shteti jonë do të bëhet anëtar I Natos dhe dhe Bashkimit Evropian.

Krerët shtetërorë maqedonas I kanë bërë një pritje madhështore dhe plot respekt një të dënuari të Hagës për krimet ndaj shqiptarëve. Si e keni parë këtë qasje të tyre?

Nuk e kemi pëlqyer dhe nuk e kemi mirëpritur si të tillë për arësye se ne mendojmë se duhet të drejtohemi drejt të ardhmes dhe jo drejt të shkuarës.

Sa janë shqiptarët afër ose larg konsolidimit të pozicionit të tyre si komunitet shtetformues në Maqedoni, të paraparë me Marrëveshjen e Ohrit?

Shqiptarët kanë akoma shumë për të punuar dhe mendoj që është shumë e rëndësishme që të forcojnë institucionet e tyre. Nëpërmjet institucioneve, mendoj që, kanë mundësi të ndërtojnë pozita më respectable në këtë shtet. Pushtetin që kemi, të gjithë, duhet ta përdorim mirë dhe ta mirëpërdorim dhe atëherë mendoj se do të jemi factor I paanashkalueshëm në këtë vend. Ne edhe ashtu ashtu jemi factor I rëndësishëm mirëpo nuk duhet ta harrojmë sa factor I rëndësishëm jemi.

Le të flasim tani pak për gjëra më të lehta. Ta zëmë, vazhdoni edhe më tutje t’I qëndroni besnike floktares së njëjtë apo e keni ndërruar?

Më ka prishur pak punë fakti që kam ndërruar vendbanim. Kam jetuar në Shkup derisa kam qenë zv.kryeministre, me variantin e verës në Tetovë dhe të fundjavës kështu që, tani normalisht që, e mbaj të njejtën dinamikë një ditë po një ditë jo te flokëtarja mirëpo, në fundjavë te e njejta ndërsa mbrenda javës te mikesha ime këtu në Tetovë.

Po stilist të caktuar keni, ose rrobaqepës të preferuar? Ju pyes ngase ju shohim gjithmonë elegante dhe me shumë stil.

Bëj kombinime zakonisht dhe nuk e kam prishur atë rendin e mbajtjes mirë. Kam edhe rrobaqepës edhe mike me të cilën I frekuentojmë nganjëherë dyqanet për të parë se cka ka levizje të reja dhe kështu me radhë, ndërsa stilist jo nuk kam! Është “to much” do të thoshin të huajt! Ajo që ka rënë në sy, si elegante, është rezultat pakashumë I zgjedhjes time edhe I gjetjes time, më tepër, por jo, jo, stilist nuk kam.

Dilni me burrin nëpër dyqane?

Me burrin jo! Sikurse pjesa më e madhe e bashkëshortëve tanë nuk kanë durim që ne të shkojmë në tri dyqane dhe të kthehemi te I pari ta marrim përsëri atë që e kemi parë për herën e parë. Me mikeshat po, me to dal.

Për cfarë nuk merreni vesh me burrat e partisë?

Pijnë shumë duhan. Unë mendoj që s’u bënë mirë atyre ndërkaq ne që pasivisht qëndrojmë aty nuk na bënë mirë gjithashtu mirëpo megjithatë ajo është cështje që nuk është mirë.

Po me burrin tuaj për cfarë nuk kuptoheni?

Kam përshtypjen se merremi vesh për gjithcka! Mbase një prej cështjeve për të cilën ne nuk merremi vesh është ajo që e kemi si timing, si kohë të tonën. Zakonisht unë jam jashtëzakonisht shumë e shpejtë dhe gjërat që I mbërrij I mbërrij pak më shpejt edhe në ecje edhe në dinamikë kështu që duhet pak me I harmonizu agjendat.

Cili është komenti juaj për këto shprehjet “punë grash”, “punë burrash” ose “gjini e bukur”? Në momentin që thuhet “gjini e bukur” kjo lë të nënkuptohet që gjinia tjetër është e “fortë”! Si mendoni ju?

Unë nuk e paragjykoj dhe nuk I pranoj paragjykimet si formë të komunikimit. Unë mendoj që në radhë të parë bukuria është një koncept estetik I cili, nuk ka gjini po shkon përtej gjinisë dhe I arrinë disa nuanca shpirtërore të cilat, janë jashtëzakonisht të larta ashtu si nuk pranoj që edhe forca, fuqia të ketë gjini. E kam thënë shumë herë gjatë fushatës time se një betejë nuk është betejë e cila fitohet me muskuj po është betejë të cilën e fiton ai apo ajo që ka zemër luftari për ta fitu dhe unë e kam pasur atë zemër prandaj nuk I pranoj paragjykimet dhe stereotipet.

Do të vazhdoni të shkruani komente, reagime? Kam lexuar shpesh herë reagimet tuaja të cilat, për mendimin tim, janë reagime me shumë stil dhe elegancë!

Më pëlqen shkrimi jashtëzakonisht shumë! Fenomenet politike poashtu shumë. Ma merr mendja që të arrij ta stabilizoj këtë komunë të paktën për këta tre-katër muaj që vijnë që mandej edhe unë të kem kohë të merrem me shkrime për arësye se më pëlqen ajo ide shumë përvec asaj është mirë të shkruhet.

Fëmijët tani ju shohin më pak apo më shumë?

Tani është më mirë. Fushata ishte shumë intensive. Në fushatë ata më mungonin shumë dhe unë u mungoja atyre për shak të kohës. Edhe kur isha zv.kryeministre kisha më shumë udhëtime zyrtare ndërkaq që këtu parimi im është për të filluar ditën shumë herët dmth filloj ditën mjaft herët kur edhe fillon orari I punës me tendencën që pasdite të përfundojmë dhe të jemi në shtëpi dhe të hamë drake-darkë të gjithë bashkë edhe kemi kohë edhe për të pushuar kështu që tash është shumë më mirë në aspektin e kohës.

Zonja Arifi, faleminderit për intervistën! Faleminderit për kohën që ndatë për mua dhe dëgjuesit e Radio Kosovës dhe emisionit “Bota F”!

Dëshiroj edhe një herë të ju them se jam e nderuar me faktin që më keni ftuar në këtë emision tuajin. Ju dëshiroj, ju personalisht, shumë suksese dhe shumë shëndet dhe normalisht, grave bujare të Kosovës, se unë kam studiuar atje, t’u dëshiroj që të mbërrijnë lart e më lart dhe të ndihmojnë në forcimin e Shtetit të Pavarur të Kosovës.



(Vota: 1)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora