E enjte, 28.03.2024, 01:37 PM (GMT)

Editorial » Shkreli

Frank Shkreli: Java që ndryshoi botën

E hene, 19.03.2012, 08:02 PM


“JAVA QË NDRYSHOI BOTËN’’

40-VJETORI I VIZITËS SË PRESIDENTIT NIKSON NË KINË

 

Nga Frank Shkreli

 

Një javë më parë, në Institutin e  Shteteve të bashkuara të Paqës në Uashington u mbajtë  një seminar me rastin e 40-vjetorit të vizitës historike të ish-presidentit amerikan Riçard Nikson në Kinë.   Udhëtimi i presidentit Nikson në Kinë, 40-vjetë më parë ishte një moment historik në marrëdhënjet amerikano-kineze dhe botërore, pasojat e të cilit ndihen edhe sot.  Konferenca u mor kryesisht me origjinën e vizitës, me marrëdhënjet e tanishme Uashington-Pekin si edhe me përspektivat për të ardhmen e këtyre marrëdhënjeve kritike për të dy vendet dhe për botën.   Në atë takim morën pjesë Sekretarja Amerikane e Shtetit Hillari Klinton,  Ministri i Jashtëm kinez, Jang Jiechi (me video prezantim), ish-Sekretari i Shtetit amerikan Henri Kisinger, misjoni sekret i të cilit në Kinë, në vitin 1971 përgatiti rrugën për vizitën e presidentitit Nikson në vitin 1972,  ish-këshilltari për çështje të Sigurimit Kombëtar Zbignjev Brzhezhinski, si dhe  një numër gazetarësh, diplomatësh dhe biznismenësh.

 

Dyzet vjetë më parë këtë muaj, presidenti amerikan Riçard Nikson dhe delegacioni i tij shkuan në Pekin për tu takuar me udhëheqsin e atëhershëm komunist të Kinës, Mao Tse Tung.  Kina deri atëherë përbënte një mister për Amerikën dhe botën pasi nuk lejonte të huajt të vizitonin.  Vizita e Niksonit ishte e para në Pekin nga një president i Shteteve të Bashkuara dhe kurioziteti ishte tepër i madh mbi mbi atë vend si dhe mbi jetën në Kinën Komuniste të 1970-ave.

 

Ky përvjetor i vizitës njëjavëshe të Presidenti Nikson në Kinë, që gjithnjë konsiderohet si “Java që ndryshoi botën’’,  u shënua me diskutime nga pjesëmarrës dëshmitarë të asaj  ngjarjeje historike, sipas tyre,  jo vetëm për dy vendet por dhe për marrëdhënjet ndërkombëtare.  Presidenti i Institutit  të Shteteve të Bashkuara të Paqës, Riçard Solomon tha se ‘’Mendoj se është e qartë se po të shikojmë 40-vjetë mbrapa, ky udhtim me të vërtetë ndryshoi botën në mënyrë themelore.’’   Ai foli mbi rrethanat politike të kohës, të cilat kontribuan  drejtë interesit strategjik amerikan për lidhjen dhe zhvillimin e marrëdhënjeve me Kinën, posaçërisht  faktorin e luftës së ftohët si dhe tensionet  ideologjike në rritje midis Kinës dhe Bashkimit Sovjetik, që në atë kohë ishte një ndër armiqët kryesorë të Shteteve të Bashkuara të Amerikës.

 

Zoti Sollomon tha se vizita e Niksonit në Kinë 40-vjetë më parë, hapi Kinën për botën e jashtme dhe në të njëjtën kohë, hapi derën për reforma të mbrendshme dhe zhvillim kombëtar të Kinës, duke transformua vendin mbrenda një kohe relativisht të shkurtër prej 25 vjetësh.

 

Në fjalimin e saj me këtë rast, Sekretarja Amerikane e Shtetit, Hillari Klinton i bëri thirrje Kinës që të përdorë influencën e saj globale në rritje me qëllim që të luaj një rol konstruktiv në marrëdhënjet ndërkombëtare.  Zonja Klinton tha se Shtetet e Bashkuara janë duke punuar me Kinën që ajo të japë “japë një konribut aktiv për sigurinë globale’’,  duke shtuar se Uashingtoni nuk dëshiron të ketë gara, konflikte ose rivalitet të dëmshëm me Pekinin, pasi janë  “Shtetet e Bashkuara që e kanë ndihmuar Kinën të jetë aty ku është sot në zhvillim e saj.’’

 

Por megjithkëtë, Krye-diplomatja amerikane bëri pyetjen:  “A është e mundur që Kina të zbatojë obligimet e saja në mbrojtje të të drejtave themelore të njeriut?’’  Këjo tha Zonja Klinton, “ është një çështje që ne kemi patur vazhdimisht mosmarrveshje themelore me Pekinin.  Kështuqë, edhe ndonëse dy vendet tona vazhdojnë të jenë të ndërvarura (ekonomikisht) nga njëri tjetri, Shtetet e Bashkuara do të vazhdojnë të mbrojnë parimet dhe standardet universale të të drejtave të njeriut.’’  Për më tepër, Hillary Klinton tha se Kina duhet të përgjigjet për politikën që ajo zbaton edhe jashtë vendit duke përmendur krizën dhe gjakderdhjen në Siri.  Ajo bëri pyetjen: ”A do të përdor Kina fuqinë dhe kompetencat  e saj për t’i dhënë fund dhunës kundër civilëve, në vende siç është Siria?’’.    “A ëështë gati që Pekini të shpjegojë shtimin e forcave ushtarake si  dhe objektivat e strategjive të tij ushtarake , për të siguruar fqinjët e saj dhe për të mënjanuar keqkuptimet, si dhe për të kontribuar ndaj sigurimit rajonal’’?

 

Pyetje këto për të cilat nuk mori përgjigje aty për aty nga kryediplomati kinez, i cili  duke folur për marrëdhënjet dy-palëshe me rastin e 40-vjetorit të vizitës së  presidentin Nikson në Kinë  tha se “Falë përpjekjeve të përbashkëta, marrëdhënjet kinezo-amerikane kanë shkuar përpara megjith përpjetat dhe tatpjetat gjatë viteve.  Me një vitalitet të fortë dhe potencial të madh, marrëdhënjet tona janë zhvilluar në marrëdhënjet bilaterale më të rëndësishmet sot në botë.’’  Ish- Këshilltari i Presidentit Nikson për Sigurimin Kombëtar  i cili me vizitën e tij sekrete në Pekin përgatiti  takimin historik midis presidentit Nikson dhe kryetarit kinez Mao Tse Tung, Henri Kisinger tha gjatë konferencës se në atë kohë, “Ne donim që  ta përfshinim Kinën në sistemin ndërkombëtar.’’  Ndërkaq, për të ardhmen e marrëdhënjeve amerikano-kineze, ish-Sekretari i Shtetit Kisinger tha se Shtetet e Bashkuara “duhet të mësojnë se në disa aspekte, gara me Kinën është e paevitueshme’’, duke shtuar se ‘’marrëdhënjet midis Shteteve të Bashkuara dhe Kinës përbëjnë çelsin e paqës në botë.’’   Zbignjev Brzhezhinski, ish-këshilltar i presidentit Karter  tha se pret që në marrëdhënjet midis Pekinit e Uashingtoni në të ardhmen të ketë një akomodim midis dy palëve, varësisht nga niveli i sukseseve gjeopolitike të Kinës.

 

Brent Skorkroft, ish-këshilltar i Presidentit Bush të vjetër ishte anëtar i delegacionit të Henri Kisinger në vitin 1972 në Pekin dhe e përshkroi  vizitën e delegacionit amerikan në Kinën Komuniste 40-vjetë më parë  “si një takim i dy botëve të ndryshme... ishte sikur njerëzit nga Toka të bisedonin me njerëz nga planeti Mars’’, tha ai.   Zoti Skorkroft tha gjithashtu se Presidenti Nikson e dinte   se  si, konservator me pikpamje të forta anti-komuniste, ai ishte në gjëndje më të mirë politike se ndonjë udhëheqës demokrat amerikan, siç ishte Senatori Hubert Hamfri, për të thyer akullin dhe për të vendosur marrëdhënjet me Kinën Komuniste.  Dekadat e fundit, shtoi ai, kanë provuar se politika amerikane ndaj  Kinës ishte “ndër më të suksesshmet’’ e politikës së jashtme amerikane.

 

Në 40-vjetorin e vizitës së Presidentit Nikson në Kinë një gjë është e sigurt: se e ardhmja e botës në dekadat që pasojnë, do të varet kryesisht nga zhvillimi i marrëdhënjeve bilaterale midis Kinës dhe Shteteve të Bashkuara si edhe nga mënyra se si këto dy fuqi të mëdha do të përballen me sfidat globale ekonomike, politike dhe ushtarake në skenën botërore.

 

Me këtë rast duhet shënuar se vizita e Presidentit Richard Nikson në Kinë  dhe lidhja e marrëdhënjeve diplomatike midis Kinës dhe Shteteve të Bashkuara shokoi në atë kohë regjimin komunist të Enver Hoxhës në Shqipëri.  Për më tepër, sepse kinezët as nuk ishin konsultuar as nuk kishin informuar regjimin  aleat komunist të Tiranës mbi ndryshimet e mëdha politike që ndodhën 40-vjetë më parë në marrëdhënjet midis Uashingtonit dhe Pekinit.   Vizita e presidentit Nikson në Kinë dhe lidhjet diplomatike të Kinës me kundërshtaren e madhe ideologjike të Shqipërisë në atë kohë, Shtetet e Bashkuara, u konsiderua atëherë si një goditje e rëndë për Shqipërinë komuniste.



(Vota: 1)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora